leoni

Avni Limon Dudi (15.6.1975 – 2.7.1999)

Avni Limon Dudi (15.6.1975 – 2.7.1999)

Familja Dudi nga Llausha e Besianës njihet si familje atdhetare, meqë ajo ka dhënë kontribut të vazhdueshëm për çështjen kombëtare. Në të gjitha luftërat që u zhvilluan në këto anë, pjesëtarët e kësaj familje ishin pjesëmarrës dhe çdoherë synim kishin çlirimin e vendit nga okupatori. Në Luftën e Dytë Botërore u vranë dy pjesëtarë nga kjo familje ndërsa u plagosën disa të tjerë. Luftëtar i njohur ishte edhe Ajet Dudi, gjyshi i dëshmorit, Avni Dudi. Edhe babai i dëshmorit, Limoni ka qenë pjesëmarrës i protestave dhe demonstratave të organizuara kundër okupatorit. Ai ishte pjesëmarrës i demonstrative të vitit 1968, 1981 dhe i të gjitha protestave të organizuar deri në daljen publike të UÇK-së. Për pjesëmarrje në demonstrate ishte burgosur më 1981. Pastaj në vitin 1985 qe burgosur dy herë dhe ka vuajtur nga dy muaj dënim. Në vitin 1993 ishte i përndjekur nga policia serbe ku edhe është keqtrajtuar fizikisht bashkë me Avniun dhe djemtë e tjerë. Tradita familjare dhe vuajtjet, që pësoi kjo familje nga policia e okupatorit bënë që Avniu të angazhohet edhe më shumë për çështjen kombëtare.
Limon Dudi ishte i martuar me Zylfie Ejupin nga Sekiraça, të cilëve u lindën pesë djem e një vajzë: Bedriu, Nexhmiu, Hava, Avniu, Remziu dhe Ajeti. Kushtet e rënda ekonomike nuk e gjunjëzuar këtë familje bujare dhe atdhetare, e cila kurdoherë qëndroi me nderë përball të gjitha rrebesheve. Limoni u detyrua që për disa vite të marr rrugën e mërgimit për të siguruar kafshatën për familje.
Një vit pasi kthehet Limoni nga mërgimi, në familjen Dudi, në fshatin Llaushë të Besianës, jo shumë larg kufirit me Serbinë, në Llaushën legjendare të shumë dëshmorëve të lirisë të brezave të ndryshëm, në Llaushën e vëllezërve dëshmorë të kombit Fahri dhe Bahri Fazliu, në familjen Dudi, më 15 qershor 1975 u lind dëshmori i kombit Avni Limon Dudi. Shkollimin fillor e kreu në shkollën e fshatit, ndërsa të mesmen në Besianë. Përpos që ishte nxënës shumë i mirë, ai ishte i shkathët dhe dallohej ndër shokë. Edhe përkundër dëshirës së tij të madhe që të vazhdonte shkollimin, për shkak të rrethanave të asaj kohe mbeti pa u regjistruar në Universitetin e Prishtinës.
Veprimtaria e tij atdhetare kishte filluar qysh herët në radhë të parë nga babi i tij i cili ishte edhe i ndjekur për shkak të veprimtarisë ardhetare. Avniu ishte pjesëmarrës i të gjitha protestave dhe demonstratave, që organizoheshin në Llap kundër okupatorit serbo. Ishte shumë aktiv në protestat që u organizuan në vitet 1990-1991 për ta kurorëzuar me pjesëmarrjen e tij në demonstratën studentore të 1 tetorit të vitit 1997. Edhe Avniu bashkë ma babain e tij, Limonin, ishin të ndjekur dhe kërkoheshin nga policia serbe, me pretekst për armëmbajtje pa leje.
Dalja në skenë e UÇK-së Avniun e gëzoi pa masë. Menjëherë posa filluan ushtrimet ushtarake, një grup i të rinjve llapjanë në Shalën e Bajgorës, Avniu pati kontaktet e para me UÇK-së. Ai mësyu Shalën e Bajgorës ku presëtarët e UÇK-së të ZOLL-it përgatiteshin për luftë kundër okupatorit serb. Ishte kjo koha para betejës së njohur të 15 shtatorit 1998 e Kaçanollit.
Mirëpo, pas kësaj beteje Avniu i fillon ushtrimet ushtarake në Llapashticë bashkë me shumë të rijnë të cilët i ushtronte Afrim Kadriu. Pasi i kreu ushtrimet, Avniu me 8 nëntor 1998 sistemohet në njësitin e komandant Bedri Ahmetit (dëshmor i kombit). Ai me vete kishte edhe armën personale të cilën e kishte marr nga shtëpia.
Përpos Avniut, në radhët e UÇK-së ishte edhe babi i tij, Limoni i cili mori pjesë në shumë beteja të zhvilluara në fshatrat e Llapit. Ai mori pjesë në betejat e zhvilluara në Gegaj (ish – Dobratin), Revuçë, Bradash, Buzëllap (ish-Dobërdol), Llaushë etj. Në këto beteja ishte me bashkëluftëtarët Sheqir Osmani, Ibush Salihu, Bajram Gashi, Osman Gashi, Idriz S.Gashi, Zahir e Faik Fetahu etj. Por kohë pas kohe takohej edhe në beteja me djalin Avniun për të cilin thotë se përveç që e kishte djalë e kishte edhe shok të mirë dhe bashkëluftëtar.
Pas strukturimit të UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, Avniu caktohet zëvendëskomandant i njësisë kundërajrore në Togun “Ulpiana 42”, Batalioni i Parë i Brigadës 151 “Zahir Pajaziti”. Edhe më vonë kur Zona e Llapit ka bërë strukturime të tjera, Avniu si ushtar i dalluar nëpër beteja është caktuar në njësitin elit të Batalionit të Pestë Gardist, në detyrën ndihmës komandant i togut.
Nga bashkëluftëtarët, Avniu kohën më të madhe e kaloi me Fahri Bicin me të cilin edhe ranë bashkë. Bashkëluftëtarë të tjerë të tij ishin edhe Zeqir Sadiku, Safet Përvetica, Fitim Zullufi, Nusret Mehmeti, Ilir Latifi si dhe babi i tij Limon Dudi.
Avniu mori pjesë në shumë beteja që UÇK-ja i zhvilloi në Zonën Operative të Llapit. Ka qenë pjesëmarrës edhe i betejave të lavdishme të UÇK-së të ZOLL-it që u zhvilluan në Llapashticë që njihen si “Betejat e Tabeve të Llapashticës”. Ai vend i njohur ishte fole dhe fortifikatë e UÇK-së, ku prej 15 shtatorit 1998 deri më 24 mars 1999 u thyen shumë ofensiva serbe, që mësyn pozicionet e UÇK-së. Në Betejën e 24 dhjetorit të vitit 1998, që është ndër betejat më të njohura në këto anë ku ishte pjesëmarrës edhe Anvi Dudi. Në këtë betejë u shua miti se ushtria serbe është e pamposhtur. U tregua se UÇK-ja ishte bërë faktori kryesor, i cili do të shpinte drejtë realizimit të synimeve tona shekullore. Kjo fitore erdhi me shumë sakrifica.
Përpos betejës së 24 dhjetorit 1998 ai mori pjesë edhe në betejat që u zhvilluan në periudhën janar-mars 1999 në Llapashticë, Kastrat, Bradash etj. Po ashtu Avniu mori pjesë në shumë aksione guerile të ndërmarra nga Batalioni i Pestë Gardist.
Pas përfundimit të luftës, më 2 korrik të vitit 1999, Avniu me bashkëluftëtarin e vet të pandarë, Fahri Bici, vriten aksidentalisht nga pjesëtarët e KFOR-it, prapa Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Derisa qytetarët kremtonin këtë ditë Avniu dhe Fahriu ishin në detyrë, si ndihmëskomandant i togut me gradën toger. Me nderime të larta është varrosur në vendlindjen e tij në Llaushë të Besianës më 11 korrik 1999. Gjatë luftës është vrarë edhe kushëriri i Avniut, Avdullah Dudi.
Avniu ka lënë djalin, Ilirin, i cili kishte vetëm gjashtë muaj kur babai ra dëshmor. Në shenjë kujtimi është ngritur pllaka përkujtimore në vendin e rënies, prapa Teatrit Kombëtar në Prishtinë.
Deri më tani për Avniun janë botuar shkrime në gazeta dhe revista si dhe në dy libra për dëshmorët e kombit. Të gjitha pajisjet personale që i ka bartur gjatë luftës përveç armës i ruan familja në shenjë kujtimi për Avniun. Për kontributin e tij në luftën çlirimtare është dekoruar me dekorata dhe mirënjohje nga SHP i UÇK-së të ZOLL, SHFD etj. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …