Ali Bajram Zogaj (27.6.1972-26.7.1998)

Aliu lindi më 27 qershor 1972 në fshatin Lladroc të komunës së Malishevës. Rrjedh prej një familje të varfër , por me tradita të lashta patriotike, e cila përjetoi shumë vuajtje nga pushtuesi serbosllav. Babai i Aliut, Bajrami, qysh në rininë e hershme kishte rënë në konflikt me regjimin e kraleviqve kur kishte vrarë katër serbë për shkak se në një moment  ia kishin fyer rëndë ndjenjat kombëtare. Për t’iu ikur përndjekjeve nga xhandarmëria serbe, Bajrami në vitin 1947 shkon në shërbimin ushtarak, kur u detyrua të ndërrojë mbiemrin në Bajram Musoviq, sepse nuk ka guxuar të paraqitej me emër të vërtetë para organeve të atëhershme serbosllave. Nja tre muaj para se të përfundonte shërbimin ushtarak zbulohet se ai është Bajram Zogaj, që kërkohej. Për ta bërë sa më spektakular arrestimin e tij, e lirojnë nga shërbimi ushtarak, por posa mbërrin në fshatin e tij, ia rrethojnë shtëpinë , e kapin Bajramin, e lidhin dhe ashtu të lidhur e dërgojnë në Rahovec ku e mbajnë një natë e pastaj e dërgojnë në Prishtinë. Në Prishtinë e dënojnë me pushkatim, por ndërkohë hiqet dënimi me vdekje dhe ai dënohet me 101 vjet burg, prej të cilave i mban 22 vjet në burgun e Nishit. Lirohet në vitin 1966 dhe kthehet në shtëpi , duke qëndruar ballëhapur e duke ndihmuar përherë çështjen kombëtare. Martohet me Sherifen me të cilën pati tre djem: Ramadanin, Ilirin dhe Aliun. Edhe vëllai i Aliut, Iliri (emrin ia ka vënë Adem Demaçi) ka qenë që prej fillimit ushtar i rregullt i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aliu shkollën fillore e kreu në vendlindje, në vitin 1986, ndërsa të mesmen në Malishevë- teknik bujqësie. Gjatë shkollimit ai brumoset me ide patriotike dhe urrejtja për armikun i shtohet edhe më shumë .  Kjo familje ishte e anatemuar gjatë regjimit titist-asnjë fëmijë i kësaj familjeje nuk mund të regjistrohej në ndonjë fakultet. Idealin e lirisë Aliu e kishte trashëguar nga familja, ngase tërë jetën babai i tij e kishte kaluar nëpër burgjet serbe (22 vjet). Edhe gjatë shkollimit të mesëm Aliu merrte pjesë aktivisht në protestat e demonstratat që zhvilloheshin atëbotë kundër ndryshimeve kushtetuese e padrejtësive të llojllojshme që i bëheshin popullit shqiptar.

Pas kryerjes së shkollës së mesme, duke mos pasur kushte për të vazhduar shkollimin e lartë, Aliu hyn në punë në organizatën bujqësore “Mirusha” në Banjë.

Daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Aliu e priti me një gëzim të madh dhe ishte i gatshëm të inkuadrohej në radhët  e saj. Kur po përgatitej të shkonte për armatim në Shqipëri, babai Bajrami e thirri dhe i tha: “Ja, merre këtë pushkë, që e kam pasë blerë kur kam pasë dalë nga burgu dhe kur jam betuar se i gjallë nuk bie kurrë më në dorë të kriminelëve”. Duke ia dorëzuar armën ia thotë këto fjalë: “E gëzofsh pushkën, por mos na korit, biro!” Kur ia thotë këto fjalë, i mbushen sytë me lot. Ishin këta lot gëzimi, se kishte ardhur koha që përmes tytës së pushkës  të shikohej armiku, por dhe i emocionuar  pak ngase mosha nuk e lejonte që edhe ai vetë të ishte në mesin e luftëtarëve të lirisë. Aliu e merr pushkën i gëzuar, e përqafon babë Bajramin duke u betuar se “do ta çojë amanetin deri në fund, se aty ku do të jem unë nuk do të lejojë të depërtojë këmbë armiku derisa të jem gjallë. Pra, sot, është dita më e lumtur në jetën time”.

Aliu   inkuadrohet për herë të parë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në maj të vitit 1998, në njësitin e fshatit, që ato ditë vepronte haptazi. Detyrat e luftëtarit i kryente me një përkushtim të madh, ishte i sjellshëm, i vendosur dhe shumë i dashur me shokë, ishte shtatlartë dhe kishte një forcë të hatashme fizike dhe mu për këtë shokët e idealit vendosen ta thërrisnin me pseudonimin Forca.

Ali Zogaj si ushtar i UÇK-së kishte komandant trimin nga Kumanova- Ismet Jasharin e më vonë Fatmir Limajn- Çelikun me të cilët luftoi krah për krah në shumë ofensiva. Pas rënies së Ismet Jasharit- Kumanovës, Aliu sistemohet në brigadën 121 “Ismet Jashari-Kumanova” në njësitin “Çeliku 3”, që vepronte në Grykën e Llapushnikut.

Prej 9 majit e deri më 26 korrik të vitit 1998, Ali Zogaj me shumë trima të tjerë ndërmori dhjetëra aksione të suksesshme kundër bandave serbe në Komoran, në Fushticë, në Carralevë dhe në shumë pika të tjera strategjike.

Kjo grykë për tre muaj rresht ishte bërë kala e pathyeshme për armikun. Në luftimet që zhvillohen në këtë grykë Aliu shquhet për trimëri dhe guxim të pashoq. Ka marrë pjesë në të gjitha ofensivat që janë zhvilluar në këtë grykë dhe në vendet e tjera përreth. Vlen për të përmendur sidomos heroizmin në betejën 16-orëshe të zhvilluar në Grykën e Llapushnikut prej 17- 19 maj 1998, në një ftohtë të madh e me shi, ku falë heroizmit të Aliut me shokë forcat serbe jo që nuk arritën të depërtonin as deri te Ura në Komoran, por, përkundrazi, pësuan humbje të mëdha. Këmbësoria armike disa herë tentoi të sulmonte istikamet e ushtrisë sonë, por ajo u zmbraps nga zjarri i çlirimtarëve tanë.

Në ofensivën e 24 korrikut të vitit 1998, që u zhvillua në Grykën e Llapushnikut e që zgjati tri ditë, kur armiku pati përdorur një arsenal të madh armësh të të gjitha llojeve, luftëtarët e lirisë: Çerçizi, Ymer Alushani-Vogëlushi, Afet Bilalli-Çopa, Agon Krasniqi-Prishtina, Shefqet Buqaj-Mësuesi, Kujtim Krasniqi (tani dëshmor), Bashkim Zogaj, Fetah Zogaj-Oso Kuka, Agim Bujupi etj.,  treguan një heroizëm të paparë, ndërsa pushka e Aliut ishte top për armikun. Duke kujtuar këtë heroizëm të këtyre trimave, Kudusi Lame, ish-komandant i Divizionit të Kukësit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, thotë: “Djem më të fortë kombi ynë nuk ka pasur e nuk ka për të pasur kurrë”.

Më 25 korrik 1998, në orën 3 të mëngjesit kishte filluar të granatohej Gryka e Llapushnikut nga të gjitha anët, ndërsa pozicionet e luftëtarëve tanë kishin filluar të qëlloheshin me raketa tokë-tokë. Re të dendura pluhuri kishin mbuluar Grykën. Toka përreth digjej. Drenicën e kishte mbuluar tymi e zjarri. Tetëmbëdhjetë orë luftime dhe kjo kështjellë e Drenicës po qëndronte e pamposhtur. Aliu së bashku me shokët ndodhej në pozicion, në një bunker. Granatohet edhe bunkeri dhe me atë rast luftëtarin Afet Bilalli-Çopën e mbulon të tërin dheu saqë për një moment shokët menduan se ai do të ketë rënë. Në këtë zjarr të luftës Forca  tregoi se ishte i fortë dhe i patrembur, duke luftuar si lua. Në këtë moment, në orën 14:30 të datës 25 korrik 1998, një plumb armiku e qëllon në ballë. Ashtu të plagosur, nën breshërinë e plumbave, Aliun e tërheqin bashkëluftëtarët e tij, Agon Krasniqi-Prishtina dhe Afet Bilalli- Çopa. Ka jetuar prej orës 14:30 të datës 25 deri në orën 03 të mëngjesit të datës 26. Bie heroikisht, ashtu siç dinë të bien vetëm trimat, bie në fushën e nderit, duke mos e koritur pushkën e babait dhe duke çuar në vend amanetin e tij. Ishte ky dëshmori i parë që ra duke mbrojtur Termopilet shqiptare- Grykën e Llapushnikut. Në këtë betejë të ashpër bie edhe trimi tjetër i Grykës së Llapushnikut, Imer Alushani-Vogëlushi, gulinovi i të cilit kishte bërë kërdi mbi forcat armike.

Trupi i Aliut është varrosur po atë natë në varrezat e fshatit nën breshërinë e plumbave, me nderime ushtarake, ndërsa është rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, më 2oo1, aty ku prehen eshtrat e dëshmorëve të brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”.

Në shenjë respekti për heroizmin dhe guximin e treguar në luftë, Kompania e fshatit të tij, Kompania III e Batalionit I mori emrin “Ali Zogaj-Forca” dhe me nder e barti deri në përfundim të luftës.

Me rastin e njëvjetorit të rënies, Qeveria e Përkohshme- Ministria e Mbrojtjes i ka dhënë gradën toger.

( Feniksët e lirisë-5)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …