Besim Tefik Fazliu (18.11.1970 – 10.7.1999)

Besim Tefik Fazliu (18.11.1970 – 10.7.1999)

Kosharja e Ferizajt, luftës së UÇK-së i ka dhënë dy dëshmorë: Bekim Tefik Fazliun dhe Brahim Ademin, i cili ka rënë në frontet e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, së bashku me komandantin Tahir Sinani, në gusht të vitit 2001. Ndërsa, në demonstratat popullote të vitit 1989, forcat serbe patën martirizuar Bekim Sejdiun, 16-vjeçar. Fshati Koshare gjatë tërë kohës së luftës çlirimtare të UÇK-së ka qenë tejet i rrezikuar nga trupat militare serbe, të cilët kishin vendosur postblloqe ushtarake e policore ku ndalonin torturonin dhe arrestonin shqiptarët liridashës.
Babai i dëshmorit, Tefiku dhe nëna Qibrija nga fshati Koshare, patën shtatë fëmijë: Besimin, Zylbeharin, Flamurin, Bekimin, Florimin, Habiben e Sebahaten.
Besimi lindi më 18 nëntor të vitit 1970. Katër klasë të shkollës fillore i kreu në shkollën e përbashkët të fshatrave Koshare-Slivovë, ndërsa tetëvjeçaren në fshatin Lloshkobare. Shkollimin e mesëm e vijoi në Gjimnazin e Ferizajt-drejtimi shkencor. Pas shkollës së mesme, në vitin akademik, 1993/1994 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, drejtimi Bujqësi-Biologji, në degën e Blegtorisë, në Prishtinë.
Së bashku me shumë bashkëmoshatarë e të afërm kishte marrë pjesë aktive në demonstratat e viteve 1988-1989. Ishte në rrjedhë të aktiviteteve legale dhe ilegale që po zhvilloheshin në Kosovë, në përpjekje për t’u çliruar nga okupimi serb.
Pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë të Drenicës, më 28 nëntor të vitit 1997, Besimi së bashku me vëllezërit e tij dhe me kushëririn, Zekerja Muhamet Fazliu, e të tjerë kishte shprehur interesimin për t’u radhitur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 23 korrik të vitit 1998, Besimi dhe Zekerjai ishin paraqitur në shtabin lokal të Budakovës, te Zeqir Kokollari. Ndërkohë në luftë ishte angazhuar edhe vëllai i Besimit, Flamuri. Edhe vëllai tjetër, Zylbehari ishte lajmëruar vullnetar, në zonat e luftës, por meqë nuk kishte armatim ai pas një jave qëndrimi në zonën e luftës ishte kthyer sërish në Koshare, në pritje për t’ u inkuadruar kur të krijoheshin kushtet dhe të sigurohej armatimi.
Luftëtari i lirisë, Zekerja Muhamet Fazliu, i cili vazhdimisht ishte afër kushëririt rë tij, dëshmorit Besim Fazliu, rrëfen se asokohe dhjetëra vullnetarë nga fshatrat e Ferizajt ishin vendosur në shkollën e fshatit Budakovë, në pritje për t’u nisur për në Shqipëri, me qëllim të armatosjes. Fillimisht, Besimi e Zekerjai, me një grup shokësh kishin shkuar në fshatin Krojmir të zonës së Drenicës Jugore, por meqë as atje nuk kishte armë e municion, ishin rikthyer në Zonën e Neredimes.
Në gjysmën e dytë të korrikut të vitit 1998, Besim Fazliu, i shoqëruar nga Zekerja Fazliu, në mesin e një grupi shokësh u nis për në Shqipëri, në marshrutën Budakovë-Divjakë-Dragobil-Pagarushë-Gllogjan-Junik, me ç‘rast numri i vullnetarëve që do të armatoseshin kishte arritur shifrën 1500.
Pas një muaj qëndrimi në Junik, Besimi, Zekerjaja dhe bashkëluftëtarët e tyre depërtuan në Tropojë në një bazë stërvitore. Atje takuan eprorin e UÇK-së, Xhabir Zharku, i cili kishte siguruar armë dhe pajisje të nevojshme. Pas 20 ditë qëndrimi e stërvitjeje në Tropojë, Besimi me bashkëluftëtarët u nis për në frontet e luftës, ku fillimisht shkoi në Zonën e Dukagjinit e prej andej në zonën e Pashtrikut.
Duke qenë se forcat serbe kishin dislokuar mijëra ushtarë dhe policë e kishin vendosur postblloqe po thuajse në çdo hyrje e dalje fshati, kryesisht rreth rrugëve automobilistike, kalimi i ushtarëve të UÇK-së nga një zonë në tjetrën ishte vështirësuar shumë, por luftëtarët e lirisë nuk kishin ndaluar asnjëherë në marshimin e tyre drejt lirisë.
Pas një rrugëtimi me plot rreziqe, natën e 24 gushtit të vitit 1998, grupi i luftëtarëve nga rrethi i Ferizajt, prej afër 30 luftëtarësh ku bënin pjesë edhe tre luftëtarët e fshatit Koshare: Besim Fazliu, Brahim Ademi, e Zekerja Fazliu u vendos në pikën luftarake të Luzhnicës, pikërisht në kohën kur kishte filluar ofensiva serbe kundër bazës së Ismet Jasharit-Komandant Kumanova.
Gjatë dy ditë luftimesh të ashpra në Luzhnicë, ku kishin rënë në altarin e lirisë, komandanti Ismet Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij: Afrim Buçaj, Nuhi Mazreku, Gani Kastrati e Habib Zogaj, grupi i luftëtarëve nga treva e Ferizajt kishte qëndruar në pozicionet rezervë. Ndërkohë, pas ofensivës së gushtit në Luzhnicë, ata u vendosën në shtabin lokal të Krojmirit dhe prej andej nën përcjellje të ushtarëve të kësaj zone depërtuan në Rancë dhe përfundimisht u vendosën në Zonën Operative të Neredimes, ku qëndruan në pozicione dhe morën pjesë në luftime deri në mbarim të luftës.
Pas sistemimit në Zonën e Neredimes, Besim Fazliu me bashkëluftëtarët u vendos në pikën luftarake numër 5 në Jezerc, në lagjen Guta, te vendi i quajtur “Sherenik”. Asokohe me operacionet ushtarake në Zonën Operative të Neredimes komandonin eprorët e UÇK-së, Shukri Buja, Ahmet Kaçiku (tani dëshmor), Imri Ilazi e të tjerë.
Gjatë dimrit të vitit 1998/1999 e deri në mbarim të luftës, Besim Fazliu, Zekerja Fazliu, Bedri Rexha e të tjerë u sistemuan në njësitin special të komanduar nga eprori Jetullah Qarri-Komandant Guri. Ky njësit special kishte zënë dhe po mbante nën kontroll disa pika strategjike të luftës në Duhël, Rancë e Greiçevc dhe kishte zhvilluar shumë sulme diversante kundër armikut.
Besim Fazliu bie më 10 korrik të vitit 1999, në rrethana aksidentale. Trupi i dëshmorit pushon në përjetësi në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve të UÇK-së, në Ferizaj.
Familja Fazliu ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme, si dhe nga shoqatat e luftës. Një rrugë në Ferizaj mban emrin e dëshmorit Besim Fazliu. Pas luftës, vëllai i dëshmorit, Flamuri ishte pjesëtar i Trupave Mbrojtës e të Kosovës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …