Bashkim Ramush Vishi (18.5.1977 - 28.9.1998)

Bashkim Ramush Vishi (18.5.1977 – 28.9.1998)

Më 18 maj të vitit 1977, në shtëpinë bujare e atdhetare të Ramush Vishit, në Dubravë, u dha lajmi për lindjen e djalit, trashëgimtarit të familjes, vëlla i pesë motrave, djalë i dëshirit. Djalin e pagëzuan me emrin Bashkim, një aspiratë e kahershme e liridashësve të Kosovës në përgjithësi e në veçanti e malësorëve të Kaçanikut, të cilët me rezistencën dhe trimërinë e tyre shekullore bënë emër qysh nga Lufta e Kosovës, dhe në të gjitha luftërat tjera kundër pushtuesve, deri në epopenë lavdiplote të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës.
Bashkimi ishte i biri i Ramush Vishit, nga fshati Dubravë, një burrë bujar i shquar për trimëri e atdhedashuri. Mësimet fillestare i mori në vendlindje, në shkollën fillore, e cila mban emrin e militantit dhe revolucionarit Kadri Zeka. Edhe pse kishte dëshirë të shkollohej, për shkak se ishte i vetmi djalë i familjes ai angazhohet në punë, duke i ndihmuar babait, për ta ngritur ekonomikisht familjen.
I rritur dhe i edukuar me ndjenja patriotike dhe i bindur se liria nuk vjen vetvetiu, as duke pritur, Bashkim Vishi, edhe pse i ri iu kishte bashkuar krahut militant atdhetar. Lufta në Drenicë, rënia heroike e legjendarit Adem Jashari dhe e Jasharëve të tjerë, i japin impulse këtij trimi të ri revolucionar. Mori pjesë aktive në demonstratat që u zhvilluan në kaçanik dhe në tërë Kosovën me moton “Drenicë jemi me ty”.
Qysh në maj të vitit 1998, u bashkohet grupve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat kishin filluar të pozicionoheshin në Zonën e Neredimes. Qëllimin e tij për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së ia bën të ditur babait, motrave dhe shokut të ngushtë, Nazim Terziut.
Në gjysmën e dytë të majit, së bashku me shokun e tij të idealit, Nazim Tërziun depërton në Jezerc dhe përnjëherë pranohet në radhët e luftëtarëve të lirisë. Fillimisht sistemohet në radhët e njësitit të Kaçanikut, së bashku me Nazim Tërziun. Ramadan Xhoklin, Bekim Vishin e të tjerë. Synimi i tij ashtu sikurse edhe i shumë luftëtarëve të rajonit të Kaçanikut, ishte që sa më parë të zgjeroheshin radhët çlirimtare edhe në Malësinë heroike të kësaj ane. Bashkimi ishte në njohuri se grupi militant i Agim Bajramit, Xheladin Kurtajt, Besnik Beguncës e të tjerë po vepronte në drejtim të krijimit të pikave të UÇK-së në fshatrat e Kaçanikut.
Pas disa muaj shërbimi në Zonën e Neredimes, Bashkim Vishi në gjysmën e parë të muajit shtator të vitit 1998, kthehet në familje, për t`i parë prindërit dhe motrat. Pas pak ditë qëndrimi dhe çmalljeje në familje, sërish kthehet në pikën e tij luftarake në Jezerc.
Asokohe, me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, Bashkim Vishi sistemohet në radhët e brigadës 162, “Agim Bajrami”. Komandant i kësaj Brigade ishte veprimtari dhe luftëtari i mirënjohur i zonës, Qamil Ilazi, i mbiquajtur Komandant Bardhi.
Në ditët e fundit të shtatorit, më 25.26,27 dhe 28 shtator 1998, forcat serbe fillojnë ofensivën e madhe ushtarake kundër të gjitha zonave të UÇK-së. Ofensiva të ashpëra ishin ndërmarrë sidomos në Drenicë, në rajonin e Qyqavicës dhe në Zonën Operative të Neredimes. Armiku kishte filluar granatimin me një rreze të gjerë veprimi, duke sulmuar nga bazat e forta ushtarake, nga vendi Te Gështenjat e Shtimes, si dhe nga Neredimja, Budakova, Gremja, Zaskoku, nga Zhupa e Siriniqit, Pleshina e Gremja. Rrethi manovrues i luftëtarëve të lirisë po ngushtohej nga të gjitha anët, por trimat çlirimtarë kishin zënë pozicionet dhe nuk tundeshin nga istikamet.
Një përqëndrim i madh i forcave armike ishte bërë në vendin e quajtur Te Kalaja e Jezercit. Më 28 shtator ishte dita e katërt e luftimeve. Në ballin e luftës kundër forcave armike të cilat po bënin përpjekje për të depërtuar, Te Kalaja, qëndronin të pathyeshëm: Bashkim Vishi, Gursel Sylejmani, Bajram Sylejmani, Kemajl Hetemi, Nazim Terziu e të tjerë Ata po shkruanin faqe të ndritshme të lavdisë dhe të heroizmit. I ndodhur përballë forcave okupatore shumëfish më të mëdha në numër, luftëtari sypatrembur Bashkim Vishi, duke mos lëvizur nga istikami, lufton ballë për ballë kundër forcave të armikut.
Më 28 shtator, Bashkim Vishi bie në altarin e atdheut. Ai kishte rënë në pikën e dytë, në Lagjen e quajtur Prorok të fshatit Jezerc. Po atë ditë, në përpjekje për ta tërhequr nga vendi ku kishte rënë bashkëluftëtari dhe shoku i tij i idealit, bie edhe Nazim Terziu, i cili nën breshërinë armike kishte arritur në istikame për t’iu sjellë luftëtarëve bukën, meqë kishin tri ditë pa ngrënë. Përveç Bashkim Vishit dhe Naim Terziut, në ditën e hënë të 28 shtatorit në altarin e lirisë në bastionet e pamposhtura të UÇK-së, në fshatin Jezerc bien edhe: Bajram Sylejmani, Kemajl Hetemi, Gursel Sylejmani, Arsim Zeqiri, Lulëzim Guta, Sejdi Sejdiu dhe Salih Baliu.
Trupin e dëshmorit Bashkim Vishi, bashkëluftëtarët e tij fillimisht e kanë varrosur në malet e Neredimes. Pas luftës ata e rivarrosin në varrezat e dëshmorëve të Kaçanikut. Në shenjë nderimi dhe përkujtimi, në pesëvjetorin e rënies është ngritur pllaka përkujtimore në vendlindjen e tij, te shkolla e fshatit Dubravë. Bashkimi nuk ka qenë i martuar.
Familja e Bashkim Vishit, pas luftës çlirimtare dhe fitorës së UÇK-së ka marrë mirënjohejt meritore për birin dëshmor. Me mirënjoheje dëshmorin Bashkim Vishi e ka nderuar Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme, Shtabi i Përgjithsëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe asociacionet e dala nga lufta e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës.
Për dëshmorin Bashkim Vishi ka shkruan eproi i UÇK-TMK-së Hajrush Kurtaj në librin monografik Shumgullon Gryka e Kaçanikut. (A.Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës …