driloni com
vala – old
muqa 900
vipa
Fillimi / Botimet / Adil Fetahu: Një jetë e shumë histori
Adil Fetahu: Një jetë e shumë histori

Adil Fetahu: Një jetë e shumë histori

Dr.sc. Hysni Bytyçi: “Shtigje jete – kronikë”, botoi “Shkëndija”, Prishtinë, 2016)

Libri  autobiografik i avokatit më të njohur bashkëkohor shqiptar, Hysni Bytyçi, edhepse aq voluminoz (678 faqe), lexohet me ëndje e lehtësi, dhe të shpie nëpër kohë, ngjarje e situata interesante, të një periudhe më se shtatëdhjetëvjeçare. Lexuesve të brezit të autorit, libri ua rikujton shumë ngjarje, të cilat edhe ata vet i kanë parë e përjetuar, ndërsa për lexuesit e moshave më të reja,  janë rrëfime interesante, herë-herë të pabesueshme, por të gjitha të vërteta, të rrëfyera me një realizëm  të thjeshtë,  të qartë e të sinçertë.

Përmbajtja e librit nuk është e sistemuar dhe ndarë në kapituj, por e radhitur nën 323 tituj që iu referohen temave, ngjarjeve,  rrethanave  e personaliteteve të ndryshme reale; secila ngjarje e rrëfyer mund të konsiderohet e zbërthehet si një kapitull i veçantë. Që në Parathënie, autori pohon se në to vetë ka qenë aktor, i ka përjetuar si pjesëmarrës, ose i ka parë për së afërmi, dhe i ka paraqitur ashtu si i janë kujtuar.

Hysni Bytyçi u lind më 3 tetor 1940, në fshatin Semetisht të Suharekës. Katër klasë të fillores i kreu në vendlindje, në atë kohë kur nuk kishte asnjë libër në gjuhën shqipe, prej së cilës do të mësonte. Si nxënësi më i mirë, qysh sa ishte në klasën e tretë  dhe të katërt, e kishin angazhuar për t’ua mësuar grave të fshatit shkrim-leximin, por edhe vet e pranon se në këtë detyrë nuk pati sukses, sepse gratë vetëm llafoseshin mes vete. Librin e parë shkollor që kishte marrë në dorë, ishte “Bukvari” (abetarja serbe), kur në klasën e tretë duhej ta mësonte edhe atë gjuhë. Pas mbarimit të klasës së katërt fillore, gjithë shkollimin tjetër e ka mbaruar në gjuhën serbokroate, në Beograd, prandaj edhe të gjitha shkrimet e shumta të botuara nëpër gazeta e revista, madje edhe temën e magjistraturës e të doktoratës, i kishte shkrua në atë gjuhë, e pastaj janë përkthyer.

Autori përshkruan në hollësi varfërinë, vuajtjet dhe peripetitë  që përjetonte populli në ato vite pas Luftës së Dytë Botërore. Shkollën e filloi në xhaminë e fshatit, ku punohej me nga dy klasë të kombinuara. Natën bënin drita me shkopij pishe, sepse s’kishin mjaft vajguri. Po s’kishte asgjë tjetër; disa gjëra elementare: krip, sheqet e tj, bleheshin me triska, varësisht prej numrit të pjesëtarëve të familjes, por asnjëherë nuk mjaftonin. Përmes të ashtuquajturave “teprica”, shteti mblidhte të gjitha prodhimet nga bujqit: drithin, mishin, tëlyenin (gjalpën), pemë e perime, kështu që ishte krizë e bukës, sa që për të ushqyer disi, detyroheshin të bënin bukë prej patatesh, kungujsh, lakrash të livadheve e gjithëfarë barërash. Presioni e represioni ishte i tmerrshëm. Burgoseshin e gjykoheshin njerëzit me akuzën si armiq të popullit, dhe familjes i konfiskohej pasuri. Vazhduan aksione të ndryshme: kolektivizimi, themelimi i kooperativave bujqësore, puna e detyrueshme (“hangari”), heqja e ferexhës, grumbullimi i armëve, torturat çnjerëzore, vala e shpërnguljeve për në Turqi, dhe kjo atmosferë presioni e represioni zgjati deri me rënien e Rankoviqit (qershor 1966).

Dëshira për t’u bërë shofer

Pas kryerjes së shkollës katërklasëshe, autori merret me punët fizike në bujqësi, dhe herë-herë me punë të përkohshme “industriale”. Si djalë i ri, dëshirën më të madhe e kisthe të bëhej shofer, por i ati ishte kundër, bile i kishte thënë: “Nëse bëhesh shofer, unë do të dal para kamionit që të më shkelësh”! Dëshirën për t’u bë shofer e realizon në ushtri, ku kishte shërbyer në brigadën e motorizuar të Gardës së Titos, dhe e kishte dhënë provimin për shofer. Pas ushtrie, prej vitit 1963 largohet përherë nga vendlindja, shkon në Beograd për të gjetur punë, në ndërkohë bëhet shofer profesionist, duke dhënë provimet për të gjitha kategoritë, dhe një kohë punoi si vozitës i cisternave (maunave) me amoniak, që importohej prej Italisë dhe Greqisë. Punën e shoferit profesionist e kryen deri në vitin 1972, kur pësoi një lëndim – djegëje të rëndë me nitrat, dhe merr statusin e invalidit të punës.  Pas kësaj, i rreket shkollimit, kryen shkollën e mesme, dhe në afatin rekord, në vitin 1981, kryen Fakuletin Juridik në Universitetin e Beogradit. Kishte arritur edhe një rekord tjetër: pas mbarimit të Fakutletit, kishte konkuruar në 396 konkurse për punë, dhe kishte fituar 80 herë kontestet e ndryshme gjyqësore lidhur me konkurset dhe marrëdhëniet e punës, por vendimet gjyqësore që ishin në favor të tij, nuk zbatoheshin. Por Hysniu ishte këmbëngulës, dhe sa i mbyllej një shteg, hapte një shteg tjetër më të gjërë. Prandaj,  përgatitë dhe jep me sukses provimin e jurisprudencës dhe bëhet avokat i dalluar në Beograd e më gjërë.

Avokat dhe publicist i dalluar

Hysniu ka zhvilluar aktivitet të pareshtur, ka botuar shumë shkrime në gazeta e revista të ndryshme, në Kosovë dhe jashtë saj, ka marrë pjesë në debate politike e profesionale, në tribuna e tubime të ndryshme në Beograd, në mbrojtje të të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi. Ishte kundër politikës “paqësore-pasive” rugoviane, dhe në këtë frymë botoi librin: “Përgatitu për luftë, nëse do paqe”. Në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, Hysniu u ka shkrua letra të hapura të gjitha institucioneve kryesore federative e republikane dhe udhëheqësve të tyre, por edhe faktorëve ndërkombëtarë, në të cilat ka paraqitur padrejtësitë dhe shkeljet ligjore që po bënin policia dhe organet shtetërore, veçmas gjykatat ndaj shqiptarëve të burgosur e të gjykuar pa asnjë provë. Si avokat, ka marrë në mbrojtje një numër të madh të shqiptarëve të burgosur politik nepër burgjet e Kosovës e të Serbisë. Dhe jo vetëm se ishte angazhuar në mbrojtjen e tyre, por i vizitonte dhe iu dërgonte pako me ushqime e veshmbathje, sipas porosisë së familjarëve. Në libër jepet shënimi se me postë iu ka dërguar 400, e drejtpërdrejtë me veturë 200 pako. Kishte deklaruar publikisht, se të gjithë të burgosurit politik, do t’i mbrojë falas, dhe kjo iu kishte prishur hesapin avokatëve tjerë  shqiptarë e serbë, të cilët u merrnin klientëve shuma të mëdha parashë. Avokatët serbë e kishin caktuar njëfar çmimi standard: nga 15000 deri 20000 marka gjermane për një klient, por edhe një avokat shqiptar i kishte thënë klientit të tij: “Për këtë rast, duhet ta shesësh arën”, apo tjetri i thoshte Hysniut: “Hiqu tyre, se ata janë marksista-leninista”, etj.etj, veprime të pandërgjegjshme dhe kundër etikës profesionale të avokatit. Hysniu është shumë i drejtpërdrejt, dhe të gjithë ata, të gjallë apo të vdekur, i përmend me emër e mbiemër në librin e tij.

 

Jeta e tij, me aspiratat, vendosmërinë, guximin, forcën e karakterit, veprimet njerëzore, të gërshetuara me tipare burrore, bënë që Hysniu të arrijë suksese, deri me gradën e doktorit të shkencave juridike. Ai gjithnjë e ka ditur cili ishte, pse ishte në atë gjendje, dhe ku do të arrijë. Prej fëminije e deri në këtë moshë, Hysniu donte të ishte i lirë, zotëronte një energji të pashterrshme të brendshme dhe kërkonte ndryshim pozitiv. Për shkak të angazhimit të tij në mbrojtjen  e personaliteteve të njohura të “nacionalistëve shqiptarë”, për shkak te shkrimeve  e polemikave të shumta, për shkak të paraqitjeve  publikisht dhe guximshëm të pikëpamjeve të veta kundër politikës së regjimit serb,  Hysniun e kërcënonin me letra  e telefonata, derisa një natë i bënë një atentat famljar, me ç’rast në banesën e tij në Beograd (Zemun), ia rrahin gruan ndërsa Hysniun e lënë për të vdekur. Vetëm fati  dhe kujdesi i mjekëve (serbë) të Beogradit e kishin shpëtuar. Prandaj, në shtator të vitit 2000, Hysniu bashkë me familjen është shpërngulur prej Beogradi, dhe tash jeton në Londër.

Është e pamundur të pasqyrohet tërë  puna dhe aktiviteti i dendur i Hysniut, në një vështrim të shkurtër si ky. Fundja, vështrimi ka për qëllim vetëm t’i njohtojë lexuesit me syzheun e librit, për t’i nxitë ata që vet ta lexojnë librin.

Libri “Shtigje jete – kronikë”, të krijon emocione. Autori ka bërë një jetë të veçantë. Vështirë të vlerësosh, se cila ishte faza më e vështirë e jetës së tij: si fëmi, si punëtor fizik e shofer maunash, si nxënës  e student në Beograd, si avokat prej Prizrenit deri në Novi Sad, si aktivist e publicist i pakompromis, deri në rrezikim të jetës së vet e të familjes. Dhe në të gjitha fazat, qëndroi vertikal, i papërkulur ndaj askujt.  Është një skanim letrar i jetës së autorit, sa që po të  ekranizohej, do të dilte një film  shumë interesant. Ai kritikon pa ekuivoke veset e njerëzve, mungesën e ndërgjegjës dhe etikës profesionale të kolegëve (shqiptarë e serbë), politikën pasive të dekadës së fundit të shekullit të kaluar, por edhe politikën “aktive” të udhëheqësve të pandërgjegjëshëm partiak e shtetëror të shtetit të Kosovës pas çlirimit, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë.  Nëse lexuesi ka sens të kuptojë pjesët e fshehta të jetës, vërenë se veprimet dhe qëndrimet e autorit arrijnë përtej caqeve të rendomta dhe arrijnë majat më të larta morale, njerëzore e atdhetare. Ndonëse prej moshës së re jetoi në një ambient tjetër,  Hysniu di të shtrojë e t’i shtrijë idetë e tij në gjerësi e thellësi dhe të depërtojë në realitete sociohistorike të shpirtit të shqiptarit.

Me këtë libër, Hysni Bytyçi i ka ngritur vetes pejsazhin e profilit shpirtëror, profesional dhe intelektual, që reflekton në logosin dhe fatin e kombit të vet. Libri “Shtigje jete – kronikë”, nuk është mit as trillim, por është një politekst real i ngjarjeve dhe i ngadhnjimit të autorit, ndërsa autori vet është një “asset” i çmueshëm i avokatisë praktike dhe i shkencës juridike shqiptare. Libri nuk është një autobiografi e thjeshtë, por është një vepër shumëdimesionale, në të cilën autori më pak flet  e rrëfen për vetën e tij, e më shumë  për kohën, rrethanat, situatën politike, personalitete të njohura, gjendjen sociale të popullit shqiptar. Jeta e autorit nuk ishte një vrapim maratone, veçse një udhëtim hap pas hapi, nëpër shumë shtigje të diturisë. E nisi si bari, bujk, punëtor fizik, shofer, jurist, avokat, arriti gradën magjistër dhe doktor i shkencave juridike. Është një jetë, por  shumë histori.

Kontrolloni gjithashtu

Shkëlqim Millaku: "E folmja e Karadakut të Shkupit", e prof. dr. Asllan Haminit, monografi shteruese me vlerë për dialektologjinë shqiptare

Shkëlqim Millaku: “E folmja e Karadakut të Shkupit”, e prof. dr. Asllan Haminit, monografi shteruese me vlerë për dialektologjinë shqiptare

Asllan Hamiti është gjuhëtar e profesor i dalluar. Ka marrë pjesë në hartimin e planeve ...