Avdi Kelmendi (21.12.1951–18.1.1996) një veprimtar i mirënjohur dhe i paharruar

Avdi Kelmendi (21.12.1951–18.1.1996) një veprimtar i mirënjohur dhe i paharruar

Dita kur kishte ardhur në jetë, Avdi Kelmendi, ishte ditë dimri, jo vetëm në fshatin e tij të lindjes, në Ribar të Vogël të Lypjanit, por edhe në tërë Kosovën. Dimrin e egër të atij viti e kishte bërë shumë më të egër edhe regjimi karpatoid serb dhe sllav duke ushtruar dhunë sistematike dhe intensive, vrasje, burgosje, ndjekje arrestime e izolime të mijëra shqiptarëve, që ende kishin mbetur maleve, dhe po dergjeshin burgjeve, duke mos e pranuar regjimin antishqiptar. Edhe dita kur u nda nga jeta, Avdi Daut Kelmendi ishte ditë dimri me acar, dita e 18 janarit të vitit 1996. Ishte dimri siberik, që kishte filluar të shkrihej nga brenda, sepse ligjet e jetës njohin acar, dhunë, tmerr, por edhe shkrirje akulli, pranverë e verë, gjithnjë sipas ligjeve universale të ekzistencës.
Mes dimrit të vitit 1951 dhe dimrit të vitit 1996 ka jetuar e ka vepruar veprimtari i heshtur  por mjaft i angazhuar i Lëvizjes Kombëtare, Avdi Kelmendi. Në jetën e tij 45-vjeçare ka  lënë prapa një biografi të pasur, në familje, në shoqëri dhe në angazhimet e pandërprera për ta arsimuar e përparuar popullin, për ta fuqizuar Lëvizjen dhe për të mos pushuar asnjë çast në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Avdiu rrjedhë nga një familje fshatare, atdhetare. Të parët nga viset e Prokupjes, Nishit e Toplisës ishin shpërngulur dhunshëm nga trojet e tyre dhe ashtu si qindra mijëra shqiptarë të tjerë, ishin vendosur në fshatrat e Kosovës e më gjerë. Kujtimi për të parët, dëbimin kolektiv, vuajtjet, pësimet, trajektoren tragjike shqiptare, kishin bërë çerdhe në kujtesën e Avdiut, i cili ashtu sikur edhe bashkëkohës të shumtë mendonte për shkaktarin e vuajtjeve  të njerëzve, që njëherë i kishin dëbuar nga Atdheu i tyre i lashtë, që shtrihej   thellë në veri dhe më vonë nga vendi ku kishin zënë pak rrënjë, po pretendonin  t’ i dëbonin edhe për në Turqi e gjithandej nëpër botë.
I heshtur dhe fjalë pak për nga natyra, Avdiu dukej sikur jetonte me botën e tij të kujtimeve të pandërprera, të cilat i regjistronte në kujtesë, i komentonte me të afërmit, shokët, bashkëmendimtarët më vonë edhe bashkëveprimtarët, me të cilët kishte vepruar legalisht dhe ilegalisht sipas rastit dhe nevojës.
100-vjetori i rikthimit në kujtesën kolektive kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Shqipëri, Kosovë dhe në viset shqiptare të okupuara nga Jugosllavia kishte rritur një shkallë të lartë të frymëzimit dhe mobilizimit kombëtar të shqiptarëve, duke ia sjellë trojeve Xhamadanin e  trimërisë së Mic Sokolit, Sefë Koshares, Ali Ibrës, Smajl Hysenit dhe trimave e trimëreshave nga çdo cep i Atdheut.
Pikërisht në  atë kohë, kishte marrë hov ideali i kalitur shqiptar dhe në mendjet atdhetare ishte rikthyer kujtesa për Motin e Madh, për Lidhjen Shqiptare, për realizimin e programit kombëtar, për atdhetarët, të cilët në krye me Bacë Adem Demaçin dergjeshin nëpër burgjet e Jugosllavisë. Propaganda kombëtare që shpërndahej nga Tirana zyrtare e kohës, ishte vënë në lëvizje me një gamë të madhe të shpërfaqjes, në shpërndarjen legale dhe ilegale të literaturës me përmbajtje kombëtare, në emisionet kombëtare në Radio dhe Televizion, me kontakte që veprimtarët e shquar mbanin me ambasadat dhe zyrtarët e Shqipërisë dhe  me mërgatën e cila bënte përpjekje të unifikohej.
Ajo ishte koha kur ai dhe bashkëmendimtarët kërkonin shtigje veprimi dhe bashkoheshin me qëllim për të mobilizuar radhët.
Avdiu shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Lypjan, ndërsa shkollën e mesme në Ferizaj. Në nëntor të vitit 1968, derisa ishte nxënës, në Ferizaj ka marrë pjesë në demonstratat e atij viti.
Ka kryer degën e Kimisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar mësimdhënës në Lypjan, pastaj, një kohë ka punuar edhe në Fabrikën “Mineks” të Ferizajt.
Në gjysmën e dytë të viteve 70, ka vënë kontakt me veprimtarët e lëvizjes së fshehtë patriotike dhe ka qenë në mesin e organizatorëve të LNÇKVSHJ-së (Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi). Duke folur për aktivitetin atdhetar të Avdiut në radhët e kësaj organizate, bashkëveprimtari i tij, Ramadan Pllana thotë: “Komitetin e parë vendor e krijuam në Lypjan në vitin 1979 bashkë me Avdi Kelmendin. Në komunën e Lypjanit kishim një numër të konsiderueshëm anëtarësh të Lëvizjes. Me Avdiun njihesha nga viti 1978, nëpërmjet shokut tim shumë të besueshëm, Ismet Beka nga Mazgiti i Kastriotit. Avdiu, ishte një veprimtar me përvojë, kishte shumë shokë në rrethin e vet, si në Lypjan, Ferizaj, e gjetiu. Ai,  sipas udhëzimeve të mia, kishte formuar Komitetin me disa anëtarë…”
Pas zbulimit të organizatës, inspektorët e UBD-së e burgosin Avdi Kelmendin dhe e dënojnë 5 vjet burg, të cilin e ka mbajtur në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Zajeçar, Nish.
Pas lirimit nga burgu, në vitin 1983, iu kishte marrë e drejta e punës jo vetëm në arsim, por kudo nëpër organizata puna apo edhe në fabrika, meqë konsiderohej  armik i regjimit.
Me qëllim për ta mbajtur dhe për ta ngritur familjen, asokohe Avdiu merret me punë fizike, punë në bujqësi, ndërtimtari.
Me disa nga shokët besnikë nuk e kishte ndërprerë komunikimin dhe veprimtarinë.
Ishte angazhuar në mesin e aktivistëve në Lëvizjen gjithë popullore për faljen e gjaqeve në krye me profesor Anton Çettën, ku kishte dhënë një kontribut të çmuar.
Në vitet 90, aktivitetin legal politik e kishte zhvilluar në Partinë Fshatare të Kosovës.

Në vitin e fundit të jetës kishte hetuar se shëndeti po i përkeqësohej, por nuk jepej para familjes dhe të afërmve.

Ishte i vetëdijshëm se armiku kishte goditur shumë kohë më parë dhe pasojat tashmë kishin dalë në sipërfaqe. Kishte brengë për të gjithë, veçmas për bijtë, Petritin e Gjirokastritin që po rriteshin si bij të babait, që konsiderohej armik nga regjimi dhe të cilët mund të pësonin nga çasti në çast. Largimi i Petritit për të shpëtuar nga kthetrat e milicisë së UDB-së, i kishte dhënë zemër, por  ia kishte shtuar edhe një brengë.
Muajt e vitit 1996 i kishin kaluar me ngut, me sëmundjen që e mbante fshehur, me frikë nga paparashikueshmëria. Në verë të atij viti kishte shkuar në Shqipëri dhe kishte takuar djalin, Petritin.
Ishte kthyer në Kosovë, me shpresa të vdjerra për veten, por me besim të patundur për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe.
Ishte dimri i acartë i vitit 1996, kur Avdi Kelmendi më 18 janar, thithi për herë të fundit ajrin e ftohtë të Kosovës, e cila po bëhej gati ta shqyente përgjithmonë vellon e robërisë dhe ta flakte tej tutje ajrin e rëndë, të ndotur e të helmuar  të ardhacakëve të përtej Karpateve.

Ahmet Qeriqi
18. 1. 2016

Kontrolloni gjithashtu

ASDRENI ( 1972-1947)

ASDRENI ( 1872-1947), poet, atdhetar dhe personalitet i njohur i Rilindjes Kombëtare shqiptare

Aleksandër Stavri Drenova, i njohur me emrin letrar, ASDRENI është emër personalitet shumë i njohur …