Alban Sheqir Ajeti (5.9.1978 - 15.4.1999)

Alban Sheqir Ajeti (5.9.1978 – 15.4.1999)

Masivi malor që përshkon vijën kufitare mes Kosovës e Serbisë gjatë gjithë qindvjeçarit ishte arenë e luftimeve sa të dhunshme aq edhe të lavdishme të historisë tonë. Populli i këtyre trevave, malësoret e këtyre maleve ishin bërë beden i pakapërcyeshëm i mbrojtjes së Atdheut nga pushtuesi sllav.
Një ndër masakrat më të tmerrshme deri në atë kohë në Ballkan ishte edhe Masakra e Gollakut ku pësuan me mijëra shqiptar në vitin 1920.
Ajet Ajeti, ishte bashkëpunëtor i ngushtë i patriotit Nazim Gafurri, i cili në cilësinë e udhëheqësit të fshatit Koliq i ofroi të dhënat faktike me të cilat Nazim Gafurri, dokumentoi para qendrave vendimmarrëse të kohës për gjenocidin serb në atë kohë. Kjo ploje u ndalë pas këtij alarmi, por Ajet Ajeti për këtë u ekzekutua me varje nga terroristët serb para syve të fëmijëve të tij dhe familjarëve tjerë.
Djali i tij Namani, si luftëtar i Njësiteve Çlirimtare që ishin vënë në Mbrojtje të Kosovës gjatë luftës më 1944-1945 ishte në vijën e parë të frontit dhe te Sukat e Prapashticës tok me vëllezërit e tij Hasanin, Hydën dhe bashkëluftëtarët tjerë ua dhanë hakun, që meritonin bishat serbe . Nxorën hakun e babait e shumë bashkëvendëseve e bashkëkombëseve të tyre.
Stërnipi i Ajetit, e nipi i Namanit, Albani do të shënojë epitaf në mendjen e shpirtin e tij flijimin e të parëve të tij për lirinë, kombin e Atdheun.
Alban Ajeti u lind më 5 Shtator në 1978 në Gjilan, ishte gëzimi i parë i bashkëshortëve: Sheqirit dhe Hazirës.Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Gjilan, ndërsa studimet i vazhdoi në Fakultetin e Mjekësisë- Dega e Farmacisë në Universitetin e Tetovës në vitin shkollor 1996/1997.
Albani në dukje ishte i pashëm, elegant, shtathedhur. Në personalitet, i këndshëm, i hareshëm, fjalëpakë, i dashur, por i ashpër e eksplodues kundër padrejtës, hipokrizisë, e më së tepërmi i ndjeshëm e i papërmbajtshëm për t’i shërbyer kombit, Atdheut.
Albani kishte afinitete të veçanta në krahasim me bashkëmoshatarët e tij si në sport, art, letërsi etj. Argumenti më bindës për të definuar shpirtin, mendjen, ëndrrën e vizionin e tij të vegjëlisë e rinisë së paktë të tij është vet poezia e tij, e cila u botua pas luftës, nga Fondi për Letërsi, Art e Kulturë “Brezi 81”. Libri u botua në vitin 2002 me titull “Pranvera e Lirisë”.
Albani pas maturës vijon studimet në Tetovë, por ëndrra e tij ishte të studionte në Akademinë Ushtarake Shqiptare, duke kuptuar se lufta dhe nevoja për kuadro profesionale ishin alternativë e vetme për të fituar Lirinë.
Meqë një gjë e tillë nuk u realizua, ai ishte shumë aktiv në aktivitetet politike që zhvillonte organizata studentore gjë që i mundësoi kontakte të vazhdueshme me personalitete të shquara politike e kombëtare të asaj periudhe. Albani tashmë e dinte se ora e luftës për liri po bie. Filloi të stërvitet në klubin e Bodibildingut “Drita” në Gjilan tok me shumë të rinj, shumë prej të cilëve do t’i ketë më vonë edhe bashkëluftëtarë në istikamet e Luftës si: Elhami Bajramin, Skender Veselin, Afrim Myrtajn, Bashkim Selishtën, Bekim Murtezin, Rexhep Jahiun, Xhevat Shabanin e të tjerë.
Albani, njëkohësisht ishte shumë aktiv edhe në aktivitetet politike e ushtarake, që zhvilloheshin gjatë vitit ’98 në Bashkimin e Subjekteve Politike të Gjilanit si aktivist i strukturës rinore. Aktiviteti i tij nuk ndalej me kaq. Filloi të shkruajë për gazetën “Bashkimi” organ i Subjekteve Politike të Gjilanit, ku udhëhiqte rubrikën e sportit.
Nga eprorët e UÇK-së, vazhdimisht kërkonte që t’i lejohej sa më shpejt të ngjitej në male, në bazat e UÇK-së edhe pse tani me veprimtarinë në qytet ai veç ishte ushtar i UÇK-së. Insistimi i vazhdueshëm i Albanit, bëri që eprorët t’ia mundësojnë të shkojë në bazën e UÇK-së në Zhegoc, në fillim marsin e vitit 1999 bashkë me Tefik Zymberin, dëshmor i kombit, me të cilin edhe kishin bashkëpunuar në Gazetën “Bashkimi” dhe në aktivitetet politiko-ushtarake.
Albani tani me nofkën “Pëllumbi” fluturonte nga gëzimi, emocionet e tij ishin të pa përshkruara. I dukej do të rilind. Në komandën e ZOK-ut në Zhegoc, ishte ndër ushtarët më të ri, por ndër më të përgatiturit. Në poezitë e tij, në rrugëtimin nëpër vargjet e tij vëren hapur sinonimin e shpirtit të Kapedanit të vërtetë të Ushtrisë Shqiptare.
Atdheu, kombi, flamuri, lufta, liria, dëshmorët ishin frymëzimet e tij dhe tik-taku i zemrës, ishte jeta e pa jetuar por e përjetësuar e tij.
Në agun e 15 Prillit 1999, mijëra forca policore dhe ushtarake serbe me makineri e arsenal të paparë ushtarak kishin mësyrë nga të gjitha anët në drejtim të istikameve të UÇK-së. Pika e parë e sulmit për shkak të rëndësisë strategjike ishte ajo në Zhegoc të Epërm. Në këtë pikë, tok me bashkëluftëtarët e tij si: Sali Mustafën, komandant i Brigadës 171, Fadil Rashitin, Skënder Veselin, Raif Musliun, Bekimin e të tjerë. Pëllumbi ishte shndërruar në shqiponjë.
Pas luftimeve të pandërprera për gjysmëdite, forcat e UÇK-së ua pamundësuan hyrjen e forcave të armikut në fshat dhe u mundësuan fshatarëve tërheqjen në zonat e mbrojtura e të sigurta. Pas luftimeve të ashpra dhe në distancë shumë të afërt nga një pritë e befasishme, Alban Ajeti plagoset për vdekje. Falë rezistencës së Albanit kishte shpëtuar bashkëluftëtari i tij Fadil Rashiti edhe pse i plagosur.
Pushka e Albanit dhe Pajazitit, në dy rreze të afërta të Maleve të Zhegocit do të jenë forca që mbante moralin e luftëtarëve të UÇK-së edhe gjatë luftimeve, më 16 e 17 prill 1999, ku do të bien dëshmorë edhe Tefiku, Hushi, Nijaziu, Sahiti, Shahini, Kastrioti e dëshmorë të tjerë. Ata do të lënë të përbotshme e të përjetshme këtë betejë, që është dhe do të jetë gjithmonë lavdia e këtyre trevave dhe popullatës së saj.
Albani u varros në Zhegoc të Epërm dhe u rivarros, më 17 shtator 1999, në “Varrezat ë Dëshmorëve të Kombit” në Gjilan me nderime të larta ushtarake, nën përcjelljen e dhjetëra mijërave bashkëkombësve.
Albani tok me Pajazitin, qëndrojnë të skalitur në bronz, në oborrin e Komandës së Zonës së 6 të TMK-së. Ëndrrën e tij për të studiuar në Akademinë Ushtarake Shqiptare e kurorëzoi me flijim dhe fitoi Gradën Hyjnore atë të Dëshmorit të Kombit Shqiptar. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 - 22.4.1999)

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 – 22.4.1999)

Fshati Mushtisht i komunës së Therandës shtrihet rrëzë Bjeshkëve të Sharrit dhe në luftën e …