leoni

Bafti Jemin Shala (13.4.1969-26.4.1999)

Bafti Jemin Shala (13.4.1969-26.4.1999)

“Amanet, ju mori motra:

Dilni n’ male e hajdi n’ kodra,

Hajdi n ‘ Malet e Budakovës,

Për m ‘i pa djemt’ e Kosovës

Safet Kicën e Bujar Buzhalën,

Smajl Bytyçin e Bafti Shalën … “

(rapsodi për Batalionin e Budakovës)

Ndër fshatrat e parë të cilët në arealin luftarak të Anadrinit u organizuan për një rezistencë të armatosur, menjëherë pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Anadri më 26 prill 1998, është edhe fshati Mushtisht, rrëzë Maleve të Sharrit, të njohur përherë në trojet etnike për këngën e bukur patriotike të Shkurte Fejzës, Shyhrete Behlulit, Remzije Osmanit e të motrave Mustafa, që frymëzuan dhe ushqyen luftëtarët e lirisë.

Veprimtaria ilegale e Lëvizjes Popullore të Kosovës në fshatrat e rajonit të Therandës, qoftë kah Anadrini, qoftë kah Malet e Sharrit, përherë ishte e gjallë, ndërsa dinamika e shtrirjes së aktiviteteve prej vitit 1968 zë të përshpejtohej. Në këtë rrafsh të veprimit shquheshin veprimtarët si: Besim Ndreca, Kadri e Murat Kokollari, Ismail Bytyçi, Florim e Safet Kicaj, Emrush e Bujar Buzhala, Azem Behluli, Zenel Curraj, Sabit Lushaj, Xhemshir Xhernshiri, Emin Musliu, Murat Kadrijaj, Riza Kadolli, Valdet Gashi, Xhemajl Rexhaj, Xhemajl Rama, Smajl Ahmetaj, Zenel Morina, Sherif Buça, Naser Tafaj, Zaim Muçaj, Zymer Kepa, Hazir Selimaj, Gazmend Alia, Jetullah Qarri, Sadik Halitjaha, Besim Baraliu, Bajram Bekteshi, Ramadan Hoti, Ukshin Morina, Nezir Kryeziu, Ilaz Kadolli, Fetah Gega, Xhavit Bajraktari, Gafurr Elshani, Hysen Gega, e shumë të tjerë.

Pas atentatit të Besim Ndrecës mbi Dragan Shoshkiqin, Lëvizja Popullore e Kosovës ndryshoi mënyrën e veprimit, përshpejtoi dinamikën e shtrirjes dhe strategjinë. Në ditët kur Kosova jehonte prej krismave të Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prekaz ain legjendar të Drenicës heroike, një pjesë e veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare që gjendej në mërgim dhe zë të përgatitej për të depërtuar në Shqipëri, ndërsa pjesa që me entuziazëm i pati nisur studimet në Universitetin e Prishtinës, braktisi amfiteatrot dhe në vend të indeksave mori në dorë armën e lirisë duke u kthyer nëpër vendlindjet e tyre për t’u bshkuar me formacionet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila veç kishte filluar me aksionet guerile anembanë Kosovës.

Dëshmori i kombit Bafti Shala, i Jeminit dhe i nënës Nazife, të lindur Aliu nga Mushtishti i Therandës, i vëllai i Nuhiut, Ademit, Samiut, Zadës, Rrushes dhe Florisë, bashkëshort i Halimes, sot baba i vocërrakut tashmë të burrëruar, Blendar Shala, është i lindur më 13 prill 1969 në fshatin Mushtisht të Therandës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje duke dëgjuar këngët e Shkurte Fejzës e të Shyhrete Behlulit për trimërinë e burrave të shquar të Nënsharrit, të Anadrinit dhe të trojeve etnike.

Me të mbaruar gjimnazin në Therandë, rregjistrohet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës dhe me sukes të shquar arriti të absolovojë, mirëpo gjatë mbarimit të stazhit të absolventit punësohet në Shkollën Fillore “Edit Durham” si mësimdhënës  në Mushtisht e Dolloc.

Si intelektual, ishte në rrjedhat rreth përgatitjes së instrumentit të forcës prandaj në këto rrjedha kyçet në vitin 1997, menjëherë pas ceremonialit të përcjelljes së mësuesit-dëshmor Halit Geci nga Llausha, ndërsa me organizimin e formimit të çelulave të para të armatosura në fshatrat: Mushtisht, Dolloc, Maçitevë, Sopi, Grejkoc, Gjinoc, Dubravë, Vraniq, Savrovë, Grajçec, Papaz, Dardhishtë e Epërme, Budakovë, Dardhishtë e Ulët, Muhalan, Reçan e Therandë, zë të merret menjëherë në fillim të pranverës së vitit 1998.

Ato ishin ditët kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte filluar ta shtrinte aktivitetin kryengritës edhe në rajonin e komunës së Therandës, prandaj edhe Bafti Shala, i gatshëm që të sakrifikohej për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, radhitet në formacionet e vullnetarëve dhe rrinte në gjendje gatishmërie. Në fillim vepronte si mbështetje në logjistikë dhe vëzhgues i lëvizjeve të forcave ushtarake e paramilitare serboçetnike në aksin rrugor Prizren- Therandë e në arterie të tjera që e lidhnin këtë aks me fshatrat kah Maçiteva e Budakova.

Bafti Shala karakterizohej me një shkathtësi kooperimi; instruksionet i merrte prej shtabeve më të afërme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës veprimtari që zgjati deri në konstituimin e Brigadës 123 të Therandës kur edhe sistemohet në Togun II, Batalioni II në Brigadën 123. Shquhet me guxim e vendosmëri të madhe, si intelektual kishte disiplinë ushtarake dhe vigjilencë prandaj edhe mund ta ushtronte ndikimin mbi të tjerët me anë të shembullit të vet. Pothuajse nuk ka veprimtari me karakter defansiv e ofensive të mos ketë marrë pjesë arsimtari-luftëtar Bafti Shala; veçanërisht në luftimet e Dardhishtës, Vranishtit e të Buzhalës.

Prej 21 prillit e deri më 1 maj, policia serboçetnike dhe ushtria, me sulme të sinkronizuara, ndërmori një ofensivë të egër kundër pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fillimisht në Bukosh. E këtyre ditëve e të kësaj ofensive janë luftimet e Bukoshit në të cilat ushtria serboçetnike pësoi humbje të mëdha e ashtu e thërmuar detyrohet të kthehet sërish në aksin e magjistrales Prizren-Prishtinë, afër Therandës. Kjo rezistencë titanike e luftëtarëve të Brigadës 123, tmerron çetnikët e dehur e të shthurur prandaj fillon përgatitjet e reja për t’i rënë edhe një herë Bukoshit më 26 prill kur depërton në pozicione të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por vetëm pas rënies së dy dëshmorëve e plagosjes së dhjetëra luftëtarëve të Brigadës 123 të Therandë. Por, mëngjesi i 26 prillit ishte një ditë me shi e mjegull kurse artileria serbe granaton në mënyrë të pandërprerë. Luftëtarët nuk i braktisin pozicionet dhe në altarin e lirisë përjetësohen: Bafti Shala, uragan i Mushtishtit dhe e Selim Veselaj, stuhi e Reçanit, ndërsa plagosen Qamil Veseli e Asllan Kadolli.

Trupat e dëshmorëve Bafti Shala e Selim Veselaj mbeten zjarrit, por luftëtarët e lirisë: Xhemajl Ramaj, Vahid Veselaj, Fahri Veselaj e Sadri Kadolli, nuk i lënë, bëjnë përpjekjet maksimale dhe arrijnë që t’i tërheqin nga istikamet në vijë të zjarrit. Përcjellja e fundit e shokëve të rënë në altarin e lirisë bëhet në Lagjen Palusha të Budakovës, ndërsa të plagosurit vendosen për t’u kuruar në spitalin ushtarak të Budakovës e pastaj transferohen në spitalin e Mollopolcit. Pas ndërprerjes së aktiviteteve luftarake në Zonën Operative të Pashtrikut, edhe trupi i Bahti Shalës bartet në “Kopshtin e Dëshmorëve” në Therandë, aty ku janë edhe të gjithë dëshmorët e Brigadës 123 të Therandës.

Sot, therandasit dhe banorët e Mushtishtit, Bafti Shalën e kujtojnë si student të dalluar, mësues të vyeshëm e luftëtar me tipare burrërore; i zeshkët, shtathedhur, shumë besnik dhe koperativ me kolektivin e shkollës “Edit Durham” e me bashkëluftëtarët, ndërsa vocërraku Blendar Shala shumë pak e mban në mend fanë, por përpiqet të burrërohet dhe ta mbajë imazhin si në mësime ashtu edhe gjatë lëvizjeve nëpër fshatin Mushtisht dhe të gjithë i kanë lakmi. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …