mbpzhr
muqa 900
driloni com
vipa
vala – old
Fillimi / Intervista / Arlinda Selman Lajçi: Në moshë të re kam ngritur grushtin dhe kam thënë: “Me këtë grusht Serbinë do ta ndjek prej Kosovës”
Arlinda Selman Lajçi: Në moshë të re kam ngritur grushtin kam thënë” “Me këtë grusht Serbinë do ta ndjek prej Kosovës”

Arlinda Selman Lajçi: Në moshë të re kam ngritur grushtin dhe kam thënë: “Me këtë grusht Serbinë do ta ndjek prej Kosovës”

(Intervistë me Arlinda Lajçin, bija e dëshmorit të kombit, Selman Lajçi)

 RKL: Babai Juaj, Selman Lajçi i takon plejadës së luftëtarëve të përkushtuar të lirisë, gardës së liridashësve, ideatorëve të Pavarësisë së Kosovës. Ai së bashku me xhaxhanë Tuaj, Salihun dhe disa bashkëveprimtarë rreth dyzet vjet më parë kishin themeluar organizatën atdhetare “Pavarësia”.  Sa jeni e njohur me aktivitetin e asaj organizate?

 Arlinda Selman Lajçi: Megjithëse isha vetëm 13 vjeç kur babai im ra dëshmor më linin përshtypje bisedat e gjata me axhën Ujkanin dhe shokët e tjerë , me të cilët kishin filluar organizatën “Pavarësia”. Vet fjala Pavarësi më tingëllonte Liri. Më ka mbetur në kujtim telefoni satelitor që e kishin dërguar shokët e grupit “Pavarësia”: Naser Salihaj, Brahim Nikçi, Brahim Dreshaj etj, që në atë kohë ishin në Zvicër. Këto janë vetëm disa kujtime të shkëputura pasi që isha e re në atë kohë, por më vonë jam interesuar për veprimtarinë e organizatës sidomos pas luftës vazhdimisht na kanë vizituar shokët e babait dhe të axhës që kanë qenë anëtarë të grupit “Pavarësia”, të cilët pothuajse të gjithë u bënë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata nga bisedat e tyre e plotësonin njohurinë time mbi personalitetin e babait tim. Veçanërisht  më ka lënë përshtypje se edhe ne vitin 1981 të largët  për mua por dhe për ata si të rinj kishin planifikuar të bënin sulme të armatosura mbi organet e pushtetit Jugosllav.

 

RKL: Lufta e UÇK-së familjen Tuaj e gjeti krejt të përgatitur. Selmani, Salihu me të tjerë themeluan celulën e parë të UÇK-së për Rugovë dhe Lug të Drinit. Sa dini të tregoni për ato aktivitete, për të cilat me siguri se keni dëgjuar sa e sa herë.

Arlinda Selman Lajçi: Në shtëpinë tonë vazhdimisht kishte organizime, vinin shumë burra, nga  të cilët disa i njihja se ishin shokët e babait dhe të axhës  e disa të tjerë  i njoha më vonë gjatë luftës. Të gjitha këto organizime e biseda nga ngjarjet e 81,89 e 90-të, mbeten të pa shlyera në kujtesën time si  fëmijë. Si fëmijë që nga mosha 4 vjeçare kam marr pjesë pothuajse në të gjitha tubimet në Rugove, fatbardhësisht nga lufta kishin shpëtuar disa video kaseta,  veçanërisht tubimi i 1 vjetorit të Letër Qarkores për Republikën e Kosovës, më 20 maj 1991 ku në moshën 5 vjeçare duke ngritur grushtin kam thënë “Me këtë grusht Serbinë do ta ndjekim prej Kosove” kjo ishte fryma me të cilën jam rritur në familje. Edhe pse atëherë nuk e kam kuptuar porosinë e vargut, tani e kuptoj që përgatitja për luftë për familjen tonë kishte qenë e vazhdueshme.

 

RKL: Rënia dëshmor e Selman Lajçit ishte humbje e madhe për UÇK-në, por  bashkëluftëtarët e tij e vazhduan luftën deri në fitore. Cilët janë bashkëluftëtarët e babait Tuaj dhe a ju vizitojnë, a mbani kontakte me ta?

 Arlinda Selman Lajçi: Sa u përket bashkëluftëtareve të babait dhe të axhës tim një pjesë e tyre janë dëshmor: Besnik Lajçi, Ramush Lajçi, Xhavit Lajçi, Asllan Nikçi, Faton Nikçi, Rifat Shala, Sokol Nikçi, Ramë Lajçi, e të rënë më herët si: Adrian Krasniqi, Bahri Fazliu. Babi pasi u kthye nga fronti i Dukagjinit u mërzit shumë kur dëgjoi për rënien e Shkëlzen Haradinajt me të cilin pak ditë më parë kishin qenë bashkë në luftime. Nga bashkëluftëtaret që kanë arritur ditën e lirisë vazhdimisht na vizitojnë dhe na përkrahin, ata janë shumë të kujdesshëm, jo vetëm në përvjetorë por dhe në festa e ngjarje të tjera dhe asnjë ngjarje  në familjen tonë nuk ndodh pa praninë e tyre: Ujkan Nikçi, Avdi Halilaj, Sylë Muriqi, Nexhmi Lajçi, Brahim Bajraktari, Zymer  Nikçi, Rexhep Nikçi, Fanol Kola, Enver Salihaj, Avdi Lajçi, Beqir Lajçi  por dhe shokët e veprimtarisë se mëhershme Naser Salihaj, Zymer Neziri, Avdi Shkreli, Ali Lajçi, Sali  Lukaj. Vargu i bashkëluftëtareve të babait është i gjate jo vetëm nga brigada 136 “Rugova” po dhe nga Rrafshi i Dukagjinit e nga Shtabi i Përgjithshëm me të cilët ishte bashkuar në vijat e frontit. Ata gjithmonë na japin forcë por dhe gjithmonë thonë se marrin forcë nga familja jonë.

 

RKL: Në cilën moshë keni qenë  kur ka rënë dëshmor babai Juaj. A ju kanë treguar me kohë kur ka rënë apo më vonë?

Arlinda Selman Lajçi: Kam qenë në klasën e shtatë në shkollën fillore” Përparimi” në Drelaj. Ato dite të prillit të vitit 1999 për shkak të granatimeve të shumta nuk shkonim në shkollë. Fronti ishte 5-6 kilometra larg fshatit tërë ditën ka pasur luftime, ka mesdita ne fshat erdhi lajmi se kishin rënë Besniku dhe Ramushi ndërsa ne mbrëmje në mbyllje të luftimeve kur ishin kthyer të plagosurit ishte kuptuar në fshat se kishte rënë  edhe babi. Në mbrëmje vonë axha kur u  kthye nga luftimet i tregoi gjyshes drejtpërdrejt  me fjalët: “ka mbete edhe Selmani” , ndërsa neve fëmijëve na kishin larguar ne dhomën tjetër, por shtëpia ishte e drurit dhe ne i dëgjuam të gjitha fjalët. Në ato momente erdhën disa ushtarë në shtëpi dhe dëgjuam bisedën se babai vetëm ishte plagosur dhe kishte shkuar në drejtim të Shtabit të Brigadës, por këtë dëshironim ta besonim edhe ne. Axha shkoi ne Shtab ndërsa gjyshja, mami, halla dhe ne të tjerët gjithë natën e gdhimë zgjuar duke shpresuar se do të kthehet babai por ai nuk u kthye, kishte rënë dëshmorë për atdhe.

RKL: Cili ka qenë takimi i fundit me babanë Tuaj?

Arlinda Selman Lajçi: Në mëngjesin e 19 Prillit ishte kthyer për të marr një çantë, unë ia dhashë te dera dhe u përshëndetem e shikova deri sa me iku nga sytë.

RKL: Si e kujtoni sot babanë Tuaj të dashur, tani kur kanë kaluar 18 vite nga rënia dëshmor.

Arlinda Selman Lajçi: Babin e kujtoj  të dashur dhe shumë të përkushtuar  ndaj familjes. Në përgjithësi ka qenë shumë energjik dhe  gjithë anshëm, mua më tepër më ka mbetur në kujtesë figura me uniforme ushtarake, një karakter i njeriut të rreptë në vendime.

 RKL: Babi Juaj ka mbajtur ditar gjatë kohës së luftës, a ruani edhe diçka të veçantë nga babai, ndonjë relikt?

Arlinda Selman Lajçi: Nga babai ruajmë ditarin, procesverbalet e disa takimeve të mbajtura të shoqatës së intelektualeve, shoqatës Kosovare-Sanxhakase, lëvizjes së të gjelbërve, intervistat e dhëna në revistën “Gurra” për lojërat tradicionale të Rugovës që ishte ri themelues i tyre, Orën e dorës, një emblemë të UCK-së, disa video kaseta ku shihen aktivitetet e themelimit të shkollës shqipe dhe themelimit te shoqatës “Nënë Tereza”, themelimit të Shoqatës  së intelektualeve në Rugovë dhe disa libra nga biblioteka që na kanë sjellë njerëzit më vonë. Sa herë e kam rilexuar ditarin e babait pjesëmarrje në betejat që i përshkruan na rritet lavdia për UÇK-në, për  babin tim dhe për gjithë dëshmorët e kombit.

 Intervistoi: Arbanë Qeriqi-Gashi