Albert Z, Zholi: Shoqata “Shqipëria” nderon Margarita Xhepën, Vullnet Sinajn dhe Kujtim Gjonajn

Albert Z, Zholi: Shoqata “Shqipëria” nderon Margarita Xhepën, Vullnet Sinajn dhe Kujtim Gjonajn

Nderohen me titullin: “Personalitet i Shoqatës Shqipëria” Znj. Margarita Xhepa (Nderi i Kombit), z. Vullnet Sinaj, deputeti i Vlorës, Kujtim Gjonaj (regjisor) “Mjeshtër i Madh”.

Me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar ,GJERGJ KASTRIOT SKENDERBEU, 10-vjetorit te shoqatës Qendrore Shqipëria Athine,  dhe 1 vit nga themelimi i shoqatës Shqipëria Vlorë, kryesia e Shoqatës Shqipëria, dekoroi me titullin “Personalitet i Shoqatës Shqipëria” Znj. Margarita Xhepa (Nderi i Kombit), z. Vullnet Sinaj, deputeti i Vlorës, Kujtim Gjonaj (regjisor) “Mjeshtër i Madh”.

Aktiviteti u zhvillua nën moderimin e shkrimtarit  të talentuar z. Albert Zholi, në Qendrën Rinore Vlorë . Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Prefekti i Qarkut Vlorë z. Flamur Mamaj, Kryetari i Shoqatës “Shqiëpria”  Athinë z. Ilirjan Dhima, kryetari I Shoqatës Labëria dega Vlorë, z. Ahmet Demaj, kryetari i Klubit “Drita” z. Nase Jani, kryetari i Shoqatës “Petro Marko” Vlorë z. Myrteza Mara, poetë, shkrimtarë, aktorë, të qytetit të Vlorës, dashamirës të artit gazetarë lokal të qytetit të Vlorës, Drejtori i Institutit Politologjia, Dr. Sulejman Muça (që ndihmoi në realizimin e aktivitetit) dhe gjithë anëtarësia e Shoqatës “Shqipëria” dega Vlorë.

Takimin e hapi moderatori z. Albert Zholi i cili i përshëndeti të pranishmit duke bërë dhe një prezantim për të tre personalitetet që do dekoroheshin. Pastaj z. Zholi ja dha fjalën kryetarit të Shoqatës Qendrore “Shqipëria” z. Ilirjan Dhima. Në fjalën e tij z. Dhima theksoi se sot më tepër se kurrë shqiptarët kanë më tepër nevojë, për bashkim, vëllazërim dhe bashkëpunim  për të bërë bashkë vlerat e kombit në interes të shërbimit ndaj kombit. Më poshtë ai bëri një rezyme të punës së shoqatës në Athinë, ku vuri në dukje problemet e emigrantëve, punën  e tyre të madhe në ndihmën ekonomike ndaj vendit, në punën për ruajtjen e traditave, kulturës dhe kryesisht në ruajtjen dhe mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e emigrantëve. Ai solli përshëndetjet e shqiptarëve në Magra të cilët patën përmbytje nga shirat e shumta dhe falënderoi deputetin e Vlorës, z. Sinaj i cili u gjend pranë tyre duke i ndihmuar në vlera monetare.  Më pas e mori fjalën kryetarja e shoqatës Shqipëria Vlorë znj. Edlira Kapllanaj e cila përshëndeti të ftuarit dhe i ftoi të pranishmit të shikonin filmin dokumentar ku ishte treguar qartë veprimtaria e Shoqatës Shqipëria Vlorë që nga themelimi i saj. Ideatori dhe themeluesi është Kryetari i Shoqatës Qendrore Shqipëria Athinë Z. Ilirjan Dhima, theksoi ajo. Dr. Sulejman Muça në emër të Institutit të Politologjisë foli për domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes brezave që shoqata Shqipëria e ka moto të punës së saj. Më pas moderatori z. Albert Zholi ftoi Prefektin e Qarkut Vlorë z. Flamur Mamaj, për ti dorëzuar dekoratën “Personalitet i Shoqatës Shqipëria” deputetit të Vlorës z. Vullnet Sinaj. Ndërsa dekoratën regjisorit, “Mjeshtër i Madh”, Kujtim Gjonaj ja dorëzoi Kryetari Shoqatës z. Ilirjan Dhima. Ai vuri në pah tek të pranishmit punën e madhe regjisoriale të Kujtim Gjonajt, që ka dhënë mesazhe të fuqishme me zë dhe figurë duke lënë duke e lartësuar artin kinematografik të Shqipërisë.

Mrekullia e emocioneve ishte “Nderi i Kombit” shqiptar, Zonja Margarita Xhepa që i ka dhënë artit dhe kulturës shqiptare, pjesë nga shpirti i saj. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe këtu na drithëroi shpirtin me vargjet e të madhit Dritëro Agolli! Faleminderit Margaritë e Madhe për çdo emocion të dhuruar dhe për risjelljen e poetit të shquar, këtij Kolosi të Madh që në vitet në vijim do të na mungojë me risi të tjera, do na mungojë fizikisht, por jo shpirtërisht, vepra e të madhit Dritëro do të mbetet e patjetërsueshme në mendjet dhe zemrat e çdo shqiptari që e do kulturën, artin dhe letërsinë. Nuk munguan shembujt e tjerë model që vazhdojnë të japin një kontribut të madh me veprën e tyre. E madhja Xhepa falënderoi Shoqatën Shqipëria duke theksuar punën e madhe dhe rolin që kjo Shoqatë ka në emigracion për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe traditave të popullit tonë. Gjatë recitimeve të poezive të Agollit gjithë të pranishmit nga fuqia dhe bukuria e interpretimit lotuan. Dhe ajo lotoi nga vargjet e përcjella. Ishin momente magjike. Më pas moderatori  Zholi para të pranishmëve bëri një pasqyrë jo vetëm të Shoqatës Shqipëria por edhe të  jetës artistike të Margarita Xhepës, punës së regjisorit Kujtim Gjonaj si dhe lidhjen e përhershme të deputetit Sinaj me komunitetin ku është zgjedhur deputet.

Të tre të dekoruarit kanë vlera të veçanta në shoqërinë shqiptare pasi ata me punën dhe veprën e tyre kanë kthyer shpresën për shumë familje në nevojë. Sot më shumë se kurrë rritet përgjegjësia për të realizuar projekte më dinjitoze dhe për të përfaqësuar denjësisht me punë  çdo shqiptar dhe shqiptare në çdo cep të Kombit! Në fund aktiviteti u mbyll me një valle të Gupit të valleve Vlonjate, të interpretuar nga 10 vajza të reja që ishin të veshura me flamurin kombëtar. Ky moment bëri që salla të shpërthente në duartrokitje. Të gjithë u ngritën në këmbë dhe shoqëronin me duartrokitje grupin e bukur të valleve të vajzave të reja. Flamuri kuq e zi mbizotëronte në gjithë sallën. Një ambient tejet festiv dhe me mesazh të qartë patriotik: Ta duam atdheun! Ky aktivitet i zhvilluar në Vlorën heroike është një dëshirë e çdo aktivisti që të ofrojë të gjitha grupmoshat në aktivitete të tilla pasi nxjerrin në pah vlerat e këtij Kombi. Aktivitete të tilla tregojnë se të gjithë bashkë mund të realizojmë gjëra të mëdha, gjëra që mund të duken të vogla në dukje, por që janë shpresë dhe dritare për shumë të rinj! Ky aktivitet tregoi se bashkëpunimi i brezave, individ, komunitet pushtet lokal, njerëz të elitës dhe artit mund të sjellin risi, për të ndërtuar dhe projektuar të ardhmen  e fëmijëve tanë! Është detyrë t’i mësojmë brezave të rinj ta duan artin dhe kulturën shqiptare dhe të bëhen njerëz të denjë të kësaj shoqërie! Një ndihmë modeste në këtë festë dha dhe Qendrës Rinore Vlorë dhe drejtori  z. Ilir Nikaj një intelektual i përkushtuar dhe bashkëpunues. Kur aktiviteti po mbyllej të gjithë të pranishmit rrethuan artisten e madhe Margarita Xhepa dhe filluan të vallëzojnë valle tradicionale. Kënga, vallja, fotografitë vazhduan më shumë se një orë pas aktivitetit.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …