Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 - 22.4.1999)

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 – 22.4.1999)

Fshati Mushtisht i komunës së Therandës shtrihet rrëzë Bjeshkëve të Sharrit dhe në luftën e fundit nga ky fshat morën pjesë shumë luftëtarë, prej të cilëve ranë dëshmorë 3, ndërsa 9 ushtarë janë plagosur.
Azemi lindi më 10.5.1968 në Mushtisht. Ishte fëmija i gjashtë i prindërve Vehbi dhe Ferdeze Behluli. Kur i kishte vetëm gjashtë muaj i vdes babai, kështu që në moshë të njomë ai nuk shijon dashurinë atërore. Fëmijërinë e hershme e kalon në një skamje të madhe, sepse të gjithë vëllezërit e motrat (Haxhiu, Musliu, Hajrushi, Shyqeria e Elfia) ishin të mitur. Origjina e Azem Behlulit trashëgohet nga gjeni patriotik i nënës së tij, Ferdezes, e cila ishte mbesa e Eqrem Mustafës, bashkëluftëtar i Bajram Currit, si dhe trashëgimi nga babai, Vehbi Behluli, i cili, për shkak të ndjenjave atdhetare, ka qenë i leçitur nga regjimi titist deri në vdekje.
Shkollën fillore Azemi e kryen në Mushtisht, ndërsa të mesmen në Therandë. Studion në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës, por, për shkak të rrethanave që u krijuan atëbotë nga regjimi serb, nuk arrin të diplomojë. Prej vitit 1992 punon në ndërmarrjen “Afërdita SH”, ndërsa prej vitit 1995 deri më 1997 do ta udhëheqë këtë ndërmarrje. Veprimtaria e kësaj ndërmarrjeje ka qenë – përgatitja dhe editimi i audio programeve muzikore, kryesisht të këngëtares Shkurte Fejza dhe të këngëtarëve që kanë kultivuar muzikë të mirëfilltë shqiptare. Që prej fillimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka ndihmuar këtë ushtri me mjete materiale derisa është inkuadruar edhe vetë drejtpërdrejt në radhët e saj.
Me rastin e Thirrjes së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për mobilizim të përgjithshëm, më 1.4.1999, Azem Behluli, me shumë djem të tjerë të fshatit Mushtisht, si Bafti Shala, Gazmend Aliu, Mehdi Jakupi etj., vesh uniformën e UÇK-së. Azemi iu bashkua radhëve të UÇK-së në fshatin Maçitevë, në Kompaninë III të Batalionit II të Brigadës 123 të Zonës Operative të Pashtrikut.
Që nga 23 marsi i vitit 1999, sidomos pas sulmeve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë e të policisë serbe, forcat serbe fillojnë një ofensivë në shkallë të gjerë kundër pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përballjet e UÇK-së me forcat armike në drejtim të këtij fshati fillonin nga Brezovica e Shtërpca, nga Varret e Krushqve mbi Biti, nga Guri i Dellocit, nga Bjeshka e Bukoshit dhe nga Padeshi. Ushtarët e UÇK-së mbronin pozicionet përball Gurit të Kuq, Gurëve të Tahirit, në Kodrën e Studenicës dhe mbi Mushtisht. Nga këto pozicione luftëtarët e lirisë i thyen shumë herë forcat serbe, duke iu shkaktuar humbje të mëdha në njerëz dhe në armatim, madje gjatë një ofensive iu pat mbetur edhe flamuri i tyre në Kodrën e Studenicës.
Në shtator të vitit 1998, kompania e lartpërmendur e pati goditur helikopterin e policisë, kur ai kalon mbi pozicionet e UÇK-së te Guri i Kuq në ahishtat e Bugogllavës.
Në betejat e egra e të fuqishme të 19, 20, 21 dhe 22 prillit, që ishin një vazhdimësi e pakëputshme e tyre, mbrojtja e pozicioneve të UÇK-së dhe e popullatës zgjati plot 43 ditë pandërprerë derisa forcat serbe u thyen definitivisht dhe lëshuan Kosovën. Në shumë nga këto beteja ranë ushtarë të UÇK-së. Vetëm nga Batalioni i dytë në Budakovë kanë rënë 31 dëshmorë.
Në njërën nga këto beteja të ashpra, e cila zhvillohet afër Shkollës Fillore të fshatit Gurkuq dhe e cila kishte filluar me sulmet e forcave serbe në mëngjesin e 20 prillit, bie heroikisht, më 22 prill 1999, në orën 16:30, trimi i këtyre anëve, Azem Behluli. Azemi me shokët e tij nuk kishte lëvizur nga istikami për tri ditë rresht, derisa goditet nga një plumb snajperi. Po atë natë, Azemi është varrosur nga luftëtarët e lirisë, me nderime ushtarake, në varrezat e fshatit Maçitevë, i bartur dy-tre kilometra nën breshërinë e plumbave nga bashkëluftëtarët: Jakup Jakupi, Bekim Avdylaga, Mehdi Jakupi, Kujtim Jakupi, Medrit Mustafa dhe Avdi Jakupi. Në momentin e rënies në istikam, afër tij kanë qenë, përveç luftëtarëve të lartpërmendur, edhe Burim Abazi, Hysen Bajselmanaj e Faruk Kokaj. Nënë Ferdezja lajmin e kobshëm e mori në Tiranë, atje ku ishte deportuar nga forcat kriminale serbe së bashku me qindra-mijëra shqiptarë të tjerë. Ajo nuk u ligështua, përkundrazi, gjeti forcë e i tha këto fjalë: “Edhe pse e rrita me thonj të duarve, hallall i qoftë gjiri që ja kam dhënë, e paskam pasë rritur për Kosovën!”.
Të njëjtën ditë, më 22 prill 1999, përkrah dëshmorit Azem Behluli, plagosen edhe luftëtarët e lirisë: Jahir Ndrecaj, Hysen Ndrecaj dhe Azem Aliu. Në këtë betejë të ashpër e të pabarabartë, armiku pati shumë të vrarë e të plagosur.
Bashkëluftëtarët ruajnë kujtime të paharrueshme për Azemin. Ja si e kujton këtë luftëtar Sadik Halitjaha, zv. komandant i ZOP, ish-komandant dhe themelues i Batalionit të Dytë të Budakovës, Njësisë së cilës i takonte dëshmori Azem Behluli: “Dëshmorin Azem Behluli e kujtojmë si dëshmorin më të sakrificës, më të përkushtuarin e më trimin të Njësisë së UÇK-së”.
Komandanti i Kompanisë III e bashkëluftëtar i Azemit, Halil Krasniqi, ndër të tjera, kështu e kujton këtë luftëtar të lirisë: “Kjo ditë ka qenë dita më e lumtur e Azemit. Ai që nga mëngjesi me nxitim dhe guxim të paparë hidhej i pari në istikam duke thënë: “Edhe sot, edhe sot, se më s’do të shkelë këmbë shkjau në Kosovë”. Azem Behluli na del përpara me pamjen e tij që shëmbëllente ushtarin e përvjetshëm, që i thërret lirisë “Edhe sot…, edhe sot, pastaj do të fluturojmë në qiellin e lirë të Kosovës, istikamin tim mos ma zini, aty unë përsëri do të vigjiloj”. Azemi bie, duke dhënë shembullin më të rrallë se si luftohet burrërisht, se si krijohet pavdekësia.
Trupi i dëshmorit Azem Behluli prehet së bashku me 72 dëshmorët e Therandës në Varrezat e Dëshmorëve, ku është rivarrosur më 18.9. 1999. Ai është përjetësuar në pllakën përkujtimore te vendi i rënies në Gurkuq, afër shkollës, në lapidarin e 31 dëshmorëve në Budakovë dhe në lapidarin e fshatit ku lindi, në Mushtisht, së bashku me Bafti Shalën dhe Gazmend Aliun.
Dëshmori Azem Behluli ka lënë pas bashkëshorten, Naxhijen dhe tri vajzat: Adean, Zaninën dhe Azrën, të cilat do të jenë përherë krenare për veprën e babait të tyre.
Pas rënies, Qeveria e Përkohshme e Kosovës-Ministria e Mbrojtjes i ka dhënë Mirënjohje. Fakulteti Ekonomik, student i të cilit ishte Azemi, e ka shpallur Student dëshmor. Shoqata e Produksioneve Muzikore e Kosovës ka marrë emrin e dëshmorit Azem Behluli. Kuvendi i Komunës i Therandës i ka dhënë Mirënjohje.
Dëshmorit Azem Behluli i janë thurur vargje dhe i janë kushtuar këngë. (Sh. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna …