Adil Fetahu

Adil Fetahu: Një monografi për histori

(Zejnulla Qyra: “Struga për Kosovën 1999”, botoi: “IRIS”,Strugë)

        Të gjitha regjimet e Serbisë, që nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë (1844) e deri në funt të shekullit njëzet (1999), me programe e plane shtetërore kanë synuar zhdukjen e popullit shqiptar, në rend të parë atyre në trevat e pushtuara dhe aneksuara nga Serbia (së pari nga Sanxhaku i Nishit e pastaj nga Kosova), por edhe nga gjithë Ballkani. Janë të njohura shumë programe e plane serbe për ketë qëllim, të publikuara e të papublikuara, prej “Naçertanies” (1844) e deri te plani “Patkoi” (1998), të cilin Serbia me të gjitha forcat e zbatoi në pranverën e vitit 1999, kur pas vrasjeve, masakrave, dhunimeve, plaçkitjeve, djegëjeve, i dëboi nga Kosova me dhunë afro një milion shqiptarë (shënimet e UNHCR-it japin shifrën prej 862.979 veta të deportuar jashtë Kosovës). Sipas planit “Patkoi”, të cilin filloi ta zbatojë me operacionet e zhvilluara në periudhën mars-maj 1999, përveç atyre që kishte vrarë e zhdukur, kishte lënë një shteg për t’i dëbuar në Shqipëri e Maqedoni, duke ua plaçkitur çdogjë të vlefshme që kishin me vete dhe konfiskuar e grisur dokumentet personale të identifikimit, me shpresë se prej andej do të shpërndaheshin në katër anët e botës, e nuk do të mund të ktheheshin më kurrë në Kosovë. Ata që kishte arritur t’i vriste, kuformat e tyre ose i digjte në furrënalta, ose i hidhte në ujëra (të Danubit e të liqenit Peruçac), ose i varroste në varreza masive nëpër Serbi dhe mbi to ndërtonte objekte, për t’i humbur gjurmët e krimeve. Të tjerët që akoma s’kishte arritur t’i vriste apo t’i dëbonte,  i ndiqte nëpër malet e Kosovës.

Refugjatët kosovarë në Maqedoni

Përveç nja 375.000 kosovarëve të vendosur në shtetin amë,në Shqipëri, edhe nja 150.000 ishin vendosur në ish-republikën jugosllave të Maqedonisë. Të tjerët ishin shpërndarë nëpër shtete të ndryshme të botës, prej Malit të Zi e deri në Amerikë e Australi, Turqi, Austri, Gjermani, Itali, Zvicër, Francë, Britani të Madhe, Kanadë, Suedi, Norvegji, Greqi, Izrael, etj. etj.  Derisa shteti shqiptar kishte shprehur gadishmërinë e pranimit dhe mbajtjes së të gjithë refugjatëve të Kosovës, regjimi fashizoid i Maqedonisë kishte bërë gjithçka që refugjatët nga Kosova të mos i mbante brënda shtetit të vet, nga frika e destabilizimit dhe e vendosjes së përhershme të një numri sish, që do ta prishte strukturën kombëtare të atij shteti të brishtë e të paidentitet kombëtar. Për këtë qëllim, me javë të tëra i mbajti refugjatët në kampin famkeq të Bllacës, në zonën neutrale midis kufirit të Kosovës e Maqedonisë, nën qiellin e hapur, në kushte të motit të ftohtë e me shi të mars-prillit 1999. Dhe jo vetëm kaq, por forcat policore maqedonase (ndoshta të përforcuara me aso serbe), as aty nuk i lenin të qetë, pandërprerë i fyenin, ngacmonin, keqtrajtonin dhe torturonin madje edhe fizikisht rufugjatët hallexhinjë. Më vonë, me intervenimin e UNHCR-it, refugjatët u vendosën nëpër kampe përqëndrimi brenda kufirit të Maqedonisë, në Kampin e NATO-s në “Stenkovec” (afër Shkupit), “Neproshten” (afër Tetovës), dhe “Çegran” (afër Gostivarit). Më 14 maj 1999, refugjatët në Kampin e “Stankovecit” e pati vizituar presidenti amerikan Bill Clinton, së bashku me bashkëshorten Hillari dhe vajzën Chelsea. Refugjatët kosovarë nëpër kampe i pati vizituar edhe aktori i famshëm botëror, Richard Gere.

Vëllëzërit tanë, shqiptarët vendas të Iliridës, u organizuan shpejt e për mrekulli, hapën dyerët e shtëpive dhe zemrat e tyre bujare, i nxirrnin grupe-grupe refugjatët prej kampeve dhe i vendosnin nëpër shtëpitë e tyre, u bënë konak, iu shtruan sofrat e i mbanin sikur t’i kishin mysafirë, duke ua plotësuar të gjitha kushtet për akomodim, jetesë e qëtësi shpirtërore, duke u kujdesur për shërimin e të sëmurëve e të plagosurve dhe për shkollimin e fëmijëve të tyre; si dhe për vënien e lidhjeve telefonike për t’u informuar me të afërmit e tyre të shpërndarë nëpër botë. Kështu refugjatët kosovarë u shpërndanë dhe vendosën pothuajse në të gjitha shtëpitë e shqiptarëve vendas në Maqedoni, dhe për ta në rend të parë u kujdesën nikoçirët e shtëpive, por edhe këshillat e emergjencës dhe organizatat humanitare. Ndërkaq, shteti i Maqedonisë, jo se nuk u kujdes, por sa mundi i pengoi edhe individët edhe këshillat e emergjencës edhe organizatat humanitare për sa i përket vendosjes dhe akomodimit të refugjatëve, dhe u mundua që sa ma shumë refugjatë t’i nxirrte nga Maqedonia e t’i shpërndante sa më larg nëpër botë, për të mos u kthyer më kurrë.  Megjithatë, vendosmëria e vëllezërve shqiptarë, sfidoi shtetin maqedon dhe bëri të mundur mbajtjen e numrit më të madh të refugjatëve, dhe kthimin e tyre në Kosovë sapo përfundoi lufta. Kështu kodi shqiptar i humanizmit dhe dashurisë vëllazërore, e sfidoi dhe e mundi kodin kriminal e fashizoid sllav, serbo-maqedon.

“Struga për Kosovën 1999”

“Struga për Kosovën 1999” është titulli i Monografisë së autorit Zejnulla Qyra, që është një monografi e dokumentuar me emra të përveçëm, me shifra e fakte, për refugjatët kosovarë të vendosur nëpër shtëpitë private në qytetin e Strugës dhe në 22 vendbanime tjera shqiptare në rrethin e Strugës. Monografia përmban dokumentacionin faktografik, të cilin autori e ka vjelë nga burime të ndryshme: nga Këshilli Qendror dhe këshillat lokale të Emergjencës, nga organizatat humanitare “Nëna Terezë”, “El Hilal”, “Kryqi i Kuq”, nga shkollat fillore dhe Gjimnazi i Strugës, nga ambulancat dhe klinikat e ndryshme private.

Pas një Vështrimi të shkurtër mbi historinë e Kosovës, në Monografi është pasqyruar struktura e organizimit dhe përbërja (anëtarët) e Këshillit Qendror dhe të këshillave lokale të emergjencës, numrat e telefonave për informim brënda e jashtë vendit; njoftime e reagime të ndryshme; pasqyra tabelare e 8.592 refugjatëve të strehuar nëpër familje në Strugë dhe në 22 lokalitete të rrethit të Strugës; raportet për të gjitha llojet dhe sasitë e marrura dhe shpërndara të ndihmave materiale që kanë dhënë donatorë të ndryshëm dhe organizatat humanitare: “Nëna Terezë”, “El Hilal”,  “Cap Anamur” (Gjermani), “Caritas” (Austri), “MCI-USA”, dhe vazhdon me listën e gjatë me emra e mbiemra të të gjithë refugjatëve, prej nga kanë ardhur, si dhe emrat e mbiemrat e pronarëve të shtëpive dhe vendit ku janë vendosur (faqe 85-454); pastaj listat me emra e mbiemra të nxënësve kosovarë të përfshirë në procesin mësimor në shkolla të mesme dhe ato fillore, sipas viteve (klasëve); listën e emrave të nënave që gjatë asaj kohe kanë lindur fëmijët në klinika e maternitete (me data të lindjes) dhe adresa prej nga ishin nënat; listën me emrat e (267) pacientëve të cilët u mjekuan nëpër klinika e ambulanta të caktuara specialistike (“Uni-med Pollozhani”, “Medica”, “Dr Dika”, “Nita”, etj.), dhe 154 pacientëve që iu kryen shërbime në klinikën stomatologjike. Monografia përfshinë gjithë kohën dhe të gjitha format e përkujdesjes për refugjatët nga Kosova, për gjithë kohën, deri ditën kur ata janë kthyer në Kosovë, apo kanë shkuar gjetkë për bashkim familjar.

Është kjo një Monografi kronikë-dëshmi e historisë së një kohe, të cilën e përjetuan shumë kosovarë e do ta mësojnë edhe shumë tjerë që nuk e kanë përjetuar, si dhe ata që do vijnë më vonë, sidomos pasardhësit e personave dhe familjeve që përmendën në këtë libër. Në Monografi secili kosovar që ka qenë refugjat në Strugë ose rrethinë, mund ta gjejë emrin e vet dhe emrin e pronarit të shtëpisë ku ka qenë i akomoduar, secili nxënës në cilën shkollë ka qenë, secili pacient ku është kuruar, secila nënë ku dhe kur ka lindë fëmiun atje, gjatë asaj kohe. Autori Zejnulla Qyra e ka punuar librin me shumë përkushtim dhe kompletuar e dokumentuar me të dhëna burimore. Tekstin e ka ilustrua me më se 50 fotografi, të vendeve dhe njerëzve. Me këtë monografi, autori ka bërë një thyerje të optikës historike të dhembjes sonë të madhe, në një optikë njerëzore, humanitare, personale e kolektive, të një qëndrese kombëtare në kohë dhe hapësirë reale. Janë këta njerëz të Strugës e gjithë Iliridës, që bënë një pjesë integrale të historisë sonë kombëtare. Libri është botuar në vitin 2006, por koha e kaluar as ajo e ardhshme nuk e shlyen dot rëndësinë historike të librit dhe të ngjarjeve të pasqyruara në te. Përkundrazi. Recensentë të Monografisë ishin: prof.dr.Zekeria Cana nga Prishtina dhe Xhelal Gjeçovi (Instituti i Historisë, Tiranë), ndërsa sponsor i botimit ishin Ndërmarrja Ndërtimore “Trim dhe Lum”, e pronarit Mendi S. Qyra, dhe Kompania e Sigurimeve “Sigma”, Strugë.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …