Albert Z. Zholi: Shkëlqimi dhe perëndimi i “Piramidës” së Enver Hoxhës

Albert Z. Zholi: Shkëlqimi dhe perëndimi i “Piramidës” së Enver Hoxhës

Kur u ndërtua ajo pati një shkëlqim verbues. Një arkitekturë e rrallë, një arkitekturë  që tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve por dhe që u bë objekt diskutimi brenda dhe jashtë vendit. Por Muzeumi i Enver Hoxhës që kishte brenda objekte, sende, rroba, dorëshkrime, piktura dhe skulptura të tij, nuk e zgjati shumë lulëzimin dhe shkëlqimin verbues. Ajo shkëlqeu për 2 vjet, deri në vitin 1990, vit  kur filluan proceset demokratike. Për mëse dy vjet, vizitorë nga brenda dhe jashtë atdheut ishin tepër kureshtarë të shihnin se çfarë kishte brenda ajo ndërtesë vigane dhe tepër e bukur, që lidhej me emrin e udhëheqësit më jetëgjatë në krye të shtetit shqiptar, Enver Hoxhës.

Ideja dhe vendimi

 Piramida ose ish-Muzeu “Enver Hoxha” (sot Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori”),  u ndërtua dhe u inaugurua si muzeu i Enverit (ish-udhëheqësit të PPSH) në vitin 1988 në Tiranë, pra, tre vjet pas vdekjes së Enver Hoxhës.  Fill pas vdekjes së Enver Hoxhës u kryen një sërë ceremonish dhe në nivelet madhore të Partisë se Punës, Byrosë e të Komitetit Qendror u diskutua se si do të përjetësohej figura e udhëheqësit komunist. U hartua një program, sipas të cilit më pas u vendosën bustet e Hoxhës në qytetet kryesore vendit. Një nga pikat e këtij programi ishte dhe ndërtimi i një muzeu për Enver Hoxhën, i cili duhej të ideohej dhe të ndërtohej brenda një kohe rekord prej dy vjetësh (’86-’88) për t’u inauguruar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij. Byroja politike e asaj kohe dha ultimatum që kjo vepër të ndërtohej në kohë rekord, pasi kishte kohë që mendonte për një muze të tillë derisa u miratua. Piramida e diktatorit, që do të shërbente si kujtesë “e përjetshme” për të, ka një autor emblematik në projektimin e saj. Projekti ju besua arkitektit të njohur, Klement Kolaneci njëherazi dhëndër i Hoxhës, i cili ngriti një grup projektimi ku merrnin pjesë, Pranvera Hoxha, Pirro Vaso dhe Vladimir Bregu… Ata zgjodhën vendin dhe modelin aktual të një piramide, si modelin më të përshtatshëm për funksionin e një muzeu. Në sheshin ku sot është kryeministria dhe Piramida në atë kohë kanë qenë 3-4 ndërtesa 2-katëshe, Drejtoria e Dytë që merrej me sigurimin e udhëheqjes, ish-shtëpia e Kadri Hazbiut dhe disa shtëpi të tjera që u shpronësuan. Ky muze që kushtoi 3 milionë e gjysmë dollarë, u ndërtua në kohën kur populli shqiptar jetonte në një varfëri të tejskajshme. Muzeu u ndërtua në dy vjet. Për ndërtimin e tij punuan 300 punëtorë. Sot muzeu është kthyer në “Qendra Ndërkombëtare e Kulturës”. Por tani ajo është vetëm një atraksion turistik, për arkitekturën e saj, pasi është konsideruar si një vend që revokon të kaluarën e hidhur të shqiptarëve.

Të veçantat dhe diskutimet

Diskutimet në  Byronë Politike për këtë muze ishin nga më të ndryshmet, deri tek detajet e ndërtimit dhe pajisjeve të brendshme. U morën mendime dhe nga specialistë të elektronikës,  qeramikës, skulptorëve, piktorëve,  mozaikëve dhe specialistë të fushave të ndryshme të artit. Duhej të dilte një muze ndryshe, një muze që plotësonte standardet më të mira ta arkitekturës së kohës. Zgjedhja e piramidës lidhet me tri motive, duke nisur që nga antikiteti i historisë së kombit tonë me varret, megjithëse këtu ishte e qartë se nuk do të kishte varr. Nëse e vështron piramidën, sidomos nga lart, ajo është bërë e tillë që ajo të shkojë në harmoni me formën e malit të Dajtit. Në të njëjtën kohë ajo u ndërtua si një godinë jo me funksion të ngushtë, por si guackë e hapur nga brenda. Ideja ishte e krijimit të një hapësire të vazhdueshme komunikuese me të gjithë ambientin. Kur hyn nga jashtë brenda në godinë gjithmonë drita të shoqëron. Kjo vlente për sallën e muzeut por edhe për ambientet  e dyta plotësuese.

Sot, në mjediset e Piramidës

-(Një bisedë me gruan kosovare me banim në Suedi, me emrin e bukur, Saranda)

– Kur e sheh sot Piramidën befasohesh. Një ndërtesë rrangallë në zemër të Tiranës. Sot ajo është kthyer pothuaj varrezë dhe  jo pak herë duke përplasur dy anët ekstreme të politikës. Brenda nuk gjen asnjë objekt, send, veshje apo pikturë të ish-udhëheqësit. Fati i tyre nuk dihet.  Rreth e rrotull shikon fëmijë që hipin dhe zbresin sikur të jetë fushë futbolli.  As e lyer, as e mirëmbajtur, as e riparuar, as e vlerësuar. Më shumë i ngjan nja hangari të madh ku mbahen tagjitë për bagëtitë. Dyer të shqyera, antena të ndryshkura, pllaka të hequra, shkarravina në çdo cep, mure të gërryera, xhama të thyer, lagështirë, mure të plasaritur, papastri në çdo cep.  Më tërhoq vëmendjen një grua rreth të 60-ve e cila i vinte rrotull, Piramidës për mëse 30 minuta dhe bënte foto nga kënde të ndryshme. Ulej disa çaste  bënte disa foto nga ai pozicion, pastaj ngrihej dhe shkonte në një këndvështrim tjetër. E shikonte me një kërshëri që ta habiste. Donte të shihte çdo gjë në atë objekt mistik. Kur i kishte ardhur disa herë rrotull, ulet vërdallë derës kryesore dhe nxjerr  një bllok dhe diçka shënonte. Herë pas here tundte kokën dhe nga sytë po i rridhnin disa pika loti. I afrohem ngadalë dhe e pyes nëse mund të bisedoj. Më pa me dyshim dhe nuk më tha as po as jo. E pyes?

– Nga jeni?…Ajo heshti disa minuta dhe pastaj më tha. Shqiptare jam, shqiptare Kosove, por emigruar në Suedi.

– Keni ndonjë kujtim në këtë vend që keni më se gjysmë ore që e shikoni me imtësi? Ajo më pa nga koka tek këmbët me kureshtje dhe duket se i bëri përshtypje këmbëngulja ime për të biseduar. Duke parë që ajo nuk më jepte arsye për bisedë këmbëngula në pyetjen e radhës…

-Të paktën më thoni emrin?

Më quajnë Saranda, Saranda e kupton? E kisha merak, e kisha si amanet të vija tek kjo ndërtesë. E kisha amanet nga babai. Ai u burgos 10 vjet nga UDB vetëm se i gjetën një vepër të Enverit. E kishte idhull Enverin, ashtu më ka ngelur dhe mua. E kisha parë në internet këtë muze dhe habitesha me madhështinë e saj. Por tani u zhgënjeva. U zhgënjeva. Ju se dini sa keni humbur me këtë që keni bërë. Nëse do ishte ai Muze  sot, Tirana do të mbahej vetëm nga lekët e vizitorëve të këtij Muzeu. E din se çfarë bëhet me Mazoleumin Lenin? Radhë pa fund. Historia mbetet histori. Dhe pa më thënë më asnjë fjalë u ngrit me vrull dhe iku në drejtim të qendrës. E ndoqa disa metra duke e pyetur: Të lutem mbiemrin dhe nga cili vend i Kosovës jeni?

 Ajo ktheu kokën më pa me inat dhe iku gati. Iku me një mllef në vetvete. Nuk e di se çfarë pati, se çfarë brenge ruante, por ajo që mora me vete ishte urrejtja që kishte për prishjen e Piramidës. Fjalët e saj ishin të plumbta por edhe mesazh.

E bukura duhet të ruhet, ajo nuk i përket individit por shoqërisë. I përket historisë.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …