Bajram Hysen Veliu (20.6.1967 - 21.7.1998)

Bajram Hysen Veliu (20.6.1967 – 21.7.1998)

Nuk ka më të madhërishëm se dëshmorët e lirisë e nuk ka vdekje më madhështore se vdekja në themelet e atdheut dhe, në rënien e luftëtarit të lirisë, aty është përjetësia. Dëshmorët e Anadrinit morën përjetësinë gjatë luftimeve nëpër betejat e Anadrinit si në Bardhatin më 12 maj të vitit 1998, në Drinas më 6 qershor, në Gardhisht, më 14 maj, në Kromnik më 16 qershor, në Reti më 14 korrik, në Rahavec më 17-25 korrik, në Fortesës më 18 korrik dhe në shumë luftime e beteja të tjera të Rrafshit të Anadrinit të brojtur mirë si kah Llapusha e Drenica ashtu edhe kah Rrafshi i Dukagjinit.
Forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të strukturuara në Batalionin e Rahavecit, në korrik të vitit 1998 u përqëndruan përgjatë pjesës veriore të Rahavecit, ose përreth pikës më të rëndësishme të njohur si “Rrasat e Rahavecit”. Kjo pikë e njohur për pjesën dërmuese të luftëtarëve të lirisë sajon rajonin më të rëndësishëm dhe më funksional për korridoret që i duheshin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si: “Lugu i Zhdredhës”, “Lugu i Remnikut”, Berjaka dhe Fortesa, për dalje kah Hasi. Bri “Rrasave të Rahavecit” shtrihet edhe udhëkryqi më i rëndësishëm në këtë aks rajonal që vjen prej fshatit Xërxë në drejtim të Malishevës dhe Prishtinës dhe prej Kromniku nëpër Drenaj kah Theranda, rrëzë Zatriqit e Shkozës, prandaj ngjarjet e korrikut në Rahavec dhe lidhur me Rahavecin, fillojnë në këtë pike, rreth të cilës ranë 25 dëshmorë e 90 qytetarë civilë të paarmatosur. Kështu, në korrikun e Rahavecit dhe të Anadrinit, në frontet jugore, veriore, lindore e perëndimore ranë: Agim Çelaj, Abdullah Bugari, Gani Paçarizi, Agim Kelmendi, Tafil Zyberaj, Afrim Krasniqi, Arian Brahimi, Bekim Isma, Eshrafedin Kastrati, Mizahir Isma, Gëzim Hamza, Gëzim Mullabazi, Habib Berisha, prof. Hamdi Berisha, Liman Gegaj, Ramadan Morina, Ruzhdi Xhuliqi, Samir e Xhafer Nurkasa, Sadik Shala, Xhevat Kasapi, Skënder Jahë Kastrati, Faik Rama, ndërsa pa gjurmë edhe sot e kësaj dite mbetet luftëtari i lirisë Remzi Sadri Ukshini. Në këto ditë të korrikut, kur çdo gjë digjej në Rahavecin e Tonit e të Micit, përjetësohet edhe dëshmori i kombit Bajram Hysen Veliu.
Bajram Hysen Veliu është i lindur në Rahavec më 20 qershor të vitit 1967. Doli prej një familje shumë të varfër. Shkollën fillore, me shumë vështirësi e me skamje ekstreme e mbaroi në vendlindje dhe nuk kishte mundësi që ta vazhdojë shkollimin e mesëm në Rahavec. I ati, Hyseni, përpiqej që me punë krahu t’i rrisë fëmijët: Jusufin, Bajramin dhe bijat Mjeremin dhe Nexhminë dhe Hilminë. Por edhe pse i varfër, Hyseni njihej si burrë trim, i vendosur, shumë bujar dhe mikpritës. Që në fëmijëri, Bajram Veliu ishte i detyruar që të punojë punë të ndryshme, ndër më të rëndat, vetëm e vetëm që t’ua lehtësojë brengat të et Hysenit dhe nënës Zejnepe, prandaj edhe punët e ndryshme, ndër më të rëndat, që i bënte Bajrami, e kalitën dhe e burrëruan para kohe. Kështu, duke u rritur e duke punuar si punëtor krahu, mbushej me urrejtje ndaj policisë dhe tërë sistemit të dhunës në Kosovë e veçanërisht në administratën komunale të Rahavecit. Policia serbe çdo ditë e më shumë armatoste paramilitarë dhe rekrutonte serbë nga Rahaveci, Bardhatini, Hoça e Madhe, Zaçishti, Apterrushi dhe Retia, prandaj edhe formimin e instrumentit të forces, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bajram Veliu e priti me gëzim shumë të madh. Kështu, prej turmës së protestuesve të Rahavecit, të Krushës së Madhe e të Drinasit ku përkraheshin Drenica e Gllogjani, Bajram Veliu kërkon mënyrën se si të armatoset dhe t’i bashkohet komandant Xhelal Hajdës – Tonit në Shtabin Operativ Lokal që gjatë atyre ditëve gjendej në fshatin Astarzup të Llapushës, ku edhe zuri fill Batalioni i Rahavecit. Brenga e Bajramit tani shtohet edhe më shumë dhe orientohet në armatosjen e shokëve dhe kështu sistemohet me detyrë në kuadër të skuadrës “Lejlekët” nën komandën e Gëzim Hamzës – Piktorit dhe prej 1 korriku të vitit 1998, Bajram Veliu vepron me vullnetin më të madh në zgjerimin dhe forcimin e Batalionit të Rahavecit. Gradualisht, duke u shtrirë ky formacion, veçanërisht “Lejlekët” brenda Batalionit të Rahavecit, Bajrami, vepron me entuziazmin më të madh shtrin veprimtarinë edhe në brendinë e Rahavecit, veçanërisht në paralagjen “Dr. Ali Sokoli”. Shpesh depërton në këtë pjesë të qytetit prej nga kishte shumë luftëtarë të lirisë, kontakton me të afërmit dhe me rininë e lagjes ngase gëzonte respekt të madh. Dëshirë e Bajramit ishte që të mobilizojë edhe më shumë të rinj të kësaj pjese të Rahavecit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Së shpejti, prej “Rrasave të Rahavecit”, Bajrami kalon në drejtimin e “Kryqit të Aliagës”, “Lugut të Rrapishtës” e “Maleve të Pisjakut”, në drejtim të Celinës, e së andejmi nëpër kurrizin e “Teheve” edhe kah brendia e Rahavecit, te hunda e bri streheve të Stacionit Policor të Rahavecit. Veprimtarinë patrulluese e zhvillon së bashku me Abdullah Bugarin, Gëzim Mullabazin, Mizahir Ismën, Samir Nurkasën, Xhafer Nurkasën, Xhevat Kasapin, Bekim Ismën dhe Faik Ramën, sot të gjithë dëshmorë të kombit. Të gjithë vepronin për t’i vënë istikamet ofensive kah “Tumba e Hamzagës” në drejtimet “Bllatë”, “Lugu i Jollxhijës”, “Hamocet” dhe “Rrihjet e Rahavecit”. Bajrami kishte besim të madh në Xhelal Hajdën-Tonin, të cilin edhe e donte pa masë, dhe kështu e përjetoi rëndë mungesën e Tonit gjatë luftimeve në Rahavec dhe në Fortesë, përkatësisht në fshatrat përreth Rahavecit.
Më 21 korrik Bajram Veliu së bashku me kushëririn Nazim Veliu e luftëtarët drenicas Ajvaz Berishën e Ilir Dugollin, shpërthen i mbështetur prej një grupi luftëtarësh nga Brestosi, Hoça e Vogë, Krusha e Madhe e Celina dhe del prej paralagjes “Dr. Ali Sokoli” të Rahavecit në drejtim të “Tumbës së Hamzagës” me detyrë që t’u prijë bashkëluftëtarëve nga Drenica dhe popullatës civile që shtegtonte kah Celina nga se Rahaveci digjej në flakë e zjarr.
Sipas këtij plani, pjesa e banorëve të Rahavecit, nëpër fusha e prozhme përreth “Liqenit të Bllatës” e nëpër “Hamocet” kah “Lugu i Jollxhijës”, duhej të kalonte në fshatin Celinë, por pas rënies së dëshmorëve: Agim Çelaj, Sadik, Shala, Liman Gegaj, Afrim Krasniqi, Faik Rama e Remzi Ukshini, afër “Ujësjellësit të Rahavecit”, dhe pas thyerjes së “Shpatit të Pallaticës”, me rënien e profesor Hamdi Berishës nga Gurbardhi i Llapushës, e te ”Kroni i Kajës”, ku përjetësohet luftëtari i lirisë, ekonomisti nga Bardhi i Malishevës, Afrim Fazli Krasniqi, Bajram Veliu gjendet në shënjestër të paramilitarëve që kishin depërtuar dhe i marrin pozicionet në “Tumbën e Hamzagës”. Me marrjen e këtyre pozicioneve prioritare në tumul, paramilitarët e tërbuar për shkak të humbjeve të mëdha në teknikë e njerëz gjatë luftimeve në Rahavec e përreth Rahavecit, veçanërisht në Fortesë, shtënë mbi çdo cak të lëvizshëm e të palëvizshëm përreth “Liqenit të Bllatës” dhe “Tumbës së Hamzagës”. Prej këtyre të shtënave përjetësohet edhe luftëtari i lirisë Bajram Hysen Veliu që përpiqej për t’u qepur kah “Kodrat e Teftedarkës” e brigjet e “Rrihjeve të Rahavecit”.
Kështu, jo larg “Liqenit të Bllatës” merr përjetësinë edhe Bajrami, jo larg Afrim Fazli Krasniqit që ra te “Kroni i Kajës”. Gjatë tërheqjes së popullatës civile nga Rahaveci, nëpër këtë rajon, të afërmit e Bajramit arrijnë për ta tërhequr trupin e pajetë të të vëllajt dhe e varrosin shumë afër vendit të rënies, nën hijen e shkurreve dhe buzë “Liqenit të Bllatës”. Komandantët e Batalionit të Rahavecit, Toni e Mici, bënë të pamundurën për ta gjetur trupin e pajetë të dëshmorit Bjram Veliu, por çdo gjë dështonte pasi që atë pjesë e mbanin paramilitarët dhe luftëtarët serboçetnikë të Zhelko Razhnatoviq-Arkanit, i cili personalisht pati komanduar me këto forca, madje me shumë gjeste tentoi për të prodhuar simpati te fëmijët ndërsa popullata tërhiqej kah Celina. Edhe sot fëmijët e mbajnë në mend Arkanin që u shpërndante çokolata. Në Maj të vitit 1999, madje në fillim të këtij muaji, luftëtarët e Brigadës 124 “Gani Paçarizi” të Zonës Operative të Pashtrikut, nën komandën e Tahir Sinanit, dhe Batalioni i Rahavecit me komandant Ismet Tarën i njohur si “Hoxha”, kompania e Bekim Sylkës, rikthehen në pozicionet e korrikut të vitit 1998 dhe pozicionohen pranë rrezores ku pushonte trupi i pajetë i dëshmorit Bajram Valiu, buzë “Liqenit të Bllatës” e rrëzë kodrave të bukura vreshtare të Anadrinit përreth “Tumbës së Hamzagës”. Në qershor të vitit 1999 bashkëluftëtarët marrin trupin e pajetë dhe e rivendosin në “Kopshtin e Dëshmorëve” në krye të “Lugjeve të Verdha” të Rahavecit pranë dëshmorëve: Bekim Sylka, Sadedin Hajda, e Mexhit Mustafa, ndërsa sot aty pushojnë të gjithë dëshmorët e Rahavecit, bashkëluftëtarë të Tonit e të Micit, pranë të cilëve vajtojnë edhe motrat e Bajram Veliut; Mejremi, Nexhmija dhe Hilmija.
Në të djathtë të rajonales në drejtimin Malishevë – Xërxë, sot” Rruga e UÇK”-së, që kalon kah dhe bri “Ujësjellësit të Rahavecit”, pranë pllakave përkujtimore për dëshmorët e “Betejës te Ujësjellësi”; Agim Çelajt prej Peje, Sadik Shalës prej Kleçke, Hamdi Berishës prej Gurbardhi, Liman Gegajt prej Zogajve të Maleve të Berishës, Afrim Krasniqi prej Bardhi të Malishevës, gjendet edhe pllaka përkujtimore e dëshmorit Bajram Hysen Veliu, sendërtuar me simbolin e lisave të prerë e të rrëzuar përdhe e, që patjetër u bie në sy kalimtarëve, veçanërisht mbishkrimi “Vazhdoni së andejmi ku mbetëm ne!” që mbetet amanet i të gjithë dëshmorëve, ndërsa prindët e luftëtarit të zhdukur pa gjurmë e nëmë, Remzi Sadri Ukshinin e Rahavecit shpresojnë se një ditë do të gjendet edhe “Zulmi ose varri” i Remziut pas Faik Ramës të zbuluar kohëve të fundit lapidari i të cilit do të vendoset pranë Bajram Hysen Veliut. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …