Ali Meta ( 1925-2017) mësues dhe patriot i madh

Mësuesi dhe patrioti, Ali Meta i përket familjes së madhe fisnike shqiptare të Alimetëve të  Gjurgjevikut  në Kosovë e fisit Berisha, me tradita e kontribute të jashtëzakonshme për Çështjen e Madhe Kombëtare të cilët kanë marrë pjesë në të gjitha ngjarjet më madhore të historisë sonë kombëtare për liri dhe pavarësi të Shqipërisë dhe për Bashkim Kombëtar, ku po prej kësaj familje të Alimetëve lindi edhe tribuni i lirisë dhe pavarësisë, Sadik Rama i Gjurgjevikut, bashkëkluftëtar i patriotëve të tjerë të mëdhenj si Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri , Azem e Shote Galica etj .

Rrugën dhe veprën e madhe të Alimetëve ,të nisur nga Tahir e Bali Fazlia si përkrahësit dhe mbështetësit e Isa Boletinit dhe të Haxhi Zekës më herët, e vazhduan Sadik Rama me djemtë e tij Bajram, Zeqir,Ukë dhe Shaban Sadiku, nipat e tij, si dhe Met Ymeri , Nezir Balia , Ali Meta dhe kusherinjt e tjerë të Sadik Ramës, dhe për nder të prestigjit dhe të respektit që ai fitoi në popull si luftëtar, strateg  dhe vizionar për Çështjen Kombëtare, Alimetët e Gjurgjevikut filluan të quheshin Sadikramët e Gjurgjevikut.

E fillova me këtë hyrje shkrimin kushtuar patriotit dhe intelektualit, mësuesit dhe prindit të shquar Ali Meta pasi kontributi i guximshëm patriotiko-kombëtar dhe intelektual i Profesor Aliut nuk erdhi si rastësi por si një traditë vijimësie  e mirëfilltë trashëgimie e familjes së madhe patriotike e Alimetëve dhe Sadikramëve të Gjurgjevikut.

Ali Meta ka lindur në vitin 1925 në Krumë të Hasit, pasi prindërit e tij u detyruan ta lënë Kosovën kreshnike nga presioni  dhe përndjekja që regjimi serbo-sllav i cili u bënte familjeve patriotike shqiptare, sidomos të atyre të cilët e kishin kundërshtuar regjimin dhe kolonizatorin serb me çdo formë rezistence dhe sidomos me atë të armatosur siç ishin edhe Alimetët, Sadikramët (Berishët) e Gjurgjevikut që i përket edhe Ali Meta.

Në vitin 1935 familja e Aliut u vendos në fshatin Qerret të Durrësit, fshat i cili u krijua nga shqiptarë të ardhur nga Kosova të përndjekur dhe të dëbuar nga regjimi serb, vënd të  cilin kosovarët me punë e bënë të banueshëm pasi ishte një pyll me shkurre dhe kënetë e baltë. Pa këtu u vendos në viti 1935 Familja e Madhe e Sadik Ramës, të cilin regjimi i Zogut e çoi në këtë vënd shkurror dhe kënetor , ashtu sikurse edhe shumë e shumë familje të tjera kosovare të dëbuara nga regjimi serb të cilët Zogu i vendosi nëpër lugina moçalore. Ali Meta qëndroi në Qerret deri në vitin 1941, vit në të cilin ata u kthyen përsëri në Kosovë pas shkatërrimit të Jugosllavisë nga Gjermania, gjë të cilën shqiptarët e Kosovës e panë si shpresë lirie dhe çlirimi nga zgjedha barbare dhe genocidi serb.

Duke përfituar nga ky rast Profesor Ali Meta filloi studimet në shkollën e mesme dydegëshe normale dhe tregtare në Gjakovë në vitin 1941 dhe pastaj nga Gjakova shkoi në Prishtinë ku kreu Liceun “Sami Frashëri”.

Mirëpo “Çlirimi” i Kosovës nga partizanët komunistë në fakt ishte një riokupim sllavo-serb komunist akoma më i egër si pasojë e të cilit filloi ndjekja, vrasja, dëbimi dhe reprezaljet më kriminale dhe më barbare kundër shqiptarëve. Në këto kushte dhe rrethana  edhe Ali Meta u detyrua dhe u kthye në Shqipëri ,pikërisht në Fshatin Qerret të Durrësit.

Mirëpo edhe në Shqipëri kishin fituar komunistët të cilët me komunizmin jugosllav ishin lidhur si mishi me thoin, dhe prandaj për t’i shpëtuar rrezikut të kthimit dhe të dorëzimit të tij te jugosllavët nga autoritetet e shtetit shqiptar të asaj kohe, Profesor Aliu, u detyrua ashtu si dhe shumë të tjerë që të qëndronin ilegalisht edhe në shtetin amë sepse kishte një marrëveshje jugosllavo-shqiptare, që të gjithë kosovarët nacionalistë që kishin kundershtuar dhe luftuar kundër partizanëve në Kosovë të ktheheshin dhe të gjykoheshin nga gjyqet ushtarake në Jugosllavi. Dhe Shqipëria e zbatoi me zell të madh këtë marrëveshje antikosovare.

Si rezultat i këtij bashkëpunimi bëhet i mundur arrestimi i Ali Metës dhe dorëzimi i tij te OZN-a jugosllave në vitin 1946, pavarësisht se Ali Meta kishte edhe shtetësinë shqiptare.Pas hetimit disa mujor kthehet përsëri në Qerret të Durrësit dhe fillon punën e arsimtarit në shkollën e Katundit të Ri.

Profesor Aliu jo vetëm si arsimtar në shkollë por ai gjatë gjith kohës për të nuk kishte pushim pasi ka qenë shumë aktiv dhe i palodhur edhe në pergatitjen e kuadrove mësimdhënës, ka punuar me përkushtim dhe me shëmbull të pashoq për çrrënjosjen e analfabetizmit pasi 90% e popullsisë së asaj kohe ishin analfabetë.

Në vitin 1949   A. Meta dërgohet për nevoja kuadri nga Durrësi në Krujë ku shërbeu për 4 vite dhe më pastaj u kthye dhe vijoi profesionin fisnik të arsimtarit në Fshatin Qerret derisa edhe doli në pension në vitin 1986 në shkollën e Qerretit, prej të cilit nuk e ndanë as aferat shumë të mira për në qytet, por  ai preferonte më së shumti për t’u shërbyer si mësimdhënës farefisit të tij, bashkëpatriotëve të tij kosovarë si dhe bashkëfshatarëve të tjerë të tij, të cilët e donin dhe e respektonin shumë.

Profesori nuk shquhej vetëm për patriotizmin e tij, të cilin e konstatoje që në minutën e parë të fillimit të orës së mësimit. Ai nuk shquhej vetëm për dijen, erudicionin dhe urtësinë, por ai shquhej edhe për thjeshtësinë dhe modestinë e komunikimit me të gjitha moshat, me nxënësit,me prindërit e tyre, me kolegët  dhe me bashkëfshatarët  e tij. Sillej butë dhe kujdesej për nxënësit e tij edhe si një prind i vërtetë.

I palodhur dhe i gatshëm për të ndihmuar bashkëfshatarët e vet në gjithçka, edhe me atë që ishte më e nevojshme e që quhet puna e letrave, e ankesave dhe e kerkesave të ndryshme për të cilat kishin nevojë bashkëfshatarët e tij. Ai ka lënë pas një shëmbull të lartë i një mësuesi dhe edukatori model për të cilin janë mirënjohës qindra e qindra nxënës të cilët morën prej tij mësimet e para të diturisë, të gjuhës dhe të letërsisë, por edhe të historisë, të edukatës e të mirësjelljes morale e qytetare.

Nga bankat e shkollës 8 –vjeçare të Qerretit të Durrësit ku ka dhënë mësim prej rreth 40 vitesh mësuesi i shtrenjtë dhe i paharruar Ali Meta kanë dalë me dhjetra e dhjetra kuadro të lartë të cilët kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë karrierë të shkëlqyer në sfera e lëmenj të ndryshëm si agronomë, inxhinjerë, juristë, ushtarakë të lartë karriere,mjekë, ekonomistë, mësues dhe drejtorë shkollash të arsimit të sotëm 9- vjeçar e të mesëm, drejtorë gjimnazi dhe shkollash profesionale, kryetar bashkie e komunash si dhe pedagogë universiteti, politikanë e deputetë.

Edhe në rang Republike nuk besoj se krahasohet ndonjë shkollë 8-vjeçare e zonave rurale por dhe më gjërë me Shkollën e Qerretit  për numrin e të diplomuarve dhe të kuadrove të lartë të cilët mësimet fillore i morën nga kjo shkollë 8- vjeçare.Për këtë pa dyshim ka rolin e vet të madh dhe kontributin e pazëvëndësueshëm mësuesi, publicisti dhe patrioti Ali Meta, të cilit i janë mirënjohës brezat e ishnxënësve të cilë moren dijet e para dhe u arsimuan  nga  ai.

Nëse meriton ndokush që të dekorohet për kontribut të lartë në luftën kundër analfabetizmit, të edukimit patriotik dhe të arsimimit është vështirë të gjendet një rast meritokracie siç do ta meritonte mësuesi i popullit, mësuesi i merituar dhe patrioti Ali Meta.  ( Skënder Kapiti)

Kontrolloni gjithashtu

Ibrahim Temo (1865- 1939) atdhetar, politikan dhe veprimtar i dalluar i kombit

Ibrahim Temo (1865- 1939) atdhetar, politikan dhe veprimtar i dalluar i kombit

Ibrahim Temo ka lindur në vitin 1865 në Strugë të Maqedonisë së sotme dhe ka …