Ahmet Qeriqi: Kështu foli Azem Syla, pak për veten e shumë për të tjerët

Ahmet Qeriqi: Kënga e trimërisë në margjinat e historisë

( Halil Arnauti dhe Musliu- Musa dhe Halili )

Këngët historike, duke filluar prej “ciklit të këngëve  të Luftës së Kosovës të vitit 1389” e deri te këngët e dëshmorëve të UÇK-së, janë këngë që kanë pasqyruar dhe pasqyrojnë heroizmin shqiptar nëpër shekuj. Nga ky mes i këngëve kemi edhe këngët e trimërisë, të cilat jo doemos lidhen për personalitete të caktuara historike, por edhe këto këngë në të shumtën e rasteve kanë të bëjnë me ndodhi që janë bërë pjesë e kujtesës dhe historisë sonë tragjike dhe heroike, nga e kaluara e largët e deri në ditët tona.

Folkloristika e kohës së komunizmit, ciklin e këngëve për Luftën e Kosovës e ka trajtuar si cikël të këngëve legjendare, edhe pse kemi të bëjmë me personalitete të caktuara historike, për të cilët ka qindra burime e fakte relevante historike, në historinë e popujve të Ballkanit, në Historinë e  Perandorisë Osmane dhe në shumë dokumente evropiane të kohës. Folkloristët tanë asnjëherë nuk kanë shpjeguar përse ky cikël i këngëve i takon legjendave, kur dihet mirëfilli se ka ekzistuar Sulltan Murati, bijtë e tij Jakubi dhe Bajazidi, Milush Kolipiqi, Mbreti Llazar, Vuk Brankoviqi e personazhe të tjera të historisë së Mesjetës. Kjo qasje “shkencore” mbase ka ndodhur për shkak të elementeve legjendare e fantastike, që lajmërohen në rrëfimet komplekse të kësaj beteje të përgjakshme, fatin e së cilës e vulosi kryetrimi shqiptar i Mesjetës, Milush Nikollë Kopiliqi, i cili vrau Sulltan Muradin e Parë,  më 16 qershor të vitit 1389.

Po kjo folkloristikë e ideologjizuar shqiptare, këngët për Skënderbeun i ka trajtuar si këngë historike, edhe pse ato kanë ruajtur po ato elemente legjendare e fantastike, sikur ato të Luftës së Kosovës, meqë edhe i takojnë po asaj periudhe historike.

Cikli i këngëve për Skënderbeun, është ndërtuar po me ato veçori me të cilat është ndërtuar cikli i këngëve të Luftës së Kosovës. Ashtu sikur këngët për Luftën e Kosovës dhe ato për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, janë krijuar nga rapsodë anonimë popullorë. Vetëm në shekullin 19-të me rastin e fillimit të mbledhjes së lëndës folklorike nga atdhedashësit e arsimuar shqiptarë, dalin  të shënuar edhe emrat e mbledhësve të kësaj lënde dhe aty këtu edhe emrat e këngëtarëve apo rrëfimtarëve të caktuar.

Prej Luftës së Kosovës, luftërave çlirimtare të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, për një kohë të gjatë  këngët historike humbin në mjegullën e dendur të kohës së konvertimit, të kohës sterrë të zezë nën robërinë turke, sllave e greke.

Një këngë e tillë historike  do të “ringjallët” në kohën e kryengritjes së Halil Patronës, në Stamboll më 28 shtator të vitit 1730, për të vazhduar në mënyrë të pashkëputshme me këngët e Ali Pashë Tepelenës, Zenel Gjolekës e Rrapo Hekalit, Tafil Buzit këngët historike për bushatlinjtë e Shkodrës, kënga e Hamëz Kazazit  kënga e Ibrahim Pashës së Moresë e për të ardhur deri në ditët tona.

Këngët për Luftën e Kosovës, ato për Skënderbeun, Tanush Topinë, Lekë Dukagjinin e trimat e Mesjetës, për Vashat e Kurbinit, sado fragmentare qofshin, ato kanë pikë referimi personalitete të caktuara të historisë dhe si të tilla janë përcjellë gojarisht brez pas brezi, duke arritur deri në kohën tonë, qoftë edhe në formë krejt fragmentare. Prania e këtyre këngëve është ruajtur sidomos te arbëreshët e Italisë, meqë atje kujtimi për Motin e Madh nuk ishte zbehur kurrë, ndërsa shqiptarët në Ballkan, në luftën e tyre  të vazhdueshme për mbijetesë kishin zgjedhur dy rrugë, të dyja të rrezikshme dhe ishin rreshtuar në dy taborë, në luftë kundër turkut dhe në luftë me turkun e për interesa të Turqisë. Të ndodhur mes kullës e çekanit, shqiptarëve u hiqej koka, qoftë edhe në fronin e kryekomandantëve e vezirëve qoftë edhe si kundërshtarë të Turqisë. Sulltanët nga mesi i 34 vezirëve shqiptarë shumicës prej tyre u kanë prerë kokat, si Ibrahim Pargaliut, të Çamërisë, Ajaz Pashait, eliminimit politik e njeriut më të ditur të Perandorisë dhe dhëndrit i Sulltanit, Lutfi Pashai, Halil Patronës,  dhe shumë të tjerëve  deri te Ali Pashë Tepelena, jeniçeri i fundit.

Prej kohës së Skënderbeut e deri te Ali Pashë Tepelena kemi jo më pak se tre shekuj dhe nuk kemi të shënuar asnjë këngë historike për ndonjë personalitet të caktuar, përveç këngës së Halilit dhe Musës, e cila në shumë segmente ndërlidhet me epokën e Halil Patronës e Musli Beshit dhe kryengritjes së Stambollit, të shtatorit të vitit 1730 nga jeniçerët shqiptarë, turq  e të tjerë.

 

Kryengritësi i Stambollit, Halil Patrona, Halil Arnauti nga Huprishti i Manastirit të Maqedonisë

 

Megjithatë, besoj se kujtesa e popullit nuk e ka anashkaluar Halil Patronën ndërsa  ka shënuar në memorie  edhe një këngë për dy personalitete historike, për kryengritësin më të madh shqiptar të kohës së Perandorisë turke, Halil Patrona dhe veteranin e  jeniçerëve në Stamboll, Musli Beshi, të dy shqiptarë, (arnautë) nga Hurpishti i Manastirit.

Hurpishti ishte një kaza, në kohën kur e ka prezantuar në Enciklopedinë e tij, Sami Frashri, ndërsa sot nuk gjenden dot, jo vetëm gjurmët e fshatit, por as Kazaja e Hurpishtit. Shkaqet e vërteta nuk i dimë, por e marrim me mend se pas dështimit të kryengritjes dhe prerjes pabesisht të kokave të Halil Patronës, Musli Beshit dhe mijëra jeniçerëve shqiptarë, të njëjtin fat e kishin pësuar edhe hurpeshtalinjtë.

Pas shuarjes së kryengritjes së Stambollit të vitit 1730, emri dhe nami i i Halil Patronës dhe i Musli Bashës doemos se ishte përhapur edhe në viset e Arnautistanit.

Për t’i ndjekur kryengritësit kudo në Shqipëri  në pranverë të viti 1732 nga Stambolli ishte nisur një ekspeditë ndëshkuese ne krye me Osman Topall Pashën e Moresë. Historiani i madh austriak, Jozef von Hammer thotë se Osman Topall Pasha ishte Inkuizitori i madh, i cili kishte marrë përsipër detyrën që të zinte dhe të vriste çdo jeniçer shqiptar që kishte marrë pjesë në kryengritje dhe kishte arritur të ikte nga Stambolli. Ai kishte marrë për detyrë nga Sulltan Mahmudi që t’i ndiqte dhe t’i  vriste  të gjithë kryengritësit shqiptarë, jeniçerët  që kishin shpëtuar pas shuarjes me gjak  kryengritjes së 22 shtatorit të vitit 1730. Më vonë një Sulltan Mahmudi i Dytë merr edhe kokën Ali Pashë Tepelenës dhe katër  vjet më vonë në vitin 1826 me dekret perandorak  shuhen formacionet e jeniçerëve.

Duke analizuar të vërtetat historike për kryengritjen e Stambollit të vitit 1730 dhe variantet e shumta të ciklit të këngëve për Halilin e Musën, doemos se vërehen shumë elemente të përbashkëta në sinkroni dhe diakroni,  në kohë dhe hapësirë.

Në radhë të parë kemi të bëjmë me motivin e njëjtë dhe që është prerja e mikut në besë, një akt i shëmtuar i dënuar ashpër në Kanunin e Maleve, në Kanunin e Skënderbeut dhe në kanunin e Lekë Dukagjinit.

Halilin dhe Musën i mashtron dhe i pret  në besë miku i tyre, Bejta syla, i shtyrë nga Avdi Pasha, apo Avdi Aga.

Halil Patronën dhe Musli Beshin i vret tradhtisht Sulltan Muahmudi, i cili fillimisht jo vetëm që ua kishte falur kokat, por në fillim të nëntorit të vitit 1730, u kishte caktuar edhe detyrat më të larta në komandën e kreut të luftës së jeniçerëve. Ai urdhëron që Halili, Muliu dhe 24 jeniçerët më të zë të shkojnë në Pallatin Perandorak për t u veshur me rrobat prej lëkure. Aty, ndodhet një i quajtur Halil Pehlivani, rival i Halil Patronës, i cili me 30 mercenarë të tij, prapa shpine vret një nga një të gjithë jeniçerët.

Mramori i Gollakut apo Deti Marmara?

E kësaj kohe mund dhe duhet të jetë kënga e Halilit dhe Musës, këngë kjo që gjatë shekujve është kënduar nga këngëtarët anonimë, të cilët për shkaqe dhe arsye të kuptueshme ua kanë ndërruar kohën e vendin në kushte dhe rrethana specifike. Ndodh që në një kohë të caktuar këngëtarët anonimë e kanë përshtatur, në analogji me ndodhi  apo  ngjarje të tjera. Prejardhja e Mustës e Halilit, sipas të gjitha varianteve që janë shënuar në Kosovë thuhet se kanë qenë nga Mramori, një fshat i njohur në Malësinë e Gollakut. Në brigjet e Stambollit, ndodhet Deti Marmara, ku banonte “admirali” Halil Arnauti, me flotën e tij të dikurshme, derisa ishte zënë rob në Budapest dhe nga atje kishte ikur me Musli Beshin për t’ u vendosur në Beograd e më vonë në  qytetin e Nishit, ku kishte zhvilluar një kryengritje, për të cilën dihet fare pak.  (Enciklopedia angleze, Halil Patrona).

 

Yskydari i Stambollit apo Shkodra jonë?

Kënga e Musës dhe Halilit, të cilët thuhet se i kishte prerë në besë Veziri i Shkodrës, sjellë disa fragmente që na bëjmë të besojnë se kjo këngë ka ndërruar përmbajtjen, por jo edhe emrat e dy trimave si dhe disa nga emrat e vendeve. Kryengritja e Halil Patronës është zhvilluar në Stamboll, në vendin e quajtur“Sheshi për Mish” aty ku tuboheshin jeniçerët sa herë që revoltoheshin. Ata fringëllonin   kazanëve të mishit si një paralajmërim për zemërimin dhe pakënaqësinë e tyre. Në Stamboll ndodhet edhe Sheshi i Yskydarit, atje ku qëndronin  vezirët dhe kreu i luftës. Shkodra e Shqipërisë, turqisht quhet Yskydar, latinisht Scutari, sllavisht Skadar).

Kënga e Halilit dhe e Musës, në variante Kënga e Musës dhe e Halilit, apo Kënga e Hajrie Garrisë, flet për prerjen në besë të dy vëllezërve nga miku i tyre, nga dhëndri,  Bejtash aga, herë Bejta Syla, një nëpunës apo çaush  në pallatin e Vezirit të Shkodrës. Në tekstet e historisë turke  Avdi Agai ishte veziri i Flotës Perandorake të Sulltan Admedit, në vitin 1730. Pozita e tij ishte Kapudan Pasha, njëri ndër katër vezirët e kreut perandorak, kokat e të cilëve i merr Halil Patrona gjatë kryengritjes në Stamboll.

Prerja në besë e Halil Patronës dhe Musli Beshit

Më 25 nëntor të vitit 1730, Sulltan Mahmudi i Parë, edhe pse kishte premtuar se nuk do të ndëshkohej Halil Patrona dhe asnjë nga kryengritësit pas arritjes së Marrëveshjes, e cila kishte plotësuar kushtet e kryengritësve, pas postimit të tij në vend të Sulltan Mahmudit të Parë, Sulltani i ri i nxitur nge vezirët kishte organizuar prerjen e kokave të Halil Patronës, Musli Beshit dhe tërë kreut kryengritës.  Nuk ishte prerë miku në besë, por ishte prerë komandanti i Jeniçerëve, i cili kishte rrëzuar nga froni Sulltan Ahmedin e Parë  dhe kishte vendosur Sulltan Mahmudin. Ai  kishte kthyer fronin e babait të vrarë 30 vjet më parë nga Sulltan Ahmedi,  vëllai i tij. Sulltan Mahmudi kishte përfituar në kryengritjen e Halil Patronës dhe kishte përgatitur e kishte parë me sy prerjen e kokave të tyre, pabesisht.

Duket se stigmatizimi i një Sulltani, në kohën kur është krijuar varianti i parë i këngës, nga këngëtarët endacakë, dervishlerë,  ka qenë temë krejtësisht tabu, andaj edhe këngëtari duket se ka ndërhyrë me qëllim që kënga të mos e përmend Sulltanin gjakatar, i cili kishte urdhëruar vrasjen e 12.000 jeniçerëve shqiptarë, pesë mijë prej të cilëve kishin arritur të iknin nga Stambolli dhe ishin vendosur në viset e thella malore të Maqedonisë dhe Shqipërisë.

halili e hajria

 Kënga e trimërisë  për Halilin e Musën fillon me vargjet më të njohura të folklorit shqiptar

Fryni era u çil taraba,

çohu Halil se Avdi aga.

Me treqind sejmenë për mbrapa

Të tanë në opinga, pa çorapa.

Në tekstet e historisë turke prezantohet fakti se  Avdi Agai ishte Kapidani  i Flotës Perandorake të Sulltan Admedit të Parë, në vitin 1730. Pozita e tij ishte Kapudan Pasha, njëri ndër katër krerët e kreut perandorak, i cili kishte shfaqur gatishmëri për ta shuar me gjak kryengritjen, me ushtarët e florës së tij,  por ndërhyrjen e tillë nuk e kishte pranuar Sulltan Ahmedi. Avdi agai, ishte në mesin e katër krerëve  të mëdhenj, së bashku me vezirin e Madh, Damad Ibrahaim, pastaj  myftiun e Stambollit dhe kryeqehajanë, (kryprokurori) kokat e të cilëve i kishte kërkuar dhe i kishte marrë Halil Patrona.

Treqind sejmenët e Avdi Pashait, nuk ishin nisur në rrethim të dy vetave, aq më tepër këmbëzbathur, meqë nuk kishin pasur kohë të mbatheshin.

Këtë fakt e përforcon edhe një element tjetër. Të gjithë jeniçerët e Hail Patronës ishin këmbëzbathur, jo sepse nuk kishin këpucë, por ishte ky një shenj i solidarësisë së tyre me turmat e varfra të Stambollit, të cilët në kryengritjet e tyre mbështetnin jeniçerët,  për të thyer e për të plaçkitur të kamurit e Stambollit.

Edhe në kohën kur Halil Patrona fill i vetëm shkon për ta uruar hipjen në fron të Sulltan Mahmudit, sipas kronikave të Stambollit të vitit 1730 dhe historianit, Jeozef Von Hammer, ai kishte shkuar këmbëzbathur, madje edhe pa shpatë, pa shpresë se do të kthehej gjallë. Sulltani jo vetëm e kishte pranuar por ia kishte plotësuar kushtet për heqjen e tatimeve të përjetshme, “malikaneve”  dhe prishjen e plaçkitjen e 130 shtëpive të kurvërisë, në Stamboll të cilat i kishin ndërtuar inxhinierët e Francës, në kohën e Sulltan Ahmedit të Parë, epshtar dhe degjenerik.

Kjo këngë shumë e njohur në traditën e dasmave shqiptare është kënduar si “këngë majekrahi” po thuajse në të gjitha trevat e Shqipërisë veriore dhe verilindore deri në kazanë e Nishit.

Këngën e këndonin dy apo tre krushq, ose këngëtarë, pikërisht në kohën kur krushqit i afroheshin shtëpisë, ku do ta merrnin nusen. Kënga kishte një mesazh të qartë dhe shumë kuptimplotë. Ajo i përkujtonte mikut se në rast tradhtie, në rast të prerjes së mikut në besë, ishte vetë nusja, ajo që do të duhej të merrte gjak për vëllezërit, duke mos e ndalur dorën as në pjellën e tradhtisë, në bijtë e saj.

Kjo këngë ka mbijetuar deri në fillim të viteve 70 të shekullit të kaluar, kur qerret e nuses, “kerri i kuq” ishte zëvendësuar me automobilin e nuses dhe kur krushqit nuk shkonin këmbë apo hipur mbi kuaj, për ta marrë nusen por shkonin hipur në vetura e traktorë.  (Nuk ka shqiptarë që të ketë kaluar moshën 60-70-vjeçare dhe të mos e ketë dëgjuar  këngën “majekrahi”, “Fryni era u çil taraba”,  të kënduar nga krushqit dasmorë, e sidomos nga këngëtarët, këngë kjo që këndohet edhe sot e kësaj dite kudo në Kosovë e në treva të tjera të Shqipërisë.

U ndala në këtë motiv për të konstatuar se prerja e mikut në konak, në besë, ishte akti më i pafalshëm, më i papranueshëm dhe më i ndëshkueshëm për moralin dhe traditën e shqiptarit. Nëse kënga e Halilit dhe Musës, dikur kishte të bënte me Halil Patronën e Musli Beshin, stigmatizimi që i bëhej tradhtisë, doemos se prekte fronin perandorak, Sulltan Mahmudin, i cili kishte prerë në besë, Halil Patronën dhe Musliun dhe mbase pikërisht për këtë hartuesi i parë i këngës, ndonjë dervish bektashi shqiptar, këngën e kishte konvertuar dhe ngjarjen e kishte vendosur jo në Stamboll, ku kishte ndodhur kryengritja por në Kosovë dhe në Shkodër.

Nuk përjashtohet as mundësia e një koincidence në emrat e heronjve, por nuk mund të kemi koincidenca në emrat e tjerë të personazheve, as në emrat e vendeve, Yskydar-Shkodër, Marmara-Mramor, Avdi Aga, sejmenët e zbathur, e ngjashmëri të tjera

Hakmarrja e motrës

Kënga e Halilit dhe Musës ka edhe katarzën shpirtërore, pikërisht atë katarzën Aristoteliane, e cila te ne quhet hakmarrja e motrës për vëllanë.

Në tragjeditë antike, është e njohur tragjedia “Antigona” e Sofokliut, që  varros vëllanë, Polinokin,  kundërshtar të mbretit, i cili kishte urdhëruar që trupi i tij të lihet mbi dhe pa u varrosur për shkak se kishte luftuar në radhët armike të mbretit. Meqë kishte thyer urdhrin ajo vritet, ndërsa te varri i saj vetëvritet edhe i dashuri i Antigonës, djali i mbretit, Kreon, që kishte dhënë urdhrin e mbytjes së Antigonës. Tragjedia arrin kulmin kur nga dhembja për djalin, vret veten edhe mbretëresha Eurudiqi.

Hajria e traditës dokesore shqiptare, ka diçka të ngjashme me Antigonën. Ajo vret burrin,  i cili verbërisht apo për shkaqe përfitimi kishte kryer detyrën ndaj pashait duke vrarë miqtë, dy vëllezërit e bashkëshortes. Hajria po ashtu është e përkushtuar për vëllezërit. Ajo shkon më larg se Antigona. Ajo vret burrin por edhe djalin e vet,  birin e burrit tradhtar, edhe pse ishte e  vetëdijshme se do të mbytej nga Pashai.

U zgjerova në këtë temë për të sjellë disa elemente interesante nga Kronikat e Stambollit të vitit 1730, në të cilat është bazuar seriali filmik i Turqisë, i transmetuar ne TRT1: “Bir zamanlar osmaly kijam” seri filmike me 20 epizode ku trajtohet koha e Sulltan Ahmedit dhe Halil Patronës, si dhe seriali tjetër, “Osmanly darin devlet” me 12 epizode ku trajtohet pjesa e dytë e po të njëjtës seri  filmike dhe ku figura e Halil Patronës paraqitet si një monstrum i veçantë, i papërsëritshëm në 700 vitet e Perandorisë Osmane. (Të dy seritë filmike mund të shikohen përmes Joutube në internet). Kliko: “Bir zamanlar osmanly kijam dhe “Osmanly darin devlet.

Në serialin “Bir zamanlar Osmanli Kiyam”, vëllai i Halil Patronës, Gjergjezi, apo Gjergji i Zi, paraqitet si vrasës me pagesë. Duke vepruar sipas porosisë së kreut të shërbimit sekret iranian, i cili vepronte dhe kryente diversione  në pallatin perandorak, përmes shejhut Ispiri Zade, (më vonë edhe të kryegjyqtarit të Stambollit, Hasan Zylali, me origjinë shqiptar  nga Korça) Gjergjezi vret gruan me barrë të Murat Solakbashit, të besuarit të Sulltane Hatixhesë, motra e Sulltan Ahmetit e njohur për qëndrimin e saj kundër vëllait. Ndërkohë, vëllai i Halil Patronës  kapet dhe varet në litar, me një ferman special të Damad Ibrahimit. Ai urdhëron që kufoma e tij të qëndrojë e  varur një javë në qendër të një sheshi të Stambollit.

Halil Patrona, paraqitet madje edhe si vrasës i fëmijës shtatë-vjeçar të Ispiri Zades, meqë ai fillimisht e kishte rekrutuar në kryengritje kundër Perandorisë e pastaj e kishte denoncuar vetë, meqë nuk e kishte përballuar dhunën fizike të ushtruar ndaj tij. Të dy këto motive, nuk kanë asnjë element të përbashkët me Historinë e kohës së Sulltan Ahmedit, ndërsa në të dyja serialet, Halil Arnauti dhe tërë arnautët e asaj kohe paraqiten si përbindësh, si monstrumët e filmave horror.

 

Kam prirje të besoj se këngën e Halil Patronës, e kanë kënduar fshehtas e më vonë e kanë sjellë nga Stambolli në tokat e Arnautistanit  vetë dervishët shqiptarë, gjithnjë bektashi,  të cilët u këndonin bëmave dhe trimërive të heronjve të kohës. Është i njohur fakti se dervishët, gjatë fushatave luftarake të Perandorisë këndonin këngë me qëllim për ta mbajtur moralin e ushtarëve. Shumë nga këngët e periudhës së sundimit turk në Kosovë i kanë sjellë këngëtarët dervishë, këngë të cilat më vonë  janë kënduar edhe nga rapsodët shqiptarë. Duke kaluar nga brezi në brez, në rrethana të ndryshme historike, këto këngë kanë pësuar edhe ndërrime e modifikime të shumta. Modifikimet e tilla i hasim në variantet e shumta të këngëve për një ngjarje të caktuar. Dervishët bektashi me origjinë shqiptare i kanë sjellë në Arnautistan edhe këngët për Osman Pashën, Për luftërat shqiptare-malazeze, për Zenel Gjolekën, për luftërat e Maliq Pashës dhe të shumë pashallarëve të tjerë.

Mendoj se edhe këngën e Halilit dhe Musës (Halil Patronës dhe Musli Beshit) e kanë kënduar në tokat shqiptare pikërisht dervishët shqiptarë, bektashinj, ashtu sikur ishin edhe Musa e Halili.

Gjatë viteve kjo këngë mori karakter rajonal, duke u kufizuar vetëm në dënimin moral të tradhtisë, ashtu sikur dënohej në traditën dokesore shqiptare, në Kanunin e Lekë Dukagjinithalili dhe hajria

  1. Kënga e Musës dhe Halilit, në variante edhe kënga e Hajrie Garrisë është shënuar në Visaret e Kombit, në Shkodër në vitin 1937.

Fryni era u çil taraba

Çou Halil se Avdi aga,

Me treqind sejmenë përmbrapa,

Të gjithë n’ apanga pa çorapa.

300 vet treqind dai,

Te Halili ia kanë  msye

E zeza nane na i paska ndie,

I ndien motra e zeza nanë,

– Çou Halil o gjumi o randë,

-Ku i ki arme e jataganë-

-Mi ka fshehun miku mbramë,

-S e ka mendjen me na dhane,

-E ka mendjen me na zanë.

-Bejta syla, qen,  çka t baba

-Tu dhimt buka qi ta ngrana

-S’ mu dhimt buka as rakija,

-Plot dukat mu ka mbushe shpija,

-Nuk po dhimbet miqësia,

-Miqasine do ta lame,

-Motren tane nuk e domë.

Bejta Syla qen qafiri.

Ban gost e qoj na thirr

Qoj për muzhde te Veziri,

Tu zu Musa tu ka zanë Halili

-Mori moter e zeza moter,

-Kurr mos t lefte nji djalë në votër!

-Na tradhtove na shtine n Shkoder,

-Mos m’ lefte djalë, vlla, mos m lefte çike

-Ket punë motra s’e ka ditë,

Shkoj nji muaj e shkuen do ditë,

Preu të shoqin me dy bijtë.

-Kur ja vuna thikën burrit

-Si me i nxjerrë vllaznitë prej burgut,

-Kur ja vuna thikën djalit

-Si me i nxjerrë dy sytë e ballit.

Pas shuarjes së kryengritjes së Stambollit të vitit 1730, emri dhe nami i i Halil Patronës dhe i Musli Bashës doemos se ishte përhapur edhe në viset e Arnautistanit.

Për t’i ndjekur kryengritësit kudo në Shqipëri  në pranverë të viti 1732 nga Stambolli ishte nisur një ekspeditë ndëshkuese ne krye me Osman Topall pashën e Moresë, edhe ky me origjinë shqiptare. Ai kishte marrë për detyrë nga Sulltan Mahmudi që t’i ndiqte dhe t’i  vriste  të gjithë kryengritësit shqiptarë, jeniçerët bektashi që kishin shpëtuar pas shuarjes së kryengritjes së 22 shtatorit të vitit 1730.

Këngëtari popullor shqiptar, historinë e para 288 viteve e këndon edhe sot, por me ndryshime të mëdha.

Në Kosovë dhe kudo në trojet e veriut të Shqipërisë Janë të shumta dhe mjaft të përhapura variantet e këngëve për Mustën e Halilin, Hajrie Garrinë, apo Halilin e Musën. Është shënuar një cikël këngësh me këtë motiv. Variantet e kësaj kënge këndohen edhe sot nga shumica dërrmuese e rapsodëve dhe këngëtarëve popullorë.

Në të shumtën e varianteve, Halili dhe Musa paraqiten si dy trima të Gallapit apo të Llapit, të cilët i pret në besë miku i tyre në Shkodër. Prerja në besë, mbase ishte bërë për motiv hakmarrje, sikur evidentohet në këtë variant të kënduar në Drenicë.  Në fillim të këngës, Veziri i Shkodrës, kërkon nga Bejta Syla që t i denoncojë dhe t’i zë miqtë e tij, të cilët si duket paraprakisht i kishin vrarë dikë të afërm të Vezirit.

Shtime

Shtator 2010

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …