leoni

Avni Rrustemi (1895- 1924)

Avni Rrustemi (1895- 1924)

Avni Rrustemi, njëri ndër emrat më militantë të historisë së kombit shqiptar, atdhetari i cili e shtriu përdhe tradhtinë esattoptaniste, zogolliane, u lind  më 22 shtator 1895 në Libohovë, në një familje atdhetare. Mësimet fillore i mori në vendlindje. Mësimet e shkollës së mesme i mori në Normalen e Elbasanit. Më vonë  shoki për studime në Shën Mitër Korone në Itali, kurse studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës.

Në vitin 1908 kishte braktisur shkollën për t’u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit. Në vitin 1910 bëri një përpjekje për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane gjeneral Shefqet Turgut pashën. Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke. Më 1918, me nismën e tij u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin “Djalëria e Vlorës”. Në krye të saj organizoi demonstratën anti-imperialiste të 28 nëntorit të vitit 1918 kundër pushtuesve italianë. Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër Korone në Itali krijoi “Lidhjen e Rinisë Shqiptare” për mbrojtjen e të drejtave kombëtare.

Punoi si mësues në Libohovë në vitin 1910, pastaj në Tragjas të Vlorës  në vitin 1913, në Tepelenë gjatë viteve 1916-1917) dhe në Vlorë (1917-1918).

Më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris Esad pashë Toptanin. Anatole de Monzie, avokati i Avniut, e cilësoi aktin si “krim pasional me nxitje të një populli të tërë”. Libohoviti u lirua pas gjashtë muajsh.

Me t’u kthyer në Shqipëri, në dhjetor 1920 ai filloi punën për bashkimin e shoqërive demokratike ekzistuese në një organizatë të vetme. Kongresi i mbajtur më 25 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri që mori emrin federata “Atdheu”. Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi. Me nismën e tij u krijuan dhe organizata profesionale të mësuesve. Pas mbylljes së federatës “Atdheu”, në gusht 1922 përsëri me nismën e mësuesit patriot  më 13 tetor 1922 u krijua në Tiranë shoqëria demokratike “Bashkimi”. Avni Rustemi nuk qe vetëm organizatori kryesor i shoqërive demokratike, por edhe një ndër ideologët më të shquar demokratë. Idetë e tij, të formuluara në një sërë fjalimesh e artikujsh publicistikë u bënë armë e fuqishme në duart e rinisë demokratike e të masave të shtypura punonjëse. “Kur qeveria, nuk plotëson nevojat më me rëndësi që ka kombi,- thoshte ai, atëherë kjo nevojë duhet të realizohet me interesimin e pjesës së organizuar të popullit e ta bëjmë ne qeverinë që ta ndjejë këtë nevojë”. Daljen e vendit nga prapambetja Avni Rustemi e shikonte në zhvillimin e ekonomisë së pavarur kombëtare. “Pa pavarësi ekonomike, – shkruan ai, – nuk mund të ketë pavarësi politike”. Idetë e tij demokratike e revolucionare ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku u zgjodh deputet nga populli i ish-prefekturës së Kosovës. Ai kritikoi me guxim shpërdorimet e aparatit burokratik të kohës, fodullëkun e injorancën e klasave sunduese reaksionare dhe mbrojti me zjarr traditat e popullit tonë dhe të drejtat e shqiptarëve që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi.

Më 20 prill të vitit  1924 pranë Pazarit të Ri në Tiranë, plagoset për vdekje nga mercenari Isuf Reçi, të cilin e kishte paguar për atë atentat mizor vetë,  Ahmet Zogu.  Në atë pasdite prilli derisa po shetiste me Hoxha Kadri Prishtinën, vrasësi e godet  Avninë pas shpine, nën shpatull të majtë, duke i shkaktuar një plagë të çrregulltë që e shpuri drejt një hemoragjie të pakthyeshme deri kur dha shpirt 2 ditë më vonë, më 22 prill. Zemrën ia nxorën për ta ruajtur dhe trupin ia ballsamosën dhe e transportuan në Vlorë për varrim. Vrasja e deputetit shërbeu si shkëndijë e Lëvizjen që triumfoi më 10 qershor 1924, me ç rast forcat demoktarike revolucionare morën pushtetin në krye me Fan Nolin, Bajram Currin, Elez Isufin, Hasan Prishtinën dhe krahun më përparimtar të shoqërisë shqiptare të Kohës. Vepra heroike e Avni Rrystemi ka qenë dhe ka mbetur burim frymëzimi për atdhetarët e vërtetë, për të gjithë militantët e lirisë.

Kontrolloni gjithashtu

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine lindi në Vithkuq të Korçës në vitin 1844. Mori pjesë në Lëvizjen e …