Analiza letrare-Gogoli dhe Taras Bulba

Pa dyshim se krijimtaria letrare e N. Vasileviq Gogolit është ndër më të arrirat në letërsinë botërore, e veçmas në letërsinë ruse të shekullit XIX.
Krahas Tolstoit, Dostojevskit, Shçedrinit, Lermantovit, Turgenievit, Pushkinit, Çehovit dhe tërë një plejade kolosësh të letërsisë së asaj kohe, Gogoli megjithatë shquhet për një krijimtari të veçantë, shquhet jo vetëm për satirën e pamëshirshme, jo vetëm për paraqitjen lakuriq të një realiteti me kontradikta të thella shoqërore, filozofike e morale, por sipas mendimit tim shquhet për një pasqyrim fenomenal të disa fenomeneve shoqërore dhe individualiste të Rusisë së gjysmës së parë të shekullit XIX. 
Duke qenë njohës fenomenal i realitetit të kohës, gjeni krijues në kuptimin më të plotë të fjalës, Gogoli arriti të përshkruajë jetën ruse me tërë lakuriqësinë dhe ndragësinë e saj, me të gjitha të metat dhe ato pak virtyte, me të gjitha të ligat që e kishin pllakosur dhe me pak dritë mirësie që ndriçonte kohë pas kohe. Gogoli në rrëfimet, novelat, dramat dhe romanet e tij ka futur elemente të tablove të gjalla jetësore, njerëz nga të gjitha shtresat shoqërore, individualitete, personalitete ndër më të ndryshmit, prej muzhikut të handakosur e deri te aristokrati i krekosur, që emeton aristokracinë evropiane, prej njeriut të thjeshtë rus e deri të kozaku i çmendur për lavd e trimëri. Gogolit i ka shkuar përdore të diagnostifikojë të gjitha sëmundjet e shoqërisë ruse të kohës, i ka shkuar për dore të depërtojë në thellësitë e shpirtit të njeriut, duke e zhveshur atë dhe duke e paraqitur realisht dhe besnikërisht me të metat e dobësitë, me nopranitë e prapësitë, por edhe në raport me ato pak vlera morale, që mbizotëronin në atë kohë. Njeriu i Gogolit është njeriu tipik i kohës, disi i sapoçliruar nga një pjesë e barbarisë, i zënë në kurth me vetveten dhe me normat e reja qytetëruese. Është njeriu që lind në kurthin e ngritur prej kohësh dhe si i tillë mbetet peng i një jete gjysmë barbare e gjysmë të qytetëruar. Ai ka vetëm një mision në jetë, të jetojë brenda dofarë kornizash të një jete improvizuese, e cila ka ngelur trashëgim prej shekujsh, një jetë ku mbisundon ligji i të fortit, një jetë ku gara për të jetuar fillon që në fëmijëri dhe nuk pushon gjatë tërë jetës së shkurtër. Dhe, për të mbijetuar në një rreth të tillë, duhet të vrasësh që mos të vrasin, duhet të rrahësh që mos të rrahin, duhet të grabitësh që mos të grabitin. Në një luftë të tillë të të gjithëve kundër të gjithëve nuk fiton askush, por secili është humbës në mënyrën e vet dhe secili sikur ngel peng i një kohe të humbur, të pakuptueshme në esencë. 
Gogoli më mirë se të gjithë bashkëkohësit e kishte kuptuar vrazhdësinë, por edhe kotësinë e një jete të tillë, të cilën ndonjëherë edhe e kishte idealizuar pa pasur asnjë mundësi që ta ndërrojë. E kishte përqeshur Rusinë e asaj kohe derisa kishte nxjerrë lot hidhërimi e dhembjeje, e kishte kritikuar dhe e kishte kamxhikosur si karrocieri kalin e dobët, që nuk bën dot tutje. Duke jetuar në një realitet të tillë, gjeniu Gogol, edhe pse e dinte se jo çdo kund në botë jetohej ashtu, nuk kishte bërë as përpjekjen më të vogël për ta ndrequr atë jetë, sepse me kohë e kishte kuptuar pamundësinë e ndreqjes. Duke mos pasur forcë për ta ndihmuar, për ta emancipuar, duke mos iu besuar institucioneve të kohës, madje as kishës, as moralit, i cili në esencë ishte hipokrit, Gogoli vendos të bëjë atë që mund të bënte, ta përshkruante diagnozën e sëmundjes së përbotshme, diagnozën e Rusisë së asaj kohe, dhe në këtë drejtim kishte arritur më shumë se bashkëkohësit. 

“Taras Bulba” dhe kurthi njerëzor

Në veprën e tij monumentale, “Taras Bulba”, Gogoli ka derdhur tërë fuqinë e intelektit, me qëllim për të depërtuar në jetën dhe shpirtin e Kozakut të Dnjeprit. Dhe pikërisht në këtë kryevepër, ai arriti të ndërtojë një monument jo vetëm letrar, por edhe historik, të cilin nuk e shpërbën dot asnjë kohë, një monument të kalitur me aq mjeshtëri dhe spiritualitet që i përballon çdo epoke, një vepër ndër më monumentalet të letërsisë ruse dhe botërore përgjithësisht. 
Jeta e kozakut, sipas Gogolit, del se ishte jeta e njeriut ende të paçliruar nga një pjesë e barbarisë njerëzore. Është kjo jeta e njerëzve luftëtarë, grabitqarë, është jeta e tyre, që sfidon rrezikun dhe vdekjen në çdo moment, në çdo rrethanë. Është një jetë ataviste e mbijetuar nëpër shkuj, ndoshta qysh nga periudha e egër e barbarisë, me të gjitha recidivet, një jetë që nuk iu nënshtrohet ligjeve morale të qytetërimit, por që ruan në vetvete një bazament autentik moral të kohëve të lashta, një hierarki patriarkale, një hierarki ushtarake popullore, një jetë e thjeshtë në dukje, por e cila provokon gjakderdhje të përmasave fatale për vetë kozakët dhe për fqinjët e tyre. 
Të tillë e kishin trashëguar jetën kozakët e Gogolit dhe të tillë e shpalos ai para lexuesve. Si kastë e luftëtarëve grabitqarë ata nuk i bën zap cari rus, por asnjë sundimtar tjetër. Mënyra e jetës dhe e luftës së tyre është autentike . Kozakët në veprën e Gogolit janë horda të fuqishme luftëtarësh popullorë, të cilët në dukje sikur luftojnë për krishterimin e vërtetë burimor, por në esencë janë shpirtpaganë dhe nuk kanë të bëjnë me asnjë dispozitë fetare të krishterë. Si njerëz të paarsimuar, apo krejt pak të arsimuar, ata i shohim në hipodromin e ndeshjeve të përgjakshme njerëzore, prore në këmbë, prore duke luftuar kundërshtarin nga çdo anë, madje duke luftuar edhe kundër njëri tjetrit. 
Kozakët në veprën e Gogolit janë përshkruar si njerëz me vullnet të fortë për jetë, njerëz ujq, të gatshëm për të sfiduar, por edhe më të gatshëm për t’u ballafaquar me të gjitha vështirësitë jetësore. Ata, janë përshkruar si spartanët e kohës, si një racë e njerëzve të veçantë në të gjitha aspektet. Brendia e shpirtit të tyre është kurdoherë agresive, arrogante, imponuese, por tejet e ndjeshme ndaj çdo padrejtësie dhe prore e gatshme për të shpërthyer, qoftë edhe gjatë gëzimit e ahengut. Kozaku i Gogolit jeton në shpërpjesëtim me epokën dhe kohën historike. Ai ka trashëguar në gjene atavizmin shekullor të barbarisë dhe nuk bëhet dot zap, nuk përmirësohet dot, sepse jeton me shpirt në dorë, i gatshëm për të vdekur, i gatshëm për të luftuar, i gatshëm për t’ u tërhequr dhe për të bërë dredhi, por mbi të gjitha i gatshëm për të kryer mizori e barbari ndër më të çmeriturat. Vetëm dashuri nuk ndien kozaku, ose e ndien në mënyrën e vet. Edhe nëse e ndien si të tillë, ai e përbuz atë dhe nuk e përfillë, duke e cilësuar si fenomen dobësie njerëzore… 
Figura më e përmbaruar e kozakut të Gogolit është plaku Taras Bulba. Në personazhin e tij autori ka skalitur me mjeshtëri të gjitha tiparet e kozakut të kohës, prej tipareve fizike duke e pasqyruar edhe me të gjitha veset e prapësitë, deri te ndonjë vlerë morale patriarkale. Ai, duke qenë luftëtar i lindur dhe i rritur ndër beteja, kishte bërë emër te kozakët dhe nderohej për shkak të famës që kishte arritur ndër luftëra e beteja. I lindur dhe i rritur në mesin e njerëzve të tij, në mesin e kozakëve që nuk e bëjnë dot zap vetveten, Taras Bulba as din as dëshiron të jetojë ndryshe përveç se si luftëtar i përjetshëm, me qëllim për të fituar nam, lavdi dhe për të shkatërruar armiqtë qofshin ata turq e tartarë apo katolikë e polakë. Të tillë ishin të gjithë atamanët, prijësit e kozakëve. 
Në kohën kur dy bijtë e vetëm: Ostapi dhe Andrea kthehen nga Seminari, në vend se si prind të iu siguronte ndonjë punë në administratë, ai që ditën e arritjes i fton të bëhen luftëtarë, ta trashëgojnë babanë. Qan zemra e nënës së mjerë për bijtë, që ende pa bërë as edhe një pushim dhe pa u shmallur fare me të, ata iu hipin kuajve dhe së bashku me babanë e pamëshirshëm nisen në aventura fatale dhe të kobshme. Nuk pyet kozaku për lotin e mamasë, madje në vend të shprehjes së një dhembje sa do të pakët, ata nuk duan t i dinë lotëve të saj. Të rrëmbyer, të edukuar për të qenë gjithnjë në garë, gjithnjë në vijën e parë të luftës apo të plaçkës, Tarasi, me të bijtë Ostapin dhe Andrenë pas një kohë të rrugëtimit së bashku me kozakët e tjerë arrijnë në Seçë në vendin e tyre “të shenjtë”, në vendin ku sundonte ligji i pashkruar i kozakut, i cili nuk përfillte urdhrat e Carit, as të kishës. 
Seça ishte synimi i çdo kozaku trim, ishte vendi i famës dhe i varrit, vendi më i dashur për kozakun e papërmbajtur. Nga aty fillonte jeta ndryshe, jeta pa rregull dhe disiplinë, jeta nën kanunin e pashkruar të kozakut, të cilit i lejohet gjithçka, dyluftimi, vrasja, plaçka, rakia, dhuna, mizoria, vrasja e çifutëve, linçimi i tregtarëve. Të gjitha në njëfarë mënyre lejoheshin, por edhe ndëshkoheshin sipas ligjit të forcës. 
Seça nuk i mban për shumë kohë kozakët. Ata në kohë paqeje qartën, si bishat, që mbahen lidhur në zingjirë, andaj nuk lënë gur pa rrokullisur, nuk lënë prapësi pa kurdisur, në mënyrë që ta përdorin si pretekst për të sulmuar tartarët e turqit, apo katolikët, në Evropë, të cilët sipas tyre kishin përdhosur fenë e vërtetë të Krishtit, “duke e përdhosur aq keq, sa rrobat e priftërinjve i paskëshin bërë fustane për gratë”. E vetmja gjë e padurueshme për ta ishte paqja, e cila kthehej në monotoni dhe në zënka të përditshme kundër njëri tjetrit. 
I etur për famë e lavd, për plaçkë e dhunë, pse jo edhe i etur për të vrarë armiq e kundërshtarë, Taras Bulba, arrin ta bind atamanin plak të Seçës, që të shantazhohej tinëzisht paqja e Carit me Turqinë. Duke parë se atamani rezervohej nga një akt i tillë, kozakët e ndërrojnë atë dhe votojnë për atamanin, që do t’ i lejonte të bëjnë paudhësi. Kështu e përshkruan Gogoli jetën e kozakut në Seçë, ne vendin atavist, ku nis lavdi, që në të gjitha rrugët mbaron me vdekje. E tillë realisht ishte jeta e kozakut ende të pa emancipuar, që nuk bëhej dot zap, një jetë e hordhive në dukje të egra, por ja që shtresa të tilla luftëtarësh, plaçkitësish, vrastarësh, kanë mbijetuar deri në ditët tona, kudo nëpër botë, dhe jo vetëm te kozakët. 
Gogoli me gjenialitetin e tij krijues kishte depërtuar thellë në shpirtin e kozakut, në shpirtin e njeriut, i cili qysh kur lind bie në kurth, në kurthin e jetës njerëzore, në këtë rast në kurthin e jetës pa kthim prapa të kozakut. Ishin ata njerëz të cilëve vdekja iu vulosej në ballë, dhe krejt të rrallë ishin kozakët që vdisnin në shtrat, edhe kur vdisnin në gjendje të tillë, ata vdisnin nga plagët që kishin marrë në luftëra. Por as edhe përpjekjen më të vogël për ta ndërruar jetën, për ta ndërruar kahen e jetës nuk e kishin bërë. Përkundrazi ata pak kozakë që nuk e duronin një jetë të tillë binin viktimë e forcës së shumicës kozake. Andaj jeta e tillë ishte kurthi nga ku nuk shpëtonte askush. Gogoli, duke qëndruar anash, duke soditur nga jashtë jetën e kozakëve, me kohë e kishte kuptuar këtë kurth, të cilin e kishte përshkruar me realizëm të thellë, duke e stisur nga të gjitha anët, duke e bërë atë realitet tejet të besueshëm. 
Taras Bulba, heroi më autentik i rrëfimeve të Gogolit, është kozaku jetik i traditës. Ai vret birin, Andrenë, sepse kishte tradhtuar dhe kishte kaluar në anën e polakëve. E vret atë si qenin, pa ndier asnjë dhembje. Ndërsa tërë dhembjen e ndien për Ostapin, të cilin polakët e kishin kapur të plagosur rëndë gjatë betejës. Ai madje në pleqërinë e tij të thellë bën përpjekje për ta çliruar nga burgu. Me sytë e tij e sheh duke ia masakruar Ostapin dhe tremijë kozakët e zënë rob nga polakët, por nuk jepet, nuk dorëzohet. Edhe pse plak i dërmuar, me sa e sa plagë në shtat, ëndërron për ndeshje të reja me armikun, deri në fitore. 
I tillë ishte plaku Taras Bulba, mishërimi më autentik i njeriut të mbetur në verigat e ligjit të moçëm, për të mos thënë të ligjit të barbarisë, nëse fjala ligj i përshtatet fenomenit. Bulba ka një ideal të mjegullt. Ai mendon se po lufton për krishterimin e vërtetë ndërsa vret mijëra të krishterë. Ai mendon se paguhet theroria familjare për të jetuar si kozak, si burrë trim që lufton armikun, sepse ashtu e kanë mësuar, sepse i tillë ishte zakoni i kozakut dhe sepse nga jeta as mund të kërkohej tjetër fat, për veç fatit për të qenë kozak dhe për të ngelur në kurthin e jetës, gjithnjë kozak, duke humbur bijtë, e më në fund edhe vetveten. 
Taras Bulba i Gogolit është mishërim i një fenomeni të veçantë njerëzor, i një race të veçantë njerëzore, mishërim i kozakut të dikushëm. Si e tillë, e modifikuar paksa në kushte dhe rrethana të tjera historike e shoqërore, shtresa e tillë e luftëtarëve ka qenë e pranishme edhe te popujt e tjerë. Të tillë ishin jeniçerët në kohën e Perandorisë Osmane, edhe pse ata ishin një formacion ushtarësh të “klonuar” në rrethana të caktuara historike. Të tillë ishin edhe samurajët japonezë, të tillë sot janë talebanët në Afganistan, etj. Ky fenomen i njerëzve që nuk bëhen dot zap, ka mbijetuar deri në ditë tona, në mesin e shumë popujve, ndërsa Gogoli me gjenialitetin e tij krijues e ka përshkruar si fenomen “sui generis”, duke i dhënë edhe dimensionin realist historik, në një periudhë kohore ku ndeshej ashpër barbaria e qytetërimi, ashtu sikurse ndeshen barbaria dhe qytetërimi edhe aktualisht në botën tonë, në kushte dhe rrethana të tjera historike. Realitetit të sotëm nuk i mungojnë shkrimtarët e mëdhenj, por është vështirë të besohet se ka sot në botë shkrimtar të tillë si Gogoli, që angazhohen, apo që ia arrijnë për të bërë të pavdekshme epokën në të cilën po jetojmë, ashtu sikurse këtë e bëri Gogoli dhe disa shkrimtarë të tjerë botërorë si: Dostojevski, Tolstoi, Çehovi, Shollohovi, Balzaku, Shekspiri, Drajzeri, Servantesi, Zillahi, Herman Hese. Gogoli mbetet ndër shkrimtarët e rrallë botërorë, nga i cili ende mund të mësohet shumëçka. Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …