leoni

Arton Shaban Zogaj (29.1.1979 – 19.7.1998)

Arton Shaban Zogaj (29.1.1979 – 19.7.1998)

Nënë Shkurta po piqte me gëzim rendet e flisë dhe po i bëhej zemra mal tek shikonte të birin duke ngrënë petullat e saj të nxehta njërën pas tjetrës. Artoni vazhdonte të hante me babëzi, sikur nuk e kishte mendjen fare te flija, ose sikur ta kishte lodhur uria. Ajo ishte flija e fundit dhe darka e fundit që po hante prej duarve të nënës dhe në vatrën e tij. Sikur parandiente se do të flijohej për një çështje të madhe e për një çështje sublime, – për lirinë e atdheut.
“Tash ma mbështjell pjesën tjetër të flisë,-i kishte thënë nënës pasi kishte ngrënë, – sepse do ta marr me vete e t’ua çoj shokëve”! Me shpresë se do të hante ende, nëna i kishte thënë: “Do ta mbështjellë nëna nesër, mos u bëj merak”!
Të nesërmen Artoni do të nisej drejt cakut të amshuar. Rrugës do të takonte vargun e gjatë të bashkidealistëve. Ua kishte dhënë fjalën shokëve se do të arrinte me kohë atje ku e kishin parashikuar takimin. Tashmë kishte vendosur që bangën e universitetit dhe indeksin e studentit t’i shkëmbente me pushkomitralozin e rëndë e me xherdanin e fishekëve. Këto stoli nderi do t’i mbajë deri në ditën e hyrjes në përjetësi, më 19.7.1998.
Tani, nënë Shkurtes do t’i rikthehet në kujtesë flija e Artonit, sa herë që rikujton ndarjen prej tij. Në zemrën e saj flë ndjenja e çlirimit nga pengu. Ajo kishte gatuar për të birin dhe për shokët e tij. Kishte gatuar për luftëtarët e lirisë. Kishte gatuar për dëshmorë të kombit.

Dëshmori Arton Zogaj ka lindur më 29 janar të vitit 1979, në fshatin Orroberdë të komunës së Burimit (ish-Istog). Prindërit e tij, Shkurta e Shabani kishin gjashtë fëmijë. Artoni ishte sugari, pas Nexhmedinit, Nexhmijës, Selmanit, Rabisë dhe Fehmisë.
Në fshatin e afërt, Jabllanicë e Vogël e kryen shkollën fillore, me sukses të shkëlqyeshëm. Shkollën e mesme e vazhdon në Pejë, në kushtet e përndjekjes e të apart’heidit serb të viteve ’90.
Pas mbarimit të shkollimit të mesëm, regjistron studimet në fakultetin ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Mirëpo, mësimet universitare nuk do t’i ndjekë më shumë se dy semestra, sepse ndërkohë kushtrimi i lirisë kishte trokitur në ndërgjegjen e çdo të riu me gjak të valuar lirie. Këtë kushtrim, Artoni e kishte përvetësuar që me të shkruar të epopesë së lavdisë nga Komandanti legjendar Adem Jashari, në Prekaz, në netët e zjarrta të 5, 6 e 7 marsit të vitit 1998. Shpirtin e tij e kishte frymëzuar edhe rasti i ndalimit të trenit në të cilin ndodhej ai, nga pjesëtarët e UÇK-së, në një vend të Drenicës në relacionin hekurudhor Pejë-Prishtinë, me ç’rast shkëlqen madhështia e çlirimtarëve. Pas këtij rasti, Artoni do të shprehë mospërmbajtje . Ai ishte betuar se do ta vënte një gur në themelet e kalasë së lirisë së Kosovës, prandaj e kishte ndarë mendjen ta luftonte armikun shekullor. “Nuk e lë pa ia skuqur ballin shkjaut”, – kishte thënë ai, sa e sa herë. Për këtë qëllim edhe kishte bashkuar idealin e vet me atë të bashkluftëtarëve, Nazmi Muzliaj (dëshmor), Afrim Zogaj, Arben Muzliaj, Sylë Muzliaj, Adem Zogaj, Hysni Muzliaj dhe shumë e shumë shokë të tjerë të idealit çlirimtar, kushërinj, bashkëfshatarë dhe shokë studimesh.
Në radhë me këta shokë, më 6 qershor të vitit 1998, Artoni niset drejt Gllogjanit i cili ishte bërë epiqendra e rezistencës çlirimtare të UÇK-së në trevën e Dukagjinit. Atje aftësohet ushtarakisht disa javë rresht. Rrugën drejt Gllogjanit, të rinjve të fshatit Orroberdë ua kishin trasuar bashkëfshatari Nazmi Muzliaj dhe vëllai i Artonit, Selmani. Meqenëse fushëbeteja kërkonte armë e municion, pas disa javësh shtrohet nevoja e udhëtimit të Artonit me shokë për në shtetin shqiptar. Itinerarit të gjatë e të mundimshëm të armatimit i kishte prirë Nazmi Muzliaj.
Për shkak të urgjencës dhe radhës që diktonin rrethanat e asaj periudhe, Artoni me shokë u detyrua të qëndrojë disa kohë në Tiranë e të presë deri në momentin e duhur për t’u kthyer në Kosovë, me armët dhe municionin ngarkuar në supe e në shpinë. Në mesin e korrikut të vitit 1998, Artoni me Nazmi Muzliajn (dëshmor), Nimon Demaj (dëshmor) e me shumë shokë të tjerë merr rrugën e kthimit për në Kosovë. Ai mëzi priste të kthehej, prandaj rruga e kthimit po i dukej shumë herë më e gjatë. Mendja po i rrinte te luftëtarët e lirisë në zonat e ndryshme të luftës: në Dukagjin, në Drenicë, në Pashtrik…Zjarri i luftës kishte shpërthyer përcëllueshëm e po përhapej me shpejtësi në pjesën dërrmuese të Kosovës. Në këto rrethana, në gjoksin e Artonit gufonte vetëm ndjenja e ngadhënjimit dhe e fitores. Ai ishte i bindur në fitoren e sigurt të UÇK-së, ndonëse e dinte që rruga e kësaj fitoreje ishte e vështirë dhe se ajo kishte rënie e ngritje. Rënien dhe ngritjen ia mendonte edhe vetes, por kurrë nuk e mendonte ndaljen dhe prapakthimin. Me këto ndjenja e me këto meditime në kokë, çan e kapton dhiaret majave të Koshares. Tani kishte filluar të kundërmonte erë shkrumbi e tokës së Kosovës. Ajo ishte era e robërisë shekullore të Kosovës nën thundrën serbe. Artoni me shokë po nxitonte drejt trojeve të përflakura, ta davariste e t’i jepte fund kësaj ere. Në ecje e sipër, në orët e hershme të mëngjesit të 18 gushtit, Rrasa e Zogut bëhet altar lirie për Artonin. Monstrumët e kuçedrës Serbi kishin zënë pritat edhe në këto shkrepa të Padeshit. Përkrah Artonit bien edhe prijësi i kolonës së kolosëve që po i sillnin armë çlirimtare Kosovës, Nazmi Muzliaj dhe i riu Nimon Demaj nga fshati Tedel. Ishte plagosur edhe kushëriri i tij dhe shoku i Artonit, Arben Muzliaj. Bashkëluftëtarët e tjerë, zjarri i pritës i detyron të kthehen sërish brenda territorit të Shqipërisë.
Prindërit, vëllezërit dhe motrat e Artonit nuk do ta kuptojnë hatanë dhe as do t’i besojnë asaj. Ata e dinin se biri dhe vëllai i tyre kishte marrë rrugën e lirisë dhe as i besonin rënies së tij. Ata prisnin t’u kthehej njëditë ngadhënjimtar, ashtu siç shfaqej përherë. Pritja ishte e pafund sa edhe shpresa. Në anën tjetër shtohej edhe intensiteti i luftës për jetë të lirë a vdekje. Koha po rridhte dhe asnjë lajm për Artonin. Dikush mendonte e shpresonte se prita e organizuar në Padesh e kishte detyruar të kthehej në Shqipëri dhe dikush tjetër druante se mos e kishte kapur të gjallë armiku. Mirëpo, Artoni nuk ishte as ai që mund të zbrapsej dhe as ai që mund të kapej i gjallë. Realiteti ishte se ai, bashkë me shokët kishte qëndruar duke luftuar deri në fishekun e fundit kundër kriminelëve pushtues serbë. Te Rrasa e Zogut ai kishte shkruar një faqe lavdie të historisë së Kosovës. E nënës së tij, Shkurtes, vazhdimisht po i rrinte para syve të mendjes çasti kur i biri kollufiste njërën pas tjetrës petullat e flisë, derisa ajo po gatuante rendet e saj. Ndonjëherë, një zë i brendshëm frike e bënte të mendonte se mos ishte i uritur në ato çaste Artoni i saj, por këtë frikë nuk ia shfaqte askujt.
Shpresa se do ta takonin diku në Shqipëri, i kishte ushqyer motrat e Artonit edhe ditën kur detyrohen ta lëshojnë vatrën e shtëpisë nën predhat e armëve srbe, pas fillimit të bombardimeve nga NATO-ja, më 24 mars 1999, e të marrin rrugën e largimit për në Shqipëri. Ato do ta kenë më të lehtë të ndahen prej vëllait tjetër, Selmanit, që po mbetej në Kosovë të luftonte në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi do të shpresojnë se në Shqipëri do ta takojnë vëllain tjetër, të voglin, Artonin. Madje, me largimin nga shtëpia, motrat e tij marrin me vete veshmbathje edhe për Artonin, sepse shpresojnë se do t’i duhen! Mirëpo, kjo ishte vetëm një shpresë, sepse Artoni tashmë ishte përjetësuar në themelet e lirisë së Kosovës që po vinte me shumë dhembje, vuajtje e gjak. As motrat e vëllezërit dhe as prindërit e shokët, nuk e takuan gjëkundi Artonin e tyre. Për fatin e tij do të mësohet vetëm pas përfundimit të luftës, në shtator të vitit 1999, kur pas shumë kërkimesh, vëllai Selmani, i shoqëruar nga tezaku Sokoli, identifikojnë varrin ku prehej trupi i dëshmorit Arton Zogaj, në varrezat e qytetit të Gjakovës. Ata ia kishin njohur rrobat dhe patikat të cilat i kishte blerë vetëm pak ditë para se të shkonte në radhët e UÇK-së. “I dua të forta patikat, sepse dua të luftoj, – u kishte thënë ai në familje. – “Mjaft më, nuk mund të durohet më kështu”, – i ishte përgjigjur së ëmës në vërejtjen e saj se ishte ende i ri për të luftuar.
Pas identifikimit, trupi i dëshmorit Arton Zogaj u rivarros në varrezat e fshatit të lindjes, me nderime të merituara të luftëtarëve të UÇK-së e të gjithë popullatës së trevës së Burimit. Sot portreti i tij rrezaton në permendoren e ngritur te shkolla fillore e fshatit Kaliçan, përkrah portreteve të bashkëluftëtarëve Nazmi Muzliaj, i rënë në të njëjtin moment e në të njëjtin vend dhe Myrvete Maksutaj. Ky monument është argumenti më i mirë, nga i cili filloristët e kësaj shkolle do ta mësojnë historinë e luftës së lavdishme të UÇK-së për çlirim kombëtar.
Në shenjë kujtimi për dëshmorin Arton Zogaj, nëna, vëllezërit, motrat, por edhe nipat dhe mbesat e tij, ruajnë me përkushtim dhe i shikojnë me admirim fotografitë e shumta të tij, indeksin e fakultetit, librat e fletoret, rrobat që e motra, Fehmija, i kishte marrë me vete për t’ia çuar në Shqipëri, me shpresë se atje do ta takonte Artonin për të cilin nuk kishte informacione që prej 7-8 muajsh dhe zinxhirin e dorës prej arit. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …