vipa
vala
muqa 900
Fillimi / Dëshmorët / Arton Isa Hasanaj (20.6.1976 – 11.8.1998)
Arton Isa Hasanaj (20.6.1976 – 11.8.1998)

Arton Isa Hasanaj (20.6.1976 – 11.8.1998)

Dëshmori i kombit Arton Hasanaj u lind më 20 qershor të vitit 1976, në familjen e njohur të Zhel Hasanëve të Rakocit, komuna e Gjakovës, e cila ishte familje autoritative në rajonin e Dushkajës e më gjerë, e dalluar si familje e ndershme dhe punëtore, me tradita të larta patriotike, e dalluar në disa breza me radhë.

Familja e Zhel Hasanëve ishte dëshmuar në vazhdimësi për rezistencë dhe luftë të paepur kundër pushtuesit serb. Në vitet ’30-të të shekullit XX, gjatë zbatimit të planit serbomadh për kolonizimin e Kosovës me serbë e malazezë, regjimi okupues serb, me qëllim kolonizimi në fshatin Rakoc të Gjakovës kishte sjellë 70 familje kolonësh, 10 prej të cilave i vendosi vetëm në pronat e Zhel Hasanit. Mirëpo, pas kapitullimit të Jugosllavisë së atëhershme, në prill të vitit 1941, gjyshi i dëshmorit, Zhel Hasani me atdhetarë të tjerë u angazhua personalisht për dëbimin e kolonizatorëve serbë e malazezë që përfshinin territorin prej Kryqit të Rakocit deri në Ratish, të cilët me dhunë ua kishin uzurpuar pronat. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai kishte marrë pjesë në luftimet e zhvilluara për mbrojtjen e trojeve të rrezikuara shqiptare nga sulmet çetnike në Plavë e Guci, Rozhajë e Pazar të Ri. Në vitin 1947, Zhel Hasani u burgos nga regjimi titist dhe u akuzua se kishte bashkëpunuar e i kishte strehuar Demë Ali Pozharin dhe atdhetarë të tjerë, për çka u dënua me disa vjet burgim të rëndë. Edhe gjatë aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve, i aplikuar kundër popullsisë shqiptare në Kosovë e në viset tjera shqiptare të mbetura nën ish-Jugosllavi, në dimrin e egër të viteve 1955-1956, u torturuan mbi 30 mijë shqiptarë, 300 prej të cilëve vdiqën në tortura, me qëllim të terrorizimit të popullsisë shqiptare dhe shtimit të përmasave të të shpërngulurve për në Turqi, kjo familje nuk u kursye. Axha i dëshmorit, për dhjetë ditë radhazi u keqtrajtua barbarisht nga oficerët e UDB-së jugosllave në postën policore në fshatin Cermjan të Gjakovës. Ndërkaq, babai i dëshmorit, Isa, u takonte radhëve të organizuara ilegale të LNÇKVSHJ-së, nën drejtimin e Jusuf Gërvallës e Ismajl Haradinajt. Për këtë arsye disa herë u burgos, por kurrë nuk u dorëzua, as nuk hoqi dorë nga përpjekjet për liri. Në vitin 1981, Isë Hasanaj u dënua me një vit burgim, ndërkaq në vitin 1984 me katër vjet burgim. Familja Hasanaj në vitet ’80-të të shek. XX u detyrua të shpërngulet nga fshati Rakoc, sepse territori i këtij fshati dhe i disa fshatrave përreth ishte paraparë që të lëshohej për ndërtimin e Liqenit Artifi- cial të Radoniqit. U vendosën në periferi të fshatit Gllogjan të Deçanit.

Prindërit e dëshmorit Arton Hasanaj, Isë e Xhevahire Hasanaj, edhe pse në kushte të rënda të përndjekjeve të vazhdueshme politike, i lindën, i rritën dhe i edukuan me ndjenja të larta atdhedashurie shtarë fëmijët e tyre, katër djem e tri vajza. Artoni ishte fëmija më i vogël në familje, ndaj të gjithë me përkëdhelje e thërrisnin “Tatoni”.

Shkollimin fillor Artoni e kreu në sh. f. “Drita” të Gramaqelit, ndërkaq të mesmen në Irzniq, në paralelet e ndara të Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit. Shkollimin e mëtutjeshëm nuk e vazhdoi pasi që për shkak të bastisjeve e keqtrajtimeve të përditshme nga policia serbe, e tërë familja Hasanaj u detyrua të largohej nga Kosova. Në Zvicër iu njoh statusi i të përndjekurve politikë.

I rritur me sakrifica të mëdha nga nënë Xhevahirja, bashkë me tre vëllezërit dhe tri motrat e tij, në një kohë kur i ati dergjej nëpër burgjet serbe, Artoni u kalit me dëshirën e flaktë për ta parë një ditë Kosovën të lirë. Dëshpërimi i tij më i madh ishte largimi i familjes nga Kosova në vitin 1994, për shkak të përndjekjeve të vazhdueshme të policisë së okupuesit serb. Kushtet dhe rrethanat në të cilat u lind dhe u rrit ai, kishin bërë që ai të piqej para kohe. Asnjëherë nuk e kishin joshur bukuritë as lukset e Zvicrës. Ky vend i dukej tepër i vogël, tepër i ngushtë, i dukej se nuk mund të ngopej frymë, veçanërisht pas fillimit të aksioneve të para të djemve e vajzave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër forcave të okupatorit serb. Nuk jetonte dot larg Kosovës. Nuk i mjaftonte aktiviteti në lëvizjen ilegale në Zvicër, as në protesta e demonstrata larg atdheut, nuk i kishte mjaftuar as pjesëmarrja e mëhershme në protesta e demonstrata në Kosovë, donte vetë ta bënte luftën për liri në atdhe. Rrugë tjetër nuk shihte!

Motrës, Afërditës, i kishte lënë amanet që s’e harron dot: “Motër, më qaj dhe mos jeto pas meje, nëse vdes në Zvicër, por nëse vdes në Kosovë ti jeto e lumtur, sepse shpirti im prehet i qetë. Ëndrra ime u realizua”. Ai qysh herët ishte përkushtuar për lirinë e atdheut, dhe do t’i përmbahej edhe zotimit edhe betimit.

Artoni ishte i bindur se edhe mund të vritej, sepse ishte përgatitur dhe kishte vendosur të luftonte deri në fund për çlirimin e Kosovës. Kur e kishte blerë dhe veshur uniformën ushtarake në Zvicër, e motra, Afërdita, kishte dashur ta fotografonte, por s’e kishte lënë, duke i thënë se nuk i kishte veshur këto rroba për të bërë fotografi me to, por për të luftuar. “Vetëm në malet e Kosovës mund të bëj fotografi. Fotografitë me veshje të ushtarit të UÇK-së në Zvicër, burrave nuk u kanë hije”, i kishte thënë së motrës, e pastaj kishte marrë në dorë çizmet e forta duke thënë: “Me këto çizme do të shkel Kosovën pëllëmbë për pëllëmbë”.

Artoni kishte bindje dhe vetëdije të lartë se lufta çlirimtare ishte e vetmja mënyrë për ta fituar lirinë, se koha më nuk priste për të vënë gjithçka në shërbim të atdheut. Prandaj menjëherë pas betejës së 24 marsit 1999, e zhvilluar fare pranë shtëpisë së tij në Gllogjan, Artoni la përgjithmonë familjen, la Zvicrën për të ardhur për të luftuar e për të rënë për Kosovë.

Më 17 prill 1998, Artoni së bashku me shokun e tij, Arben Krasniqi, arritën në Durrës, në bazën stërvitore të UÇK-së në Golem, ku i priti Ilir Konushefci. Ata kishin sjellë me vete edhe një pizgauer të cilin ua kishte siguruar atdhetari Brahim Haxhia nga Korenica e Gjakovës, për nevoja të UÇK-së.

Më 5 maj 1998, Artoni arriti në Kosovë dhe u sistemua në radhët e UÇK-së, në Njësitin Antiblind të Shtabit Operativ të Rrafshit të Dukagjinit (SHORRD), në Gllogjan, ku pas një kohe për meritat e treguara në luftë u emërua drejtues i këtij njësiti. Që nga ditët e para kur vendoset në pikën e parë të frontit te Suka e Biteshit, një ndër pikat më të rrezikshme e deri në rënie, Artoni tregoi guxim e trimëri të jashtëzakonshme, përkushtim e besim të pathyeshëm në fitore pavarësisht çmimit që duhej paguar. Prandaj, emri i tij është shkruar me shkronja të arta në historinë e betejave më të lavdishme të UÇK-së, të zhvilluara për disa muaj radhazi si në Shaptej, te Suka e Biteshit, në Baballoç, Gramaçel, Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, etj.

Në ofensivën e muajit gusht 1998, Arton Hasanaj me bashkëluftëtarët dëshmorë e heronj të kombit si: Bedri Shala e Bekim Berisha, Elton Zherka e Përmet Vula, Yll Morina, Enver e Orhan Halilaj, Naim Nimanaj, Sokol Sejfijaj e Arben Ahmetaj, Skënder Çeku, Isuf Kelmendi e Arben Hajdaraj, Maxhun Çekaj e Gëzim Dervishaj, Rexhep Kadrijaj e Naser Idrizaj, e shumë të tjerë, po e bënte vdekjen si me le, në frontin e luftës që nga Gllogjani deri në Smolicë, Junik e Loxhë. Këto beteja ishin ndër përballjet më të rrepta ku pushtuesit me forca të shumta ushtarako-policore e paramilitare serbe dhe me një numër të madh të mercenarëve rus, me tanke e artileri të rëndë luftarake, sulmuan pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare, duke përdorur dendur edhe helmet kimike-biologjike. Kundër kësaj çmendurie serbe, luftëtarët e UÇK-së bënë qëndresë heroike. Edhe pse dhjetëra prej luftëtarëve më të denjë të Ushtrisë Çlirimtare ranë në fushëbeteja, e dhjetëra të tjerë morën plagë të rënda, megjithatë armikut i shkaktuan dëme të mëdha në njerëz e në teknikë luftarake.

Ditën e 11 gushtit 1998, Arton Hasanaj së bashku me bashkëluftëtarin e tij Naim Metë Nimanaj, nga Gllogjani, ra dëshmor në vijën e parë të frontit, në luftimet kundër forcave serbe në qendër të Gllogjanit, afër Kompleksit të sotëm Memorial të Heronjve të Kombit. Artoni u varros nga bashkëluftëtarët në fshatin Prapaçan, ndërkaq në ditë lirie, pikërisht më 24 gusht 1999, është rivarrosur në Kompleksin Memorial “Heronjtë e Dukagjinit” në Gllogjan, bashkë me 34 dëshmorë të tjerë, në një ceremoni madhështore me nderime të larta ushtarake e popullore.

Dëshmori Arton Hasanaj nuk ishte i martuar. Pas vetes ka lënë prindërit, vëllezërit dhe motrat, të cilët ndiejnë krenarinë e ligjshme për djalin e vëllanë e tyre dëshmor. Familjes Hasanaj i janë ndarë mirënjohje të shumta për djalin e vëllanë dëshmor si nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit e UÇK-së, Komanda e Zonës së Tretë të Mbrojtjes e TMK-së, Komandan e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Komuna e Deçanit, etj. Për të janë kënduar këngë e është shkruar prozë e poezi. Dëshmori Arton Hasanaj me bashkëluftëtarin e tij dëshmor Naim Nimanaj, janë përjetësuar në përmendoren e përbashkët në vendin e rënies së lavdishme. (F. R.)