Limaj: Rënia e "Katanës" ishte humbje e madhe por po aq e madhe ishte vendosmëria për ta vazhduar rrugën drejt lirisë

Agim Hysni Ramadani (3.5.1963 – 11.4.1999)

Agim Ramadani ka lindur më 3 maj të vitit 1963 në Zhegër të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen, drejtimi ekonomik, në Gjilan. Qysh si nxënës i shkollës fillore kishte shfaqur prirje për fjalën artistike dhe shije për art e humor. Si nxënës ishte i dalluar edhe në aktivitetet shkollore dhe jashtë saj. Pas marrjes pjesë në organizimin e demonstratave të vitit 1981 në Gjilan, Agimi ishte përjashtuar nga procesi mësimor dhe ishte dënuar me dy muaj burg. Meqenëse ishte maturant, pas daljes nga burgu atij iu mundësua kryerja e maturës dhe arrin të regjistrohet në Akademinë Ushtarake të Zagrebit. Në këtë akademi ai merr tituillin inxhinier i komunikacionit tokësor.

Pas kryerjes së akademisë ushtarake, Agimi një kohë shërben në disa prej kazermave të ushtrisë së atëhershme jugosllave, por duke i parë shkeljet e të drejtave kombëtare të të gjitha nacionaliteteve josrbe, nga armata jugosllave, ai dezërton nga radhët e kësaj ushtrie. Së bashku me të shoqen Shukrien e me dy fëmijët, Jetonin dhe Edonin, në fund të dhjetorit të vitit 1992 shkon në Zvicër. Atje ai do të punojë për të vënë në funksion të shërbimit të atdheut, fjalën artistike, aktivitetin kulturor dhe veprimtarinë patriotike. Duke njohur profilin e veprimit të tij të vrullshëm, të pjekur, të konsiliduar dhe largpamës, Agim Ramadani – KATANA -, zgjidhet drejtor i Qendrës Kulturore të Cyrihut. Në këtë post ai arrin ta shtoj aktivitetin e vet. Ligjëratat e tij me temat aktuale po rritnin rrezen e veprimtarisë së militantizmit atdhetar. Gradualisht konsolidoi bindjet e tij politike dhe filloi të gjykojë me argumente se rruga e vetme e shpëtimit të popullit shqiptar në Kosovë, ishte pavarësimi i saj. Këtë pavarësi ai nuke kuptonëte si dhuratë nga dikush, por si fitore nëpërmjet luftës së armatosur.

Me rastin e konsolidimit të radhëve të UÇK-së, Agimi filloi të ndihmojë në mënyrë të gjithanshme forcimin e saj.

Agim Ramadani, duke vënë mbi të gjitha interesin kombëtar dhe duke i parë përparësitë e shumta të realizimit të luftës ëlirimtare, propagonte me sukses masivizimin e UÇK-së, me moton mobilizuese: Ejani me ne në luftë, e jo shkoni në luftë, kurse ideali tek ai ishte i paçmueshëm dhe i papërsëritshëm, kur thoshte: Mallkuar qoftë gjaku im, nëse më vrasin pa luftuar!, të cilën e ka vargëzuar edhe në një nga poezit e tij.

Në vitin 1994, Agim Ramadani botërisht e kishte shtruar dilemën në formë të pyetjes: A mjafton vetëm të presim? Vetëm të shikojmë? Vetëm të vazhdojmë të largojmë perdren e për të parë si na vjen liria?

Betejat e zhvilluara në Qirez e në Likoshan dhe veçanërisht ajo e Prekazit në fillim të marsit të vitit 1998, ndikuan që Agim Ramadani të niset menjëherë në drejtim të Kosovës. Asokohe, ai arriti në Tiranë. Aty, si detyrë ushtarake e kishte marrë përsipër organizimin e të rinjëve shqiptarë, që ndodheshin në Perëndim, për t’i mobilizuar, aftësuar dhe inkuadruar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Janë në kujtim e reflekset e fjalimeve të devotshmërisë së tij të flaktë para rekrutëve ushtarakë që po niseshin drejt Kosovës, në Shkodër, në Lezhë, në Shëngjin e në vende të tjera.

Agim Ramadani hyri në Kosovë, më 24 qershor 1998 dhe u vendos në Zonën e Dukagjinit: në Bjeshkët e Deçanit, Junikut, Jasiqit, Gjocajve, Batushës. Popullata civile e këtyre viseve ishte në rrezik të madh nga okupatorët serbë dhe nga minimet e zonave të këtushme. Ai bëri çminimin e zonës, duke i kaluar rreth 1500 fëmijë, gra e pleq përtej kufirit të pjesës së pushtuar të Shqipërisë Etnike. Bashkë me shokët e idealit, në luftën e drejtpërdrejtë, kishte shtuar moralin e luftëtarëve. Në betejën e zhvilluar në Oplazë, më 9 gusht 1998, njësitet e UÇK-së, ku bënte pjesë edhe Agimi, kishin vrarë 17 ushtarë dhe 2 oficerë serbë.

Më 15 shtator 1998, në aksionin e rrufeshëm mbi Bjeshkët e Gjeravicës, këto njësite vranë 40 ushtarë serbë dhe plagosën shumë të tjerë. Në periudhën e armëpushimit midis UÇK-së dhe forcave jugosllave, gjatë muajve tetor-dhjetor 1998, Agim Ramadani u mor me riorganizimin dhe përgatitjen e forcave, që për shkaqe taktike kishin kaluar në Shqipëri.

Synimi kryesor i Agim Ramadanit, sikurse edhe i të gjithë luftëtarëve të tjerë, ishte heqja e kufirit në mes të trojeve shqiptare, kufi ky që ishte fat i keq i të gjithë brezave të shqiptarëve të mbetur jashtë trungut të Shqipërisë administrative. Motivet për veprim ishin të mbifuqishme e të flakta. Ishin ato luftime dhe ato ngjarje që bënë të mundur konkretizimin dhe materializimin  e atyre bindjeve të Agim Ramadanit. Ai filloi të propagandojë, se duhet të kryhej njëherësh çlirimi i Kosovës dhe bashkimi kombëtar, si garanci e lirisë së Kosovës.

Në orën 3 të mëngjesit të hershëm të 9 prillit 1999, një njësit i Brigadës të Zonës Operative të Dukagjinit, me 69 ushtarë, i udhëhequr nga Agim Ramadani, me përpjekjet heroike, mori njërën pas tjetrës të gjitha objektet dhe pikat e zjarrit të okupatorit serb në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në zonën e Koshares. Po përcëllonte zjarri i luftës dhe në këtë zjarr, po çliroheshin hap pas hapi pjesët e robëruara të Kosovës.

Në këtë betejë u çlirua hapësira me gjerësi prej 15 kilometrash, e cila kishte një rëndësi të veçantë ushtarake, meqë mundësohej më lehtë furnizimi me armë, me teknikë luftarake dhe me ushtarë.

Por ngdhiu edhe data 11 prill 1999… Derisa po vëzhgonte terrenin në vendin e quajtur “Rrasat e Koshares”, plumbi i një snajpersiti serb e goditi për vdekje Agimin, duke përshkuar gjoksin e tij. Luftimet po vazhdonin, luftëtarët po merrnin nën kontroll pika të rëndësishme strategjike, ushtarake. Shumë nga shokët e Agimit, për rënien e tij dëgjuan vetëm 4-5 ditë më vonë. Ata morën kurajë për hakmarrje deri në fitoren përfundimtare.

Agim Ramdani la pas vetës bashkëshorten Shukrie dhe fëmijët: Edonin, Lorinën dhe Jetonin.

Gjatë kohës së luftës, pas rënies së tij, Brigada 138 e Zonës Operative të Dukagjinit u emërua me emrin e Agim Ramadanit. Në fshatin e lindjes së Agim Ramadanit, në Zhegër të komunës së Gjilanit, i është ngritur përmendorja.

Qendra e Stërvitjes e TMK-së në Zonën e Tretë Mbrojtëse kishte  emrin e këtij Heroi të Kombit.

Në nderim të emrit dhe veprës së Agim Ramadanit, shumë sheshe, rrugë e institucione në Kosovë mbajnë emrin e tij.

DIÇKA E NEMUR PARA BJESHKËVE

 Le të shkyhet terri kur marshojmë drejt Majës

Duke hapur shtigje në bjeshkë e në shpirt

Pranvera të djegura zgjohen në vargun e Nëntorit të Tretë

Me plumb filluam nokturno të shkruajmë

Për gjymtyrë të mbetura në fushëbetejë me ujin e ashtit tonë

Për kohën e Skënderbeut e shuajm eshtjen

Trimëria flakëron në kulmin e ëndrrave hëna

Lartësia e mendimit tejkalon breshërinë e plumbave

Kokrrat e mëdyshjes kaherë u bluan

Ndërmjet shtëpive të djegura  të Dukagjinit fusha të minuara

Në kurriz fëmije bërrylat e kohës thyhen

Dridhet gëzhojë e lëbyrur e mendimit

Diçka e nemur po fshihet para bjeshkëve…

 (Poezi e Agim Ramadanit, gusht 1998)

( Feniksët e lirisë-2)

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …