vala – old
vipa
driloni com
Fillimi / Analiza / Ahmet Qeriqi: Emërtimi, “Kosova Lindore” u pengon serbëve dhe vasalëve shqiptarë
Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Emërtimi, “Kosova Lindore” u pengon serbëve dhe vasalëve shqiptarë

Mediet në Serbi i kanë kushtuar vëmendje të veçantë deklaratave të zyrtarëve të Kosovës gjatë përurimit të autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë.  Ato janë ankuar që në këtë aktivitet për gazetarët serbë ka munguar përkthimi, ndërkohë që i kanë vënë theks deklaratave ku zyrtarët Preshevën e kanë quajtur Kosovë Lindore. Dy zyrtarët, Lutfi Haziri dhe Pal Lekaj e kanë përdorur togfjalëshin, “Kosova Lindore”, por sipas medieve në gjuhën serbe këtë “faj” jo të vogël  e ka bërë edhe Ramush Haradinaj.

Është paradoksal fakti se partitë politike në këtë pjesë të Kosovës, gjithsesi që thirren në patriotizëm, por sipas tyre  jo edhe në folklorizëm, kanë në përdorim emërtimin serb,

“Presevska  Dolina”, që të të thotë “Lugina e Preshevës”, e cila gjeografikisht nuk përfshin disa nga fshatrat e Bujanocit dhe përjashton tërësisht komunën shqiptare të Medvegjes, nga ku pjesa dërrmuese e shqiptarëve janë dëbuar dhunshëm, ose kanë ikur nga frika e ushtrisë e Policisë serbe para gjatë dhe pas luftës së UÇK-së dhe UÇPMB-së. Ruajtja e këtij togfjalëshi në Radion-Kosova e Lirë shpeshherë ka nxitur reagime të disa portaleve rajonale, në gjuhën shqipe të “Presevska Dolinës”. Asnjë nga këto portale nuk ka pranuar ta botojë shkrimin: “Emërtimi serb, Lugina e Preshevës,  (Presevska Dolina) përjashton Kosovën Lindore”.

Emërtimi,  Kosovë Lindore, në radhë të parë është emërtim gjeografik por në rastin konkret është edhe historik dhe politik, sepse tri komunat: Preshevë Bujanoc e Medvegje kanë qenë gjithmonë komuna shqiptare, madje si të tilla të pranuara edhe nga vetë Serbia deri në vitin 1999. Të mos harrojnë se para 40 vitesh, komuna më e madhe shqiptare e kësaj ane ishte Medvegja me dhjetëra fshatra e cila tani ka pësuar në tërësi,  në pikëpamje etnike dhe demografike.

Vendbanimet e Kosovës Lindore  deri në vitin 1912 ishin pjesë përbërëse e Vilajetit të Kosovës (në periudhën 1978-1912 Presheva ishte kaza e Sanxhakut të Prishtinës). Megjithatë, edhe pas pushtimit të Kosovës nga Serbia më 1912, ata në të gjitha rrafshet ishin dhe mbetën pjesë e një tërësie me popullatën shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë, duke i ndarë vetëm një vijë administrative-politike.

Territoret shqiptare të tri komunave Medvegjë, Bujanoc, Preshevë bëjnë pjesë në tërësitë e mëdha etno-gjeografike ku përfshihen dhe rajonet e Gallapit dhe të Karadakut, e bashkë me to të tërë Kosovës të lidhur me Luginën e Kumanovës-Shkupit dhe zonën e Karadakut që sot ndodhen në Maqedoni. Midis dy luftërave botërore, bashkë me disa pjesë të Kosovës dhe gjithë Maqedoninë aktuale, Lugina e sotme e Preshevës i takonte Banovinës së Vardarit. Ndërkaq, gjatë Luftës II Botërore Lugina ishte zonë okupuese bullgare dhe pas kapitullimit të Bullgarisë më 8 shtator 1944, shqiptarët jo vetëm të Luginës, por edhe të territoreve të tjera etnike përreth, e ruajtën kufirin në vijën hekurudhore të hapësirës së sotme të komunës së Bujanocit dhe Preshevës. Kufizohet në vijën hekurudhore Beograd-Shkup, por e kapërcen hekurudhën dhe përfshin edhe këto 12 vendbanime shqiptare: Samolica, Negoci, Bilaçi, Bukuroca, Bushtrani, Lerani, Zhunica, Gerajt, Strezoci, Çukarka, Golimidolli dhe Bugarina, me resurse relativisht të mira natyrore. Me Kushtetutën e Serbisë të 17 janarit 1947 dhe pastaj me ligjet e aktet e tjera juridike fshatrat e Karadakut – Stanec, Sefer, Caravajkë, Peçenë, Maxhere, Depcë dhe Ranatoc (sot në kuadër të komunës së Preshevës), që atëherë ishin në kuadër të rrethit të Gjilanit, kaluan në Serbi. Edhe fshatrat Konçul dhe Dobrosin (sot brenda komunës së Bujanocit) në vitet 1946-1948 ishin me Ranillug të Kosovës, sikundër që edhe fshatrat Zarbincë dhe Pribovc (sot në kuadër të komunës së Bujanocit) në vitet 1947-1949 ishin pjesë e Kosovës.

Këto tri komuna shqiptare që përbëjnë tërësi të pashkëputshme territoriale  prej afro 1.250 km², edhe para luftës së UÇK-së e UÇËMB-së, jetonte një popullatë shqiptare rezidenciale prej rreth 100.000 banorëve, që aktualisht përbëjnë rreth 80% të popullsisë së përgjithshme rezidenciale të rajonit. Nga 136 vendbanime, sa ka ky territor, popullata shqiptare shtrihet në 64 sish të tipit rural dhe në tri qendra të karakterit urban (Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si seli komunale). Shqiptarët me shumicë absolute jetojnë në 41 vendbanime. Përveç selive komunale, edhe disa vendbanime rurale janë të përziera në pikëpamje etnike, ku dominojnë shqiptarët. ( Wikipedia)

Përqindja më e madhe e medieve në Kosovë, sidomos ato me ideologji të bashkim vëllazërimit, kanë përjashtuar përfundimisht emërtimin, Kosovë Lindore dhe përdorin vetëm emërtimin serb, Presevska Dolina, të përkthyer në gjuhën shqipe, si “Lugina e Preshevës”.

Nuk është fjala për një lëshim rasti por kemi të bëjmë me qëndrim politik, me qëllim për të mos i nervozuar “vëllezërit” e tyre serbë, të cilët asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga emërtimi, “Kosova i Metohija”, jo vetëm Gjuriqi, Vuqiqi e Daçiqi por edhe ministrat e Qeverisë së Kosovës shërbehen me këtë formulim, madje edhe në Kuvendin e Kosovës, ku disa deputetë shqiptarë ulin kokën,  e disa të tjerëve nuk u bën fare përshtypje, sepse edhe vetë shërbehen me “Preshevska dolina, por në përkthimin shqip.

Emërtimi,  Kosova Lindore, i dhemb  shumë Serbisë, andaj edhe kanë reaguar serbët, sepse për herë të parë kanë dëgjuar dy ministra, madje edhe kryeministrin e Kosovës  ta përdorin këtë formulim, i cili sipas Beogradit zyrtar është emërtim nacionalist që nënkupton se ato komuna etnikisht kanë qenë dhe kanë mbetur shqiptare, deri në ditët tona. Të mos flasim me këtë rast për Toplicën, Kurshumlinë, Prokupjen, Leskocin, Vranjën dhe tërë Serbinë e sotme jugore,  që dikur  bënte pjesë në Vilajetin e Kosovës, i cili dikur shtrihej në 62. km katrorë, ndërsa sot është rrudhur në  10.80o km2. Po t i heqim kësaj Veriun e Kosovës, të cilin nuk e kontrollon shteti ynë por Serbia, por të heqim  dhe Kullën e Zhlepin në kufi me Malin e Zi, fshatrat rreth Debelldesë,  e Kamenicës (Dradanës) e komunat serbe brenda Kosovës, territori i vendit tonë nuk arrin as në 8.000 km2.

Kontrolloni gjithashtu

Jakup Krasniqi: Gadishullit Ilirik i duhen politika të paqes e të partneritetit

Jakup Krasniqi: Gadishullit Ilirik i duhen politika të paqes e të partneritetit

Shefi i diplomacisë greke, zoti Nikos Kotzias qenka ligshtuar shumë sot në Beograd kur ka ...