Brickos

Çelë Sokol Ukaj (9.11.1980 - 9.1.1999)

Çelë Sokol Ukaj (9.11.1980 – 9.1.1999)

Më 1 janar të vitit 1999, Zona Operative e Rrafshit të Dukagjinit ndryshon strategjinë e veprimit duke ndarë arealet e përgjegjësisë dhe të kontrollit mbi pozicionet që i kishte, prandaj në frymën e operacionalizimit të detyrave formohet Brigada 133 dhe emërohet me emrin “Adrian Krasniqi”. Por, edhe forcat serboçetnike, gjatë javës së parë të janarit të vitit 1999 ndërmarrin masa edhe më të rrepta të kontrollit. Pranë aksit të magjistrales Pejë – Prishtinë forcat serboçetnike bastisnin fshatra dhe ekzekutonin shqiptarët që shtegtonin rrugës; më 2 janar ekzekutohet Veton Zymer Kelmendi nga Paulani i Pejës, trupin e pajetë të të cilit policia e hedh buzë aksit të përmendur rrugor afër fshatit Gllaviçicë të Klinës, te “Zalli i Strallit” ekzekutohet Blerim Avdi Balaj, student i Fakultetit Juridik, e në Shtime po në mënyrë të këtillë përjetësohet edhe Enver Tefik Gashi.

Por, në anën tjetër, komandant Tahir Sinani, afër Biraçit të Therandës, për ta prerë lëvizjen e lirë të njësiteve të motorizuara mobile në aksin e magjistrales Prishtinë-Prizren, në Malet e Biraçit, jo larg Therandës, depërton prej fshatit Sllapuzhan dhe shkatërron tërë teknikën që më 8 maj qarkullonte në segmentin prej Duhlës deri në Therandë, ndërsa në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, forcat serboçetnike provojnë të shtrihen për rrjedhe të kanalit të Lumbardhit në drejtimin: Dashinoc, Ratishë, Kryq i Rakocit e deri në Bardhaniq, dhe kështu më 9 janar të vitit 1999 fillon edhe “Beteja e Ratishës” në të cilën përjetësohet dëshmori i kombit Çelë Sokol Ukaj, por forcat serboçetnike të shndërruara në hordhi të thurura barbare pësojnë humbje në teknikë dhe në njerëz, prandaj “Beteja e Ratishës”, luftimet e të cilës janë shtrirë prej Dashinoci deri në Bardhaniq, mbetet njëra prej betejave më të vrazhda në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit në të cilën mori pjesë dëshmori Çelë Ukaj së bashku me vëllain Valmirin, tri herë i plagosur në luftimet e Baranit, te Ura e Pozharit e në shumë luftime të tjera. Ishte përherë së bashku me luftëtarët: Agron e Sejdi Rama, Armend Kukleci, Elez Ramë Geci, Ali Geci, Hajdar, Astrit e Adnan Berisha, Bekë Zeka, sot të gjithë dëshmorë të kombit, invalidë e veteranë të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmori i kombit Çelë Ukaj, i Sokolit dhe nënës Hyrije, bijë e Sadrijajve të Dubravës, u rrit në një familje me shumë fëmijë: njëmbëdhjetë fëmijë, tetë djem e tri vajza, e Çela ishte fëmija i katërt. Ishte nip dhe bir i një familje të njohur për tradita kombëtare që gjendej në vijat e para të fronteve kundër çdo pushtuesi veçanërisht kundër regjimit sllavokomunist prandaj edhe shumë anëtarë të familjes, pasardhës të Çelë Sadikut burgoseshin e keqtrajtoheshin. Gjyshi i Çelës, Çelë Sadiku, emrin e të cilit e mori dëshmori Çelë Sokoli, u dënua me vdekje në procesin e vitit 1952. Burgun e vuajti në kazamatin famkeq të Goli Otokut. Anëtarët e tjerë të familjes u izoluan nga fshati, u bojkotuan, por asnjëherë nuk iu nënshtruan asnjë regjimi e aq më pak strukturave serboçetnike.

Shkollën fillore, Çela i Dytë, si të gjithë vogëlushët e fshatit Lumbardh e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin e filloi në Deçan dhe nuk arriti ta mbarojë pasi që nga forcat serboçetnike ndiqej në çdo hap, madje njëherë policia serboçetnike e rrahu deri në alivanosje.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e gjeti në klasën e tretë të gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranë Shtabit të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit mobilizohet më 15 shkurt të vitit 1999, madje në Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” nën komandën e Daut Haradinajt, në të cilën afirmohet si luftëtar e më vonë edhe si epror i shquar, i njohur me pseudonimin “Gjyshi”.

Këtë aktivitet luftarak e demonstroi në fillim si pjesëtar i formacionit elitor “Shqiponjat e Zeza”, krah për krah me të vëllain Valmirin, luftëtar i shquar, sot veteran me shumë plagë e plumba në trup. Gjatë luftimeve në fushëbetejat e Baballoçit, Prejlepit, Dranocit, Shaptejt, Ratishës, Dashinocit, Kralanit e Vranocit dhe në Betejën e Ratishës së Epërme, më 9 janar të vitit 1999, kah ora 13:00, Çelë Ukaj përjetësohet në vijën e parë të frontit, te udhëkryqi i rrugëve për në Pozhar- Ratishë- Dashinoc, krah për krah me dëshmorët: Nikë Sokol Hajdaraj nga Bardhaniqi i Dushkajës, Zef Rrok Gjokaj i Dashinocit kur plagoset rëndë edhe komandant Shkëlzen Haradinaj dhe Xhavit Uka i Ratishës.

Ky pozicion u bë digë e pakalueshme dhe vijë e pathyeshme për të përfunduar me varrin e forcave serboçetnike. Për nëntë ditë me radhë, ndërsa acari kishte marrë turrin dhe fërshëllinte nëpër Rrafshin e Dukagjinit, sidomos bri kanalit të Lumbardhit luftëtarët e lirisë mbeten të pathyeshëm. Çelë Sokoli, me forcën e një uragani luftoi me përpjekje prej titani që t’i ruajë pozicionet në vijën e zjarrit që shtrihej ndërmjet fshatrave Ratishë e Epërme dhe Dashinoc, madje mu në udhëkryqin Dashinoc-Ratishë e Epërme ku ishte vendosur një pikë defansive e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Forcat serboçetnike tinëzisht e shfrytëzuan rastin ndërsa kaloi automjeti ndërkombëtar me ngjyrë portokalli, dhe kinse pa dijen e ndërkombëtarëve vazhdojnë kah pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Luftëtari syçelë Çelë Ukaj me grupin heton forcat serbe dhe u kundërvihet me zjarr. Këtu zhvillohet një shtënie e përgjakshme në të cilën përjetësohet Çela me Nikë Hajdarin e me Zef Gjokajn. Por luftën e vazhdojnë vëllezërit e Çelës, Valdeti dhe Valmiri, të cilëve në çdo betejë u printe i ati Sokol Çela që si luftëtar i radhëve të para qysh në prill të vitit 1998 shtëpinë e vet midis një blerane të bukur e pati shndërruar në shtab të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sot trupi i dëshmorit të kombit Çelë Sokol Ukaj, të cilin e pati marrë policia serbe dhe e kishte varrosur në varrezat e Pejës, pushon nën hijen e pishave pranë dëshmorëve të fshatit Dashinoc, ndërsa lapidari shkëlqyes flet për rreze lirie në këtë Kosovë, rreze këto që ndriçuan falë gjakut të Çelë Ukajt e të shokëve të tij: Zef Gjokajt, Arsim e Avni Përgjegjajt e të Arton Lekajt. Familja Ukaj e Dashinocit nga Shtabi i Përgjithshëm nderua me Medaljen “Dëshmor i Kombit”.

Këtë dëshmor, me shkrimet e veta e nderuan: Hasan Hasani e Fitnete Ramosaj, ndërsa emri i tij qëndron lart në rapsoditë për luftën e Rrafshit të Dukagjinit, sidomos për betejat në Ratishë të Epërme e në vijën Pozhar-Kodrali-Irzniq. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …