muqa 900
subvencionet
vipa
vala
Fillimi / Intervista / Albert Z. Zholi: Flet “Mjeshtri i Madh”, Nikolin Gurakuqi
Albert Z. Zholi: Flet “Mjeshtri i Madh”, Nikolin Gurakuqi

Albert Z. Zholi: Flet “Mjeshtri i Madh”, Nikolin Gurakuqi

Para disa ditësh regjisori i talentuar i TKOB njëkohësisht dhe pedagogu i Universitetit të Arteve Nikolin Gurakuqi mori titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Presidenti i Republikës z. Nishani në dekorimin, lexoi motivacionin e dhënies së titullit: Për nivelin e lartë profesional, në interpretimin e muzikës klasike si dhe për veprimtarinë e tij shumëvjeçare si regjisor e skenograf, duke vënë në skenën shqiptare dhe jashtë saj shfaqje cilësore dhe të vlerësuara nga publiku artdashës. Kushdo që e njeh Nikolinin, punën e tij, krijimtarinë e tij, mënyrën e komunikimit të tij, thotë me plot gojën se ai e meriton këtë titull që ndoshta është i vonuar për të.

-Ju këto ditë morët titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti, kujt ja dedikoni këtë titull

Titullin ja dedikoj në radhë të parë presidentit Nishani, që e vlerësoi maksimalisht punën time, vullnetit dhe përkushtimit dhe talentit të mbështetur fuqimisht nga familja. Ja dedikoj babait tim që më mësoi zanatin, djemve të mijë Enkelit dhe atij që aq shumë më mungon Marsidit. Ja dedikoj edhe kolegëve me të cilët kam punuar si dirigjentë, solistë, etj dhe një mirënjohje edhe për Ilir Kernin që më propozoi për marrjen e këtij titulli të lartë. Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë ata që më nderuan me prezencën e tyre në ceremoninë e dekorimit.

 -Mbi 35 vjet regjisor kur e keni ndjere veten me keq?

Në një jetë të gjatë artistike ka edhe çaste të vështira si p.sh. ne premierën e operës “Aida” kur ne akoma nuk kishim mbaruar numrat e ndriçimit dhe publiku po hynte në sallë. Në festivalin e majit në Shkup me operën “Cosi FannTutte”na ndodhi e njëjta gjë.  Të papritura të pakëndshme ka gjithmonë. Në produksionin e “Aidës” pati edhe një moment kur videoprojeksioni iku, e fondali mbeti pa projeksion.

-Sa vepra keni vënë në skenë dhe cila ka qenë premiera më e vështirë?

Në karrierën time kam vënë gjithsej 67 produksione, premiera dhe rivënie. Mendoj se produksioni më i vështirë që kam vënë në skenë ka qenë opera “Turandot”e Puçinit.

-A ka fituar popullaritet opera në Shqipëri , pasi quhet gjini specifike,për shikues elitare?

Mendoj se opera është një gjini relativisht e vështirë për t’u kuptuar dhe kërkon një formim të caktuar. Por duhet thënë se tek ne ka një dukuri pozitive që është frekuentimi i TKOB nga një publik relativisht i ri e kjo është për t’u përgëzuar.

-Aktualisht ku është ç’vendosur opera dhe çfarë roli do të luaje rikonstruksioni i ri?

 

Ne tani jemi duke u transportuar në ish- kinostudio ku do te vendosemi nëpër disa ambiente të siguruara nga Ministria e Kulturës. Rikonstruksioni do ta bëjë Tiranën dhe Shqipërinë me një teatër opere dinjitoz

A ka vështirësi në këtë periudhë për koncerte dhe provat me artistët e operës? Vështirësi ka. Ne do bëjmë prova në ambientet e caktuara nga ministria e Kulturës ndërsa shfaqje në skenat e rretheve dhe skena të tjera në Tiranë.

-Aktualisht cilat janë problemet në operën shqiptare?

 TKOB ka patur, ka e do të ketë gjithnjë probleme për sa kohë do të ketë një buxhet qesharak.

-Akumulimi intelektual, ngjarjet, miqësia me krijues, një dhimbje e madhe ju ka bërë dhe një poet të mirë, keni ende ide për te botuar libër të ri?

Patjetër që do të botoj përsëri. Kam gati për botim dy libra me poezi dhe një poemë. Jam duke shkruar edhe një libër me tregime. Kjo krijimtari e re për mua më ka dhënë kënaqësi të madhe dhe do vazhdoj të shkruaj pa ndërprerje.

-Ju keni shkruar dhe një libër bashkautor me Marsidin “Skenaristi i qiellit të uzurpuar”.Poezia e Marsidit është filozofike, ju si prind a kishit ndikuar në poezinë e tij dhe si e nxitnit në krijimtari dhe pasur parasysh që ai nuk i botonte poezitë?

 

Me thënë të drejtën, unë nuk e kam ditur që ai shkruante poezi, dhe nuk kam pasur asnjë ndikim mbi të. Ai ishte një lexues i thekur, me një kulturë shumë të gjerë. Pas humbjes duke kërkuar në librat e fletoret e tij gjeta këtë cikël me poezi të shkruara në vitin 2002, ku shihet qartë karakteri i thellë filozofik dhe revolta e tij e thellë nda shoqërisë së shtypjes dhe qëndrimi kundërshtues i tij ndaj moralit të imponuar. Këtu shkëlqen poezia ” Skenaristi i qiellit të uzurpuar ” ku ai i rebelohet edhe krijuesit duke kundërshtuar hapur verbërinë ndaj tij.  Përpos intelektit të tij të rrallë, ai kishte një kulturë të jashtëzakonshme fituar nga leximi i shfrenuar i tij dhe nga etja e papërmbajtur e tij për dije. Mjafton biblioteka personale e tij në gjuhë të huaj për të kuptuar, cili ishte në të vërtetë ai. Unë do thosha se ai ishte një shkencëtar, studiues i shkencave sociale dhe filozofike dhe kjo kategori njerëzish në sytë e të tjerëve duken si UFO, por ai ishte një njeri që kush rrinte e fliste me të, e transformonte në bindjet e tij, ai ishte një frymëzues, një libertar i lindur. Të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në Evropën e pesë vjetëve të fundit, ai i ka parashikuar të gjitha. Të mos harrojmë, se me të tilla ideale janë plot të rinj të sotëm që kërkojnë si Marsidi, ta përmirësojnë jetën në botën ku jetojnë. Marsidi kishte një botë të pasur shpirtërore. Pëlqente shumë kinematografinë, sidomos filmat triller, muzikën, teatrin, operën, letërsinë e huaj sidomos, por hobi më i madh i tij ishin librat, ai po të dilte do të blinte se s’bën një libër.