(Ismail Muharremi: Fushëkosova në shtjellën e mbijetesës, 1878 – 1999, botim “Artini”, 2015)

Adil Fetahu: Një monografi për lakmi

(Ismail Muharremi: Fushëkosova në shtjellën e mbijetesës, 1878 – 1999, botim “Artini”, 2015)

Që në Parathënie autori skicon përmbajtjen e monografisë për Fushëkosovën, si vendbanim, si bashkësi shoqëroro-politike (komunë), me rrethinën e ngushtë, si qendër e destruksionit të nacionalizmit të shfrenuar serb; zhvillimet e ngjarjeve të bujshme gjatë kohës, pësimet e banorëve shqiptarë nga regjimet gjakatare serbe, përpjekjet për mbijetesë veçmas gjatë dy dekadave të fundit të shekullit të kaluar, dhe pasojat e luftës së fundit (1999).

Përmbajtjen e 377 faqeve teksti të librit, autori e ka ndarë e sistemuar në 10 kapituj: 1) Qyteza e Fushëkosovës gjatë dekadave; 2) Administrata lokale e Fushë kosovës; 3) Formimi i komunës së Fushëkosovës në funksion të antishqiptarizmit; 4) Arsimimi shqip në Fushëkosovë; 5) Bazat e institucioneve të para kulturore; 6) Riorganizimi institucional i jetës dhe punës në rrethana okupuese; 7) Ngritja dhe rrënimi i ekonomisë së Fushëkosovës; 8) Dëshmi për dhunën masive në Fushëkosovë; 9) Emrat e atyre që u flijuan për mbijetesën e Fushëkosovës; 10) Objektet fetare shqiptare të Fushëkosovës në shërbim të përpjekjeve për mbijetesë. Teksti pastaj është zbërthyer e shtjelluar në shumë njësi (tituj e nëntituj), ilustruar me shumë fotografi, dëshmi, faksimile e fusnota, dhe përfunduar me theksime përmbyllëse të autorit, me Fjalën e redaktorit (Skënder Zogaj) e të recenzentit (prof.ass.dr.Rexhep Osmani), shënime për autorin dhe burimet e literaturës  së shfrytëzuar.

Në kapitullin e parë (f.7-23), jepë një pasqyrë për pozitën gjeografike, popullsinë dhe strukturën etnike të saj. Fushëkosova është pothuajse në qendrën e rrafshit të Kosovës, një nyje e rrugëve dhe hekurudhës që lidhin  shumë qendra me veriun dhe jugun e Evropës, por edhe me Azinë (Turqinë). Në aspektin lokal, është afër kryeqytetit të Kosovës (Prishtinës, 6 km), afër burimeve energjetike të Obiliqit, afër Aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës. Ndonëse disa fshatra të këtij lokaliteti (Lismiri, Bresja, Nakarada, Uglari, Kuzmini) përmendën në dokumente të hershme kishtare të Durbrovnikut dhe në defteret kadastrale të Perandorisë Osmane, vet qendra e Fushëkosovës ka nisë të popullohet tek pas ndërtimit të hekurudhës Mitrovicë-Ferizaj-Shkup (1873). Për shkak të pozitës strategjike, mundësive për punësim dhe kushteve tjera të favorshme për banim, pushteti serb prej vitit 1918 deri më 1941, kishte sjellë në Fushëkosovë dhe në fshatrat e afërta shumë kolonë, nga Serbia (20 familje), Mali Zi (27 familje),  Vojvodina (53 familje), Kroacia (6 familje), Bosnje-Hercegovina (19 familje), po edhe  serbë nga Bullgaria (7 familje),  Shqipëria (1 familje), e Italia (8 familje). U kishe ndërtuar shtëpi e dhënë 10-20 ha tokë të punueshme, kullosa e pyje, dhe i kishte punësuar në ferovi, polici, ushtri e sektorë tjerë. Autori ka evidentuar emrat e të gjithë kryefamiljarëve kolonë. Në atë periudhë, regjimi serb kishte sjellë në Fushëkosovë dhe në fshatrat e afërta  319 familje serbo-malazeze. Duke pasur parasysh presionin dhe terrorin shtetëror ndaj  shqiptarëve, të cilët detyroheshin të shpërngulen për në Turqi e Shqipëri, struktura etnike e popullsisë së Fushëkosovës me rrethinë vazhdimisht ka pësuar ndryshime të mëdha gjatë kohës; gjithnjë në dëm të shqiparëve e në favor të sllavëve. Autori ka dhënë një kronologji të numrit të banorëve gjatë kohës në Fushëkosovë dhe fshatrat e afërta, të ardhur prej trevave të ndryshme, shumë prej të cilëve janë me prejardhje muhaxhire nga trevat e Sanxhakut të Nishit, po edhe nga Medvegja, prej nga ka ardhur edhe vet autori, por  edhe nga Lugina e Preshevës, Kumanova, etj. Trendet e popullsisë i ka ilustrua me tabela e të dhëna, sipas regjistrimeve. Është interesant shënimi, se në vitin 1928, në Fushëkosovë kishte vetëm 64 familje, me 244 banore, të gjithë serbë e malazezë (kolonë). Po edhe në vitin 1961 ishin 605 familje, me 1413 banore, prej të cilëve (vetëm) 144 ishin shqiptarë, dhe kështu Fushëkosova ishte bërë një qerdhe e nacionalizmit destruktiv serb, e lidhur me kreun e shtetit, kishes dhe strukturave tjera nacionaliste serbe të Beogradit.

Është e ditur se prej viteve 1877/78, deri më 1999, shteti klerofashist  i Serbisë ka kryer katër valë gjenocidi mbi shqiptarët. Së pari, në vitet 1877/78, me vrasje masive e terror i përzuri shqiptarët nga trojet e tyre dhe bëri pastrimin etnik të më se 700 fshatrave e qytezave të Sanxhakut të Nishit. Në vitet 1913/14, gjatë luftërave ballkanike, pushtoi dhe aneksoi edhe Kosovën dhe zbatoi vrasje e terror. Kështu veproi edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-1945), sikurse edhe gjatë luftës së fundit (1998-1999), kur i dëboi nga Kosova afro një million shqiptarë, e që për fat të mirë, shumica prej tyre u kthyen përsëri në vatrat dhe shtëpitë e tyre, të plaçkitura, shkatërruara e djegura.  Të gjitha këto valë terrori e gjenocidi mbi shqiptarët, jo vetëm gjatë luftërave, por edhe në kohë paqeje, kanë ndikuar në zvogëlimin e numrit të shqiptarëve, por edhe përkundër kësaj, dhe përkundër përpjekjeve për kolonizimin dhe dominimin me popullsi sllave, në Kosovë shqiptarët gjithmonë kanë dominuar numerikisht. Sepse, toka iliro-dardane e Kosovës nuk e bënë as nuk e rritë farën e shkaut.

Fushëkosova me fshatrat rreth saj deri në fund të vitit 1988, ishte bashkësi lokale në kuadër të komunës së Prishtinës. Në vargun e themelimit të disa  komunave politike, me shumicë serbe, edhe Fushkosova u themelua komunë në vete. Ndonëse popullsia e asaj komune ishte me shumicë shqiptare, për shkak të situatës politike të krijuar, tërë pushtetin e kishin ekstremistët serbë. Të gjitha strukturat e komunës, tërë kohën kanë vepruar kundër interesave të shqiptarëve e të Kosovës. Shqiptarët ishin të diskriminuar skajshmërisht. Organizata famëkeqe e quajtur “Kosovski bozhur”, tubonte rreth vete gjithë llumin e nacionalistëve të tërbuar serbë e malazezë, e cila bashkëpunonte ngushtë me qeverinë dhe strukturat e tjera nacionaliste të Beogradit. Ajo organizatë famëkeqe ishte promotori i organizimit të mitingjeve, protestave, peticioneve, kërkesave për suprimimin e autonomisë dhe subjektivitetit politik-juridik të Kosovës në Federatën jugosllave. Kisha ortodokse serbe bënte punën e vet të ndyrë, në përkrahje të të gjitha aktiviteteve antishqiptare e antikosovare. Inskenonin ekscese, trillonin gënjeshtra e reklamonin në mediat serbe, gjoja se kanë presion nga shqiptarët. Kjo të kujtonte përrallen e La Fontenit: “Ujku e qingji”, derisa ata vet e kishin pushtetin dhe i kishin uzurpuar të gjitha pozitat në nivelin lokal e qendror. Kryekrimineli, S.Millosheviq, dy herë brënda një kohe të shkurtër erdhi në tubimet e bozhuristëve në Fushëkosovë (prill 1987), për t’iu dhënë zemër dhe mbështetjen e shtetit në veprimet e tyre ekstremiste, me premtimin se atyre “nuk do t’iu mungojë as qimja e flokut, dhe se askush nuk do t’i rrahë serbët”. Anëtari i Kryesisë së KQ të LKJ, boshnjaku Hamdia Pozderac, pasi ishte kthyer në Beograd, nga një mbledhje e partisë në Fushëkosovë, ku kishte parë çoroditjen e nacionalistëve serbë, kishte deklaruar: “Ekstremistëve serbë do t’iu mungojë edhe koka, e jo vetëm qimja e flokut”. Pas pak ditësh,  Pozderac kishte humbur jetën në një “aksident ajror”?!

Autori i monografisë, si aktivist i angazhuar dhe vrojtues e njohës i mirë i të gjitha ngjarjeve që janë zhvilluar atje,  ka përshkruar në detaje veprimtarinë nacionaliste të ekstremistëve serbë e malazezë në tërë periudhën pas vitit 1981, shumicën e të cilave i ka të njohura opinioni kosovar, por monografia përmbanë edhe shumë tjera që opinion nuk i di. Me një pedantëri të admirueshme ka evidentuar edhe reagimet, veprimet me kulturë demokratike të shqiptarëve të atij mesi, për t’iu kundërvënë diskriminimit  dhe politikës shoveniste të ekstremistëve serbo-malazezë, në të gjitha nivelet.

Prej vitit 1992, në Fushëkosovë veprojnë ndaras dhe paralel strukturat politike dhe ekzekutive shqiptare e serbe. Derisa serbët kishin uzurpuar gjithë pushtetin, objektet dhe mjetet, shqiptarët u organizuan dhe me vetëkontribut mbajtën arsimin, shëndetësinë, jetën kulturore e sportive. Ata lëshuan shtëpitë e tyre për shkolla dhe aktivitete kulturore. Solidariteti i qytetarëve ishte i madh, me ndonjë përjashtim tek-tuk. Në monografi është përshkruar në detaje historia e të gjitha shkollave të Fushëkosovës, puna e tyre, personeli drejtues e mësimdhënës, presioni e represioni serb mbi shkollën dhe arsimin në gjuhën shqipe, në kushtet e okupimit të egër. Evidentimi me përpikëmëri dhe paraqitja e saktë e me pedantëri e gjithë asaj që ka ndodhur në Fushëkosovë dhe rrethinë, në një periudhë të caktuar,  është një literaturë dokumentare që duhet t’ia kenë lakmi shumica e komunave të Kosovës.

Në kapitullin VII (fq.201-232), autori ka shtjelluar resurset ekonomike; ngritjen dhe rrënimin e ekonomisë së Fushëkosovës, që dikur ishte mjaft e suksesshme, sidomos nga lëmi i agrokompleksit; masat dhe integrimet e dhunshme; përjashtimin e kuadrove dhe punëtorëve shqiptarë dhe zëvendësimin e tyre me serbomalazezë pa kualifikime adekuate, duke ndërruar kështu strukturën nacionale të kolektiveve punuese; rrënimin e ekonomisë së sektorit shoqëror dhe atij privat, etj.

Pa nënvlerësuar segmentet e tjera që janë shtjelluar në monografi, ajo që është më e dhembshme e më tragjike, por me shumë rëndësi, është në kapitullin VIII – Dëshmi për dhunën masive në Fushëkosovë. Aty  ka të dhëna me emrat dhe fotografitë e ushtarëve të vrarë në armatën jugosllave, shpjegimet zyrtare shpeshherë kontradiktore, dhe shpjegimet e tjera reale. Poashtu, me emra e mbiemra, me fotografi e fjalë janë të dhënat për tmerret, të vrarët, të masakruarit  e të zhdukurit gjatë luftës 1998/99, sidomos gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, kur në Fushëkosovë janë varë ose zhdukur 130 shqiptarë të moshave dhe gjinive të ndryshme, janë dhunuar qindra femra shqiptare, janë djegur 1935 shtëpi banimi e objekte tjera familjare, janë dëbuar e transportuar jashtë Kosove (në Maqedoni e Shqipëri) mbi  7000 vetë, është plaçkitur gjithë pasuria e luejtshme, janë shpartalluar e shpërndarë nëpër botë familjet, shumë prej të cilëve nuk janë kthyer  kurrë më. Për të argumentuar materien e shtjelluar, përveç burimeve tjera zyrtare e private, ka regjistruar edhe deklaratat (rrëfimet) e  14 personave të cilët kanë përjetua tmerrin e masakrave që kanë ndodhur në Fushëkosovë. Kur lexon rrëfimet e tyre, të rrënqethet gjithë trupi. Dhe, ajo që kësaj monografia ia shton vlerën akoma më tepër është lista e personave të identifikuar, me emër e mbiemër dhe funksionin që kanë pasur, nga radhët e serbo-malazezëve vendas e tjerë, të cilët kanë kryer krimet dhe kanë bërë masakrat mbi fqinjët e tyre shqiptarë, duke menduar se në Fushëkosovë nuk do të shkelë më këmbë shqiptari! Përgjegjësit e parë e të drejtpërdrejtë për gjithë ato që kanë ndodhur në Fushëkosovë, autori i konsideron kryetarin e Komitetit Komunal të Lidhjes Socialiste të Serbisë në Fushëkosovë, Mitar Baleviq, dhe kryetarin e komunës, Zoran Grujiq, të cilët ishin në krye të shtabit të luftës në Fushëkosovë, dhe fill pas tyre vijnë emrat  dhe funksionet e personave tjerë përgjegjës për krimet. Janë këto të dhëna që duhet t’i shërbejnë edhe Prokurorisë Speciale, për të ngritë procedurën  kundër tyre për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

Për shkak të argumentimit me fakte, prej burimeve të shumta, të materies së shtjelluar të segmenteve të ndryshme, monografia për Fushëkosovën, e autorit Ismail Muharremi është e një rëndësie të veçantë, prandaj edhe këtë vështrim e titullova: një monografi, për lakmi, sepse monografi të tilla do duhej të botoheshin për të gjitha komunat dhe vendbanimet e Kosovës. Me këtë monografi, autori ka larë një borxh intelektual, duke arkivuar në libër fjalën e shkruar e të argumentuar, dhe u ka bërë homazh dëshmorëve, martirëve dhe viktimave të shumta të gjenocidit serb. Njëkohësisht, ka vlerësuar punën dhe kontributin e një plejade të arsimtarëve, intelektualëve, veprimtarëve dhe qytetarëve tjerë të Fushëkosovës e rrethinës, për mbijetesën në kohë të vështira, që gjithësesi edhe vet është një intelektual dhe veprimtar i merituar në atë mes e më gjerë.

Autori, Ismail B.Muharremi u lind në fshatin Kapit të Medvegjës (Serbi), në vitin 1937. Ka kryer Shkollën Normale dhe Fakultetin Filozofik – Dega e Pedagogjisë, në Prishtinë. Disa vjet ka punuar në arsim, fillimisht në vendlindje e në  Hade të Obiliqit, për të vazhduar pastaj në “Kosova-eksport” në Fushëkosovë, në administratën e organeve krahinore të arsimit, shkencës e kulturës, si këshilltar për shkollimin e lartë. Si të gjitha kuadrot shqiptare, në vitin 1990 u përjashtua prej pune nga organet e dhunshme serbe. Si intelektual i mirëfilltë, vazhdimisht është angazhuar e ka dhënë kontribut të çmueshëm në aktivitete të ndryshme të çështjes kombëtare, për çfarë ka marrë mirënjohje e medalje. Më heret ka shkruar monografinë “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj”, në dy vëllime, por ka botuar edhe shkrime tjera. Është shpallur  Qytetar Nderi i Fushëkosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Veterani i arsimit dhe i luftës së UÇK-së, Ramadan Rizani, nxori në dritë dy përmbledhje poetike: “Mos mi hap plagët e reja” dhe “Ç’faj kam unë”

Pas botimit të librit publicistik, “Krojmiri, strehë për mijëra të zhvendosur gjatë luftës”, në vitin …