leoni

Adil Fetahu

Adil Fetahu: Edhe një monografi për Normalen e Prishtinës

(Abaz Osmani – Sejdi Gashi – Idriz Gashi: Shkolla Normale e Prishtinës,“50-vjetori i brezit 1966/67 – Monografi)

 

Vjetëve të fundit është bërë një praktikë e mirë dhe e pëlqyeshme, që po shkruhen e botohen monografi për subjekte të ndryshme, e më së tepërmi për shkollat dhe gjeneratat e shkollarëve. Dhe kjo është e kuptueshme, për shkak se mu ata  “janë të lapsit”.

Një monografi të tillë e kishin përgatitur e botuar këto ditë gjenerata e normalisteve të ish-Shkollës Normale të Prishtinës, me rastin e 50-vjetorit të maturës së kryer në atë Shkollë (1967). Promovimi i monografisë u bë në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës (më 19 shtator 2017), me pjesëmarrjen e shumicës së “nxënësve” dhe të disa profesorëve të asaj gjenerate, por edhe të dashamirëve tjerë të arsimit e kulturës. Në mesin e disa profesorëve të asaj gjenerate, ishte i pranishëm edhe profesori më i vjetër nga mesi i profesorëve të gjallë të asaj Shkolle, e më vonë i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Prishtinës, poeti e shkrimtari i njohur, Rexhep Hoxha.

Shkolla Normale e Prishtinës, që historikisht filloi punën  vitin 1941 dhe vazhdoi deri më mbarimin e Luftës së Dytë Botërore 1944, pas luftës vazhdoi prej vitit 1946 deri në vitin 1953 në Gjakovë, dhe prej andej u transferua në Prishtinë në vitin shkollor 1953/54,- ishte një vazhdimësi e misionit dhe traditës së Shkollës Normale të Elbasanit, për përgatitjen e mësuesve për mësim dhe edukim në gjuhën shqipe, për shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze. Prej Normales së Prishtinës kanë dalë më se 5000 mësues të kualifikuar për shkollën shqipe në të gjitha trevat shqiptare në ish-Jugosllavi.

Kur flitet ose shkruhet për Normalen e Prishtinës, gjithmonë lidhet edhe me Normalen e Elbasanit, sepse shumë ish-nxënës të Normales së Elbasanit erdhën për të dhënë mësim e për të vazhduar traditën e mirë në Normalen e Prishtinës: Shefqet Veliu, Beqir Kastrati, Zekeria Rexha, Tajar Hatipi, Ahmet Gashi, etj. Poashtu, kurdo që flitet për arsimin në gjuhën shqipe në Kosovë e në trevat tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, kujtohet e flitet me respekt e pietet për Ernest Koliqin, i cili nga funksioni i ministrit të arsimit të Shqipërisë, në periudhën 1941-1944, dha një kontribut të madh, duke dërguar fillimisht 200, e deri në vitin 1944 arriti në 400 mësues e profesorë që i dërgoi në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi, për shkollat fillore e të mesme që u hapën asokohe, dhe filloi mësimi në gjuhën shqipe, që deri atëherë ishte i ndaluar rreptësisht nga regjimi i Serbisë. Prandaj, nuk është çudi që shqiptarët në ish-Jugosllavinë e krajlit, pushtimin gjerman e konsideronin si çlirim, nga pushtimi i egër e barbar serb. Monografia në fjalë (fq.17-30) i shtron në hollësi ato rrethana dhe atë kontribut që shteti shqiptar i dha arsimit të shqiptarëve jashtë Shqipërisë.

Natyrisht, pjesa më e madhe e Monografisë bënë fjalë për Shkollën Normale të Prishtinës dhe për gjeneratën së cilës i dedikohet, asaj të displomuar në vitin 1967. Në kapitullin Shkolla Normale e Prishtinës (fq.31-70), jepet historiku i themelimit dhe punës së Normales së Prishtinës, kushtet fizike e didaktike të punës, rrethanat politike të kohës, mungesa e librave, literaturës dhe kuadrit mësimor, por edhe mungesa e nxënësve. Kështu, bie fjala, me rastin e transferimit të Shkollës, prej Gjakove në Prishtinë, në konkursin për regjistrimin e 120 nxënësve në klasën e parë, ishin paraqitur gjithsejt 47  kandidatë. Është dashur një angazhim shoqëror-politik dhe ofrim i kushteve të volitshme, për të nxitur interesimin e kandidatëve. Organet kompetente të arsimit të Krahinës (së atëhershme), siguruan bursa dhe vendosjen në konvikt për të gjithë 120 nxënësit që arritën t’i regjistrojnë pas përsëritjes së konkursit. Kushtet e mira dhe siguria që pas kryerjes së shkollës do të gjenin punë të gjithë në shkollat shqipe, bëri që pastaj për çdo vit të rritet numri i nxënësve. Kështu, Normalja e Prishtinës, ngjalli jetën arsimore, kulturore e sportive të Prishtinës e gjithë Kosovës. Mësimdhënësit e Normales ishin ajka e intelektualëve arsimorë-pedagogjikë e shkencorë, dhe u bë bërthama e Unviersitetit të Prishtinës që u themelua më vonë (1970). Deri në vitin 1958, në Normalen e Prishtinës nuk kishte nxënës të kombësisë serbe, ashtu që Normalja ishte shkollë e pastër kombëtare shqiptare, ku flitej, mësohej, edukohej, këndohej e luhej shqip.  Pak kush e di, se manisfestimet, protestat dhe demostratat e para në Kosovë kundër dukurive negative dhe represionit të regjimit serb, janë zhvilluar mu në Shkollën Normale, prej vitit 1956, kundër aksionit të “mbledhjes së armëve” e kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, dhe në vitin 1958, kur regjimi deshi ta mbyllte Shkollën Normale, me pretekste të ndryshme, dhe vetëm falë angazhimit të vendosur dhe guximit burrëror të Fadil Hoxhës, Normalja shpëtoi pa u mbyllur, por vetëm ia vunë emrin “Milladin Popoviq”, kurse për vitin shkollor 1958/59, u regjistruan edhe dy paralele me serbë e malazezë  dhe të tjerë, për mësim në gjuhën serbokroate. Sidoqoftë, Normalja e Prishtinës, që ka funksionuar deri me përfundimin e vitit shkollor 1973/74, ka nxjerrë mbi 5000 mësues të kualifikuar, për arsimimin shqip të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, në mesin e të cilëve ishte një numër i konsideruar femra.

Me qenë se Monografia i dedikohet gjeneratës së noramlistëve të diplomuar në atë Shkollë në vitin 1967, aty është dhënë lista e emrave të personelit mësimor dhe të nxënësve të asaj gjenerate, si dhe biografitë me fotoportretet (ose pa foto) të disa prej tyre (sa kanë mund t’i sigurojnë për këtë botim). Në listën e arsimtarëve figurojnë emrat e 44 sish; 21 biografi me fotoportrete. Ndërkaq, për nxënësit e asaj gjenerate, jepet lista me emra të të regjistruarve në klasën e I-rë, në vitin shkollor 1962/63, dhe lista e emrave të atyre që kanë arritur ta kryejnë klasën V-të e të diplomojnë në vitin 1967. Prej  110 nxënësve që ishin regjistruar në atë gjeneratë, në vitin 1962, klasën V-të dhe maturën në vitin 1967  e kishin mbaruar 64 sish, për të cilët janë dhënë edhe biografitë dhe fotoportretet.

Në faqe: 71-72, është botuar Letra e presidentit amerikan, Abraham Linkoln, që ia kishte dërguar mësuesit të djalit të tij, i cili po fillonte shkollën në shtator 1830. Letra ka një përmbajtje domethënëse për profesionin dhe misionin e mësuesit, se si duhet trajtuar (butësisht) fëmijët e vegjël e si t’i mësojnë për gjërat që do i hasin në jetë, prandaj letra e botuar veçsa ia rritë vlerën edhe kësaj Monografie.

Lexuesi i vëmendshëm mund të vërej ndonjë lëshim teknik brënda tekstit. Bie fjala, pasusi i fundit i tekstit të faqës 17, përsëritet në mes të faqës 19; apo lista e emrave të nxënësve të klasës V/1 (faq.103), përsëritet në faqe 171. Por këto nuk ia zvogëlojnë aspak rëndësinë as qëllimin Monografisë, e cila e ka përjetësua dhe arkivua gjeneratën në fjalë, duke e futur në biblioteka dhe arkiva.

Për rëndësinë e Shkollës Normale të Prishtinës, për ndihmën e shtetit shqiptar arsimit shqip të shqiptarëve jashtë shtetit, dhe për Monografinë, folën shumë pjesëmarrës në takimin e përurimit.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …