Nesër nderohet heroi i kombit gjeneralmajor Bedri Shala

Bedri Veli Shala (2.6.1969 – 10.8.1998)

Bedri Shala lindi më 2 qershor të vitit 1969, në fshatin Gjergjicë të komunës së Drenasit (ish-Gllogoc). Familja e tij njihej për tradita të shquara të atdhetarisë.

Babai dhe xhaxhallarët e Bedriut kishin marrë pjesë në luftimet kundër forcave okupatore sllave në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Bedriu, shkollën fillore e kreu në fshatin Arllat ndërsa shkollimin e mesëm e vazhdoi në Drenas. Ai ishte nxënës i zgjuar. Në vitet ’80, me rastin e arrestimit të të vëllait, Shabanit, për veprimtari kundër shtetit, edhe Bedriu, ndonëse në moshë të re, u ballafaqua me brutalitetin dhe dhunën e policisë jugosllave. Pas kësaj kohe, ai u arrestua dhe u keqtrajtua disa herë nga kjo polici. Që i ri, Bedriu, përmes vëllait të tij, Shabanit, njihet me disa veprimtarë të lëvizjes ilegale si, Fehmi Lladrovci, Elmi Zekaj, Idriz Hysenaj e të tjerë. I edukuar në frymë të atdhetarisë, Bedriu mori pjesë në shumë aktivitete të organizuara antijugosllave, në Drenicë.

Një ndikim të veçantë te Bedriu bëri demonstrata e 31 janarit të vitit 1990 në Drenas, me ç’rast policia serbe vrau tre dhe plagosi dhjetëra demonstrues. Bedriu së bashku me shokët e tij Enver Karaxha, Sahit Shala, Shani Morina, Ramiz Lladrovci e të tjerë ishte në ballë të kësaj demonstrate. Nga sulmi gjakatar i policisë serbe bien dëshmorë: Enver Karaxha, Sahit Shala dhe Shani Monna, ndërsa u plagosën rëndë e lehtë edhe 27 demonstrues të tjerë. Asokohe ai i shpëton arrestimit.

Në shtëpinë e Bedriut, më 1 dhe 2 janar të vitit 1992, janë strehuar për disa ditë luftëtarët e bërthamës së parë të UÇK-së, Adem Jashari, Hamëz jashari, Rifat jashari, Sahit jashari, Ilaz Kodra, Fadil Kodra e të tjerë, të cilët më 30 dhjetor të vitit 1991, kishin çarë rrethimin në Prekaz.

Duke qenë se familja Shala e Gjergjicës ishte në shënjestër të pushtetit, Bedriu migron fillimisht në Danimarkë, ndërsa pas një kohe vendoset në Roterdam të Holandës. Ashtu, sikurse edhe shumë të rinj liridashës, ai ishte larguar nga Kosova për shkak të presionit shtetëror serb.

Edhe pse larg atdheut, ai ndjek me interesim zhvillimet e ngjarjeve në Kosovë. Me rastin e shpërthimit të luftës frontale në Drenicë, në fillim të marsit të vitit 1998, Bedri Shala me disa bashkëveprimtarë, më 6 mars nga Holanda niset për në Shqipëri. Pasi pajiset me armë dhe me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bedriu me bashkëluftëtarët: Xhelal Hajda, Nexhmedin Morina, Mehedin Morina, Hilmi Shala, (vëllai i Bedriut) Qerim Kelmendi, Azem Zekaj; Hajzer Qitaku, Musë Dërvishi, Maliq Ndrecaj, Hasan Begoni e të tjerë depërton nëpër alpet shqiptare dhe futet në Zonën e Dukagjinit. Fillimisht vendoset në fshatin Shqiponjë (ish-jabllanicë) të Dushkajës, ndërsa më vonë, me urdhër të komandantit Ramush Haradinaj, emërohet përgjegjës i pikës ushtarake në Gllogjan. Në këtë detyrë, Bedriu do të qëndrojë deri më 10 gusht të vitit 1998.

Pas betejës së 24 marsit të vitit 1998 në fshatin Gllogjan, fshat që ishte bërë beden i pathyeshëm i rezistencës, Bedri Shala caktohet komandant për stërvitjen e rekrutëve. Këtë detyrë të rëndësishme ushtarake ai do ta ushtrojë deri në fillim të qershorit të vitit 1998.

Pasi që lufta çlirimtare kishte marrë hov sidomos në Drenicë, në Dukagjin dhe në Anadrin, Bedriu, në krye të afër treqind vullnetarëve, niset për në Shqipëri, me qëllim të furnizimit me armatim. Në gjysmën e dytë të qershorit të vitit 1998, Bedriu, me ushtarët e tij, kalon kufirin dhe sjell në Drenicë një sasi të konsiderueshme të armatimit. Asokohe në Negroc, ai sjell pesë topat e parë pa dridhje, 5 mitralozë të tipit gulinov, një minahedhës të kalibrit 82 milimetra, 5 mortaja të tipit 500, 24 mitralozë të tipit PKT, disa pushkë-snajperë, predha e fishekë të shumtë.

Pas këtij aksioni të rëndësishëm, më 2 korrik Bedriu niset sërish për në Shqipëri, së bashku me Rasim Kiçinën, Bekim Birinxhkun e të tjerë në krye të një grupi prej rreth 600 të rinjsh.

Më 4 korrik, ata vendosen në qendrën stërvitore të Tropojës.

Asokohe, Bedri Shala, në një intervistë për radion Zëri i Kosovës, dhënë pjesëtarit të UÇK-së, Lum Haxhiu, për zhvillimet e luftës në terren, ndër të tjera, ka deklaruar:

Zëri i Kosovës: Kur u inkuadruat në radhët e UÇK-së?

Bedriu: Para gjashtë muajsh.

ZIK: Çka ju shtyri që të inkuadroheni në front, para se ta vizitoni familjen, kur dihet se në Perëndim keni qëndruar një kohë të gjatë?

Bedriu: Unë nuk kam ardhur ta vizitoj familjen, por ta mbroj vatanin.

ZIK: Shihet se keni arritur një përvojë gjatë kësaj kohe, në radhët e UÇK-së.  A mund ta veçoni ndonjë ballafaqim me armikun?

Bedriu: Suksesi më i madh imi dhe i shokëve të mi është ai i arritur në Junik, ku armikut i kemi shkaktuar humbje të mëdha, si në njerëz, ashtu edhe në mjete ushtarake. Kjo u arrit në saje të përgatitjes së shokëve dhe të ushtrisë sonë, e cila ka përfituar përvojë gjatë aksioneve të mëparshme.

ZIK: Ju sulmuat të parët dhe nuk pritët që të sulmonte armiku?

Bedriu: Po, ashtu vepruam dhe me këtë rast atij ia vramë afer 20 ushtarë, ndër të cilët edhe 4 oficerë të lartë, të cilët kishin sajuar planin për ta marrë fshatin Jasiq, dhe ia shkatërruam 4 automjete, tanke dhe autoblinda. Në këtë betejë fituam bindjen se fitorja jonë është e pashmangshme.

Më 26 korrik të vitit 1998, Bedri Shala, Bekim Berisha, Rasim Kiçina e luftëtarë të tjerë të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndeshen me forcat serbe në afërsi të fshatit Jasiq. Trimat e UÇK-së i thyejnë forcat serbe dhe më 28 korrik, Bekim Berisha, Bedri Shala e të tjerë vendosen në Junik, i cili asokohe ishte nën kontrollin e Ushrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vazhdim, deri më 10 gusht, Bedri Shala, Bekim Berisha, Permet Vula, Elton Zherka, Ibrahim Krasniqi, Rexhë Morina, Hajdin Bala, Ramiz Bytyçi e të tjerë ndërmorënaksione të panumërta kundër forcave armike, të cilat bënin përpjekje të pareshtura për t’i marrë nën konroll dy pikat më strategjike ushtarake, Junikun dhe Smolicën.

Më 9 gusht të vitit 1998, në tërë vijën e frontit në zonën e Junikut janë zhvilluar luftime të ashpra dhe të pandërprera të forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër forcave policore dhe ushtarake serbe. Atë ditë bie në altarin e atdheut Bashkim Leku, bashkëluftëtar dhe shok i ngushtë i Bedriut.

Më 10 gusht, forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballojnë me sukses sulmin e furishëm të ushtrisë armike, në Junik. Luftimet në mbrojtjen e Junikut i udhëhoqën komandantët e mirënjohur Bekim Berisha dhe Bedri Shala. Në këtë betejë, pushtuesi serb u detyrua të tërhiqet nga vend luftimi, duke lënë ushtarët e tij të vrarë, si dhe disa tanke e automjete të tjera ushtarake. Duke e parë një tank të armikut. i mbetur pa efektivin udhëheqës, Bedriu i afrohet tankut me qëllim që ta tërheqë nga vija e luftimeve. Ai kishte pasur dëshirë të zjarrtë që ta çonte një tanks në Drenicë.

Shokët ia kishin tërhequr vërejtjen, meqë luftimet ende nuk ishin ndërprerë dhe rreziku nga zjarri ishte evident.

– Ja e çoj këtë tank në Drenicë, ja nuk kthehem i gjallë, – ishte betuar ai para bashkëluftëtarëve.

Në momentin kritik, derisa ishte afruar për të hyrë në tank, një plumb snajperi i armikut e godet në kraharor.

Komandant Bekim Berisha, me disa luftëtarë, me mortaja dore të tipit 150 dhe 500 i sulmon forcat armike dhe arrin te trupi i plagosur i Bedriut.

Me këtë rast zhvillohen luftime të ashpra. Në tërheqje e sipër, një predhë e armës armike godet për vdekje edhe Bekim Berishën. Atë ditë në altarin e atdheut bien heroikisht edhe bashkëluftëtarët, Elton Zherka e Përmet Vula.

Bedriu kishte jetuar deri në orën një pas mesnatës. Plagët kishin qenë vdekjeprurëse, por Bedriu kishte dëshmuar stoicizëm.

Në përkujtim të veprës së tij heroike, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit. Brigadën 134 të UÇK-së e emërton me emrin e dëshmorit Bedri Shala.

Trupi i dëshmorit Bedri Shala prehet në amshueshmëri në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Polac të Drenicës.

Në nderim për veprën e tij heroike, një rrugë e qytetit në Drenas mban emrin Bedri Shala.

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …