Avni Hajdin Klinaku (6.7.1973 -18.4.1999)

Avni Hajdin Klinaku (6.7.1973 -18.4.1999)

Avni Klinaku lindi më 6 korrik të vitit 1973 në fshatin Burim, ish – Bivolak, një fshat i njohur në historinë tonë kombëtare për trimëri dhe rezistencë kundër forcave okupatore serbe, qysh prej kohës së pushtimit të Kosovës nga ushtria okupatore e krajlëve serbë.

Hajdin Klinaku dhe bashkëshortja e tij, Xhemile Jashari- Klinaku, lindën dhe rriten 10 fëmijë, katër bij dhe gjashtë bija. Avniu ishte fëmija i katërt me radhë. Shkollën fillore e kreu në fshatin Gurakuq, ish- Gllavotin, ndërsa shkollën e plotë tetëvjeçare e kryen në fshatin Strofc. Mësimet e shkollës së mesme i mbaroi në gjimnazin “Muharrem Bekteshi” të Vushtrrisë. Për shkak se familja e tij shumanëtarësh jetonte me mund dhe punë të përbashkët fizike që bënte i ati dhe vëllezërit, Avniu nuk i vazhdon studimet.

Qysh i ri vëren padrejtësitë shoqërore, varfërinë e përgjithshme të shqiptarëve dhe dhunën që ushtronte pushteti okupator kundër tyre. Nën ndikim të dajës së tij, Jashar Jashari, dëshmor dhe nën ndikim të veprave që lexonte, ai kishte kuptuar me kohë se e vetmja rrugë për çlirimin e vendit ishte lufta e armatosur. Periudha e krismave të para të lirisë, Avniun e gjeti të përgatitur shpirtërisht dhe fizikisht. Përmes dajës së tij, Jashar Jasharit -komandant Duraku, vë kontakt me grupet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në maj të vitit 1998, Avniu pranohet në radhët e UÇK-së në njësitin të cilin e udhëhiqte daja i tij, Jashari. Ishte tërë shend dhe vrull në kohën e kyçjes në radhët e çlirimtarëve.

Më 11 qershor të vitit 1998, një patrullë e policisë serbe bën përpjekje për të depërtuar në fshatin Hamidi, i cili tanimë ishte nën vëzhgim të forcave të UÇK-së. Njësiti ku bënte pjesë edhe Avniu i kundërvihet me zjarr eskadronit vrastar serb. Edhe pse ishte një luftë e pabarabartë, forcat armike u kthyen me turp duke lënë disa policë të vrarë e të plagosur, një pizgauer të shkatërruar. Në luftime kundër serbëve, përveç komandant Jashar Jasharit marrin pjesë aktive edhe Avni Klinaku, Lulëzim Krasniqi, Arif Krasniqi, Sami Saraçi, Abedin Kelmendi e luftëtarë të tjerë.

Në fund të qershorit të po atij viti, Avniu i bashkohet Njësitit Special, i komanduar nga eprorët e UÇK-së Gani Lahu dhe Afrim Zhabari. Ky njësit fillimisht ka vepruar në fshatin Trimor ish-Zhilivodë. Më 19 korrik të vitit 1998, Avni Klinakun, së bashku me Jashar Jasharin dhe me disa bashkëluftëtarë si Asllan Klinaku, Emrush Klinaku e të tjerë merr rrugën për në Shqipëri për të marrë armë dhe municion, me qëllim të zgjerimit të radhëve të UÇK-së.

Pas kalimit të kufirit vendoset në fshatin Haxhaj të Tropojës. Pas disa ditë të qëndrimit në Shqipëri, Avniu me bashkëluftëtarët, pasi pajiset me armatim dhe municion rezervë, nis rrugën e kthimit për në pikat e frontit. Më 10 gusht të po atij viti, fillon depërtimin në rajonin e trekëndëshit kufitar Shqipëri – Kosovë – Mali i Zi. Gjatë natës, luftëtarët e lirisë biejnë në pritë të forcave serbe, por pas disa orë luftimesh arrijnë të hyjnë në territorin e Kosovës. Pas pesë ditë rrugëtimi nëpër brigje, pllaja e male shkëmbore, Avniu me bashkëluftëtarët e tij arrin në bazën ushtarake, në Trimor.

Në ofensivën e përgjithshme të forcave serbe, e cila filloi më 22 shtator 1998 në tërë rajonin e fshatrave të Qyqavisë, Avni Klinaku me bashkëluftëtarët barrikadohet dhe lufton përballë forcave serbe, në vijën e frontit Trimor – Sibovc – Strofc – Gurakuq – Beçuk.

Pas ristrukturimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në shtator të vitit 1998, Avniu sistemohet në Batalionin e Parë të Brigadës 142, të Zonës Operative të Shalës. Komandant i këtij batalioni ishte Aziz Bici, i njohur gjatë luftës si komandant Hafizi. Batalioni, asokohe bazën e vet e kishte në fshatin Trimor. Avniu ishte i gatshëm kurdoherë ku e kërkonte detyra e tij ushtarake. I afërt me shokët, trim dhe i guximshëm ai ishte gjithnjë në radhët e para gjatë luftimeve kundër forcave policore dhe ushtarake serbe.

Ka marrë pjesë në shumicën e luftimeve që janë zhvilluar në rrezen e veprimit të Brigadës 142, por edhe në vend luftime të tjera. Pas intervenimit të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, forcat ushtarake dhe policore serbe ndërmarrin një aksion të përgjithshëm për ta thyer rezistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ofensiva e 18 prillit e vitit 1999, ishte ofensiva më e fuqishme që ndërmori armata okupatore kundër bazave të UÇK-së, në të gjitha zonat e përfshira në luftime. Atë ditë forcat serbe kishin filluar sulmin me tërë arsenalin e armëve të lehta e të rënda të cilat i kishin vënë në përdorim. Avni Klinaku së bashku me bashkëluftëtarët: Asllan Klinaku, Emrush Klinaku e luftëtarë të tjerë ndodhej si kurdoherë në vijën e parë të fronit në fshatin Strofc. Nga kjo pikë serbët bëjnë përpjekje që sërish të depërtojnë në malet e Qyqavisë.

Gjatë luftimeve ballë për ballë, atë ditë ndër më të përgjakshmet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në altarin e atdheut biejnë trimërisht dhe heroikisht Avni Hajdin Klinaku dhe Januz Jashari.

Bashkëluftëtarët, fillimisht e varrosin në Strofc. Pas çlirimit trupat e Avniut dhe të dëshmorëve të tjerë të zonës Operative të Shalës rivarrosen në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Bletajë ish- Stanoc i Epërm.

Avniu nuk ka qenë i martuar. Ai ka lënë prindërit Hajdinin dhe Xhemilen, vëllezërit: Sabriun, Afrimin dhe Brahimin, motrat: Xhylferijen, Bukurijen, Bahrijen, Hykmeten, Bahtijen dhe Rabijen. Familjes së dëshmorit Avni Hajdin Klinaku i ka dhënë mirën- johje Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Kuvendi komunal i Vushtrrisë dhe instanca të tjera organizative e kulturore. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …