Bekim Shefqet Mazrekaj (29.9.1976 - 23.4.1998)

Bekim Shefqet Mazrekaj (29.9.1976 – 23.4.1998)

Gjatë luftës së UÇK-së, djemtë e fshatit Sllup të Deçanit treguan vullnet dhe gatishmëri të pashoqe për t’iu bashkuar radhëve ushtarake të çlirimtarëve.
Ata morën pa hezitim detyra për të ndihmuar furnizimin me armatim, pa të cilin nuk do të mund të kishte sukses në kryerjen e operacioneve luftarake kundër pushtuesit serb. Këtë gatishmëri e dëshmoi edhe dëshmori Bekim Mazrekaj.
Bekimi lindi në fshatin Sllup, më 29 shtator të vitit 1976, në një familje me traditë patriotike. Shkollën fillore e kreu në fshatin Drenoc. Prindërit e tij, Shefqeti e Zoja kishin pesë djem e një vajzë. Bekimi ishte fëmija i tyre i dytë.
Edhe pse i ri në moshë, Bekimi ishte i prirur t’i përcjellë e të marrë pjesë në protestat kundër pushtuesit serb në vitet 90-ta.
Kushtrimit të luftës për liri, iu përgjigj me tërë qenien. U rekrutua në njësitin e parë të Vokshit-Sllupit, më 10 prill të vitit 1998, së pari në sektorin e furnizimit dhe pastaj edhe në detyra të tjera ushtarake. Nevoja e madhe për armatim, Bekimin me shokë i detyroi të angazhohet për bartjen e armatimit nga Malësia e Shqipërisë. Për atje u nis së bashku me dëshmorët Tahir dhe Xhemil Mazrekaj. Ata iu bashkuan grupit të luftëtarëve të zonës së Dukagjinit. Bekimi i thoshte kushëririt, me padurim: Bacë, kur do të shkojmë të sjellim armë nga Tropoja? Tahiri i përgjigjej: Së shpejti, por së pari duhet vëzhguar terreni!
Më 23 prill të vitit 1998, në të kthyer nga përtej kufiri i ndarjes së shqiptarëve, në Koshare, Bekimi bie në pritë të forcave serbe. Ai ndodhej në mesin e 19 bashkëveprimtarë ve luftëtarë, ndër të cilët ishin edhe Tahir, Xhemail e Sejdi Mazrekaj, Hajdar, Beqë, Imer e Selman Lokaj, Astrit e Bekë Hadërgjonaj, si dhe bashkëluftëtarë nga Hereqi, Turjaka e Reka e Keqe. Njëri nga këta, Blerim Januzaj nga Dujaka, ato ditë nuk u gjet, ngase i plagosur kishte marrë drejtim të panjohur dhe më pastaj vdes nga gjakderdhja e madhe. Trupi i tij u gjet dhe u rivarros pas dy vitesh.
Ndër dhjetëra bashkëbartës të armatimit, edhe Bekimi me shumë bashkëveprimtarë, gjatë kthimit nga Malësia pat fatin të goditet nga kurtha e kurdisur e njësive speciale ushtarake serbe afër Koshares dhe bie heroikisht në altarin e lirisë. Pas një beteje të ashpër për jetë a vdekje, Bekimi me shokë bie në fushën e nderit. Hasan Lokaj, pjesëtar i grupit të luftëtarëve në atë udhëtim, i cili e mbijeton betejën, ka treguar se pusia e ngritur nga kriminelët serbë
kishte qenë e planifikuar që të mos shpëtojë asnjëri nga çlirimtarët e UÇK-së. Mirëpo, falë aftësisë, trimërisë dhe njohurisë së dëshmorit Tahir Mazrekaj, i cili duke njohur terrenin shumë mirë dhe duke hapur zjarr për t’ua hapur shtegun shokëve të luftës, mundësohet mbijetimi i betejës prej disa bashkëluftëtarëve.
Dëshmori Bekim Mazrekaj, ndër dëshmorët e radhëve të para të UÇK-së të Zonës së Dukagjinit, që i ri e kishte lidhur fatin e vet me fatin e atdheut, për të cilin edhe ra dëshmor.
Pas vetes la trimërinë, guximin e lirinë për brezat e ardhshëm. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …