leoni

Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Greqia zgjeron “sovranitetin” jo vetëm fetar mbi Shqipërinë

Marrëdhëniet shqiptare-greke tani nuk i përkasin vetëm Shqipërisë, ashtu sikur edhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë nuk duhet t’ i përkasin vetëm Kosovës. Nëse jemi një komb dhe nëse shumica shqiptare pretendon ta ruajë interesin kombëtar gjithëshqiptarë, në këto treva ku jetojmë më shumë se shtatë milionë të ndarë në gjashtë shtete dhe nëse duam të bëhemi bashkë dhe ta ndihmojmë njëri tjetrin, ashtu sikur kanë bërë dhe bëjnë  gjithë kombet e tjerë të Ballkanit e më gjerë  atëherë duhet ndjekur një politikë unike ndaj fqinjëve, në të kundërtën marrëdhëniet mes Kosovës e Shqipërisë janë vetëm farsë e dy qeverive dhe njëlloj fasade vetëm për qëllime politike, për të qeverisur e për të zhvatur të mirat që sjellë pushteti, atje e këtu.

 

Fitorja historike e Greqisë kundër Shqipërisë ka ndodhur që moti, me bekimin e shteteve të Evropës dhe Amerikës si dhe të shteteve sllave të Ballkanit. Greqia ka shpallur pavarësinë, në vitin 1821, në kohën ku  Ali Pashë Tepelena po ballafaqohej me luftë kundër tërë Perandorisë Osmane dhe shumë pashallarëve mercenarë shqiptarë, që nga Kosova e deri në More. Në atë kohë, vëllezërit tanë arvanitas, për hir të ruajtjes së fesë ortodokse greke, hoqën dorë nga kombi, gjuha e traditat shqiptare. Ata jo vetëm që e ndihmuan Greqinë për ta shpallur pavarësinë, por  ishin bërthama  kryesore e luftës, ata përbënin mbi 90 për qind e të gjithë arsenalit luftarak, njerëzor e logjistik, që mori pjesë në atë luftë. Këtë e dinë grekët, sepse e di tërë bota, por jo aq sa duhet e dinë, apo duan ta dinë, shqiptarët. Për këtë luftë Greqia, arvanitasit  e shpërbleu me shpërfytyrim të identitetit kombëtar dhe bashkimin fetar, vëllazëror me ta.

Greqia nuk u ndal me aq. Duke i përvetësuar arvanitasit, të cilët atdheun e tyre të lirë, Greqinë, e donin dhe e mbronin më shumë se vetë grekët, qeveritarët grekë i yshtën në luftë kundër shqiptarëve myslimanë,  në Greqi, ku ata nuk kanë kryer vetëm pak mizori, por po aq sa grekët, sepse identiteti i tyre kombëtar kishte vdekur dhe ishte ruajtur vetëm në këngë e valle, sikur ruhet edhe sot, ndërsa shumica syresh u bënë zëdhënës fanatikë të Megali-idesë, fashiste e barbare, e cila kishte për qëllim që të gjithë ortodoksët shqiptarë t’ i trajtonte si grekë, ndërsa të gjithë shqiptarët myslimanë si tradhtarë të fesë së të parëve t’i rikonvertonte me dhunë, t’i ndërronte me grekët në Turqi, t’i dëbonte në Shqipërinë gjysmake të vitit 1912 dhe në fund t’i masakronte të mbeturit qofshin edhe fëmijë të porsalindur e deri edhe gratë e  pleq buzë vdekjes, sikur bëri me eleminimin fizik të qindra mijëra çamëve, në vitin 1948.

Në atë kohë Greqia, pretendoi se e ka shlyer përgjithmonë çështjen çame, të cilën politikanët  servilë shqiptarë nuk guxuan asnjëherë ta mbronin gjatë bisedimeve me qeveritarët grekë, të cilët e kanë thënë dhe e thonë me gojën plot:  “çështja çame nuk ekziston, por ekziston Vorio Epiri grek brenda Shqipërisë”, ekzistojnë eshtrat që kanë lënë grekët, duke u munduar ta pushtojnë jugun e Shqipërisë në vitin 1941 dhe atyre eshtrave u duhet toka shqiptara, ku ata do të zhvarrosen,  ku ata do të vendosen si heronj që paskan derdhur gjak në Shqipëri, për ta bërë edhe atë pjesë, Greqi.

Dhe  jo vetëm kaq, sepse grekët janë sikur serbët, po u dhe gishtin ta marrin dorën, po e dhe dorën ta marrin krahun. Dhe dorën ua kishte zgjatur Sali Berisha në vitin 1992, kur pranoi që postin e të parit  të Kishës Autoqefale shqiptare të Fan Nolit t’ia dorëzonte, satanait grek, Janullatos, i cili ishte “Kali tipik i Trojës”, i tillë sikur e kishte projektuar e zbatuar, Ulixi i Homerit të lashtë.  Dhe ky  prifti, Janullatos për 25 vjet, 25.000 herë mallkoi Kishën Autonome Shqiptare, Fan Nolin, shqiptarët përgjithësisht dhe arriti që të gjitha kishat shqiptare t’i rindërtojë në stilin grek, duke iu humbur gjurmët kishave autentike shqiptare, që janë po aq të vjetra sa ato bizantine e greke. Mesha në gjuhën greke tashmë është e mirëseardhur për të gjithë ortodoksët shqiptarë, sepse mësimi i gjuhës u  ndihmon të jenë të mirëpritur në Greqi dhe të vjelin favore financiare.

Greqia, çamët i ka shpallur komb tradhtar, sepse kishin përkrahur Italinë fashiste edhe pse ajo e kishte okupuar fillimisht Shqipërinë, me siguri pa dashjen e saj e pastaj Greqinë, me apo pa dashje,  dhe me urrejtje për shqiptarët çamë ajo i ka bindur dikur, Sali Berishën e Tani Ilir Metën e Edi Ramën, se çamët ia kanë bërë vetës, në radhë të parë sepse janë me fe islame dhe në radhë të dytë për shkak se e kishin  përkrahur pushtimin e Greqisë nga Italia. Kjo është logjika hipokrite, në esencë antinjerëzore  greke, sipas së cilët u dashka të shfaroset një popull i tërë për shkak të përkrahjes së i paska dhënë  fashizmit duke harruar se ishte vetë mbreti Jorgo i Greqisë që kishte krijuar qeverinë kuislinge fashiste gjermane, ashtu sikur kishte krijuar  Borisi bullgar apo Nediqi serb, qysh në vitin 1941. Të tri këto shtete të Ballkani kanë pasur qeveritë e tyre kuislinge, ashtu sikur edhe Shqipëria, Kroacia e të gjitha vendet që asokohe i kishte pushtuar Rajhu i Tretë i Hitlerit.

Me Janullatosin Kryepeshkop, të caktuar në një moment dobësie, popullit shqiptar iu imponua një fyerje e rëndë historike. Nënshkruesi i kësaj fyerjeje historike të Greqisë që tashmë ka dhënë rezultatin dhe redimentin e begatshëm në shkombëtarizim e ortodoksëve në Shqipëri  lidhet sidomos me  emrin Sali Berishës. Ja dokumenti zyrtar që ka të bëjë me rolin dhe veprimtarinë antishqiptare të Janullatosit në Shqipëri, nënshkruar nga Pjetër Arbnori

REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI POPULLOR

Nr. 1543/Prot

Tiranë, më 26.12.1992

Lënda: Dërgim materiali

PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS

Zotit Sali Berisha

TIRANË

Bashkëlidhur po ju dërgojmë materialin: Raport “Mbi gjendjen aktuale shumë të rëndë të krijuar në K.O.A.SH nga ndërhyrja dhe veprimtaria e Kishës Greke, nëpërmjet peshkopit Anastasios Janullatos dhe pasuesve të tij, në dëm të interesave fetare dhe kombëtare shqiptare.

Kryetari i Kryesisë: Pjetër Arbnori

Një dokument i 26 dhjetorit 1992, përgatitur nga Kuvendi Popullor dhe që mban firmën e ish- kryetarit Pjetër Arbnori, i dërgohej Presidentit të asaj kohe, Sali Berisha, duke i kërkuar ekstradimin e Anastas Janullatosit.

Dokumenti është publikuar nga gazeta Dita.

Në fillim të dokumentit theksohet se ishte ish- Presidenti Ramiz Alia që e ftoi Anastas Janullatosin që të vinte në Shqipëri.

Në një bisedë me At Artur Liolin, Ramiz Alia i thotë se ka për qëllim që të ftojë Janullatosin në Shqipëri, pasi ka katër muaj që pret për vizë.

Liolin i thotë që i duhen vendosur disa kushte Janullatosit.

Por pas ardhjes së Janullatos në Shqipëri, Ramiz Alia nuk e zbatoi marrëveshjen me At Artur Liolinin, madje as nuk e ftoi më Liolinin për takim.

Janullatos ngriti menjëherë një Këshill të Përgjithshëm të Kishës Ortodokse Autoqefale, thuhet në raportin e Arbnorit.

“Si sekretar u zgjodh Aleko Dhima, një person që për shumë vjet militoi në radhët e PPSH,” shkruhet në raport.

Raporti thekson faktin që Janullatos nuk ka reaguar ndaj operacioneve fshesa që po bëheshin në atë kohë ndaj emigrantëve në Shqipëri.

“Nuk kaloi shumë kohë dhe çdo gjë nisi që të qartësohej. Në fillim skenari filloi me ndërrimin e fesë dhe të emrave të refugjatëve shqiptarë me atë të forcës dhe presionit, pastaj me lëvizjen antishqiptare në Greqi. Si gjithmonë udhëheqësi dhe flamurtari i Vorio-Epirit ishte Mitropoliti i Konicës, Sebastianos, i cili së bashku me qarqet shoviniste nisi një fushatë të egër spastrimi, e cila u quajt “Operacioni Fshesa”,” thuhet në raport.

Janullatos akuzohet edhe se nuk ka bërë gjë për kishat në Shqipëri.

“Deri tani akoma nuk ka përfunduar restaurimi i Kishës Katedrale në Tiranë dhe është ngritur një kishë e vogël me parafabrikate në Fier, kurse në Korçë ka 7 muaj që një kishë ka mbetur tek guri i parë i themelit”.

Në raport theksohet se Janullatos ka kërkuar që të bëhet kryepeshkop, në kundërshtim me Kanunet e Shenjta dhe Statutin e KOASH.

Në raport kritikohet edhe qeveria shqiptare.

“Është e udhës që të kritikohet edhe veprimtaria e mefshtë e qeverisë së sotme shqiptare. Shumë gjëra ndodhin nën hundën e saj”.

Konkluzionet e raportit janë si më poshtë.

“Së pari, Janullatos nuk mund të jetë kurrsesi kryepeshkopi i Shqipërisë dhe udhëheqës shpirtëror i një populli besimtar, të cilin ai e ndau në dysh.

Së dyti, ai s’mund të jetë i tillë sepse nuk është kanonikisht i rregullt.

Së treti, ai nuk mund të jetë i tillë sepse puna e tij ka qenë në dëm të interesave fetare dhe kombëtare.

Së katërti, është marrë nëpër këmbë gjaku dhe puna e martirëve të rënë për këtë kauzë si dhe respekti dhe dinjiteti i popullit shqiptar.

Dhe së pesti, kurrë s’është e mundur që një i huaj të dojë më shumë se vendin e tij prej nga vjen, një vend tjetër”.

Raporti i dërgohet Berishës, që gjithmonë citohet si “Presidenti ynë i nderuar”.

Por Berisha nuk ndryshoi mendje nga ky raport.

Ndoshta edhe për faktin që e përmend vetë raporti.

“Emri juaj Presidenti ynë i nderuar përmendet në të gjithë qarkoret dhe deklaratat e Kishës për dhënien e lejes për fronëzimin”, thuhet në raport, kurse naivi Arbnori mendonte se emri i Berishës po keqpërdorej. (Gazeta Dita)

 

Ja cilët ishin ata zyrtarë shqiptarë që futën brenda vendit të tyre “Kalin e Trojës” priftin grek Janullatos

 

Ja cilët ishin ata zyrtarë shqiptarë që futën brenda vendit të tyre “Kalin e Trojës” priftin grek Janullatos. Dhe sot çuditërisht, edhe pse për këtë veprim antikombëtar Sali Berishën e kanë kritikuar rreptë Ilir Meta e Edvin Rama, tani, 26 vjet më vonë, kryetari i Shqipërisë, i cili ka besimin e 5 përqindëshit të elektoratit të vendit, Ilir Meta, jo vetëm se i thur lavdi Janullatosit, por edhe i jep shtetësinë shqiptare, ndërsa gruaja e tij që shtyhet e fërkohet me policë e protestues  dhe gjuan këpucët në Kuvend dhe ecë zbathur në rrugët e Tiranës, krekoset se atë çizme e ka shitur një mijë euro, një grua e tillë  thotë se askush prej shqiptarëve nuk ka punuar më mirë për Shqipërinë sesa Janullatosi. Dhe habia e fundit erdhi edhe nga Edi Rama, i cili kur është në pyetje Greqia e ulë në zero retorikën e tij kombëtare, të cilën nuk e kurseu në Beograd, por nuk e thotë dot në Athinë, madje as në Kakavijë.

Në përgjigje të interesimit të gazetarëve lidhur për marrjen e nënshtetësisë shqiptare nga Janullatos, kryeministri Edi Rama u shpreh se “ka bërë shumë mirë Presidenti që i ka dhënë nënshtetësinë Kryepeshkopit”. “Unë besoj që është një akt  i vonuar dhe i cili pajton dhe nuk ndan. Kjo është vërtetë ana pozitive e këtij akti. Natyrisht që figura e Kryepeshkopit është e ngarkuar me një simbolikë të rëndë, në kuptimin e peshës, simbolikë komplekse, por të mos e harrojmë asnjë herë që ai ishte drejtuesi i një procesi rilindjeje nga hiri i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare”, tha Rama.

“Shqipëria, shtoi kryeministri,  nuk e kishte dot në atë moment të parë Fan Nolin e vet.

“Në këtë fazë tranzicioni, sepse nuk e konsideroj pikë mbërritje të Kishës Autoqefale Shqiptare, Kryepeshkopi ka luajtur një rol të rëndësishëm pozitiv, edhe pse me të, jo gjithmonë kemi ndarë të njëjtat pikëpamje. Kompleksiteti i kësaj lidhet me faktin se me vendin fqinj janë të lidhura shumë fate dhe cilësia e jetës dhe mirëqenies së popujve tanë dhe kjo ka ndikuar nganjëherë negativisht dhe padrejtësisht mbi figurën e Kryepeshkopi”, tha Rama, duke shprehur bindjen se Presidenti ka bërë gjënë e duhur në këtë rast.

Ja si u ngul dhe zuri rrënjë, Janullatosi në Shqipëri. Dhe tani të mirat nga Greqia “do të na vinë tok”, të gjithëve. Nga lëshimet e fundit është edhe vazhdimi ngritjes së Komplekseve të varrezave të ushtarëve pushues grekë në Shqipëri, në vitin 1941, pavarësisht se do të gjenden apo jo eshtrat e tyre, në to mund të varrosen edhe eshtra shqiptarësh, pse jo edhe eshtra gomarësh, kuajsh e buajsh. Greqia sot i paguan shtrenjtë ata eshtra, ashtu sikur i ka paguar deri tani, dhe  varrëmihësit shqiptarë do t i rreken biznesit dobiprurës. Më mirë një “drahmi” në dorë se një eshtër e gjyshit apo gjyshes  diku në varrin, të cilit nuk i dihet mirë as vendi se ku duhet  gërmuar.  Më lehtë është të nxjerrësh eshtra që paguhen dhe nuk të ndjek shteti as kisha, sesa të mbjellësh kanabis dhe të rrezikosh burgun.

Po kjo çështja e eshtrave nuk e preokupon më as Ismail Kadarenë, ai ka rënë në gjumin e fundit dhe nuk është më koha e Enver Hoxhës, kur pushtuesit i tërhiqnin eshtrat e ushtarëve të tyre, nga vendi ku ata kishin lënë kockat, por është koha e Ilir Metës që shet eshtra njerëzish  e gomarësh për drahmi greke dhe jep falas tokë shqiptare për t i rivarrosur eshtrat e pushtuesve të tokave shqiptare.  Tani edhe kleri malazez e serb kërkojnë Monument me eshtrat e serbo-malazezve të vrarë, si qentë, me rastin e rrethimit të Shkodrës.

 

Shkodranët nuk i ndërhynë në fjalë mikut të respektuar, “cernagorac” kur tha se Kosova është Serbi

 

Popi i Malit të Zi, Nikçeviq, gjatë qëndrimit në Shkodër, me rastin e krishtlindjeve ortodokse  e tha me gojën plot se Kosova është Serbi, dhe shkodranët nuk i ndërhynë në fjalë mikut të respektuar. Por edhe po të kishte deklaruar se Shqipëria është Serbi, nuk do të kishte reaguar askush, madje as shteti i Ilir Metës, (kryetar i Shqipërisë, i cili ka besimin 5 përqindëshit të shqiptarëve të Shqipërisë) i cili ka legjitimuar dhe i ka dhënë shtetësinë, antishqiptarit më të përbetuar të kohës sonë, nipit të andartëve grekë, Janullatos. Ky, Ilir Meta ka kundërshtuar propozimin e kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi,  për t iu dhënë shtetësinë e Shqipërisë, shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë bëhet e ditur se gjatë qëndrimit në Shkodër, para besimtarëve ortodoksë, kleri i Malit të Zi, Nikçeviq ka bërë të ditur se së shpejti do të kërkojë zyrtarisht nga Shteti i Ilir Metës, të lejohet të ngrihet një kompleks i madh me eshtrat e 12.ooo serbëve e malazezëve që janë vrarë  në vitin 1915, në përpjekje për ta “çliruar” Shkodrën, të cilën e mbronte komandanti i Garnizonit,  Hazan Riza Pasha me ushtarët e Perandorisë dhe jo me shumë shqiptarë liridashës, sikur shkruan diku në tekstet tona të historisë. Duke qenë se shumë shqiptarë të Esad Pashës luftonin për ta dorëzuar Shkodrën, natyrisht se serbët e malazezët këtë e përshkruan si çlirim të Shkodrës, të cilën e paskësh pushtuar  një  Pasha me origjinë kurde, por me zëmër si të  Ali Pashë Tepelenës e Osos Kukës. Andaj, duke qenë se ata e “çliruan” Shkodrën bashkë me Esad Pashën i cila e vrau në tradhti Hasan Riza Pashën, duan që tani atje të nxjerrin eshtrat dhe të ndërrojnë lapidare e komplekse ashtu si grekët.

Përderisa Ilir Meta bekon Janullatosin e cili e ka greçizuar ortodoksët e Shqipërisë, pse të mos ua plotësojë kërkesat edhe malazezve, të cilët i konsideron miq dhe fqinj të mirë. Madje ai është shumë i njohur për miqësinë e tij speciale me Ivica Daçiqin dhe Partinë Socialiste  serbe, ku ka qenë i ftuar në çdo kongres të saj dhe ku ka mbajtur fjalën kryesore.  Jo më kot Ilir Meta me zonjën me kokë të madhe e tru zogu, kanë blerë në Topçider të Beogradit një shtëpi tepër të kushtueshme, mbase do t’ iu duhet një ditë, ashtu sikur iu desh Ahmet Zogut në vitin 1924…

Serbët dhe grekët nuk kanë nevojë, që hapur dhe me ushtri ta pushtojnë Shqipërinë, përveç nëse marrin sinjal nga Kremlini. Tani për tani ata po e kolonizojnë dhe po e  nënshtrojnë ekonomikisht dhe po e poshtërojë moralisht e fetarisht  Shqipërinë, duke ua vrarë edhe ndjenjat e mirëfillta  kombëtare  e fetare, duke ua shpërlarë trurin dhe duke i katandisur si mos më keq. Dhe çka bëjnë tash shqiptarët e shkretë, hanë fiq e kastraveca thoshte Fishta dikur, ndërsa sot them se hanë  bakllava turku, trahana greku, e pinë marihuanë dhe shliovicë serbi dhe kryetari i tyre, betohet se nuk ka forcë jashtëtokësore që ia merr pushtetin nga duart, pale të ketë ndonjë forcë tokësore që ta kthejë me kokë poshtë Ilirin e Matajve që dikur kapërrisej në foltoren e Kuvendit duke u munduar t ia nxirrte sytë Sali Berishës. Tani, ai nuk lot dot nga posti. Më letë e jep kokën se vendin ku e ulë prapanicën.

Heu Shqipëri, mos thuej mbarova, se djemtë tu ende janë gjallë, se sot po mbjellin  kanabis në çdo skutë të atdheut, të cilin, në kohën e Enverit,  e kishin bërë tokë pjellore me hatër e me zor. Tani ata janë bërë dilerët dhe dylberët më të fortë të drogës në Evropë, ata vriten  e shiten përditë, protestojnë, rrihen, bien në ambis e prapë  ngritën, për veten, klanin, bosin, kur kurrë për Shqipërinë e atdheun. Andaj na sundojnë këto mbetje, që po ia zënë frymën Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve…

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …