RKL: Flaumur, na thoni fillimisht kush ju ka pagëzuar me këtë emër kaq domethënës? Flamur Imer Alushani:  Me këtë emër domethënës

Arbanë Q. Gashi: Intervistë me Flamur Alushanin, djali i dëshmorit, Imer Alushani

RKL: Flaumur, na thoni fillimisht kush ju ka pagëzuar me këtë emër kaq domethënës?

Flamur Imer Alushani:  Me këtë emër domethënës më pagëzoi babai. Kishte shumë domethënie për familjen tonë brez pas brezi sepse të gjithë kontribuuan për Kosovën dhe këtë flamur. Për flamur gjithë familja hoqi tortura e përndjekje, burgim e maltretim vetëm e vetëm që e ruajtën me krenari këtë simbol të popullit shqiptar. Prandaj, nga respekti, dashuria dhe domethënia me shumë vlera mua me pagëzuan me emrin Flamur.

  RKL: “Derisa të jem gjallë, këmba e shkaut nuk do të shkelë në Gryken e Llapushnikut” kishte thënë babai Juaj dhe e kishte mbajtur premtimin. Si ju kujtohet babai, si e përfytyronin atë?

Flamur Imer Alushani:  Po kjo është fjalia e thënë nga Ai, njëkohësisht ky ishte edhe betimi i tij kur u ndez lufta çlirimtare. Për tiparet e tij flisnin dhe akoma flasin të gjithë. Ishte burrë shtatlarte, me një fizik të rrallë dhe të veçantë. Ishte zemërluani dhe ishte sypatrembur. Po ta shikoje në shikim të parë dukej shumë i vështirë dhe serioz, ashtu siç ishte me raste kur ishte nevoja. Por brenda kishte një zemër të gjerë dhe shumë të dashur për të gjithë. Për ta përshkruar në detaje figurës së tij me shumë siguri mund të them se asnjëherë nuk lindi dhe nuk do te lind Kosova burrë si ai. Por fizikun e tij te pazëvendësueshëm e kompleton dhe përsos edhe me tepër karakteri i tij i fortë, besnikëria dhe dashuria për Kosovën, puna e pareshtur qoftë në demonstrata me shokë, në organizime për armatim pastaj e fundit që ia dha vlerën sublime ishte kur doli ballë për ballë me armikun për ta mbrojtur vendin. Kur babi ra dëshmor nuk isha edhe shume i madh por as i vogël, isha 12 vjeç, mjaftueshëm për të mbajtur mend vuajtjet dhe sakrificat e familjes nga përndjekjet e serbeve dhe se fundmi luftën në Kosovë. Për babin flasin veprat e tij qe i la pas të cilat e lartësuan figurën e tij të ndritshme. Thuhej për BABIN se ishte sy shqiponje, e vërtetë sepse e mbajti betimin që derisa ishte i gjalle të mos e linte këmbën e shkaut të shkelte në Gryken e Llapushnikut.

RKL: Flamur, rënia dëshmor e Imerit ishte humbje e madhe për UÇK-në, të thuash deri diku e pazëvendësueshme kur kihet parasysh se Ai në front luftonte me dy a tri armë të llojeve të ndryshme. Çka dini Ju apo çka keni dëgjuar për këtë?

Flamur Imer Alushani:  Ishte humbje e pazëvendësueshme sepse me formimin e UÇK-së, babi ishte kudo në çdo moment e kohë. Jo vetëm në Llapushnik por edhe në vende tjera si Carralevë, Duhël e Jezerc ishte konsultuar me shumë trima për ndihmën e dhënë në shumë vende për çlirim të vendit. Vlerë të veçantë zë marrja nën kontroll e drejtimit që lidh aksin rrugor Prishtinë-Pejë ku bllokoi rrugëkalimin me strategjik të forcave serbe, pikërisht në Gryken e Llapushnikut. Ishte i lumtur dhe krenar dhe ishte shprehur që ia dolëm i gëzuar. Shokët u gëzuan gjithashtu por hezitonin disi dhe i thanë që kemi pak armë. Ndërsa babai i kishte thënë që nëse na duhet shkojmë i marrim të gjitha në Shqipëri dhe shkaun nuk do ta lëshojmë më kurrë këndej pari. Po ashtu vlen të theksohet dhe beteja në Grykë të Carralevës ku babai u shkoi në ndihmë shokëve dhe bashkëluftëtareve. Luftoi sypatrembur deri në ditën e fundit. Ne atë ditë kur u godit nga gjyle topi siç i thoshin Mic Sokoli i epokës së UÇK-së. U përjetësua në altarin e lirisë. Ra dëshmor për të mos vdekur kurrë. Ai e kishte mbajtur premtimin që nuk do ti linte serbet të shkelnin në Gryken e Llapushnikut derisa të ishte gjallë. Edhe sot si gjithmonë babin e kujtoj me vlera e tipare të pazëvendësueshme. Jo pse ai është babai im por sepse me të vërtetë një njeri i tillë nuk lind më kurrë.

RKL: Cilët janë bashkëluftëtaret e babait tuaj dhe a ju vizitojnë, a mbani kontakte me ta?

Flamur Imer Alushani:  Bashkëluftëtaret e babait tim janë të shumtë të cilët nuk dua ti veçoj me emra. Por me ta mbajmë kontakte në ditë të veçanta, takohemi nëpër përvjetorë por edhe në ndonjë ditë të zakonshme kontaktojmë me ta.

RKL: A mendoni se shoqëria dhe institucionet kanë bërë mjaft për familjet e dëshmorëve në rastin konkret për ju dhe familjen tuaj?

Flamur Imer Alushani:  Babai im luftoi me tërë qenien e tij dhe shumë i përkushtuar deri në ditën e fundit që Kosova të jetë e lirë dhe që shkaun ta dëbojmë njëherë e përgjithmonë nga viset tona. Ai derdhi gjak për këtë vend që çdo fëmijë dhe i rritur të jetojë i lirë të gëzojë Kosovën pa okupator mbi krye. Mirëpo institucionet tona pak e hiq bënë për familjet e dëshmorëve. Dëshmori që dha jetën e la amanet familjen. Mirëpo shteti nuk është që u interesua shumë. Ta shikosh nga aspekti i humanixmit shumë njerëz harruan dhe lanë premtimet që dikur gjoja i kishin dhënë që të kujdesen për ata që mbesin gjallë. Jam i sigurt që babai im do të bënte shumë me shumë e edhe veten do ta linte keq që ti ndihmojë ndonjë familje të dëshmorit. Mirëpo siç thuhet Zoti jetimin e ndihmon edhe për familjet e dëshmorëve e në rastin konkret për familjen time hapen dyert e zgjidhjes dhe mbijetesës në cilën do formë.

RKL: Si ndiheni për përvjetorët e kujtimeve për babanë?

Flamur Imer Alushani:  Përvjetorët janë mall, nostalgji, lot por njëkohësisht krenari shumë e madhe. Në njërën anë ndjen mungesën e personit të dashur në këtë rast babait, sepse përvjetorët sikur t’i ringjallin kujtimet më shumë se çdo ditë tjetër, sikur t’i trazojnë plagët. Por në tjetrën anë kur mendohet rrallë kush mund ta ketë fatin e babait tim të jetë dëshmor i rënë për atdheun e tij dhe duke luftuar në mënyrë të dinjitetshme deri në frymën e fundit. Përvjetorët janë dita e shënuar e tyre, ata ranë për këtë liri për të mos vdekur kurrë. Vlera e tyre në këtë rast e babait tim është e madhe dhe nuk mjafton vetëm përvjetori për ta përmendur e kujtuar veprën e tij. Jeton gjithmonë në mendje e zemër në çdo kohë. Por në anën tjetër edhe përvjetorët e tij kanë vlerë të veçantë sidomos kur mbahen me manifestime sepse aty përmendët vepra, kontributi dhe të gjitha nga një masë e gjerë dhe çdoherë e më shumë të bëjnë të ndihesh krenarë.

RKL: A ruani diçka të veçantë nga babai ndonjë relikt, letër apo shkrim te tij?

Flamur Imer Alushani:  Nga babai im kam shumë gjera që i ruaj si kujtim fotografi, rroba e disa shkrime të tij. Pas vdekjes se tij armët e tij asnjëra nuk i është kthyer familjes së tij përveç unazës dhe orës që ai i kishte në dorë. Por mbi të gjitha për të ruajmë kujtimin i cili jeton në zemrat tona përgjithmonë dhe na bënë të ndihemi krenar që jemi djemtë e tij. Fjalët e tij qe çdoherë i kujtojmë na bëjnë të ecim përpara me ndershmëri, punë e sakrificë për njeri-tjetrin dhe na japin motiv për të jetuar. Gjithmonë jemi krenarë që e kemi baba dhe kujtimi për të do të përmendët jo vetëm nga familja por edhe nga populli brez pas brezi sepse vepra dhe jeta e tij lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

Flamur, të falënderojmë se u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lire. Suksese dhe shëndet!

Flamur Imer Alushani:   Ju faleminderit juve për intervistën. Gjitha të mirat dhe punë të mbarë.

Kontrolloni gjithashtu

James O’Brien: Plani i Zgjerimit i Bashkimit Evropian është një plan që nuk është parë më herët

Intervista e Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, për “Zërin e Amerikës”, në gjuhën shqipe

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të …