Bien investimet e huaja, deficiti tregtar me Serbinë 285 milion euro

Rënia e investimeve të huaja direkte në këtë vit krahasuar me vitin e kaluar, deficiti i lartë tregtar dhe dështimi i procesit të privatizimit të Brezovicës, ishin ndër temat kryesore të diskutimit nga deputetët gjatë raportimit të ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami në Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik.

Në periudhën janar-korrik investimet e huaja kanë shënuar 122.6 milionë euro, ku shtetet që kanë investuar më së shumti janë: Turqia, Zvicra, Gjermania, Shqipëria SHBA-të dhe tjera. Mirëpo, në periudhën janar-qershor të vitit 2015 investimet e huaja arritën vlerën në 163 milionë euro.

Ministrja Hykmete Bajrami gjatë raportimit për zhvillimet në fushë veprimtarinë e Ministrisë në realizimin e prioriteteve në aspektin buxhetor për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, tha se tenderi i Brezovicës ka dështuar për shkak të mos përmbushjes së kriterit financiar nga ofertuesi.

Bajrami tha se kontrata ka mundur të nënshkruhet, por sipas saj projekti nuk është realizuar asnjëherë për Brezovicën.

Ajo tha se Qeveria ka përmbushur të gjitha obligimet ndaj ofertuesit dhe këto janë arritur qysh në gjashtë mujorin e parë sa i përket vendimeve të shpronësimit dhe gjithçka tjetër në këtë drejtim.

“Thjesht tenderi ka dështuar për shkak të mos përmbushjes financiare nga ana e investitorit. Gjuriqi ka mund të ketë ndikim, mund të ketë edhe në të ardhmen dhe këtë nuk mund ta ndalojmë as unë e as ju. Ne do të mundohemi gjatë gjithë kohës me punu me investitorë të cilët e njohin sovranitetin e vendit tonë… ne këtu kemi ruajtur Brezovicën për shkak se ka mundur edhe të nënshkruhet kontrata edhe most ë bëhet projekti kurrë”, tha Bajrami, transmeton Kosovapress.

Ajo tutje theksoi përgjegjëse për ambient të biznesit nuk është vetëm MTI, por janë edhe shtatë ministri të tjera. Për bilancin negativ tregtar, ajo tha se është në gjendje të marr vendim për masa reciprociteti, por sipas Bajramit nuk duhet harruar se Kosova është anëtare e CEFTA.

“E thatë se janë tre indikatorë të cilët deputetëve ju interesojnë, është rritja ekonomike, eksporti, rritja e prodhimit vendor, përmirësimi i bilancit tregtar, punësimi dhe të tjera. Edhe unë po pajtohem plotësisht se këto janë këta indikator. Në anën tjetër më lejoni t’ju informojë se për përmirësimin e ambientit të biznesit në Kosovë nuk është përgjegjëse vetëm MTI. Unë jam përgjegjëse për të gjitha fushat të cilat kam raportuar këtu, unë atë strukturë të Ministrisë e kam gjetur aty, nuk e kam ri dizajnuar Ministrinë”, tha Bajrami.

Rënia e investimeve sipas Bajramit ka ndodhur për shkak të destabilizimit politik në vend. Ajo kërkoi të themelohet një komision profesional dhe të gjinden edhe shkaqet tjera për rënie të investimeve.

“Investimet e huaja direkte u fol shumë se cilat janë shkaqet (e rënieve), ne nuk i kemi shkaqet përpos asaj të destabilitetit politik, institucionet tona nuk mundemi me thënë. Ka pasur investitorë të cilët tek ne, ku kemi qenë në negociata shumë të mira”, tha Bajrami.

Bajrami tha më tej se për cilësinë e derivateve nuk qëndron se nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Vetëm brenda këtij viti ajo tha se janë bërë 380 kalibrime të derivateve.

Kryetari i Komisionit, Muhamet Mustafa nga radhët e LDK-së, theksoi se Kosova ka probleme ekonomike me Serbinë, duke filluar edhe me tregti, sepse sipas tij, nuk është normale që eksportet vjetore me Serbinë të jenë 15 milionë euro, kurse importet të jenë mbi 300 milionë euro. Mustafa kërkoi të merren edhe masa reciprociteti, meqë është e nevojshme.

“Ne ende kemi problem me eksportin, nuk po rritet siç ishte dashur me u rritë…më vjen mirë që janë hequr pengesat me Shqipërinë, natyrisht se ne kemi disa probleme ekonomike me Serbinë, duke filluar edhe tregtia, sepse nuk është normale që eksportet vjetore në Serbi të jenë 15 milionë euro, me Shqipërinë të jenë 40 milionë, edhe pse në Shqipëria eksporti jonë po rritet. Edhe atje kemi punë pak me i thyer barrierat dhe me i promovuar eksportin tonë edhe në Shqipëri. Por, sidomos me Serbinë, është simptomatike se përkundër importeve që i kemi diku 300 milionë euro legale, sigurisht se konsiderohet se ka një pjesë edhe importe ilegale”, theksoi Mustafa.

Deputeti nga PDK-ja, Raif Çela, tha se ministrja Bajrami ka dhënë zotimin qysh herën e parë kur ka qenë në komision, se do ta përmirësojë dukshëm punën në këtë ministri, dhe nuk ka dyshim se janë bërë hapa të duhur në këtë drejtim, mirëpo, sipas tij, ka edhe fusha të cilat kanë vazhduar të ngecin, siç është fusha e cilësisë së derivateve.

“Ka vazhduar ngecja, p.sh. në fushën e cilësisë së karburanteve, ku mendoje se nuk ka përparime të dukshme. Është nënshkruar një kontratë për furnizim me laborator mobil, pajisja e kontraktuar. Kjo i bie se karburantet të cilat përdoren për makina nuk mund të maten me këtë pajisje si edhe vaji industrial. Deklarimet tuja publike ishin se do t’i largoni trupat inspektuese të cilat bëjnë vetëm përshkrimin e analizave dhe nuk bëjnë as një vlerësim të konformitetit në kufi. Akoma është kështu gjendja. Këto trupa nuk japin garanci për produkte që importohen”, tha deputeti Çela.

Mirëpo, për këto deklarata të Çelës për fushën e derivateve, reagoi menjëherë ministrja Bajrami, duke i thënë deputetit Çela se paskan bashkëpunim të ngushtë me kryetarin e shoqatës së naftëtarëve Fadil Berjani, por Çela mohoi të jetë takuar ndonjë herë me Berjanin.

Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, ka thënë se problemi kryesor lidhur me ekonominë dhe tregtinë rrjedh prej doktrinave ekonomike që i kanë aplikuar Qeveritë e deritashme. Sipas tij problemi kryesor që e ka pas Kosova në këtë aspekt është se si Qeveritë e kanë konceptuar mbledhjen e të hyrave në raport me zhvillimin ekonomik.

“Por sot duke qenë në postin të cilin ju e mbani dhe keni përgjegjësi në ekzekutiv, ju nuk keni arritur aspak me ndryshuar këtë kurs negativ në të cilin ndodhet Kosova. Pra, problemi më i madh është deficiti tregtar që e kemi. Deficiti po rritet, deficiti është rrit edhe prej kohës kur ju e keni marr ministrinë, pra nuk ka reduktim. Importet në përqindje në krahasim me eksportet rriten shumë më shpejt se që rritet pjesëmarrja e eksporteve në buxhet”, tha Konjufca.

Edhe deputeti Blerim Grainca, kërkoi nga ministrja Bajrami ta dijë se deri ku ka shkuar procesi i anëtarësimit të Kosovës në OBT.

MTI nuk ishte në gjendje të jap të dhëna se cilat janë pesë industritë më të zhvilluara në Kosovë, për të cilën kërkoi deputeti Besim Beqaj. Bajrami tha se sfidë për këtë Ministri është buxheti i vogël.

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Kuvendin e Kosovës mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare

Deputetët flasin për detyrimet e mundshme financiare të Kosovës

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare, ku do të diskutohet lidhur me detyrimet e mundshme …