Beqir Sadik Beqa (8.11. 1980 – 22. 6. 2001)

Beqir Sadik Beqa (8.11. 1980 – 22. 6. 2001)

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në trojet shqiptare të Iliridës filloi në pranverë të vitit 2001 dhe u intensifikua sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Konçulit, të 13 shkurtit të vitit 2001. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, shumë luftëtarë, pjesëtarë të UÇPMB-së, të pakënaqur me këtë akt, me armatimin e tyre depërtuan në Likovë, Kumanovë dhe gjithandej në trojet e Iliridës.
Komunikata e parë publike e UÇK-së në Iliridë është e datës 1 maj të vitit 2010, e cila është firmosur nga Arben Selimi. Në këtë komunikatë thuhej: “Njoftohet opinioni mbarë shqiptarë në IRJM se me datë 28.04.10. në vendin e quajtur Studenë, në Karadakun e Shkupit, ku dhe ndodhej një pikë e furnizimit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ushtarët tanë hasën në një pritë nga forcat e armatosura sllavo-maqedonase. Epilogu i këtij aksioni ka qenë një i vrarë nga pala armike si dhe një i plagosur lehtë nga ushtarët e njësitit për mbështetje logjistike të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”. Më tej thuhet: “ia bëjmë me dije gjithë opinionit shqiptar se Ushtria Çlirimtare Kombëtare vazhdon aktivitetin në hapësirën shqiptare, në ish- IRJM”.
Gjatë luftës disamujore, në frontet e luftës çlirimtare kanë rënë 97 dëshmorë dhe 43 martirë. Në radhën e dëshmorëve të rënë në këto fronte si pjesëtarë të UÇK-së, pesë dëshmorë janë nga trevat e Shqipërisë politike, pesëmbëdhjetë nga Kosova, kurse të tjerët nga trevat e Kumanovës, Shkupit, Tetovës e Gostivarit.
Fshati Sllupçan i Kumanovës, në historinë e tri luftërave çlirimtare të shqiptarëve në trojet jashtë territorit të Shqipërisë administrative, konsiderohet termopile e shqiptarisë, ashtu si Prekazi, Gllogjani, Llapushniku, Reçaku, Mareci, Llapashtica, Abria, Rezalla e vendbetejat e tjera. Nga ky fshat në luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare kanë rënë dëshmorë: Beqir Sadik Beqa, i njohur si “Komandant Sllupçani”, Agim Rufati, Abdyl Shahini, Harun Kasumi, Haxhi Osmani, Ramiz Demiri dhe Shenasi Ibrahimi. Në zjarrin e luftës janë martirizuar edhe 11 banorë të këtij fshati heroik.
Beqir Ismet Sadiku, ka lindur më 8 nëntor të vitit 1980 në fshatin Sllupçan në një familje të njohur atdhetare dhe arsimdashëse. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Edhe pse kishte dëshirë të flakët të vazhdonte shkollimin e mesëm, këtë dëshirë nuk e realizoi për shkak të kushteve të rënda ekzistenciale. Për këtë arsye, me kohë iu përkushtua zejes së zdrukthëtarisë dhe pasi kreu me sukses kurset përkatëse u bë mjeshtër i njohur.
Me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Beqiri nuk mund të vazhdonte i qetë të punonte në mjeshtërinë e vet, edhe pse nga puna që bënte varej mbijetesa ekonomike e familjes.
Me rastin e shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Beqiri iu përgjigj thirrjes për mobilizim. Fillimisht ishte sistemuar në Brigadën 122 të Zonës Operative të Pashtrikut, por ndërkohë merr pjesë edhe në Operacionin “Shigjeta”, ku tregoi trimëri dhe heroizëm. Ai nuk iu nda frontit deri në çlirimin e Kosovës, në qershor të vitit 1999.
Pas çlirimit të Kosovës dhe formimit të Trupave Mbrojtjëse të Kosovës, si luftëtarë me përvoj u sistemua në formacionet e këtyre trupave. Pastaj, ashtu si shumë çlirimtarë dhe idealistë të vërtetë, Beqir Sadiku në fillim iu bashkua luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë Bujanoc (UÇPMB), duke hyrë në radhët e para të Brigadës 113 “Ibrahim Fejzullahu” në Zonën e Epërme të Preshevës. Asokohe ishte emëruar komandant i skuadrës së artilerisë. Shokët e thërrisnin me nofkën luftarake “Komandant Sllupçani”.
Sapo ishte marrë vendimi për demobilizim, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Konqulit të shkurtit të vitit 2001, Beqiri ishte kthyer në vendlindje, por tani me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Atje kishte formuar togën e tij luftarake dhe organizon mbrojtjen e fshatit nga depërtimi i falangave maqedonase. Lufta në Sllupçan kishte shpërthyer më 2 maj të vitit 2001. Beqir Sadiku tashmë kishte përvojën e duhur në luftime, pasi ishte pjesëmarrës në dy luftërat paraprake çlirimtare në trojet e pushtuara shqiptare, prandaj nuk e pushoi luftën deri në rënien e tij heroike.
Beqir Sadikut dhe e bashkëluftëtarëve të tij u përket merita e kthimit të Sllupçanit në një termopile të UÇK-së. Rrugëtimi i tij i suksesshëm nga një bazë lufte në tjetrën, dukej si rrugëtimi i Marathonomakut të Madh. Betejë pas beteje, Beqir Sadiku ishte afruar në Haraqinë, me qëllim që me bashkëluftëtarët e tij ta sulmonte dhe ta çlironte Shkupin. Në kohën kur Komandanti i NATO-s për Evropën Jugore, admirali Gregori Xhonson, ia kishte bërë me dije kreut politik, ushtarak e policor të Maqedonisë se ata nuk do të mund ta fitonin luftën me shqiptarët, kreu i luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare kishte pranuar Nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Gjatë luftimeve në bazën më të fortë të luftës në Haraçinë, kur po vendosej fati i luftës me një marrëveshje, Beqir Sadiku kishte marrë plagët vdekjeprurëse, më 19 qershor të vitit 2001. Dy ditë më vonë, ai thithi për të fundit herë ajrin e Haraqinës, duke hyrë në panteonin e lavdisë së kombit shqiptar. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …