Shote Galica

90 vjet nga vdekja në varfëri dhe keqtrajtim e heroinës, Shote Galica, (Qerime Halil Radisheva 1895 – 1927)

Qerime Halil Radisheva, e njohur në historinë tonë kombëtare si Shotë Galica, ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse të Kosovës, në luftë për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Ajo me bashkëshortin e saj, Azem Bejtë Galica, luftoi trimërisht dhe heroikisht për 12 vjet rresht kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgarë. Qerime Halili ka lindur në vitin 1895, në një familje me tradita atdhetare në fshatin Radishevë, rajoni i Drenicës.  Ajo, në vitin 1915 ishte martuar me kryetrimin e Kosovës së asaj kohe, Azem Bejtë Galica. Krahas burrit dhe bashkëluftëtarëve të tij,  mori pjesë në dhjetëra aksione e beteja të rëndësishme kundër Serbisë shqiptarëvrasëse. Më 1919 mori pjesë në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa më 1922-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut, e cila shërbente si bazë për kryengritjen e Kosovës e të Malësisë.

Në korrik të vitit 1924, pas vdekjes së të shoqit Azem Galica, vazhdoi luftën në krye të çetës së tij. Së bashku me qindra luftëtarë të Kosovës, në dhjetor të 1924 luftoi kundër ushtrive intervencioniste serbe e bjellogardiste dhe forcave të Ahmet Zogut. Regjimi i Nikolla Pashiqit ia kishte vrarë e masakruar  22 anëtarë të familjes. Më 3 korrik të vitit 1927, Shote Galica u vendos në Shqipëri, ku  më 20 korrik vdiq, në Fushë Krujë, e braktisur dhe e  pa ndihmuar  nga Qeveria e Zogut. Ahmet Zogu ishte kundërshtar i krahut kombëtare të Azem Bejtës, Hasan Prishtinës, Avni Rrustemit Luigj Gurakuqit, Fan Nolit, Bajram Currit dhe forcave demokratike përparimtare shqiptare të kohës, të cilët edhe i  kishte likuiduar. (RKL)

Shotë Galicën, Shteti shqiptar e shpalli Heroinë të Popullit, ia ngriti bustin dhe ia rregulloi varrin

Shotë Galicën, shteti shqiptar ( i kohës së regjimit komunist) e shpalli Heroinë të Popullit, ia ngriti bustin e saj dhe ia rregulloi edhe varrin. Sot në kohën e “demokracisë” varri i saj është në gjendje të mjerueshme siç ishte edhe ajo vet në prag të vdekjes së saj në vitin 1927. Ndërkaq për bustin e saj nuk ka kurrfarë të dhënash se ku është tretur?! Qeveria e Kosovës, si ajo në nivel qendror, po ashtu edhe kjo në nivel lokal, as kanë vrarë mendjen deri me sot në mënyrë që eshtrat e Shote Galicës t’i kthejnë në vendlindjen e saj, më në fund pas 80 e sa vitesh, të prehet edhe ajo e qetë pranë varrit të Azem Galicës, burrit dhe bashkëluftëtarit të saj, pranë kullës dhe tokës së vet të dikurshme, pranë varreve të të parëve të saj, në gjirinë e tokës mëmë- ku do të prehej më së miri bija e saj Shotë Galica- Radisheva e pavdekshme. (Mehmet Bislimi)

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …