Afërdita Pepkola: Këngët e mërgimit ndezin emigrantët

Këngëtarja, Afërdita Pepkola ka vite që jeton në Amerikë, por zemrën nuk e ndan nga atdheu. Dhe aty në Amerikën e largët këndon shqip, realizon klipe shqip dhe të gjitha këngët e reja, të gjithë kërcimtarët, por dhe ata që përbëjnë klipin e saj janë me veshje popullore. Fjala është për këngëtaren e talentuar, Afërdita Pepkola, e cila në këtë intervistë për “Albanian Free Press” tregon sesi ka një mall të veçantë për Shqipërinë dhe se kur vjen këtu, nuk lë qytet dhe fshat historik pa vizituar…

A jeni ambientuar me Amerikën?

Sigurisht që jam ambientuar, pasi kam shumë vjet, por malli për atdhe ngelet një mall i madh dhe i paimagjinuar. Kur vij në Shqipëri, nuk ngopem duke parë vendlindjen dhe gjithë vendet e tjera me histori e me vete them ‘nuk ka si vendi im’. Madje dua të theksoj, se kur jam këtu, largohem me lot në sy. Nuk dua të largohem, por familja, fëmijët, problemet ekonomike këtu, të bëjnë të ikësh me zemër të copëtuar.

A shikon ndryshime kur vjen në Shqipëri?

 

 E them me shumë bindje dhe sinqeritet. Shqipëria po ndryshon me hapa galopantë. Sa herë vij, e shoh më të bukur, më të mirë dhe me më shumë gjelbërim. Nuk është më ajo thatësirë e ajo batërdi në toka dhe kodra apo pyje. Tashmë ia vlen të vish dhe të bësh pushimet në Shqipëri.

Cilat këngë kërkohen më shumë në Amerikë nga emigrantët?

Këngët patriotike, këngë të cilat e ngrejnë peshë të gjithë sallën. Kur këndohen këto këngë, i gjithë publiku këndon me ne. Janë shumë këngë të tilla dhe kur këndohen, nga xhepat, çantat, gjokset e emigrantëve dalin flamuj të vegjël shqiptarë. Dukesh sikur je në Tiranë apo Kukës dhe jo në mes të Amerikës.

 

Po këngëtarët a vishen me veshje karakteristike popullore?

 

Po. Shumica po. Këto krijojnë atmosferë. Kur këngëtarët shikohen me veshje të tilla, të gjithë afrohen dhe kërkojnë fotografi. Janë çaste emocionuese.

Në Youtube, që kur nuk jemi takuar bashkë po shoh se keni realizuar dy këngë dhe një klip. Mund të na flisni pak për to?

Sigurisht. Klipi titullohet “Pyesni vallen se nga jam”. Kënduar nga Afërdita Pepkola dhe Xhevit Pepkola. Orkestrimi dhe arangjimi muzikor, Klodian Qafoku. Teksti Jorgo Papingji. Videoklipi nga Sëart. Kjo këngë u realizua në 13 prill të vitit 2016. Ky duet ka pak më shume se 6 muaj që doli në Youtube, por unë emocionohem sa herë që e dëgjoj se janë motive folklori dhe u rrita me to. Nuk zgjodha kot familjen time për këtë videoklip, pra jo se janë më të talentuarit, apo më të bukurit, jo, thjesht sollëm një mesazh dashurie e mirëkuptimi për të gjitha familjet shqiptare.

Po dy këngët e tjera?

Janë dy perla të vjetra shumë të njohura në zonën e Hasit e në zonën e Kukësit, të cilat  unë bashkë me vëllanë tim Xhevitin u munduam t’i sjellim dhe njëherë të freskëta për publikun.

Kënga e parë është valle Hasi me motive të vjetra dhe tekst popullor, e cila vjen e kënduar si valle e që paraqet 4 kërcime të ndryshme. Kërcimi nga loja e trimit dhe kërcimi nga loja e Çikës, kërcimi nga loja e nuses, kërcimi nga loja e plakës. Kënga e dytë “Vallja e Kukësit”, teksti Jorgo Papingji. Kjo valle vjen e rinovuar qoftë nga teksti, qoftë nga melodia e kënduar që është vallëzuese për të gjitha trevat. Grupi i valleve që interpretojnë në të dyja këngët janë pjesëtarë të familjes time, vëllezër, nipa, mbesa, siç janë Arbeni, Arjani, Detroiti, Era, Xhulia, Alisia, Gerta, tipike në veshje. Ajo që na befasoi shumë ishte vajza ime, Era Gashi e cila me shumë dëshirë veshi kostumin popullor të luftëtares Shote Galica, simbol i vajzave trimëresha, po ashtu mbesa ime e vogël, Alisia Pepkola e cila solli freskinë e Bjeshkëve të Pashtrikut me kostumin e saj karakteristik hasjan. Në kërcimet soliste, loja e trimave u interpretua nga Alban Pepkola. “Loja e çikave” u interpretua nga Lume Pepkola, “Loja e nuseve” u interpretua nga Fiqirete Pepkola, “Loja e plakave” u interpretua nga Luljeta Pepkola.

 “Amerika ka vetëm punë dhe shtëpi. Puna është e para. Pas pune si zor se mund të shkosh gjetiu për argëtim apo çlodhje. Pas pune, shtëpi, familje, punë shtëpie. Ditët e fundjavës janë  të zhurmshme, në këto ditë kemi lidhje të vazhdueshme me komunitetin, me koncerte, aktivitete, festivale, dasma, etj. Mund të them se komuniteti ynë këtu është shumë patriotik dhe shumë i angazhuar me çështjen kombëtare”.

(Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. ZHOLI)

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …