leoni

Bahri Bivolaku

Bahri Bivolaku: Kulla e Azem Bejtë Galicës, frymëzim brezash

Në Galicë të Vushtrrisë, sot më 19 gusht 2016, u rivarrosën eshtrat e familjarëve të Azem Bejtë Galicës, të vrarë nga forcat serbe 96 vjet më parë në malet e Dubocit. Ceremonia e rivarrimit të tyre në kompleksin e kullës së Azem Bejtë Galicës, u bë nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli. Me këtë akt përfundohet njëra nga obligimet kombëtare që kemi ndaj familjes së kryetrimit. Kryetari i Kuvendit, Veseli, shprehu gatishmërinë e angazhimit maksimal që edhe eshtrat e bashkëluftëtares, e e cila njëkohësisht ishte edhe bashkëshortja e tij t’i kthehen vendlindjes, përkatësisht këtij kompleksi. Në fshatin Galicë të Vushtrrisë është ringritur kulla-kala e Azem Galicës, pikërisht aty ku kishte qëndruar si vendstrehë e shumë trimave në luftën për liri para afër 100 viteve. Nga ajo kullë kryetrimi, Azem Bejtë Galica udhëhoqi çetat në mbi 60 beteja fitimtare kundër pushtuesve kryesisht serb.

Me gurët e kullës së Azemit u ndërtua shkolla e Prekazit

Sipas rrëfimeve të pleqve pak para vdekjes Azemi pat thënë: “ Po vdes dhe po shkoj në atë jetë, po mbesë i etshëm që se pata një njeri të meqëm me i tregu Evropës se po luftojmë për liri, për flamurin tonë e jo siç po gënjen gjithkund Nikolla Pashiqi se po luftojmë për fe ”. Kjo thënie e Azemit e thënë atyre viteve ka porosinë e qartë për brezat që do të vinin në luftën për liri të vendit që krahas pushkës të mendojnë edhe për diplomacinë. Këtë amanet të tij mendoj ta kenë kuptuar drejtë drejtuesit e UÇK-së dhe e kanë sendërtuar dhe fituar luftën dhe bindur botën se po luftojnë për liri. Siç tregojnë pleqtë e kësaj ane, kulla e Azemit përkundër dëmtimeve nga gjylet e topave i ka qëndruar stoikisht edhe pas vrasjes së trimit, por që më vonë me iniciativë të kolonëve serb ajo shkatërrohet, porse gurët e kësaj kulle që rritën e brymosën trimin kombëtarisht dhe në të gjetën strehën shumë trima tjerë, u shfryzëtuan për të ndërtuar një vatër diturie për të rinjët, siç ishte shkolla e Prekazit. Çfarë simbolike, amaneti i Azemit për dije e dituri nuk ka se si të mos realizohej edhe pas vdekjes së tij. Gurët e kullës së Azemit, asaj kullë qendrese kombëtare tani po kalitnin fëmijët e Prekazit. Fëmijët e Prekazit të brymosur në atë shkollë pas ca vitesh rriten dhe i kthejnë pushkën pushtuesit të prirë nga komandanti i tyre Adem Jashari. Ata me gjakun e tyre sollën lirinë dhe krijuan kushtet që të rindërtohet kulla e Azem Bejtë Galicës.

Historia e nxerrjes së eshtrave të Azemit

Siç rrëfen shkrimtari, Bedri Tahiri në librin e tij “Abdyl Krasnqi Frymëzues Brezash”, historia e nxjerrjes së eshtrave ka si personazh kryesor mësuesin dhe atdhetarin e Drenocit të Malishevës, Abdyl Krasniqin. Momenti vendimtar për të ndërmarrë këtë akt heroik ishte biseda me dajën e Abdylit, Kadri Imer Berishën, nga Gjurgjeviku i Madh. Ai Azemin e kishte pasur jo vetëm udhëheqës, por edhe shok e vëlla. Ai edhe e frymëzoi Abdylin për t’iu rrek punës dhe bashkë me ekspeditën prej më se 15 vetash nga fshatrat përreth filloi me punën. Me 22 Maj 1971 në orën 09:00 të mëngjesit iu afruan grykës së shpellës “Çuku që kërcet” dhe duke e menduar shpellën shumë të thellë me vete kishin marrë litarin e gjatë 100 metra. Abdyli i përgatitur mirë shpirtërisht e fizikisht nisi të lëshohej gurmazit të asaj shpelle enigmatike, nëpër të cilën pos Azemit të pashpirt s’kishte kaluar askush. Me vete kishte maskën dhe llambën, të cilën e kishte siguruar në xeherorën e kromit në Zatriq të Rahovecit. Litarin e mbanin dajë Kadri Imer Berisha dhe i unxhi Ibrahim Krasniqi. Bashkë me të në shpellë u lëshua edhe Cenë Gashi nga Përçeva. Abdyl Krasniqi sakaq u gjend në fundin e shpellës së errët enigmatike. Zuri të hjek gurë e dhe, që për 47 vjet kishin rënduar mbi skeletin e legjendës, në këtë thellësi prej 73 metrash. Pas nëntë orë punë të pandërprerë me shat e lopatë, me kujdesin më të madh u grumbullan eshtrat e trimit të pavdekshëm, Azem Bejtë Galicës. Pasi i vendosi në një çarçaf të bardhë(me kohë e kishte menduar këtë gjë), i vuri në gjoks, dhe e lëkundi litarin për ta tërhequr lartë. Sakaq shpella zu të buçiste fuqishëm nga zëri i Abdyl Krasniqit: “O pritne Azem Galicën se edhe nga toka po fluturon”. Në tërë këtë aktivitet për rikthimin e eshtrave të Azem Bejtë Galicës kanë marrë pjesë edhe një delegacion nga Vushtrria, duke përfshirë edhe familjarë të Azemit, si baca Adem.

Si u bë varrimi i eshtrave të Azem Bejtë Galicës?

Nuk i di preferencat, se pse u drejtua pikërisht tek unë, porse me 27 qershor të vitit 1971 më hynë në zyrë Abdyl Krasniqi me një bohqe të madhe mbi supe dhe pas një bisede të shkurtër, pasi që njiheshim më tregoi se mbi supe kishte eshtrat e nxjerrura nga ai nga shpella me ndihmën e bijës Xhevës dhe ca fshatarëve. Kështu nisi rrëfimin plaku Fevzi Dërvari, që asokohe kryente funksionin e sekretarit të Kuvendit Komunal. ” Atë ditë kam filluar të punoj për organizimin sa më të mirë të ceremonisë së varrimit, pasi që më parë vendosëm që varrimi të bëhet ditën e nesërme ” thotë Dërvari. Ai më pas tregon që ta ketë ftuar doktorin, i cili punonte në shtëpinë e shëndetit në Vushtrri, shqiptarin Sako Sakoja, i ardhur nga Prespa për të bërë rivendosjen e eshtrave si dhe fotografistin e qytetit Nesim Spahiun, i cili në mënyrë profesionale e ka fotografuar tërë ceremoninë e varrimit. ” E kam pasur një album të tërë të fotografive nga ajo ngjarje, porse në luftën e fundit më janë djegur bashkë me shtëpinë, porse shpresoj se me një angazhim mund ta gjejmë filmin, pasi ai ekziston ” thotë i bindur Dërvari. Ai thotë që një numër të madh të këtyre fotografive, por dhe mjaft materiale tjera të rëndësishme të historisë si shënimet e masakrës së Tivarit t’i ketëë dhënë Zeqirja Kosovës nga fshati Koreticë dhe përmes tij janë dërguar për botim në gazetën “Besa” në Stamboll si organ i lidhjes shqiptare.

Më 28 qershor të vitit 1971 në prani të 300-400 qytetarëve, kryesisht të fshatrave përreth është bërë varrimi i eshtrave të Azemit. Varrin e kemi hapur pikërisht në oborrin e kullës së tij, ndërsa pas përfundimit të varrimit në shkollën e fshatit Galicë u shtrua një drekë e organizuar nga ne me pjesëmarrësit e varrimit në shenjë të asaj se kishim arritur ta çojmë një amanet të heroit, për ta varrosur në vendlindje, thotë Dërvari.

Vushtrria dhe Azemi

Te qytetarët e moshuar të komunës së Vushtrrisë por edhe më gjerë ruhen tregimet për të bëmat e kryetrimit Azem Bejtë Galicës. Njëri nga ta Bedri Xhema thotë që Azem e Shota kanë qenë të ngazëllyer nga  mrekullitë e urës. Ata me çetën e tyre jo rrallë ishin ndalur për të pushuar nën harqet e kësaj ure. Siç tregohet në popull, gjatë një pushimi të tillë Azemi mer një rrasë guri dhe e vendos në një vend të lartë dhe nga Ura e Gurit fillojnë të gjuajnë në shenjë. Thuhet që Shota ta ketë qëlluar shenjën në mes të gurit, gjersa Azemi më në qosh, me vetëdëshirë për ta respektuar gjininë tjetër. Nga ky qast  të rinjtë e këtij rrethi e kishin provuar qitje  mu në atë vend për të shëndrruar në traditë veprimin e tillë. Një ndodhi interesante e tregon edhe Nesim Ispahiu të dëgjuar nga  Jusuf Kajashi. Azemi kur vinte në Vushtrri, pjesën e çetës që e shoqëronte e lente tek Ura e Gurit, gjersa vet hynte në qytetin e Vushtrrisë dhe takohej me bashkëveprimtarët nëpër kafeçajtoret e qytetit. Nëse kishte probleme apo shqiptarëve u shkaktonte dikush probleme, ai ndërhynte menjëherë. Gjatë këtij rrugëtimi të tij në pritë i del për ta vrarë edhe një serb në fshatrat e Artakollit, por Azemi në dyluftim me të e plagos dhe nuk e vranë. Ai ka jetuar me plagë për kohë të gjatë.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …