Brickos

Beteja e Koshares, Slivovës e Shtimes e 20 dhe 21 prillit të vitit 1881 kundër forcave të gjeneralit turk, Dervish Pasha

Beteja e Koshares, Slivovës e Shtimes e 20 dhe 21 prillit të vitit 1881 kundër forcave të gjeneralit turk, Dervish Pasha

136 vjet më parë, më 20 prill të vitit 1881, në kodrat e fushat  mes fshatrave Koshare, Slivovë, një ditë më vonë, më 21 prill, edhe në Fushë të Shtimes është zhvillua Beteja e madhe mes forcave turke në krye me gjeneralin,  Dervish pasha, i cili kishte ardhur me qëllim që ta thyente Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe forcave kryengritëse shqiptare të Kosovës, Dukagjinit e Malësisë së Gjakovës, në krye me Sylejman Vokshin, komandant i Forcave të LSHP-së, të cilët kishin zënë pozicione përballë Ferizajt, në fshatrat Slivovë e Koshare. Atë ditë, gjatë luftimeve fyt për fyt me forcat turke që kishin epërsi të madhe në ushtarë dhe teknikë lufte, kishin rënë në logun e trimërisë: Mic Sokoli, Smajl Hyseni dhe rreth 400 luftëtarë të Lidhjes, ndërsa me urdhët të Dervish Pashës  ishte varur, Sefë Mahmut Kosharja, heroi i Luftës së Plevnes së vitit 1877. Përveç, Mic Sokolit, Smajl Hysenit, nga radhët e komandantëve të luftës kanë rënë edhe: Rrustem Sadria, Mehmet Smajli, Seit Suhareka, Ali Brahimi e të tjerë. Ishin ekzekutuar pa gjyq, Mulla Hysen Shtimja  dhe Ali Nimani oficer i karrierës, e luftëtarë të tjerë.

Në luftime kishin marrë pjesë edhe Ali Ibra e Binak Alia nga Malësia e Gjakovës,  paria e Drenicës, në krye me Januz Çupin, pastaj Isa Boletini në moshë jo madhore dhe shumë personalitete të njohura të kohës.

***

Pasardhësit e Sefë Mahmutit nga fshati Koshare, komuna e Ferizajt, shumë vjet më parë   kanë zbuluar  dy dokumente të shkruara në gjuhën gjermane, të datës 23 prill të vitit 1881, të evidentuara në Konsullatën e Austro-Hungarisë, në Shkup ku flitet për disa nga zhvillimet Luftës së Koshares, Slivovës  e Shtimes të 20 dhe 21  prillit të vitit 1881. Dokumentet  janë  shkruar në gjuhën gjermane, me një font të shkronjave mjaft të vështira për t’i deshifruar. Dokumentin e ka përkthyer në gjuhën shqipe, studiuesi, Selver Islamaj, nga Insituti i Historisë së Kosovës i cili ka meritë të veçantë, meqë ky dokument shumë kohë kishte ngelur pa u përkthyer, në mungesë të një përkthyesi kompetent dhe njohës të dorëshkrimeve të veçanta të kësaj gjuhe.

Dokumenti është evidentuar në  datën 23 prill 1881,  në Shkup

Faqja e parë

 Zotëri i lartë-ndritur!

Dervish Pasha, më 6 të këtij muaji arriti në Kampin e  Ferizajt ( Ferizoviqit). Ai në tetë ditët në vijim me akte zyrtare, me udhëheqësit e ndryshëm, urdhëroi zhvendosjen e trupave, me një qëndrueshmëri luftarake për të vepruar në mënyrë të shpejtë.

Më 16 prill Dervish Pasha urdhëroi Haxhi Osman Pashën, që me gjashtë batalione të drejtohet kundër Slivovës, ku sipas informacioneve që kishte marrë, ishte pozicionuar një numër i madh i shqiptarëve. Osman Pashai mori urdhrin për të sulmuar nëse has në rezistencë, në të kundërtën ai do të vazhdonte përpara, për të marrë informata lidhur me numrin dhe pozicionet e shqiptarëve. Shqiptarët, pas përparimit të shpejtë të batalioneve u tërhoqën prapa, pas shkrepjes së një plumbi nga prapa Dervish Pashait,  por meqë kishte filluar të errësohej, trupat turke u kthyen  përsëri në Kamp.

Zotërisë, Jozef  Vald-hart Konsulli Austrohungarez në Shkup

 Faqja e dytë

Më 20 të këtij muaji, në orën 6 të mëngjesit, Dervish Pasha sërish ka nisur përpara 6 batalione, kundër Slivovës nën udhëheqjen e  Haxhi Osman Pashait, ndërsa shtatë batalione i kishte nisur në krye me Brahim Pashën në drejtim të Shtimes (Ishtimja). Të dy pashallarët kanë marrë urdhra, që në rast të rezistencës së shqiptarëve vendi të pushtohet me ndihmën e armëve. Dervish Pashai me dy bateri artilerie dhe dy batalione ishte vendosur   në një kodër mes Slivovës dhe Shtimes, me qëllim për të goditur me armë.

Kreu i parë luftarak në Slivovë, vlerësoi se trupat ( turke) të cilat po ngjiteshin kodrës u priten me zjarrin (e kryengritësve shqiptarë), zjarr të cilit iu kundërpërgjigjen. Pasi që shqiptarët pak a shumë ishin në një pozitë  të pafavorshme, trupat e tyre nuk mund të përparonin shpejtë. Dervish Pashai, i cili po përcillte avansimin ushtarak nga Kodra ku ishte pozicionuar, urdhëroi që  me njëherë gjashtë topa artilerie të pozicionohen në një Kodër të re,  më afër Slivovës. Nga atje,  ai kishte hapur zjarr artilerie që zgjati rreth një orë e gjysmë. Pas një sulmi të tillë forcat turke u nisën në drejtim të Shtimes, ku ishin pozicionuar forcat e Brahim Pashait. Kryengritësit e kuptuan se nuk mund të rezistonin më gjatë dhe në grupe të vogla u tërhoqën drejt maleve. Vlerësohet se numri i shqiptarëve kryengritës ishte rreth 4.000 të cilët me të arritur Dervish Pasha në Ferizaj ata kishin ardhur nga Prizreni në Shtime.  Pasi kishin përparuar edhe forcat e Brahim Pashës, Dervish Pashai ndërroi selinë dhe u vendos më afër Shtimjes-

Faqja e tretë

…dhe atje vendosi 3 batalione. Një pjesë të municionit e kishte lënë në Ferizaj nën komandën e një Kajmekami….

Trupat ( turke) numëronin 5 të vrarë e 40 të plagosur, duke përfshirë edhe 8 të plagosur rëndë. Pjesa tjetër kishte lëndime më të lehta.

Me numrin e të vrarëve dhe plagosurve shqiptarë qarkullonin thashetheme imagjinare (aventureske). Flitej për 300 të vrarë e të plagosur. Ushtarët e plagosur turq u transportuan në Spitalin e Shkupit, ndër ta ishte edhe një oficer. Të plagosurit e dërguar në Ferizaj vuanin shumë në mungesë të medikamenteve.   Shqiptarët e vdekur ishin lënë në tokë me urdhër të Dervish Pashait. Thuhet se të gjithë të plagosurit u masakruan, pasi ata luftuan deri në momentin e fundit dhe sulmonin trupat turke, që po përparonin në terren. Dervish Pasha ( një numër të plagosurve) i ka vendosur në një vend,  në Shtime dhe u ka mundësuar trajtimin nga mjekët e ushtrisë së tij.

Gëzimi i trupave turke thuhet se ka qenë i madh. Ushtarët kishin kapur të gjallë një shqiptar,  me emrin Zaif (Sefë) Kosharja, i cili dy ditë më parë kishte kontaktuar Dervish Pashën në Kampin e tij. Ai e kishte lutur pashën që të mos e bombardonte fshatin e tij, pasi nuk do të kishte rezistencë. Ndërkohë pasi trupat turke kishin depërtuar në fshat, ai ishte kundërpërgjigjur. Me urdhrin e Dervish Pashait, ai (Sefë Kosharja) ishte varur në lisin më të afërt dhe me një urdhër të veçantë të Marshallit Dervish Pasha ishte lënë varur për tri ditë, si shembull për t’iu dhënë popullatës një mësim tmerri. Ka fjalë që thonë se në mesin e shqiptarëve të vrarë e të plagosur kishte edhe të tillë që kishin bërë emër të keq…

Faqja e katërt

…për të cilët thuhet se kanë qenë të njohur si vrasës e rrëmbyes… Unë nuk kam mundur që përkohësisht të shënoj emrat e tyre. Edhe për të varurin Sefë Kosharja janë përhapur fjalë se ishte me nam të keq… ( vërejtje,  është fjala për kryengritës, të cilët nga çdo regjim konsiderohen vrasës… v.  A. Q.)

Më 21 të këtij muaji, Dervish Pasha ka mbetur në Shtime deri në mesditë, ndërkohë pa ndonjë rezistencë ishte nisur për në Prizren, në drejtim të Duhlës.

Më 22 prill, në mëngjes ai ( Dervish Pashai) u nis prej Duhlës për në Prizren, pa rezistencë të mëtejme, Në orën 7 të mbrëmjes ishte vendosur në një konak, në Prizren. Udhëheqësit shqiptarë, të njohur nga raportet e mëparshme, kishin ardhur te Dervish Pashai për të treguar bindjen e tyre  dhe besnikërinë ndaj Qeverisë. Kishin ardhur: Ali Draga nga Mitrovica, Zija Beu nga Prishtina, Esad Pasha nga Tetova ( Kalkandelet), Sadik Pasha nga Dibra,  Myftiu i Dibrës, i Prishtinës dhe i Vushtrrisë, të cilët thuhet se e kishin përcjellë pashain deri në Prizren.

Hasan Pashai, komandant i trupave të Mitrovicës, dje shkoi me 50 bateri përmes Ferizajt në drejtim të Prizrenit. Një telegram i ditës së sotme nga Dervish Pashai,  të cilin ma ka drejtuar mua nga Prizreni, thotë se Gjakova dhe Peja nuk ishin nënshtruar ende dhe ai  për këtë arsye, vetëm ditën e shtunë  më 30 të këtij muaji  mund të më vë në dispozicion një përcjellje për në Prizren,  dhe,  për këtë arsye unë do të mund të largohem  nga këtu,  ditën e premte më 29 të këtij muaji.

I lartë-ndritur, merreni shprehjen e konsideratës  sime më të përkushtuar.  Schmucke.

Dokumenti i Dytë

 Dokumenti vijues, ka vetëm një faqe dhe po ashtu është i shkruar në gjuhën gjermane. Ky dokument  nuk ka autor. Nga brendia kuptojmë se kjo është  faqja e fundit  e një dokumenti ku flitet ekskluzivisht për Sefë Kosharen dhe nuk ka të bëjë me dokumentin e parë. Aty shkruan…Në përgjithësi janë 250 të vdekur e të plagosur. Ishte një betejë e rreptë dhe për pasojë ishin djegur disa shtëpi në Koshare dhe në Shtime. Në afërsi të Shtimes, Dervish Pashës ia sollën një shqiptar të moshuar, me një sy, i cili i kishte bllokuar ushtarët turq dhe kishte marrë peng një oficer turk. Ai, ishte  i njëjti Sevo ( Sefa), për të cilën  flitej se kishte shumë ndikim në Ligë, (në Lidhjen e Prizrenit). Javën e kaluar kishte  shkuar në Shtabin e  Përgjithshëm te Dervish Pashai dhe i kishte kërkuar atij që të mos e dërgonte ushtrinë në drejtim të kryengritësve, sepse gjakderdhja do të ishte e pashmangshme. Atij i kishin thënë se rrugën  e ushtrisë turke nuk mund ta ndalonte askush. Me qëllim për t’ i thyer kryengritësit turqit i  ofruan  një dhuratë me të holla, me qëllim që të fliste  me vëllezërit të tij, ( është fjala për bashkëluftëtarët e tij) që ata  të silleshin paqësisht…

Ky raportues, anonim, ashtu sikur edhe raportuesi, Schmucke mbanin anën e forcave të Dervish Pashait. Raportimet e tyre  ishin të njëanshme, me faktin se ata nuk sjellin asnjë emër të kryengritësve, përveç emrit të Sefë Koshares, për të cilin pranohet se kishte autoritet të madh në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Po ashtu raportuesi, me qëllim të devalvimit të rolit të tij, thotë se paraprakisht Sefa kishte marrë një dhuratë në të holla nga Dervish Pashai, me qëllim që t’i blinte kryengritësit. Nuk janë dhënë shënime për sasinë e të hollave, ndërkohë që në raportin e parë, të z. Schmucke flitet se Sefa kishte kërkuar nga Pashai që të mos  e bombardonte fshatin Koshare. Ai, po ashtu e kishte paralajmëruar atë se lufta dhe gjakderdhja ishte e pashmangshme, nëse ushtria do të përpiqej të marshonte drejt Shtimes….

Nga këto dy dokumente kuptojmë se raportuesit gjermanë ndodheshin në radhët e ushtrisë turke dhe nuk kishin fare kontakt me kryengritësit. Ata madje nuk kanë përshkruar as luftën në hyrje të Shtimes më 21 prill 1881. Po ashtu hetohet edhe qëndrimi tyre i rezervuar karshi kryengritësve për të cilët, flitej nga turqit se kishin “nam” të keq. Duke qenë në mesin e forcave turke, këta dy raportues kanë përshkruar zhvillimet sipas versionit zyrtar, turk. Madje ata kanë qenë krejtësisht të mbrojtur nga një përcjellje speciale në vendet ku lëviznin.

Në këto dy dokumente janë anashkaluar luftimet më 21 prill në hyrje të Shtimes ku kanë marrë pjesë edhe krerët më të lartë të Lidhjes:

“Beteja e dytë (e forcave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit) kundër formacioneve ushtarake të Dervish Pashait u zhvillua në hyrje të Shtimes, kur luftimet ishin edhe më të përgjakshme. Në luftimet e ashpra të cilat vazhduan më tepër se dy orë, morën pjesë edhe vetë anëtarët e Shtabit Qendror si, Sylejman Vokshi, Ali Ibra Binak Alia, Rrustem Sadria”.  ( Historia e Popullit Shqiptar, Toena, faqe 224)  Luftëtarët e Lidhjes kishin sulmuar forcat turke në relacion Shtime, Caralevë, Duhle, derisa ato ishin nisur në drejtim të Prizrenit. Përveç, Mic Sokolit, Smajl Hysenit, nga radhët e komandantëve të luftës kanë rënë edhe Rrustem Sadria, Mehmet Smajli, Seit Suhareka, Ali Brahimi e të tjerë. Ishin ekzekutuar pa gjyq, Mulla Hysen Shtimja  dhe Ali Nimani oficer i karrierës, ndërsa ishte varur, në një lis, në një vend publik afër rrugës,  Sefë Mahmut Kosharja.

( Po aty faqe 225).

Në betejat e Slivovës-Koshares e të Shtimes, sipas shënimeve të telegrafistëve të kohës pati shumë të vrarë, qindra  të plagosur e mijëra të zënë rob, të cilët të lidhur ishin nisur në drejtim të Shkupit e të Selanikut. Burimet jo të konfirmuara të kohës kanë bërë me dije  se nga radhët e kryengritësve kishin ranë rreth 1200 luftëtarë, ndërsa nga forcat turke afër 800.  Burimet zyrtare turke nuk kanë prezantuar të dhëna reale, duke u munduar ta nënvlerësonin qëndresën shqiptare, në mënyrë që të mos shkaktohej  bujë e shqetësim, në Stamboll.

Pavarësisht nga fakti se këta dy raportues, z. Schmucke, i cili nga radhët e afërta të Dervish Pashait raportonte për Konsullatën Austrohungareze dhe raportuesi tjetër anonim, nga dokumentet e të cilit është zbuluar vetëm një faqe, është me rëndësi fakti se të dy pranojnë që Sefë Kosharja ishte njeri me autoritet, madje me autoritet shumë të madh në Ligë, (në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit), fakt që nuk është gjurmuar shumë nga historiografia shqiptare. Edhe fakti se ai ishte i vetmi që kishte depërtuar  te Kampi turk dhe kishte biseduar me Dervish Pashain, flet për një personalitet të njohur, për të cilin tradita e përcjellë brez pas brezi ka dëshmuar se Sefë Kosharja kishte qenë veteran i Luftës së Plevnës së Osman Pashait të vitit 1877. Urdhri i Dervish Pashait për ta varur në litar dhe për ta lënë tri ditë varur, me qëllim për të tmerruar popullatën, zbulon urrejtjen e madhe të turqve të asaj kohe kundër Sefë Koshares. Asnjë prej kryengritësve të tjerë nuk ishte varur edhe pse shumë prej tyre ishin zënë gjallë, në gjendje të plagosur.

Në shkrimet  e kohës, emri i Sefë Koshares përmendet në dokumentet angleze, gjermane, turke, dhe arabe. Në tekstin e Historisë së Popullit Shqiptar, Sefë Kosharja përmendet në faqet 222 dhe 225.

Figura e Sefë Koshares në historinë tonë kombëtare ende ka mbetur e pastudiuar sa duhet. Po ashtu ishin bërë përpjekje të padrejta, që tërë vepra e tij atdhetare të kundrohej me rezervë, për shkaqe që nuk kanë të bëjnë me te, as me veprimtarinë e tij në kuadër të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për trimin e Koshares, të Plevnës e të Kosovës, populli ka thurë disa këngë, por mbi të gjitha shquhet një këngë me katër vargje, një epitaf madhështor, që në kohën tonë ka arritur  me vargjet e pa harruara  dhe shumë kuptimplote, jo vetëm për atë kohë.

Sefë Kosharja i pari fisit,

Hije t’ paska maja lisit,

-Hije m ka e bijtë e mi!

-Kam dhanë jetën për Shqipni.

(Në një variant tjetër)

-Kam dhanë jetën për liri.

(Epika historike II, Tiranë 1981, f. 306.)

Ahmet Qeriqi

  1. 4. 2016

Referencat:

  1. Dokumenti në katër faqe i raportuesit Schmucke, në gjuhën gjermane. 23. 4. 1881.
  2. Dokumenti i dytë i një raportuesi anonim, po në gjuhën gjermane, faqja e fundit, nuk ka datë të caktuar, meqë është fletë e shkëputur…
  3. Historia e Popullit Shqiptar, II, Toena f. 224.
  4. Epika historike II, Tiranë 1981, f. 306.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …