leoni

Bashkim Sami Emini (28.2.1976 – 9.8.1998)

Sami Emini dhe bashkëshortja e tij Remzija, nga fshati Zotaj (ish-Vojnovc) i Shtimes rritën shtatë bijë: Eminin, Agimin, Rrahimin, Naserin, Skënderin, Bashkimin (tani dëshmor), Ademin, Elhamen, Selveten, Zyrafeten dhe Zejnepen. Sami Emini, gjatë tërë jetës punoi për mirëqenien e familjes, duke ua mundësuar arsimimin bijve dhe bijave, të cilëve iu dha një edukatë të pastër kombëtare e shoqërore.
Bashkimi ishte fëmija i nëntë me radhë nga vëllezërit e motrat. Lindi më 28 shkurt të viti 1976 në fshatin Zotaj, ish-Vojnovc të komunës së Shtimes. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa mësimet e shkollës së mesme i mbaroi në gjimnazin “Naim Frashëri” në Shtime. Pas mbarimit me sukses të shkollës së mesme, regjistrohet në Fakultetin e Kulturës Fizike në Prishtinë, ku edhe absolvoi në afatin rekord. Mësuesi i tij, Murtez Asllani, e përshkruan nxënësin dëshmor me tipare të një djaloshi fjalëpak, i motivuar në mësime dhe i edukuar kombëtarisht. Ishte i urtë, i rregullt dhe i zgjuar në mësime, i zhdërvjellët, i pashëm. Një djalosh që e donte lirinë më shumë se jetën. Ka marrë pjesë në protestën studentore të 1 tetorit të vitit 1987 në Prishtinë, me ç’rast është keqtrajtuar nga policia serbe.
Në fillim të përhapjes së pikave të para të UÇK-së në fshatrat e Drenicës jugore e deri në Zborc e Carralevë, Bashkimi përmes shokëve të besuar më 10 qershor depërton në fshatin Pjetërshticë, ku ishte krijuar pika ushtarake e UÇK-së. Asokohe u pranua në radhët e shumë çlirimtarëve si nga Drenica po ashtu edhe nga fshatrat e rrethit të Shtimes.
Duke qenë se vullnetarët e lirisë po shtoheshin, ndërsa në anën tjetër kishte mungesë të shprehur të armatimit dhe municionit, Bashkimi ashtu sikurse edhe shumë bashkëluftëtarë të tij, nisen për në Shqipëri, me qëllim për të marrë armë dhe municion.
Bashkëluftëtari i tij, Blerim Ramadani rrëfen se ai së bashku me Bashkim Eminin, Arben Hysenin, Agron Ramadanin nga Godanci në mesin e 74 bashkëluftëtarëve, më 15 korrik 1998 janë nisur për në Shqipëri. Udhëheqës të grupit ishin: Afrim Musliu nga Belinci dhe Nuhi Jakupi nga Reçaku.
Nga zona e Neredimes e deri në Gllogjanin e Haradinajve vullnetarët e përkushtuar të lirisë depërtuan herë nëpër automjetet e UÇK-së e herë këmbë, ashtu sikur e kërkonin rrethanat dhe kushtet. Të gjithë ishin të rinj dhe as era nuk i bënte zap, as kishin fare frikë nga shtigjet që kishte zënë armiku. Ishin shend e gëzim, sepse rrugën drejt lirisë, me shembullin e tij e kishte trasuar legjendari, Adem Jashari, me familjen së tij të ngushtë e të gjerë.
Udhëtimi nga Glloxhani nëpër Junik është bërë për gjashtë orë, meqë forcat serbe kishin hetuar grupin dhe po bënin përpjekje ta asgjësonin. Në mësymjen e tretë luftëtarët e lirisë kishin kaluar kufirin, i cili tashmë ishte bërë i kalueshëm për liridashësit qoftë edhe duke e përgjakur atë me gjakun e njomë të tyre. Formacioni fillimisht ishte sistemuar në Pikën stërvitore të Tropojës ku ndodhej edhe komandanti i stërvitjes, Safet Syla, nga Reçaku. Bashkim Emini me bashkëluftëtarët gjatë qëndrimit tri javë në Tropojë ishin stërvitur në disiplina të caktuara dhe kurdoherë kishte qenë ndër më të suksesshmit sidomos në përdorimin e armëve.
Më 8 gusht 1998, Bashkim Emini, Arsim Bega, Arben Hyseni, Hyzer Zuka, Afrim Bajrami, Blerim Ramadani e dhjetëra luftëtarë të tjerë, në krye me komandantët tashmë të mirënjohur si: Afrim Musliu, Safet Syla, Nuhi Jakupi e të tjerë fillojnë depërtimin nga bjeshkët e Junikut. Duke qenë se depërtimi nëpër Junik ishte pamundësuar për shkak të përforcimeve të shumta, që kishte dislokuar ushtria dhe policia serbe, kreu i formacionit të luftëtarëve të lirisë, të cilët kishin ngarkuar mbi supe armë dhe municion për vete dhe për shokët, fillojnë të depërtojnë nëpër bjeshkët e larta të Pashtrikut.
Duke përkujtuar çastet e depërtimit nëpër malet e Pashtrikut eprori i UÇK-së, tani kolonel i TMK-së Safet Syla rrëfen:
“Në ato momente kur filloi beteja, e cila zgjati tërë natën dhe vazhdoi edhe ditën e nesërme mbi fshatin Plane të komunës së Prizrenit, edhe pse verë ishte një natë e ftohtë me plot murmurimë dhe vetëtimë të shpeshta kohë pas kohe ndriçonte dhe nga ajo dritë ngase lart i vërenim fytyrat gjakatare të militarëve dhe paramilitarëve serbë, të cilët pa ndërprerë shtinin me të gjitha llojet e armëve në drejtimin tonë. Beteja po zhvillohej në një distancë të shkurtër nga afërsia, ku ne gjuanim edhe bomba dore. Në një moment u ndal zjarri, nga të dyja anët. Pas një kohe duke vëzhguar terrenin pashë Bashkim Eminin, i cili ishte afër meje. “Si të kam? – i thashë. “Kurrë më mirë”- mu përgjigj. Ishim lodhur e rraskapitur nga pesha mbi supe, të ftohtit nga shiu dhe lodhja pas një rruge shumë të gjatë e të mundimshme. Formuam kolonën dhe u nisëm përpara. Ndërkohë filloi edhe sulmi i dytë nga forca armike, një sulm i rrufeshëm, me ç rast është sulmuar balli, mesi dhe fundi i kolonës. Morëm pozicione mbrojtjeje, por terreni ishte i hapur dhe mjaft i papërshtatshëm. Pozicionet tona ishin gurët dhe asgjë tjetër. Breshëria e armës armike nuk kishte të ndalur. Afër meje qëndronte Bashkimi. Nga vetëtima e herëpashershme e shihja dhe më shihte. Atij i shkëlqenin sytë nga ngazëllimi.
Bashkimi vazhdonte të hapte zjarr kundër forcave serbe. Ndërkohë filloi të depërtonte drejt forcave armike. Dëgjoja rafalet e pandërprera të automatikut të tij nga ana e djathë. Në çast ato u ndërprenë, ose u përzien me rafale të tjera. Fillimisht mendova se iu mbarua municioni… Beteja ishte e rrufeshme, Forcat armike ishin shumëfish më të mëdha dhe me armatim shumë më të fortë. Ishte natë me terr, dhe vetëm nga drita e vetëtimave vërejta se Bashkimi kishte mbetur ne vendin ku ne nuk mund të afroheshim. Beteja ka vazhduar deri në mëngjes. Forcat serbe kishin inkuadruar në operacionin e tyre edhe helikopterët e ndër ta edhe helikopteri me kryq të kuq, i cili po ashtu na granatonte”, thotë kolonel Safet Syla.
Atë ditë, më 9 gusht të vitit 1998, në malet e Pashtrikut kishin rënë trimërisht: Bashkim Emini dhe Arsim Bega, ndërsa ishin plagosur shtatë luftëtarë të tjerë, në mesin e tyre edhe komandanti Safet Syla.
Trupin e Bashkimit bashkëluftëtarët nuk kishin arritur ta tërhiqnin. Ndërkohë trupin e tij e kishin varrosur në varrezat e Prizrenit. Familja nuk dinte për vendin e varrimit. Vetëm pas luftës, në saje të një dëshmitari dhe varrmihësve nga Prizreni, është zbuluar varri i dëshmorit. Rivarrimi i trupit të dëshmorit, u bë në Zotaj, më 20 nëntor të vitit 1999, në prani të mijëra pjesëmarrësve, bashkëluftëtarëve, invalidëve dhe familjarëve të dëshmorëve.
Me Dekretligjin nr.122 , më 5 dhjetor të vitit 1999, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-TMK-së, Bashkim Sami Eminin e shpalli “dëshmor të kombit”.
Familja e dëshmorit Bashkim Emini, ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga Kuvendi Komunal i Shtimes dhe nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.
Familja e dëshmorit është nderuar me “Mirënjohje” në Manifestimin “Flaka e Janarit” në Gjilan në janar të vitit 2000.
Për jetën dhe veprën e tij janë botuar disa shkrime në gazetat e përditshme dhe periodike, si në gazetën “Çlirimi”. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …