Albanologu Peter Bartl: Shqiptarët, kanë qenë pjesë e sundimit të Perandorisë Osmane

Albanologu Peter Bartl: Shqiptarët, kanë qenë pjesë e sundimit të Perandorisë Osmane

Pas marrjes së medaljes së mirënjohjes nga presidenti Nishani, albanologu gjerman, 74 vjeçar, Peter Bartl rrëfen studimet, botimet, dhe tezat e tij historike. Historiani gjerman kujton bashkëpunimet me akademinë shqiptare të shkencave në kohën e diktaturës. Sipas tij historia e mesjetës shqiptare u paraqit e errët atë kohë, por kjo duhet korrigjuar. Sipas tij 450 vjet nën perandorinë osmane s’mund të quhen pushtim. Shqiptarët ishin pjesë e kësaj perandorie, kishin vezirë të mëdhenj, madje në dokumentet osmane ka mjaft pakënaqësi ndaj këtyre vezirëve që mbronin e favorizonin bashkë atdhetarët e tyre. Ky rrëfim i albanologut gjerman iu dha radios Deutsche Welle 4 vjet më parë.

Intervistë me historianin gjerman, Peter Bartl, që u nderua në Tiranë me çmimin “Medalja e Mirënjohjes” nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani. Në mungesë të prof. Bartl-it medaljen e mori në dorëzim nga kryetari i shtetit, kolegu i tij, shefi i katedrës së albanologjisë në Mynih, Bardhyl Demiraj, për t’ia dorëzuar të dekoruarit në një ceremoni festive, para një publiku të gjerë, në universitetin e Mynihut.

DW: Profesor Bartl, ju u nderuat së fundi nga presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me Medaljen e Mirënjohjes” për kontributin tuaj të çmuar në studimet mbi historinë e Shqipërisë. Qe ky nderim për ju surprizë?

 Bartl: Ishte menduar të më bëhej surprizë. Unë e mora vesh në momentin e fundit, dy tri ditë përpara. Duhej të më informonin, sepse medalja duhej të më dorëzohej personalisht në Tiranë. Unë nuk isha në gjendje të udhëtoja, prandaj medaljen e mori një koleg shqiptar në emrin tim.

DW: Për dhjetëra vite me radhë ju keni bërë hulumtime e studime historike për Shqipërinë, duke nxjerrë një sërë botimesh me vlerë shkencore. Si ndodhi, që vendosët të merreni me historinë e Shqipërisë?

Bartl: Unë nuk e kisha në plan të merresha me Shqipërinë. Unë kisha studiuar edhe turkologji dhe doja të punoja në lidhje me ekspansionin rus në Lindje, në Azinë Qendrore, kisha qenë edhe në Afganistan etj. Por profesori im në atë kohë, Stadtmüller, kishte filluar të shpërndante disertacione për Shqipërinë, në shumicën e rasteve në lidhje me konsujt, që kanë punuar në Shqipëri gjatë kohës turke dhe kështu që nuk u bë gjë me Azinë Qendrore e unë pak a shumë u detyrova të merresha me Shqipërinë. Nuk ka qenë një lidhje dashurie, por si të thuash një martesë me detyrim, por që sa më shumë vazhdonte, aq më shumë kënaqësi më jepte.

DW: A mund të na përmendni disa nga studimet?

Bartl: Po unë kam promovuar lidhur me rolin e myslimanëve në lëvizjen kombëtare shqiptare, jam marrë pastaj me periudhën turke, me rolin që luanin shqiptarët gjatë luftërave të turqve nga shekulli i 16-të deri 18-të. Por kam shkruar edhe një vështrim për historinë e Shqipërisë.

DW: Për librin e fundit Albania Sacra, që hedh dritë në një periudhë të pandriçuar të periudhës pas pushtimit osman, keni mundur të hulumtoni në arkivat e Vatikanit. Libri është me disa vëllime, sa punë dhe impenjim ju është dashur për këtë studim?

Bartl: Kam qenë shumë gjatë në arkivin e Vatikanit në Romë dhe prej aty vjen punimi me dokumentet arkivore kishtare, që përmbajnë shumë edhe mbi historinë jo vetëm kishtare, por edhe laike të shqiptarëve. Çdo dinjitar i kishës katolike, qoftë peshkop, apo prefekt i një urdhri kishtar, ishte i obliguar që t’i raportonte rregullisht Romës për gjendjen në ipeshkvinë e tij. Dhe këto raporte ndodhen në arkivin e Propaganda Fide-s në Romë, jo krejtësisht, por gati të plota. Dhe unë i kam mbledhur në një punë shumëvjeçare dhe kam pritur, derisa të dilja në pension, që t’i botoja dhe t’i komentoja ato. Albania Sacra është një botim i burimeve deri tani të panjohura dhe të pa hulumtuara lidhur me historinë e Shqipërisë. Përmbajtja renditet sipas dioqezave, deri tani janë botuar dy vëllime, për dioqezën e Lezhës dhe krye-dioqezën e Durrësit dhe do të pasojnë edhe tri të tjera mbi dioqezat e tjera.

DW: Cila është e reja, që sjell ky botim?

Bartl: E reja është se pasqyrohet jeta në Shqipëri gjatë periudhës turke nga këndvështrimi katolik. Pra procese si islamizimi, fenomeni i kriptokrishtërimit, që njerëzit fshehurazi mbeteshin të krishterë, por zyrtarisht ishin të konvertuar në fenë islame, pastaj shtrirja e vendbanimeve të shqiptarëve. Zbulohet shumë mirë gjeografia historike. Sigurisht që studimi sjell disa të reja për historinë kishtare, por edhe atë profane. Aty gjen edhe informacione për deportimet, për lëvizjet e grupeve etnike shqiptare etj.

Dw: Nga viti 1980 deri 2004 ju keni dhënë historinë e Evropës Juglindore dhe Lindore në Universitetin e Mynihut. Çfarë interesi kishte për historinë e Shqipërisë, a ka ndryshuar ai gjatë viteve, cila ishte përbërja e studentëve të interesuar për albanologji?

Bartl: Unë kam qenë profesor për historinë e Evropës Lindore dhe Juglindore dhe shqiptarët zenë sigurisht vetëm një vend të vogël. Pra unë duhej të ligjëroja për të tërë gadishullin ballkanik, edhe për historinë ruse. Unë gjithmonë jam përpjekur të mbaj edhe një leksion për historinë shqiptare, kam mbajtur seminare për këtë temë. Por përndryshe unë e kam trajtuar historinë e shqiptarëve në kuadrin e historisë së Ballkanit. Interesimi për leksionet ka qenë mesatar, kam pasur 50 deri në 150 pjesëmarrës në seminare, të moshave të ndryshme. Para se të dilja në pension te ne u bë modë studimi i moshave të mëdha dhe aty merrnin pjesë shumë të moshuar, kishte edhe shumë studentë nga vendet e Evropës Juglindore.

DW: Ju keni drejtuar edhe botimin e serisë shkencore “Albanische Studien”, studime albanologjike. A vazhdon si më parë botimi i tyre?

 Bartl: Seria shkencore ekziston ende dhe unë vazhdoj ta drejtoj punën. Tani janë bërë më shumë se 30 vëllime, vëllimi i 33 do të botohet së shpejti, jo vetëm me punime historike, por edhe gjuhësore. Së fundi është botuar një vëllim për dialektet shqiptare në Maqedoni. Dhe kështu puna vazhdon.

DW: Me daljen tuaj në pension në 2004 u mbyll edhe instituti i Shqipërisë, Albanieninstitut, që ju keni drejtuar. Si ndodhi që biblioteka e pasur e këtij instituti nuk u mbajt në Mynih?

Bartl: Albanieninstitut ka qenë një institut privat, që ishte i lidhur me institutin për historinë e Evropës Lindore dhe Juglindore edhe sa i përket personelit dhe ambienteve të mësidhënies. Kjo lidhje ekzistoi për aq kohë, sa unë jepja mësim në universitet, pastaj u ndërruan drejtuesit, që nuk kishin interes për vazhdimin e këtij bashkëpunimi. Si rrjedhojë Albanieninstitut vazhdon të ekzistojë si person juridik, por biblioteka, që ishte përberja kryesore e institutit, shkoi në Vjenë në institutin për historinë e Evropës Lindore atje. Atje është njëri nga nxënësit e mi, prof. Oliver Jens Schmitt, që drejton katedrën e historisë së Evropës Lindore dhe ai bëri që biblioteka të gjejë atje në strehë të re.

DW: Ju thatë privat, si financohej instituti?

Bartl: Para ne nuk kishim kurrë. Biblioteka u zmadhua kryesisht nga dhuratat bujare të Akademisë së Shkencave në Tiranë, pastaj kemi organizuar për shembull leksione, ku ligjëruesit hiqnin dorë nga honoraret dhe ia dhuronin ato institutit të Shqipërisë. Për dhomat nuk na është dashur të paguajmë, unë paguhesha nga universiteti dhe herë pas here merrnim mbështetje nga fondacionet gjermane.

DW: Si ishte bashkëpunimi me akademinë e shkencave të Shqipërisë në kohën, kur Shqipëria ishte ende një shtet komunist?

Bartl: Shumë i mirë. Ne u dërgonim atyre gjithçka, që prodhonim, serinë tonë “Albanische Forschungen”, studimet shqiptare dhe ne ndihmoheshim nga akademia me punimet e tyre dhe në një mënyrë shumë bujare. Madje ne kemi dispenca mjekësie, apo kriminologjie në gjuhën shqipe dhe revistat i kemi marrë të gjitha falas nga Tirana.

DW: A pati ndonjë ndryshim në mënyrën e bashkëpunimit mes Albanieninstitut dhe akademisë së Shkencave të Shqipërisë pas ndërrimit të sistemit në Shqipëri?

Bartl: Po ka pasur ndryshime. Ajo që vihej re ishte se akademia nuk ishte më një qendër e pavarur ekonomikisht. Ato duhej të shihnin, që të nxirrnin fitim dhe donin t’i shisnin librat e tyre. Kështu që bashkëpunimi nuk ishte më në atë përmasë, siç kishte qenë më parë.

DW: A mendoni se historiografia shqiptare ka nevojë sot për të kompensuar, apo për të përmirësuar diçka?

Bartl: Për shembull sundimi turk paraqitej gjatë sundimit komunist, ashtu si edhe më përpara, si koha më e errët e Shqipërisë, gjë që nuk është krejt e drejtë dhe po punohet për ta korigjuar.

DW: Po ai ishte një pushtim, i padëshiruar?

Bartl: Një pushtim, që zgjat 450 vjet, nuk është më pushtim. Shqiptarët ishin pjesë përbërëse e perandorisë osmane. Ata kishin edhe pjesën e tyre në historinë osmane. Ky përfaqësim ishte i madh në proporcion me numrin e popullatës shqiptare. Më shumë se 30 vezirë të mëdhenj ishin me origjinë shqiptare. Dhe në kronikat osmane shpesh ndesh në ankesa, për arsye se këto vezirë të me mëdhenj mbështesnin bashkë atdhetarët e tyre. Pastaj shqiptarët kanë qenë të përfaqësuar shumë në ushtrinë osmane.

Ata kanë luajtur pa dyshim një rol dhe sipas mendimit tim është e gabuar që këto 450 vjet të fshihen nga historia e Shqipërisë dhe të bëhet, sikur shqiptarët s’kanë bërë asgjë tjetër, veçse të shkundnin nga vetja sundimin turk. Kjo ka qenë kështu vetëm pjesërisht.

DW: Çfarë mbetet të bëhet? Në ç’fazë të historisë do të ishte urgjentisht e nevojshme të përqendroheshin studimet historiografike tani?

Bartl: Ajo që mbetet për të bërë, dhe që është e vështirë, është zbardhja e periudhës pas Luftës së dytë Botërore. Këtu është biografia e Enver Hoxhës, pastaj hartimi i politikës së brendshme shqiptare dhe i politikës së jashtme, e cila ka qenë shumë e lëvizshme. Kalimi nga dominimi jugosllav, tek ai rus dhe pastaj kinez dhe pastaj izolimi. Këto janë të gjitha procese, të pa studiuara ende, për shkak të materialeve arkivore shqiptare (dosjet e sigurimit janë akoma të mbyllura). Nuk e di, nëse është pjekur koha, nëse duhet pritur edhe një brez, por për mendimin tim do të ishte e domosdoshme. Është shumë e vështirë që ta marrësh në dorë materialin arkivor të asaj kohe të sundimit komunist. Nuk e di, nëse ka një bllokim të materialeve për një afat kohor si në arkivat gjermane për 30 vjet, apo diçka e tillë.

DW: Profesor Bartl, çfarë projekti keni ju vetë për të ardhmen?

Bartl: Unë personalisht po i afrohem mesit të shtatëdhjetave dhe një herë do të doja ta përmbyllja punën me vëllimet e pabotuara të serisë Albania Sacra, nga të cilët janë botuar deri tani dy.

Intervistoi: Angjelina Verbica

Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com, 12 dhjetor 2012

(ad.ti/shqiptarja.com)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: Flet  tregimtari Niko Gjoni: “Mulliri i vjetër” më përcjell Ismail Kadarenë kur ishte në Francë, i cili pinte kafe gjithmonë në një lokal të tillë.

Nikua ka lindur dhe është rritur në Tiranë dhe pse me origjinë është nga Tepelena. …