leoni

Afrim Avdi Vitia (27.5.1982-21.4.1999)

Afrim Avdi Vitia (27.5.1982-21.4.1999)

Se lufta për çlirimin e Kosovës nga robëria njëshekullore serbe ishte bërë ideal i djalërisë shqiptare, dëshmon edhe flijimi për atdhe i të riut nga Mareci i malësisë së Gollakut, Afrim Vitia.

Afrimi ende s’i kishte rënë brisk fytyrës, kur, si mijëra të rinj të tjerë shqiptarë, kishte bërë betimin dhe kishte marrë përsipër barrën e madhe për çlirimin e vendit me anë të pushkës. Për të, lufta e armatosur kundër armikut nuk ishte ndonjë ngjarje, së cilës nuk do të mund t’i dilnin zot shqiptarët. Deri në këtë moshë ai ishte edukuar në frymën luftarake të të parëve të tij, të cilët u kishin sfiduar sunduesve të shumtë. Afrimi, tashmë kishte mësuar se paraardhësit e tij, që nga koha e sundimit turk, e kishin bërë art luftën për liri. Ripushtimi i Kosovës nga Serbia, më 1912, ishte sfiduar me armë nga stërgjyshi, Sejdi Vitia, prandaj ai u ekzekutua nga ushtria serbe në Gjilan. Po kjo ushtri, në atë rast, rrugës për në Gjilan, në fshatin Bresalc, mbyti me thikë edhe të shoqen e Sejdiut. Në luftë kundër pushtuesit, në kohën e Luftës së Dytë Botërore shquhet edhe babagjyshi i Afrimit, Emini. Meqenëse, atëbotë malësia e Gollakut bënte pjesë në zonën e pushtuar nga nazistët bullgarë, Emini kishte marrë pjesë në shumë beteja kundër tyre. Rrugën e qëndresës kombëtare e kishte ndjekur edhe babai i Afrimit, Avdiu.

Pas shpërthimit të demonstratave, në pranverë të vitit 1981 dhe pas ashpërsimit të fushatës së egër jugosllave kundër kërkesave të shqiptarëve për barazimin e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë së atëhershme, ai barti në qerre drurësh, parullën e shkruar “Kosova republikë!”. Për këtë veprimtari “nacionaliste” e “irredentiste” antijugosllave, Avdiu u dënua me 3 muaj burg.

I rritur në një vatër të edukimit të tillë familjar, s’kishte si të mos çonte peshë zjarri i atdhedashurisë edhe zemrën e Afrimit të ri. Lufta e armatosur që po zhvillohej në Drenicë, në Dukagjin e në disa zona

të tjera të Kosovës, në vitin 1998, atë nuk po e linte të qetë. Në këtë kohë ai kishte bërë përpjekje për të vënë kontakte me njërëzit që do të mund ta shpienin në UÇK. Mirëpo, ishte i vetëdijshëm se një pengesë të madhe për të paraqiste mosha e re, meqë që rekrutimi në UÇK përfillte edhe kriterin e moshës. Lidhjet që ndërkohë kishte krijuar me organizatorët e UÇK-së në zonën e malësisë së Gollapit, përkatësisht me ata të pikës ushtarake të Zllash, Afrimi i kishte mbajtur shumë sekrete, madje edhe ndaj të atit. Në janar të vitit 1999, në Zllash mbaron stërvitjet e domosdoshme ushtarake, ndërsa vetëm një javë më pas përshëndetet me anëtarët e familjes, për t’u inkuadruar përfundimisht në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si pjesëtar i rregullt i saj, në Brigadën 153 të Zonës Operative të Llapit.

Në rrugën e lavdisë kombëtare, ai nuk ishte i vetëm, sepse përkrah tashmë kishte shumë bashkëluftëtarë trima të anës së vet e të anëve të tjera të atdheut. Ai kishte shokë të frontit, të rinjtë siç ishin Sokol Sopi, me të cilin do të bjerë në të njëjtën betejë, e Shaban Vitia, por edhe luftëtarë me përvojë të çështjes kombëtare, siç ishte Isa Kastrati, po ashtu i rënë në të njëjtën betejë, dhe komandant të zot, siç ishte Adem Shehu nga Tirana.

Afrimi, në UÇK ishte i pajisur me pushkë automatike, si dhe me bomba dore. Bashkëluftëtarët dhe eprorët, gjatë asaj kohe, disa herë e kishin përgëzuar babanë e Afrimit për disiplinën, trimërinë dhe vullnetin e madh të të birit në front.

Ofensiva e ashpër ushtarake serbe kundër pozicioneve të UÇK-së në malësinë e Gollapit përfshin edhe fshatin malor të Marecit. Pas fillimit të këtij sulmi, Afrimi arrin ta tërheqë familjen e tij, sikurse edhe të shumë familjeve të tjera të këtij fshati, ndërsa vetë qëndron në fshat derisa forcat militare serbe arrijnë në afërsi të shtëpisë së tij. Në atë moment ai sulmon forcat serbe, mbi të cilat zbraz një rafal automatiku dhe arrin të tërhiqet. Mirëpo, sulmet e pushtuesit vazhduan pandërprerë, ditë e natë. Afrimi me bashkëluftëtarë vazhdonte të mbante vijën e frontit. Në mbrëmjen e 20 prillit, së bashku me shokun e tij, Sokol Sopi, plagoset rëndë në këmbë.

Me gjithë përpjekjet e pakursyera të mjekut të luftës, Qerim Kida, shërimi i plagëve kërkonte nivel më të lartë të trajtimit mjekësor. Për këtë arsye, të nesërmen, më 21 prill, ushtari Isa Kastrati merr detyrën për t’i transferuar të plagosurit në një spital ushtarak në Zonën Operative të Llapit. Mirëpo, në lagjen Bullaj të fshatit Viti të Marecit, automjeti me pjesëtarët e UÇK-së bie në pritë të forcave serbe. Në atë moment fillon një betejë e ashpër. Çlirimtarët shqiptarë nuk dorëzohen, por rezistojnë deri në fishekët e fundit, duke i shkaktuar armikut humbje të ndjeshme në njerëz. Në këtë betejë, në fushën e nderit, pranë njëri-tjetrit bien heroikisht Afrim Vitia, Sokol Sopi e Isa Kastrati. Pas dy ditësh, trupat e dëshmorëve, në vendin e rënies i gjen Ramë Haxholli, nga fshati Viti, dhe i varros në afërsi të shkollës fillore të këtij fshati.

Hyrja e Afrimit në UÇK, kishte përmbushur ëndrrën e tij, për ta dëshmuar heroizmin e të riut shqiptar në luftën për liri. Rënia e tij në këtë luftë, për tokën arbërore, kishte shënuar aktin sublim të flijimit, duke u liruar nga pengu i betimit. Betimin e tij jetësor, Afrimi e kishte bërë, duke puthur tri herë dheun e kësaj toke, para nënës së tij, Nazmies, kur ajo me dhembshurinë prej nëne e kishte këshilluar të birin që të mos angazhohej në luftë edhe për ca kohë, meqenëse ishte ende i ri.

Pas rënies së Afrimit, vendin e tij të zbrazët në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e plotëson i ati, Avdiu. Ndonëse në moshë të shtyrë, ai ngjesh automatikun dhe kryen detyrën e vëzhguesit deri në mbarim të luftës së armatosur.

Në nëntor të vitit 2000, trupi i dëshmorit Afrim Vitia u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve të anës së malësisë së Gollakut, në Viti të Marecit. Emri dhe vepra e tij janë nderuar nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, ndërsa me emrin e dëshmorit është emëruar një rrugë në qytetin e Prishtinës. Emrin e dëshmorit e përtëriu edhe vëllai i tij më i vogël, i lindur pas përfundimit të luftës.

Ai do ta shijojë lirinë e fituar me grykën e pushkës së të vëllait dëshmor. Flijimi i dëshmorit Afrim Vitia, për lirinë e Kosovës, sot ushqen krenarinë, jo vetëm të prindërve, të motrave e të vëllezërve të tij, Zyrafetes, Melihates, Artonit, Armendit e Afrimit të vogël, por edhe të mbarë kombit.

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …