vipa
vala
muqa 900
Fillimi / Dëshmorët / Blerim Avdi Balaj (24.6.1972 – 6.1.1999)
Blerim Avdi Balaj (24.6.1972 - 6.1.1999)

Blerim Avdi Balaj (24.6.1972 – 6.1.1999)

Blerim Balaj lindi ne fshatin Strellc i Ulët i komunës së Deçanit, më 24 qershor të vitit 1972. Mësimet fillestare i mori në shkollën tetëvjeçare “Bajram Curri” në vendlindje, ndërsa Gjimnazin e kreu në Qendrën e Arsimit të mesëm të orientuar” Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Pas kryerjes së shkollës së mesme për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe situatës së rëndë nën robëri, regjistrohet tri vite më vonesë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Blerimi kreu tri vite të Fakultetit Juridik me sukses dhe nota të larta.

Si gjimnazist ishte një ndër aktivistet e parë në formimin e Partisë Demokristiane të Kosovës, Dega e Deçanit, Nëndega në Strellc të Ultë. Për një kohë ishte edhe anëtarë i kryesisë së kësaj dege në Deçan. Këtu bashkëpunonte ngushtë me Selman Berishën, Selim Lokajn, Agim Hulajn e të tjerë, të cilët më vonë do të gjenden në ballë të luftës dhe organizimeve të mëvonshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrethinën e Deçanit dhe Dukagjinit.

Ndërsa në Fshatin e tij të lindjes ishte një aktivist i dalluar në organizimet që bëheshin në atë kohë si në organizimin e ndihmave, po ashtu edhe në ushtrimin e rojës në fshat gjatë orës policore, të cilën e kishte aplikuar okupatori serb në vitet 1991 /1992.

Blerimi, si gjimnazist ishte një veprimtar i dalluar i kohës, i cili në fillim vepronte në kuadër të Partisë demokristiane dega në Deçan, si dhe anëtarë i Lëvizjes ilegale për çlirimin e Kosovës LKÇK, ndërsa më vonë me shkuarjen e tij në Prishtinë bie në kontakt me shokë studentë siç ishin Ardian Krasniqi, Edmond Hoxha, Shkumbin Demaliaj, Naim Rraci e të tjerë, dhe me të cilët mori pjesë në organizimin e celulave të para të UÇK-së, të cilat ishin te organizuara nga disa studentë që ishin të lidhur me grupet e tjera të UÇK-së dhe që vepronin në pjesë të tjera të Kosovës.

Ishte anëtarë i Lëvizjes ilegale për çlirimin e Kosovës LKÇK, deri në fillimin e luftës çlirimtare, ndërsa menjëherë me fillimin e luftës frontale në Gllogjan, kthehet në organizimin e luftës në fshatin e lindjes dhe në komunën e Deçanit. Që në ditët e para të ilegalitetit , shokët e tij si një ndër detyrat e veprimit i kishin caktuar edhe shpërndarjen e buletinit informativ të UÇK-së, revistës “Çlirimi” te cilën e shpërndante në komunën e Deçanit dhe pjesë të tjera të Dukagjinit.

Blerimi mori pjesë pothuajse në të gjitha demonstratat dhe protestat që u organizuan në komunën e Deçanit dhe Pejës. Më vonë ishte në ballë të protestave studentore në Prishtinë, si në protestat studentore të 1 tetorit të vitit 1997 dhe në protestat e tjera të më vonshme, që vazhduan në shumë qytete tjera të Kosovës. Vlen të përmendet pjesëmarrja e Blerimit në demonstratat e muajit nëntor 1997 në Pejë dhe Deçan. Edhe këtu ai u dallua për guxim dhe trimëri si dhe për pjesëmarrjen e tij në organizimin e tyre.

Menjëherë pas kryerjes se gjimnazit i vjen thirrja për të shërbyer në armatën okupatore, por Blerimi e refuzoi thirrjen. Policët serbë atë e kërkuan disa herë në shtëpinë tij. I gjendur në këtë situatë ai për një kohë u strehua në një fshat të Rozhajës në Mal të Zi, një familje mike e familjes se Blerimit, i cili ishte në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit që ishin të kyçur në formimin e UÇK-së në Deçan sikur ishin bashkëveprimtarët e tij Selim Lokaj, Selman Berisha, Agim Hulaj, Ali Geci dhe më vonë shokët e studimeve në Fakultetin Juridik, Ardian Krasniqi, Edmond Hoxha, Shkumbin Demalijaj e të tjerë. Disa nga ta ishin edhe shokë të studimeve. Blerimi i takon brezit të parë të ushtarëve të UÇK-së, por zyrtarisht në komandën e Zonës së Tretë të Mbrojtjes është i regjistruar ushtar i UÇK-së nga periudha 2 maj të vitit 1998 e deri me datën e rënien e tij heroike në altarin e Atdheut, më 6 janar të vitit 1999.

Ishte pozicionuar në ballë të vijës së frontit, përgjatë magjistrales Pejë -Deçan, në fshatin Strellc i Ultë. Shtëpia e Blerimit, dhe babait të tij Avdiut ishte zonë mbrojtëse e fshatit.

Oborri i tyre ishte i mbushur plot istikame mbrojtëse. Vlen të përmendet se punkti policor serb tek pompa e benzinës në Strellc të Epërm në vijë ajrore nuk ka më shumë se 900 metra larg shtëpisë së Blerimit.

Ishte ndër të parët që shkoi për në Shqipëri për të sjellë armë për organizimin e luftës së UÇK-së në komunën e Deçanit dhe zona tjera të Dukagjinit. Në përcjellje të njësiteve të Gllogjanit, Blerimi së bashku me një grup shokësh, në muajin prill të vitit 1998, shkuan në Shqipëri dhe sollën një numër të konsiderueshëm të armatimit. Është e rëndësishme të theksohet se përveç armatimit të lehtë, Blerimi dhe shokët e tij arritën që në Kosovë të sjellin edhe topa dhe mitralezë, gulinovë, të cilët u sollën me shumë mund dhe sakrificë. Këto janë dëshmuar edhe nga shokët e tij, që sot janë gjallë të cilët tregojnë se duke iu falënderuar vendosmërisë dhe guximit të Blerimit arritën që këtë armatim të rëndë ta sjellin në Kosovë.

Po ashtu më vonë atëherë kur disa fshatra te komunës së Pejës dhe Deçanit bënë dorëzimin e armatimit, Blerimi u mundua që këtë armatim ta pengojë të mos dorëzohej dhe u përkujdesur, që disa nga ato armë dhe municione të dërgoheshin në zona më të thella, aty ku UÇK-ja vepronte dhe kishte nevojë për armë.

Mori pjesë në ushtrime për gjuajtje me gulinov në fshatrat Gllogjan dhe Rashiq. Më vonë gulinovin e vendosi në istikamin, që ishte i hapur në oborrin e shtëpisë së tij. Komandant i UÇK-së në fshatin Strellc ishte Gani Gjukaj dhe luftëtarët: Hamdi Balaj, Nysret Beqiraj e të tjerë.

Blerimi përveç që ishte i pozicionuar në ballë të vijës frontale përgjatë magjistrales Pejë- Deçan, mori pjesë edhe në luftimet që u zhvilluan si: në fshatrat Prilep, Carrabreg, Llukë e Epërme, Loxhë etj.

Në kohën kur disa fshatra te Dukagjinit ishin riokupuar nga forcat serbe, dhe asokohe disa nga këto fshatra kishin filluar dorëzimin e armatimit, Blerimi ishte një ndër luftëtarët që asnjëherë nuk i dorëzoi armët dhe që e kundërshtonte me gjithë qenien e tij dorëzimin e këtij armatimi, i cili ishte sjellë me aq mund e sakrifica të mëdha nga Shqipëria.

Blerimi edhe pse i penguar nga njerëz të frikësuar dhe të dyshimtë, mundohej të bënte riorganizimin e forcës mbrojtëse të fshatit të tij dhe me gjerë. Forcat vrasëse serbe tani kishin filluar pëmdjekjen dhe likuidimin e veprimtarëve dhe luftëtarëve të UÇK -së, në fshatra të ndryshme të Dukagjinit. Njësiti famëkeqe serb i grupit paramilitar “Shkorpionet” Blerimit i kishte rënë në gjurmë dhe e kishte piketuar për ta likuiduar, për shkak të veprimtarisë së tij të pandalshme çlirimtare.

Shtëpia e Avdi Balajt, babait të Blerimit, në mbrëmjen e 6 janarit të vitit 1999, u rrethua nga forca paramilitare çetnike serbe mirë të organizuara nga disa autoblinda dhe vetura policore të ardhura nga punkti policor në zallë të Strellcit, tek Pompa e benzinës. Blerimi duke parë se janë të rrethuar del nga shtëpia edhe pse i lutur nga e ëma që të mos dilte. Aty ai kidnapohet dhe dërgohet tek punkti policor në Strellc të Epërm te Pompa. Pas disa çastesh së pari dëgjohen dy të shtëna e më vonë breshëri automatikësh. Ekzekutohet nga forcat policore serbe në mbrëmjen e 6 janarit rreth orës 19.00 – 20.00.

Blerimi varroset më 8 janar 1999, në varrezat fshatit Strellc i Ultë me nderime të larta. Përmendorja është ngritur në vitin 2001 te varri ku pushon trupi i dëshmorit Blerim Balaj. Lapidari, në nderim dhe respekt të jetës së tij i është ngritur në vitin 2007 pranë Pompës së benzinës në Strellc të Epërm, afër vendit ku ka rënë dëshmor.

Është graduar epror i UÇK-së nga Zona e tretë e Mbrojtës së TMK-së, ndërsa familjes i janë dhuruar shumë mirënjohje nga shokët e idealit, Universiteti i Prishtinës dhe Shoqatat e dala nga lufta. Mirënjohjet nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, Diploma Postmortum nga Universiteti i Prishtinës, Mirënjohja nga Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” në Deçan etj.

Shumë gazeta dhe revista kanë shkruar për jetën dhe veprën e dëshmorit Blerim Balaj si gazeta “Fokusi”, “Epoka e re”, ” KosovaPress”etj, të cilat kanë shkruar disa herë për Blerimin në përvjetorët e rënies së tij me 6 janar. Biografia e tij ndodhet në librin e Dëshmorëve Studentë të Universitetit të Prishtinës, “Në kërkim te dijes dhe lirisë” dhe në librin e Fitnete Ramosajt “Pa Apologji 1”.

Rapsodi i dukagjinit Mustafë Ramaj nga Gllogjani, Blerimit i ka kushtuar një këngë lavdie, e cila është kënduar për herë të parë në akademinë përkujtimore në sallën e kulturës në Deçan, në vitin 2006. Blerimi kishte një ditar nga lufta dhe një libër me poezi, të cilat ishin të shkruara para luftës dhe gjatë luftës, por të gjitha këto u dogjën nga serbët gjatë kohës së luftës, së bashku me shtëpinë e familjes Balaj.

Blerimi ishte i pamartuar. Ai ka lënë prindërit: babanë, Avdiun, nënë, Mejremen, vallezërit: Nimanin, Bekimin, Jetonin, Burimin si dhe motrat: Venerën e Pranverën. (A. Q)