Mësuesi i Popullit Ndrecë Ndue Gjoka (1919-1946)

Astrit Çipini: Rrëfehen kriminelët, vrasësit e Ndrec Ndue Gjokës, Bardhok Bibës…

Ndrec Ndue Gjoka, ishte një njeri plot ëndrra për të hapur shkolla e për të ndriçuar mendjen e patriotëve të tij të zhytur në një terr mesjetar. I kërkoi direkt kryeministrit të kohës, Enver Hoxhës, që në Mirdite në mënyrë të menjëhershme të hapeshin 50 shkolla. Përgjigja i erdhi e shoqëruar me të gjitha mundësitë financiare e bazën materiale modeste, natyrisht, por e përshtatshme për të hapur shkollat.

Pak vite më vonë nga kjo ngjarje shefi i misionit britanik në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, Deivid Trocki (bëhet fjalë për gjeneralin e famshëm anglez, të njohur si Gjenerali Dejvis, që ishte atashuar me mision pranë Shtabit të Enver Hoxhës dhe që u kap nga ballistët dhe iu dorëzua gjermanëve) boton një libër me kujtime për jetën e tij dhe të misionit që kryesonte maleve të Shqipërisë pranë Shtabit të Përgjithshëm te Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ai shkruan ndërmjet të tjerave se e ka pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë Enver Hoxhën se nëse do të merrte pushtetin nga do ta orientonte Shqipërinë nga Lindja apo nga Perëndimi.

Sipas tij, Enveri i është përgjigjur:

– Gjenerali im, nuk e di nga do ta orientoj Shqipërinë, por një gjë ta premtoj: kënetat do t’i thaj dhe shkollat do t’i hap për të zhdukur analfabetizmin.

Pesëdhjetë shkollat e premtuara Ndrec Ndue Gjokës do të ishin pjesë e mijërave të tilla të hapura anembanë Shqipërisë, në një vend me mbi 90% analfabetë. Brenda pak viteve  në mënyrë të jashtëzakonshme u zhduk ky analfabetizëm.

Cili ishte shpërblimi për Ndrec Ndue Gjokën?

Një grup shoqëror, në fakt një tufë banditësh, u hakmor në mënyrë barbare ndaj këtij të riu duke e qëlluar pabesisht në emër të obskurantizmit dhe të errësirës ku e donin popullin e tyre, soji i bashkëpunëtoreve të fashizmit. Megjithatë, Ndrec Ndue Gjoka u përjetësua në memorien e popullit, u bënë këngë për të, u ngritën monumente.

Sot vrasësit e Ndrec Ndue Gjokës trumbetohen nga një kategori njerëzish, kryesisht pinjollë të atyre që vranë Komisarin e Dritës, ndërsa janë ekspozuar si luftëtarë antikomunistë stendave të Muzeut Kombëtar dhe në muze të tjera…

Vrasësit e Ndrec Ndue Gjokës aktualisht marrin shpërblime nga taksapaguesit shqiptarë si kundërshtarë të regjimit komunist.

Paradoksi absurd

 

Hava Meçaj ishte një grua e thjeshtë nga Lumi i Vlorës.

Në vitin 1944 pranë shtëpisë së saj kalon një grumbull njerëzish të armatosur. Ajo, ndërsa mbante një foshnjë në krah, mendoi se kishte të bënte me një çetë partizane dhe nderon me grusht dhe u thotë “Vdekje Fashizmit!”.

Në vend të përgjigjes njerëzit e armatosur e qëllojnë dhe e lenë të vdekur në vend. Foshnja që kishte në krah shpëton pa u goditur nga plumbat e vrasësve. Bashkëfshatarët e gjejnë pas pak kohe mbi trupin e nënës dhe lemerisen: Foshnja ishte duke pirë qumësht e gjak bashkë…

…Pas përfundimit të luftës vrasësi i saj, komandant i një çete ballistësh, Lahe Nurja, një emër famëkeq në Labëri, si dhe shumë të tjerë u dënuan apo u ekzekutuan në përleshje me forcat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit. Ishte një kriminel lufte dhe do të kishte këtë fat si të gjithë kriminelët e luftës në Europën Antifashiste.

Sot emri i tij gjendet ne listat e ekspozuara në muzetë që përmendëm më sipër, krahas kriminelëve që vranë Ndrec Ndue Gjokën, vajzat e Mirditës e sa e sa të tjerë bij nënash. Të afërmit e këtij krimineli marrin shpërblime të majme prej shumë e shumë vitesh, ndërsa i biri i Havasë, ai që në vogëlinë e tij piu qumësht e gjak nga gjiri i nënës së tij, u rrit, punoi me ndershmëri dhe doli në pension me një shumë modeste. Në mënyrë simbolike qeveria e Fatos Nanos i dha, sikurse dhe të gjithë familjeve të dëshmorëve një shpërblim modest, por me të ardhur në pushtet qeveria e Sali Berishës e ndërpreu këtë shpërblim, i cili nuk i është rikthyer edhe sot e kësaj dite.

Historia është e pamëshirshme. Ndërsa shefi i rezistencës antifashiste të popullit tonë, Kryeministri Enver Hoxha, u ftua në Konferencën e Paqes të vitit 1946 së bashku me fitimtarët e asaj lufte, të mundurit si Mitat Frashëri, Abaz Ermenji, Hamit Matjani, Ali Këlcyra e soji tyre tradhtar u arrestuan nga aleatët dhe u izoluan në kampe të posaçme të rrethuar me tela me gjemba bashkë me ish-bashkëpunëtorë të tjerë të fashizmit nga Europa. Pastaj u mobilizuan, rrëmbyen armët dhe u futën në Shqipëri për të përmbysur pushtetin e dalë nga Lufta antifashiste. Kryen sërish krime dhe fundi i tyre është ai që dihet: Një pjesë u vranë në luftime nga forcat e mbrojtjes së popullit, të tjerët u kapën dhe u ekzekutuan…

Këto histori të vërteta i shkrova nisur nga debati i hapur së fundmi për kampin e Tepelenës dhe për të pushkatuarit me dhe pa gjyq gjatë diktaturës komuniste.

Këtë histori nuk mund ta ndryshojnë dot Butkët, Tufët, Dervishët e të tjerë që prej vitesh janë hedhur në një sulm të paparë ndaj Luftës Antifashiste. Këta individë, pseudo-historianë të cilët Petro Marko i quante “vagabondë te historisë” si lukuni ujqërish vërsulen njëherësh, të komanduar nga një qendër revanshiste mbi çdo vlerë të së shkuarës, mbi figurat e shquara të kombit tonë të Luftës së Dytë Botërore, vërsulen me jargavitje kundër çdo historiani ose gazetari që shkruan mbi ngjarje të luftës dhe pasluftës, në emër të gjoja luftës kundër komunizmit.

 

Rrëfimi i kriminelit

 

Shoku dhe miku im i viteve të shkollës, gazetari i mirënjohur i Radiotelevizionit Shqiptar, Timo Luto tregon se si vetë kriminelët dhe bijtë e kriminelëve rrëfenin krimet që kishin kryer gjatë regjimit komunist dhe, jo vetëm nuk ndjenin pikë pendese, por krenoheshin.

Ja tregimi i Timos për një takim me një pinjoll të familjes së Gjon Marka Gjonit:

…Në një nga ditët e këtij revanshi të madh shkova të intervistoj një pinjoll të familjes së bajraktarit të Mirditës, Gjon Marka Gjonit, i cili u dekorua ato ditë nga Berisha si “Pishtar i demokracisë”. Më priti te vila qeveritare, ish-shtëpia e ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Përmbysje jashtë çdo imagjinate! Çfarë s’bën vaki në jetë? Kryetari i Kuvendit, Pjetër Arbnori, dikur i burgosur politik për më tepër se 20 vjet, nuk pranoi zyrë tjetër veç asaj të Enver Hoxhës, që, pas vdekjes së tij, mbahej e mbyllur.

Përballë meje ishte një i moshuar dhe i mbajtur mirë. Jetonte në Kanada. Vinte për herë të parë në Shqipëri qysh nga viti 1952, kur shpëtoi paq pa lënë kokën si shumë të tjerë në malet e Veriut, kur luftonin për të përmbysur regjimin komunist. Oroshi, vendlindja e tij më solli në kujtesë një lëndinë të bukur me ahe dhe pisha të larta dhe një lapidar kushtuar katër partizanëve të vrarë në këtë vend në shtator të vitit 1944, në një moment pushimi nga një çetë e armatosur e krahut reaksionar e lidhur me pushtuesin.

Një nga vrasësit mund të ishte edhe ky njeri që kisha përballë. Në respekt të dinjitetit tim dhe të publikut, në intervistën me të i kërkova gjithçka që lidhej me të kaluarën, kur ai kishte qenë protagonist. Ai provoi se i ardhur si diversant për të përmbysur pushtetin e komunistëve, kishte vrarë ata që ai i quante kundërshtarë, si: sekretarin e Partisë të Mirditës Bardhok Biba, mësuesin Ndrec Ndue Gjoka, që kishte hapur menjëherë pas Çlirimit 50 shkolla në Mirditë, katër vajza që pushteti komunist i kishte shpallur Heroina, dhe që kishin një monument mjaft mbresëlënës në hyrje të qytetit të vogël të Rrëshenit, por që për ta kishin shkelur kanunin, sepse kishin shkuar në aksion në ndërtimin e hekurudhës së parë në Shqipëri. Ai tha se përpjekja e nisur qysh më 1946 u ndërpre më 1952, sepse lufta e tyre nuk pati sukses dhe se shumë prej tyre u vranë në përpjekje me forcat e sigurimit të shtetit komunist.

Intervista që realizova me të u transmetua vetëm një herë dhe ai u largua menjëherë nga Shqipëria. Lapidari që pashë në atë vizitë të parë e të fundit në Orosh të Mirditës nuk besoj të jetë më, sikurse edhe shumë e shumë të tjerë në të gjithë vendin të përdhosur e të shkatërruar nga të mundurit e dikurshëm që nuk bënë dot histori.

 

( Dita )

Kontrolloni gjithashtu

Populli që ka heronj e burra si Shkëlzen Haradinaj nuk njeh vdekje

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, në 25 vjetorin e rënies e ka përkujtuar …