Ahmet Qeriqi: E vërteta mënon por nuk harron, ajo zhytet por nuk mbytet

Ahmet Qeriqi: E vërteta mënon por nuk harron, ajo zhytet por nuk mbytet

( Dilaver Bengasi: Enigmat e 2 korrikut ’90 )

 

Libri i Dilaver Bengasit, “Enigmat e 2 korrikut ‘90” flet për ngjarjet tronditëse, që filluan më 2 korrik të vitit 1990, në Tiranë dhe që pak më vonë përfshinë tërë Shqipërinë. Autori i këtij libri, një intelektual i mirënjohur dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë në atë kohë, i ka përjetuar mbi kurriz yshtjet dhe tronditjet  e 2 korrikut, të cilat shënuan fillimin e përmbysjes së pashmangshme të regjimit komunist edhe në Shqipëri, në fillim të viteve 90, në kohën kur këto regjime po binin një nga një, në të gjitha shtetet e Evropës, të cilat kishin qenë të influencuara nga Bashkimi Sovjetik, i cili po ashtu kishte filluar të shpërbëhej.

Kishte mbetur vetëm Republika e Shqipërisë, e cila bënte përpjekje t’ i shpëtonte rrëmujës, por kreu i Shtetit dhe i Partisë nuk kishte një qëndrim të qartë politik dhe u vonua në drejtimin e proceseve,  të cilat çonin pashmangshëm në rrëzimin e partisë-shtet dhe me qëllim për t’i hapur rrugën pluralizmit politik.  Po t’i shikojmë rrjedhat e ngjarjeve nga këndi i zhvillimeve të mëvonshme, duke pasur për bazë analizën e hollësishme të këtij procesi, analizë të cilën e ka sjellë në një libër të mrekullueshëm, njëri ndër autorët kyç të asaj kohe, Dilaver Bengasi, do të bindemi përfundimisht se rënia e komunizmit në Shqipëri ndodhi dhunshëm, e ndërsyer nga faktori i jashtëm, nga ambasadat e huaja, të cilat u bënë strehë e atyre shqiptarëve, për të cilët Atdheu ishte një “tokë e mallkuar”, nga ku duhej të ikej me çdo kusht dhe sa më parë. Duke qenë në një detyrë delikate, drejtori i Policisë së Shtetit, doemos se kishte shumë informacione për zhvillimit, të cilat kanë edhe gjenezën e vet, në një segment, që në dukje është i rastësishëm, por që rrëfen shumë.

 

Përpjekjet e qarqeve perëndimore, por edhe lindore për ta përmbysur regjimin komunist në Shqipëri, po jo vetëm regjimin, por duke bërë përpjekje djallëzore  për ta larë me gjak Shqipërinë, janë të njohura, madje qysh nga ditët e para të çlirimit të vendit nga pushtimi nazi-fashist. Shqipëria e cunguar  dhe e vogël rrethohej nga fqinjët grabitqarë, dhe për të mbijetuar doemos se  ishte mbështetur te aleatët, të cilët për interesat e tyre e tradhtuan dhe e nëpërkëmbën, jo vetëm gjatë periudhës së sundimit komunist. Në vitet 80 të shekullit të kaluar ajo ishte e vetmuar dhe nuk priste më aleatë. Shqipëria ishte izoluar nga armiqtë, ndërsa kritikohej se ajo po ndiqte një politikë të tillë për ta mbajtur në burg popullin e saj.

 

Pasi të lexohet me vëmendje ky libër dokumentar, ku autori ka përshkruar realisht dhe në mënyrë besnike ngjarjet, në të cilat ka qenë pjesëmarrës, me detyrë tejet delikate, të njeriut të parë të ruajtjes së gjendjes normale dhe të sigurisë publike, zbulohet mirëfilli se krejt ajo që ndodhi më 2 korrik të vitit 1990, ishte mbjellë e kultivuar shumë vjet më herët në ambasadat e huaja, duke filluar nga ambasada e Jugosllavisë, e cila me rastin e shpërthimit të revoltave në Kosovë, në mars dhe prill të vitit 1981, u mundua që me çdo kusht ta fajësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare si shtet, që kishte ndërhyrë në punët e brendshme të një shteti fqinj, duke inskenuar vetë sulmin në ambasadë, me qëllim që të spostohej vëmendja e opinionit nga dhuna dhe represioni antishqiptar, që po ushtronte Jugosllavia në Kosovë dhe me qëllim që Shqipëria të izolohej përfundimisht. Dihet botërisht se jugosllavët në atë kohë kishin nxitur edhe Athinën zyrtare që ta riuaktualizonte ligjin e luftës me Shqipërinë.

Dilaver Bengasi është njeriu që e njeh për mrekulli historinë e vendit të vet, njeriu që i ka shërbyer popullit dhe pushtetit, të cilin nuk e kishte krijuar vetë, por e kishte mbrojtur, të tillë sikur e kishte gjetur dhe të tillë sikur ka për detyrë ta mbrojë çdo qytetar, e mbi të gjitha  çdo zyrtar, që në rrethana të caktuara delikate është edhe i autorizuar për ta mbrojtur, qoftë edhe me jetë.

 

Vepra “Enigmat e Korrikut ‘90” zbërthen krejtësisht enigmën lidhur me përmbysjen e përgjakshme të regjimit në Shqipëri, që filloi në korrik dhe që tronditjet  valëzore të atij tërmeti nuk u stabilizuan asnjëherë, sepse dhuna, lind dhe ushqen dhunën.  Përmes një përshkrimi realist, të faktuar me të dhëna e argumente, të shkruar me çiltëri dhe përkushtim, me qëllimin më të lartë e më human për të ndriçuar të vërtetën, autori Dilaver Bengasi ka arritur të ja sjellë në kujtesë tëra ato ngjarje tronditëse, të cilat kishin dëmtuar rëndë edhe proceset nëpër të cilat, asokohe  po kalonte Kosova. Lufta kundër Jugosllavisë, në Kosovë, nuk mund të fillonte, përderisa Shqipëria po tronditej nga brenda, dhe pikërisht kjo bëri që ne nuk iu bashkuam koalicionit të kroatëve sllovenëve dhe myslimanëve të Bosnjës së luftën e tyre të drejtë, për shkëputje nga Jugosllavia, e cila po hiqte shpirt.

Destabiliteti dhe tronditja nga brenda e Shqipërisë, ngadalësoi proceset historike të luftës sonë për liri e pavarësi.

 

Jo rastësisht,  gjenezën e aktiviteti antishqiptar Dilaver Bengasi e kërkon dhe e gjen në veprimet destruktive të Jugosllavisë dhe të grupeve kriminale, që futeshin në Shqipëri si nga Jugosllavia, Italia e Greqia dhe që kryenin krime të rënda kundër popullit dhe pushtetit. Autori i këtij libri ishte njohës i shkëlqyer i rrethanave politike, shoqërore, policore dhe ushtarake të asaj kohe, në Shqipëri. Ai kishte shpirt idealisti dhe në veprimet e tij për ta ruajtur popullin nga ato zezona llahtari, që po i përgatiteshin nga brendia e ambasadave të huaja, të cilat po  bëheshin çerdhe e bandave kriminale, por edhe e njerëzve të pa informuar, ai u ballafaqua fyt për fyt me kriminelë dhe trafikantë të rrezikshëm e djallëzorë, të cilët i kishin shërbyer edhe djallit kundër interesave të atdheut. Dhe jo vetëm kaq, ai për shumë vjet më vonë do të vuajë hijet e dyshimit dhe demonizimit, për të gjitha ato që kishin ndodhur, duke u fajësuar nga politika e kohës, madje edhe për vrasje masive, në kohën kur nuk kishte pasur asnjë vrasje, përveç në mendjet e atyre që i kishin skenuar dhe kishin përhapur lajme për katrahurën, e cila  sipas tyre paskësh ndodhur në Tiranë.

 

Duke përshkruar me besnikëri faktet e argumentet, Bengasi nxjerrë përfundime të avansuara shkencore lidhur me ngjarjet, protoganistët, individët, që ishin futur nëpër ambasada, pritjen e “përzemërt” që u bënin ambasadorët e huaj, veçmas të ambasadës italiane, greke e gjermane, nivelin arsimor të atyre, që po dyndeshin drejt ambasadave, përkatësinë ideologjike, moshën pozitën e tyre sociale dhe argumente të tjera, të cilat nuk lënë për të dyshuar në asnjë varg të këtij libri.

Autori përshkuan për mrekulli habinë, indolencën dhe rezignatën, që e kishte pllakosur Partinë e Punës, e cila edhe pse e edukuar në frymën e ideologjisë marksiste, nuk ishte sa duhet e vetëdijshme për ligjin e  negacionit të negacionit, as për luftën e klasave, luftë kjo që nuk kishte pushuar, as pushon ndonjëherë në synimet dhe angazhimet e grupeve dhe klaneve mujshare, për t’ iu qepur pushtetit, për qëllime që vetëkuptohen.

 

Partia-shtet ishte gjetur e paaftë dhe e papërgatitur për të marrë në dorë proceset. Për më keq, ajo po hiqej zvarrë nga proceset, të cilat nuk i kontrollonte. Ajo ishte e frikësuar deri në palcë, po megjithatë nuk lejoi, që në Tiranë të reprizohej Bukureshti i Çaushekut.

Barra më e rëndë në këtë kohë përzierjesh doemos se binte mbi Policinë e Shtetit, e cila ndodhej mes Kurdhës e Çekanit. Dhe barrën më të rëndë doemos se e kishte përjetuar mbi kurriz, Dilaver Bengasi, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, i cili veproi energjikisht duke u udhëhequr nga ndërgjegjja dhe pozita, në kushte kur pozita në kreun e policisë e çonte drejt fundosjes, meqë nuk e kishte mbrojtjen dhe përkrahjen e duhur të shtetit, dhe ndërgjegjes idealiste  kombëtare, me qëllim për ta ruajtur Shqipërinë edhe ashtu të gjymtuar e të varfër, por me një tagër tepër të shtrenjtë për atë vetë.

 

Demonizimi, që iu bë atij nga klasa që tashmë e kishte shkatërruar Shqipërinë dhe tërë atë që ishte ndërtuar me mund e djersë gjatë afër 50 viteve, zbulon një të vërtetë unike, zbulon njeriun e thjeshtë, njeriun e madh e të vogël, sipas situatave, por mbi të gjitha NJERIUN, që ka shpirt njeriu dhe që i përballon me sukses furtunat, me qëllimin më të lartë dhe më fisnik, për të ruajtur, jo prapanicën, sikur bënë shumë policë e partiakë të zellshëm, por duke ruajtur me besnikëri shtetin dhe popullin, ashtu sikur kishte vepruar Lakademoni në kohën e tij, kur kishte rrëmbyer me dorë anijen armike, armiqtë  ia kishin shkurtuar dorën e djathtë, atëherë anijen e kishte rrëmbyer me dorën e majtë,  të cilën, po ashtu, ia kishin shkurtuar. I mbetur pa të dyja duart, ai kishte kapur me dhëmbë anijen, derisa ia kishin shkurtuar edhe kokën. Kështu thotë legjenda kuptimplote. Kështu veprojnë njerëzit fenomenalë, për të cilët Hegeli thotë se u përngjajnë perëndive, meqë marrin vendimin e duhur në kohën e duhur dhe për të cilët më vonë nuk kujtohet askush.

 

Dilaver Bengasi i kishte qëndruar besnik Shqipërisë mbi të gjitha, dhe nuk kishte bërë kalkulime për të përfituar vetë dhe për të ndërruar bindjet brenda natës, sikur bënë shumë ish-kuadro madje edhe intelektualë të njohur, që fillimisht ikjen e shqiptarëve me anije  nga atdheu, në vitet 90 e konsideruan si ikje të jashtëqitjes së kombit dhe pak më vonë iu bashkuan po atyre “jashtëqitjeve”, duke lënë prapa djallëzi, përçarje, yshtje dhe shumë zezona të tjera, nga të cilat nuk po shërohet dot Shqipëria, e cila edhe sot e kësaj dite po tërhiqet nga dy pjesë të po të njëjtit litar, herë djathtas e herë majtas, por ende po e gjetur ekuilibrin e domosdoshëm, atë ekuilibër për të cilin na flet jo me mburrje patetike, Dilaver Bengasi, por na tregon me shembuj të shumtë se sa vështirë është të jesh njeri në kohën kur përmbytën vlerat njerëzore, në kohën kur të godasin padrejtësisht, në kohën kur njerëzit konvertohen brenda natës dhe nga tradhtarë e trutharë gëdhijnë  patriotë e atdhetarë.

 

Shembulli i këtij burri të Shqipërisë tregon shumë për brezat e ardhshme, për historinë e Shqipërisë, të kësaj dhe asaj kohe, tregon se idealet në kohë të caktuar gjejnë idealistë, që kanë qenë dhe mbesin shtylla të çdo shoqërie humane dhe të çdo qytetërimi, që mbjellë dhe respekton vlera, mirësi dhe humanizëm.

Libri “Enigmat e 2 Korrikut ‘90”, shkruar nga Dilaver Bengasi është një literaturë dokumentare, që i reziston çdo kohe, sepse është një histori e përjetuar thellë në qenie dhe e shkruar me realizëm,  është një libër që të bind me gjuhën e fakteve, që ta jep të fuqishëm  imazhin e vërtetë të një kohe dhe që lë më shumë porosi sesa të gjitha kronikat publicistike të kohës, të mbledhura bashkë.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …