Dr. Rexhep Qosja

Akademik, Rexhep QOSJA: Me pikëllim e mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Robert Elsit

Robert Elsi ishte njëri prej albanologëve me prejardhje gjermane, i cili gjithë jetën dhe gjithë dhuntinë e tij të gjithanshme krijuese ia kushtoi letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Robert Elsi kishte arritur të njihte letërsinë shqipe, të njihte kulturën shqiptare në gjithë shtrirjen kohore dhe hapësinore. Ai kishte arritur të njihte dhe kishte arritur të studionte këtë letërsi dhe këtë kulturë sepse i deshi jashtëzakonisht përkushtueshëm.

Fryt i këtij përkushtimi të madh ndjenjor dhe mendor ndaj letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi është numri i madh i veprave të fushave të ndryshme të albanologjisë, që do të shkruajë e do të botojë ai. Robert Elsi ishte albanolog i veçantë për dy arsye: e para, pse ishte i liruar prej disa paragjykimeve prej të cilave nuk kishin qenë gjithnjë të liruar gjithë albanologët e mëdhenj të shekullit 19 a shekullit 20, dhe, e dyta, pse ishte i liruar edhe prej sentimentalizmit folklorizues prej të cilit, po ashtu, nuk ishin gjithnjë të liruar gjithë albanologët joshqiptarë dhe shqiptarë.

Robert Elsin e bëjnë albanolog të madh: shumësia e veprave të tij për letërsinë dhe për kulturën shqiptare në përgjithësi; shumësia e temave dhe çështjeve që ka trajtuar; dhe qëndrimi objektiv, kritik, shkencor ndaj temave e çështjeve me të cilat është marrë.

Tani kur Robert Elsi u nda prej jetës, dhe prej nesh, mund të them me keqardhje se ne nuk ishim plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e veprës së tij shkencore e profesionale në studimet albanologjike dhe për studimet albanologjike.

Kush më pak e kush më shumë ne i kemi mbetur borxh albanologut Robert Elsi.

Posaçërisht shumë albanologut Robert Elsi i kanë mbetur borxh institucionet shtetërore shqiptare.

Por, nuk është Robert Elsi albanologu i vetëm, krijuesi i vetëm, që me aq shumë ndjenja dhe me aq shumë dhunti studiuese u ishte kushtuar historisë, letërsisë, kulturës shqiptare, popullit shqiptar, të cilit i kanë mbetur borxh këto institucione.

Ato, institucionet shtetërore shqiptare, ndoshta do t’i dalin borxhit albanologut të madh, Robert Elsi, tani mbas ndarjes së tij nga jeta dhe ndoshta jo vetëm me deklarata!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty, Robert Elsi!.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Partisë URA, Dritan Abazoviq ka shpallur fitoren e koalicionit “Për një fillim të ri” në zgjedhjet lokale për Ulqinin

Dritan Abazoviq: Nuk do të votoja kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës të mërkurën ka miratuar raportin e …