Shqipe Adem Jashari

Arbanë Qeriqi: Intervistë me Shqipe Adem Jasharin

Dëgjues të nderuar! Sot, në valët e Radios-Kosova e Lirë kemi një të ftuar të veçantë, një nënë të tre fëmijve. Kjo  është, Shqipja,  bija e legjendarit Adem Jashari.  Ajo  ka lindur ne Prekazin heroik, që ndër shekuj nga gjiri i vet nxori trima  e trimëresha, si rrallë kund në ndonjë vend të botës.  Në bisedën e zhvilluar me bijën e Komandantit legjendar, vërehet qëndrimi i saj shumë modest, por edhe shumë kuptimplotë,  ashtu siç ishte dhe po mbetet  edhe jeta dhe vepra heroike e Jasharajve. Shqipja  rrëfen  sesi rënia e  babait e nënës dhe e të gjithë familjarëve të tyre nuk ishte e rastësishme. Ata, nga brezi në brez ishin rritur dhe edukuar me moton:  Nëse duhet vdekur dikush, më mirë të biem ne, sesa atdheu.Në të vërtetë ata u rilindën. Jasharët do të jetojnë në shekuj. Shembulli i tyre do të kujtohet nga brezi në brez, jo vetëm ndër shqiptarë, por kudo ku bota ka liridashës, ku ka frymëzim dhe ideal  për t’u martirizuar dhe për të rënë për të mirën e përgjithshme, për njerëzinë, të drejtën, të vërtetën, për lirinë…

Për 18 vite pas luftës  më shumë se 10 milionë njerëz nga trojet shqiptare, por edhe nga shumë vende të botës kanë vizituar familjen dhe Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Shqipe  Adem Jashari është Juriste, bashkëshorte e Xhevdet Krasniqit, avokat. Ajo është nënë e dashur e tre fëmijëve, Aureolës 6 vjeçe, e cila me krenari reciton vargje për gjyshin Adem, dhe dy binjakëve: djali, Vlerori dhe vajza, Epopeja, të dy  nga tre vjet. Fotoja  e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, që tanimë është  e pranishme në qindra e mijëra shtëpi të  familjeve liridashëse shqiptare, duket se më së miri zë  vendin në ballë të oxhakut të shtëpisë së Shqipe Jasharit. Fotografia e legjendarit qëndronte përballë edhe në zyrën ku punonte Shqipja.

Zonja Shqipe, mirë se erdhët në Radion-Kosova e Lirë!

Pas mbarimit të luftës, me rastin e përgatitjeve për fillimin e transmetimit të Radio-Drenicës, ju kemi ftuar për ta incizuar singlën e Radios, të cilën edhe e keni shqiptuar me përkushtim. Ishte dëshira e bashkëluftëtarëve të babait Tuaj që Radio-Drenica, të fillonte programin me zërin e Shqipe Jasharit. Çka ju kujtohet nga ajo kohë, meqë keni qenë e re dhe për moshën Tuaj keni përjetuar aq shumë dhembje e pikëllim sa nuk përshkruhen dot.

Shqipe Adem Jashari: Po, së pari i falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë idenë, që unë të jem zëri i parë i Radio Drenicës. Edhe pse e re në moshë, ishte kënaqësi e veçantë që hapja e Radio Drenicës të fillonte  me zërin tim. Ishte po ashtu kënaqësi  edhe për mua që të filloja kontaktin me njerëzit përmes zërit tim në Radio Drenicë.

Jasharët mbijetuan, falë përkushtimit dhe sakrificës për liri e pavarësi, falë besimit në fitore. Si ndiheni si bijë e Komandantit Legjendar përveç dhembjes së ligjshme dhe krenarisë së natyrshme?

Shqipe Jashari: Kjo është ë vërtetë. Epopeja e familjes sonë nuk ndodhi rastësisht. Për këtë epope, Familja jonë e madhe  kishte vite që ishte përgatitur. Fillimisht ndodhën tri rrethime të familjes: Rrethimi i Parë,  më 30 dhjetor, Rrethimi i Dytë, më 22 janar të vitit 1998  dhe Rrethimi i Tretë me 5 ,6 dhe 7 mars të po atij viti. Kjo qëndresë me  të drejtë u shndërrua në Epopenë më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  dhe vlerësohet edhe si shembull unikat në historinë e njerëzimit, në luftë  për liri të një populli. Prandaj kjo  ngjarje e lavdishme, kjo epope,  jo vetëm mua si bijë e Komandantit Legjendar më bën të ndjehem mirë dhe krenare, por besoj fuqishëm që këtë ndjenjë të krenarisë dhe përkushtimit të  luftës për liri e kanë të gjithë shqiptarët.

Tani jemi në vigjilje të Betejës së Jasharëve në Prekaz kundër regjimit okupator serb. Përvjetorët shkojnë e vinë. Kujtimi për më të dashurit rikthen momente të rënda e të lavdishme të asaj kohe. Si ndiheni ju dhe Jasharët përgjithësisht në manifestimin e përvjetorëve?

Shqipe Jashari: Mendoj se pas çlirimit të vendit, kryevepra të luftës sonë të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare ishin dhe mbetën përvjetorët e lavdishëm të saj, me qëllim për  t’i kujtuar të gjithë ata që dhanë më të shtrenjtën, që dhanë gjakun e tyre  për lirinë e këtij vendi, edhe pse ende  nuk shkuan në vend idealet e tyre. Prandaj kjo gjendje e tanishme sikur e zbeh paksa  madhështinë e kësaj ngjarjeje, dhe na bënë të ndiejmë më shumë dhimbjen e më të dashurve tonë, për mos realizimin e amanetit te tyre.

A mendoni se Qeveria e Shteti i Kosovës ka bërë sa duhet për dëshmorët e në këtë mes edhe për Jasharët, në Prekaz, ku edhe është realizuar një pjesë reprezentuese e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”?

Shqipe Adem Jashari: Fatkeqësisht, Shteti i Kosovës ka bërë krejt pak për dëshmorët dhe familjet e tyre. Këtë e them duke ditur se ende ka familje dëshmorësh që nuk kanë kulm mbi kokë, ende ka familje dëshmorësh që fëmijët e  tyre mezi e sigurojnë bukën e gojës, ende ka familje dëshmorësh që nuk kanë kushte elementare për jetë në raport me pushtetarët e pasuruar dhe të verbuar nga pasuria dhe mirëqenia gati mbretërore. Ata, u pasuruan mbi kurriz të dëshmorëve dhe familjeve të tyre.

Ju me kohë keni krijuar familje, keni bashkëshortin dhe tre fëmijë. Jeni edhe në punë, si ia dilni me problemet dhe sfidat e jetës?

Shqipe Adem Jashari: Po, ky është një proces i natyrshëm, një proces jetësor. Një familje e shëndoshë është shtylla bazë e shoqërisë së shëndoshë. Në këtë drejtim pata fatin që të kem një martesë me një bashkëshort  që më kupton, i cili më ndihmon në jetë dhe më ka bërë që jetën ta kem më të lehtë dhe më të lumtur. Martesa jonë u kurorëzua me tre fëmijë: vajzën e parë, Aureolën që tani është 6 vjeçe dhe binjakët: Vlerorin dhe Epopenë, të cilët kanë mbushur nga  tre vjet. Detyra ime dhe e bashkëshortit  është t’i rrisim, t’i edukojmë, t’i arsimojmë e t’i përgatisim për jetë, në mënyrë që ata të bëhen qytetarë të denjë të vendit dhe të japin kontribut në zhvillimin dhe përparimin e Shtetit dhe të kombit tonë.

Cili është mesazhi Juaj për opinionin liridashës në përvjetorin e Epopesë Lavdiplote të Jasharëve dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?

Shqipe Adem Jashari: Mesazhi im është që edhe këtë përvjetor, sikur çdo përvjetor tjetër paraprak ta festojmë ashtu sikur  na ka hije dhe ashtu sikur  e meritojnë dëshmorët. Sa herë vijnë përvjetorët e dëshmorëve na japin forcë, shpresë, besim në frytet e fitores dhe shtytje për fitore të reja.

Në emër te stafit te Radios dhe dëgjuesve tanë Ju përshëndesim dhe iu falënderojmë përzemërsisht për intervistën!

 Shqipe Adem Jashari: Ju faleminderit juve. Ishte edhe kënaqësi që në përvjetorin e Epopesë së familjes sonë dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zëri im të dëgjohet nëpërmjet valëve të Radios Kosova e Lirë, zërit të vetëm të luftës, jehonës së pushkëve të çlirimtarëve ndër  betejat e  lavdishme. Kjo Radio bëri që krismat e luftës çlirimtare të dëgjohen kudo në Kosovë dhe jashtë saj, Ju përshëndes juve personalisht, stafin e Radios Kosova e Lirë dhe të gjithë shqiptarët kudo ku janë.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …