vipa
vala
muqa 900
Fillimi / Dëshmorët / Burim Ajet Graiçevci (1.11.1980 – 18.5.1999)
Burim Ajet Graiçevci (1.11.1980 – 18.5.1999)

Burim Ajet Graiçevci (1.11.1980 – 18.5.1999)

Familja Graiçevci nga fshati Hade i komunës së Kastriotit, (ish- Obiliq), në momente të caktuara të historisë u bë e njohur edhe me gjakun që pjesëtarët e saj derdhën për lirinë e vendit. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, ajo u shpërngul nga fshati Hade. Kështu kishte ndodhur edhe me familjen e Fazli Graiçevcit, në fshatin Sankoc të Drenasit. Fazliu kishte lindur aty në vitin 1935. Ai kishte qenë mësues dhe poet, por edhe anëtar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Për shkak të veprimtarisë patriotike, inspektorët e UDB-së e martirizuan në burgun e Prishtinës, më 17 gusht 1964.
Nga radhët e kësaj familje ishte edhe Fatmir Graiçevci, pjesëmarrës në demonstratat e rinisë studentore të marsit dhe prillit të vitit 1981 si dhe pjesëtar i lëvizjes ilegale. Për shkak të aktivitetit të tij atdhetar Gjyqi i Qarkut në Prishtinë, në shkurt të vitit 1983, e dënoi me 9 vjet burg. Nga kjo vëllazëri, për shkak të aktivitetit atdhetar u gjykuan dhe vuajtën në burgjet e Jugosllavisë edhe shumë pjesëtarë të tjerë.
Familja e Burimit qe shpërngulur nga Hadja dhe qe vendosur në Prishtinë. Ajet Graiçevci qe martuar me Bukurie Rrustem Kukajn. Në jetën e tyre të harmonishme bashkëshortore iu lindën fëmijët: Burimi, Blerina, Besarti, Blerta dhe Bjondina.
Ajet Graiçevci, babai i Burimit, është këngëtar i njohur. Ai këndonte këngë për personalitetet e njohura të historisë shqiptare, që u flijuan për çlirimin e atdheut. Këndonte edhe për Fazli Graiçevcin. Djemtë e tij, Burimi dhe Besarti, qysh si fëmijë e kishin mësuar këngën për Fazli Graiçevcin dhe kudi i recitonin poezitë e shkruara nga mësuesi martir.
Burimi u lind në Prishtinë, më 1 nëntor të vitit 1980. Prindërit, me gëzim e regjistruan në klasën e parë të Shkollës Fillore ‘’Pjetër Bogdani’’ të Prishtinës dhe katër klasët e para i kreu me sukses të shkëlqyeshëm. Edhe katër klasët e tjera të shkollës fillore i kreu me suskses të shkëlqyeshëm dhe sjellje shembullore. Pastaj u regjistrua në Shkollën e Mesme Teknike ‘’Gjin Gazulli’’ të Prishtinës. Kur u regjistrua në klasën e katërt në vitin shkollor 1998-1999, Ushtria Çlirimtare e Kosovës qe bërë shpresa e vetme për liri, si dhe forca e vetme që u rezistonte me vetmohim forcave okupatore serbe.
Në këtë kohë, Burimi nuk gjente dot qetësi. Ai kërkonte të shkonte për të parë ushtarët e lirisë. Bisedonte me shokë, por edhe me Sylejman Kastratin, profesorin e tij, i cili u mundua ta bindtte Burimin se ende ishte i ri, duke i premtuar se do të vinte koha edhe për të. Ndërsa Burimi, i mllefosur për gjendjen ekzistuese kishte thënë publikisht: ‘’Ne jami këtu në klasë, e shokët tonë po derdhin gjak!’’.
Burimi, bashkë me dajën e tij, Fitush Kukaj, gjatë pushimit veror kishin shkuar te lagjja e Gjinofcve, në Makërmal të Drenicës. Aty ishin takuar me ushtarët e UÇK-së. Gëzimi i tyre në ato çaste kishte qenë i papërshkrueshëm. Nuk e bënin dot zap veten duke shikuar armët. Edhe pse nuk ishin pranuar në radhët e UÇK-së, meqë nuk ishin të moshës madhore, Burimi dhe Fitushi gjatë kohës së qëndrimit në Makërmal kryejnë të gjitha obligimet, me të cilat qenë ngarkuar. Aty takojnë edhe Nazif dhe Avni Gjinovcin, ushtarë të UÇK-së. Burimi, në Makërmal qëndron më shumë se një muaj. Dhe më 10 gusht 1998, të dy shkuan në Likoc, ku ishte Shtabi i UÇK-së. Aty Burimi dhe Fitush Kukaj kërkuan që të pranohen në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës . Mirëpo, kjo nuk ndodhi, sepse Fitushi ishte shumë i ri, sapo kishte mbushur 16 pranvera. Ata, nga eprorët e UÇK-së urdhërohen të kthehen në Prishtinë. Gëzimi i tyre djaloshar qe kthyer në zhgënjim momental, sepse nuk u pranuan në UÇK. Mirëpo, ata nuk i humbën shpresat. U detyruan të kthehen në Prishtinë, por me mendje ishin me UÇK-së, me luftëtarët e saj.
Më 14 nëntor 1998, organizohet përurimi i një monografie në fshatin Bardhash të Besianës. Burimi kishte shkuar atje për të bërë xhirimin e tubimit me kamerë. Fshati Bardhosh, asokohe, ishte zonë e lirë e UÇK-së. Aty ishte policia ushtarake dhe shumë ushtarë. Burimi takon pjesëtarët e UÇK-së dhe prek me ngallëzim uniformat e tre ushtarake. Në këtë rast kishte shprehur dëshirën që edhe ai të veshte këtë uniformë. Nuk dua më të kthehem në Prishtinë, kishte deklaruar ai para disa ushtarëve dhe eprorëve të UÇK-së!
Burimi dhe Fitushi kishin vendosur të bëhen ushtarë të UÇK-së. Ata tashmë kishin mësuar se mund të shkonin në Shqipëri dhe nga atje të futeshin në radhët e UÇK-së. Burimi disa orë para se të nisej e mori bekimin e nënës. Dhe më 21 mars 1999, nga Prishtina, niset me autobus për në Shkup. Pastaj bashkë me Fitushin arrin në Tiranë. Në Spitalin Ushtarak të Tiranës, më 22 mars 1999, ata takojnë Hysni Gjinovcin e Makërmalit, Abdullah Ukën e Gradicës, Vesel Ramadan Aruçajn e Rezallës, i njohur me nofkën Rambo dhe bashkë me ta ishin vendosur në bazën e UÇK-së në Tiranë. Aty qëndruan deri më 2 prill 1999 kur shkuan të gjithë bashkë, në Kazermën e stërvitjeve të rekrutëve të UÇK-së, në Kalimash. Komandanti, Binaku Gashi, kishte vërejtur se Fitushi ishte në moshë jo madhore, por ai nuk dëshironte të ndahej nga Burimi dhe të dy i vazhduan ushtrimet. Pas kryerjes së ushtrimeve u sistemuan në Togën e Parë, të Brigadës 138 ‘’Agim Ramadani’’. Komandant i kësaj Toge ishte Safet Gjinovci. Togu i parë kishte 36 ushtarë. Aty ishin sistemuar Burimi dhe Fitushi. Ndërkohë, më 17 prill 1999 marrin urdhër që nga Padeshi të futen në Frontin e Kosharës. Dhjetë ditë qëndruan në vijën e parë të frontit. Pastaj u erdhi ndërrimi dhe pushuan një ditë. Pastaj, sërish kthehen në vijën e parë të frontit dhe luftuan edhe 7 ditë të tjera. Ndërkohë, Burimi dhe Fitushi sistemohen në Batalionin e Parë, të cilin e komandonte Skënder Rexhahmetaj. Hysni Gjinovci, me 9 ushtarë, në mesin e të cilëve ishte edhe Burimi, i shkuan në përforcim Batalionit, ku ndodhej Vesel Aruçi i Rezallës, i mbiquajtur Rambo. Burimi pas kësaj u dërgua në një pikë tjetër. Ishte sistemuar në drejtim të Shkozës. Sapo e kishte kaluar kufirin, në livorën e një lisi kishte gdhendur emrin e tij BURIM. Sapo e sheh Fitushi, edhe ai dy-tre metra më poshtë e kishte gdhenur emrin FITUSH. Ishte kjo një ndjenjë e thellë, që të shënonin emrat e tyre, sapo ishin futur në territorin e Kosovës. Emrat e tyre edhe sot janë një si përmendore e veçantë, sepse vetëm 200 metra më poshtë nga vendi ku shënuan emrat e tyre ata u flijuan për atdhe.
Rrustem Berisha, komandanti i Brigadës 138 ‘’Agim Ramadani’’, i kishte vizituar të gjitha pikat. Kishte urdhëruar që të punohen instikamet sa më të thella dhe të përforcoheshin në të gjitha aspektet. Komandanti i kishte vizituar edhe pikat e zjarrit, ku ishin sistemuar: Hysni Gjinovci, Burim Graiçevci, Fitush Kukaj, Leonorë Gashi, Maruf Halilaj dhe komandanti i Togës, Safet Gjinovci.
Skënder Rexhahmetaj, komandanti i Batalionit, bashkë me Safet Gjinovcin e Maruf Halilajn, shkon në vëzhgim. Të tjerët mbesin në pozicionet e tyre në vijën e parë të frontit. Në mbrëmjen e 18 majit të vitit 1999, rreth orës 19, fillojnë granatimet nga forcat armike serbe drejt pozicioneve të luftëtarëve të UÇK-së. Granata ra në lisin mbi bunker, të cilin e këput. Copa e predhës ishin shpërndarë nga të gjitha anët. Fitushi goditet rëndë nga një pjesë e predhës. Edhe Burimi kishte marrë plagë të rënda. Ai e then kokën nga Fitushi dhe shtrihet në tokë. Copa e granatës e kishte goditur në gjoks. Plagosen lehtë edhe Hysniu dhe Leonora. Hysniu, pa vonuar zbraz disa plumba nga kallashi dhe kërkon ndihmë nga shokët e togës. Kur erdhi ndihma, bashkëluftëtartët konstatuan se Fitushi kishte ndërruar jetë, kurse për Burimin menduan se ishte gjallë dhe u munduan t’i japin ndihmën e parë. Ndërkohë, hetojnë se edhe Burimi kishte rënë dëshmor në altarin e atdheut, në Kosharen legjendare.
Safet Gjinovci dhe Maruf Halilaj nxitojnë për t’u shkuar në ndihmë Burimit e Fitushit, por në atë moment nga breshëria e granatave të forcave armike serbe merr plagë vdekjeprurëse edhe Safeti. Dy orë më vonë, edhe ai thith për të fundit herë ajrin plot tym e erë baroti të frontit të Koshares, ku edhe bie dëshmor.
Bashkëluftëtarët e tyre i marrin trupat e tre dëshmorëve: Burimit, Fitushit dhe Safetit, të cilët i dërguan në Bajram Curr dhe i vorrosin me nderime të larta ushtarake.
Ajet Graiçevci me familjen e tij, asokohe qe vendosur në Korçë. Aty mëson për rënien dëshmor të Burimit dhe Fitushit, i biri dhe i vëllai i Bukuries. Ajeti dhe Bukuria, nga Korça shkuan në Tiranë dhe prej atje rrijnë në Bajram Curr. Shkuan te Varrezat e Dëshmorëve dhe aty gjejnë varret e feskëta të Burimit e Fitushit. Dhembja ishte e madhe. Bukurija qe ulur në mes të varrit të Burimit, djalit të saj dhe Fitushit, vëllait të saj. Atyre iu drejtohet me fjalë zemre të nënës dhe të motrës: ‘’Fitush, vëllai im, Burim, djali im! Nuk dua të qaj për ju! Vetë e keni zgjedhur rrugën e luftës dhe të flijimit për atdhe. Nuk dua që me lotët e mi të vras dashurinë Tuaj, idealin tuaj, që Kosova dhe shqiptarët të jetojnë në liri. Me gjakun e derdhur e keni zgjedhur rrugën e përjetësimit. Jeni nderi nënës dhe i motrës. Jeni nderi i kombit. Ju për mua kurrë nuk keni vdekur’’.
Aty ishin tubuar edhe shumë qytetarë nga Kosova dhe Shqipëria. Ata dëgjonin në heshtje dhembjeje dhe krenarie për të rënët. Mbetën të mahnitur nga burrëria dhe krenaria e nënës dhe e motrës.
Rivarrimi i Burimit u bë me nderime ushtarake, më 23 gusht 1999, në Varrezat e Dëshmorëve në Koshare. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare u bë legjendare, edhe me gjakun e derdhur të Burim Graiçevcit.
Familja e Burim Graiçevcit ka marrë mirënjohje për birin e tyre dëshmor, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Shtabi i Zonës Operative të Dukagjinit dhe nga isntanca të tjera organizative.