Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës së Vushtrrisë. Ishte djali i pestë me radhë ndër fëmijët e prindërve Ferat e Nurie Kuçi: Sadijes, Fahriut, Nazmijes, Muharremit, Bahriut, Avdullahut, Miradijes, Adnanit.
Shkollën fillore e kreu në Vushtrri, ndërkaq shkollën e mesme teknike – dega e makinerisë, e kreu në Vushtrri. Profesioni i vazhdueshëm i Bahriut ishte bujqësia dhe blegtoria, sepse nuk pati mundësi të punësohet ndokund. Kishte mjaft dëshirë të dëgjojë histori kombëtare, sidomos për luftërat e të parëve për liri, por edhe për familjen e tij. Ishte i pashëm, shtatgjatë, shpatullgjerë, fizikisht i zhvilluar dhe shikimbutë për të vetin, por edhe i ashpër për armikun.
Beteja e Prekazit e gjen Bahriun në detyrën e vëzhguesit. Angazhohet për strehimin e familjeve të shpërngulura nga flaka e luftës në Drenicë dhe të vendosura në Vushtrri e rrethinë, duke u kujdesur për ushqimin, fjetjen e barnat. Kështu, në mars të vitit 1988, bie në kontakt me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Inkuadrohet nëradhët e UÇK-së më 29 maj të vitit 1998 dhe aty mori nofkën “Luani”.
Ushtrimet ushtarake i kreu te eprori Afrim Zhabari. Bashkë me të tjerët, si Lavdim Pllana, Remzi Përronaj, Naim Hoxha, Lutfi Ibishi, Shukri Ademi, Blerim Krasniqi Blerim Maloku marshuan në Shalë e Qyqavicës. Fillimisht u angazhua në Trimor, në Njësitin Special të Batalionit të Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës. Për Bahriun, pos tjerash, këngëtari, hartoi edhe këto vargje:
“U radhit në mes luftëtarëve/ Në Trimor, njësi speciale/ Shpalos vlerat e trimërisë/ Në betejën e Hamidisë”.
Më 2 korrik 1998, bashkë me dhjetë ushtarë të njësitit të tij, shkoi në Shqipëri për armatosje. Me të kthyer, te Rrasa e Zogut bie në pritë. Aty bie edhe dëshmori Ramadan Fazliu, ndërkaq, plagosen: Isa Istrefi, Sadri dhe Hazir Kuçi. Ndërkohë, Bahriu për së dyti herë merr rrugën për në Shqipëri, por në Junik has në shokë të vrarë e të plagosur dhe detyrohet të kthehet.
Bahriu veproi në Sukë, në rrethin e fshatit Trimor, në kuadër të njësitit special të Batalionit të Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës, te komandanti Fatmir Humolli.
Në janar 1999, komanda e UÇK-së, Bahriun e emëron komandant të Togës III të Kompanisë së Dytë të Batalionit II të Brigadës 142, detyrë të cilën e kreu me nder deri në rënie.
Mori pjesë në betejat në Hamidi, në qershor të vitit 1998, ku forcat policore-ushtarake serbe pësuan humbje në njerëz dhe teknikë, në Lugmir (ish-Dolak), në Akrashticë, në Bukosh etj.
Më 22 shkurt 1998, në breg të fshatrave Shtruerë (ish-Shtitaricë), Lugmir (ish-Dolak) dhe në Akrashticë u zhvillua betejë e ashpër, ku focat serbe patën sulmuar pozicionet e UÇK-së dhe pika ku ishte vendosur njësiti i komandant “Luanit”. Pas dy orësh, armiku detyrohet të tërhiqet me humbje të mëdha në ushtarë dhe teknikë ushtarake.
Më 11 mars 1999 Bahriu ishte i patundur në pozicionet e veta në Sukë të Balincit, me gjithë betejat e ashpra e të njëpasnjëshme në Ashlan. Por, beteja e kësaj dite zgjerohet edhe në pika të tjera, andaj edhe në pikën e Sukës së Balincit, ku ishin të pozicionuar Bahri Kuçi, Bashkim Shala dhe Lulëzim Zeqa. Lufta zhvillohet në distancë të afërt, prej rreth 15-20 metrash.
Pas një beteje të ashpër, një predhë granate shpërthen pranë Bahriut. Në atë rast plagosen luftëtarët Bashkimi dhe Lulzimi, nga fshati Akrashticë i Vushtrrisë.
Në orët e mbrëmjes, më 11 mars 1999, disa bashkëluftëtarë e tërheqin nga pozicioni i rënies, nën breshërinë e granatimeve të vazhdueshme dhe e varrosin në varrezat e Ashlanit. Pas çlirimit, Bahriut i bëhet rivarrimi në varrezat e dëshmorëve të Vushtrrisë me rrethinë në fshatin Bletajë, së bashku me dëshmorët e tjerë.
Një ndër komandantët e kompanive të Batalionit të Dytë, Shasivar Shala, për Bahri Kuçin, ka vlerësuar: “Bahriu ishte një luftëtar i pashoq. Ai i kryente të gjitha detyrat që i ngarkoheshin, duke mos i u lëkundur për asnjë moment nga pozicionet e luftës.
Bahriu ishte martuar në tetor të vitit 1998 me Zojë Rifat Hetemin nga fshati Krasaliq të Skënderajt. Pesë muaj pas rënies së Bahriut, më 2 gusht 1999, ajo lindi vajzën, të cilën e pagëzuan me emrin Liri.
Emrin e Bahriut e mban shkolla fillore e vendlindjes, në Shtruerë. Në oborrin e asaj shkolle sot shkëlqen madhështor busti i këtij dëshmori. Ndërkaq, portreti i Bahriut është i skalitur edhe në lapidarin e qytetit të Vushtrrisë, bashkë me të gjithë dëshmorëve të tjerë të kësaj treve.
Familja e dëshmorit ka marrë Mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, si dhe nga KK i Vushtrrisë. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna …