driloni com
mbpzhr
vala – old
vipa
muqa 900
Fillimi / Personalitete / Daut Boriçi (1825 – 1896), dijetar, mësues dhe hoxhë i nderuar në shërbim të kombit e Atdheut
Daut Boriçi (1825 - 1896), dijetar, mësues dhe hoxhë i nderuar në shërbim të kombit e Atdheut

Daut Boriçi (1825 – 1896), dijetar, mësues dhe hoxhë i nderuar në shërbim të kombit e Atdheut

Daut efendi Boriçi ishte jo vetëm një dijetar i shquar islam, por edhe një nga patriotët më të shquar të Rilindjes Kombëtare. Ai ka udhëhequr me atdhedashuri Komitetin Ndërkrahinor të Lidhjes së Prizrenit, si dhe Degën e Lidhjes për Shkodrën. Daut Boriçi shquhet për përkushtimin e tij në fushën e arsimit dhe edukimit.

Jeta

Daut Boriçi, sipas autobiografisë së tij, u lind në Shkodër me 20 dhjetor 1825. Vetë ai shënon se mësues mejtepi të parë ka pasur Molla Ferhatin, që ka jetuar në periudhën 1772-1844. Kjo shkollë fillore gjendej në Pazar të Vjetër dhe Dauti tetë-vjeçar e frekuentoi së bashku me vëllain, Salihin. Në ditarët e Boriçëve gjendet një vjershë me nota realiste e hoxhë Ferhatit, kushtuar dy vëllezërve Boriçi, Dautit e Salihit.

Sipas shënimeve të të atit, Dauti, pasi mbaroi shkollën fillore, fëmijërinë e kaloi pranë familjes. Në autobiografinë e vet Dauti shënon se që në vitin 1839 kishte filluar të mësonte arabishten dhe të merrte mësime teologjie nga myderrizët e mirënjohur të Medresesë së Qafès, institucion i themeluar nga Mehmet Pashë Plaku (Bushatliu). Nga dora e mësuesve të respektuar si Salih efendia i Madh, Molla Ahmet Hadri dhe Molla Sylo Fakja, si dhe të myderrizëve të huaj të shquar, u përgatit një kontigjent klerikësh që më vonë u afirmuan, duke nderuar veten, institucionin dhe vendin: Jusuf Tabaku, M. Ahmet Kalaja, Hasan ef. Podgorica etj., ashtu si dhe vetë Dauti. Edhe në vitin 1845 e gjejmë në këtë medrese, pas kryerjes të së cilës u emërua imam i xhamisë së Draçinit dhe që në atë kohë u quajt Molla Dauti. Pas dy vitesh shërbimi, me 1850 u nis për Stamboll dhe me 21 tetor u regjistrua në medresenë Çifte-Bash Kurshun, një nga medresetë e Sulltan Mehmetit të II-të. Gjatë studimeve ai bënte takime të shumta me bashkatdhetarë, si dhe kryente porosi për të siguruar libra të ndryshëm nga kryeqyteti osman në vendlindjen e tij. Një dëshmi të tillë na jep ai vetë, kur kujton se si në qershorin e vitit 1851 u takua tre herë me Mustafa Pashën, që ndodhej në Stamboll. Te ky student i ri, ish-sundimtari i Shkodrës, në një moshë të thyer dhe me eksperiencë të madhe jete, si dhe me një formim kulturor serioz, gjente një bashkëbisedues aq interesant e të përgatitur, saqë i propozoi që t’i jepte mësime private gjuhe e besimi të birit të tij, Riza Beut, në një kohë që në kryeqytetin osman nuk mungonin pedagogë të shquar.

Në sajë të konsideratës që fitoi në familjen e Bushatliut, kur Dauti deshi të kthehej në Shkodër, u ngarkua nga Riza Beu si mbikqyrës i pasurisë së trashëguar prej të atit në Shkodër, me një rrogë prej pesë lirash në muaj, një ndihmë e mirë ekonomike kjo për familjen e tij të madhe.

Hoxhë dhe mësues

Pasi mbaroi studimet dhe u kthye në vendlindje, filloi karrierën e mësuesisë në shkollën “Rushdije” në Pazar të Vjetër, hapur më 1858. Shkollës “Rushdije” i përgjigjet shkolla e sotme 9-vjeçare që për kohën ishte shkollë e tipit më të përparuar, e ndjekur nga shumë bij të familjeve të qytetit, kryesisht myslimanë, pa përjashtuar edhe familjet e krishtera.

Dëftesat e para, ku ai nënshkruan si kryemësues, i takojnë vitit 1863; një e tillë i është lëshuar nipit të tij, Musa Boriçit. Nënshkrimet e profesorëve, të vendosura në këtë dëftesë, dëshmojnë se në këtë shkollë jepnin mësim emra të tillë, si: Sali Efendiu i Madh, Ahmet Efendi Kalaja, Ahmet Efendi Basha, tre nga myderrizët e afirmuar të vendit (ky komision merrte në provim edhe kandidatët për mësues, që i shtroheshin një konkursi). Brenda një kohe të shkurtër ai ka arritur të bëjë emër për përgatitjen profesionale dhe rezultatet në përparimin e nxënësve, saqë me shkresën 14 tetor 1863 ai merr lavdërime nga Ministria e Arsimit. Ai u shqua edhe për aftësi në drejtim e organizim, kështu e shohim në rolin e zëvendësdrejtorit të arsimit që me 1858, kur me këtë funksion, me 7 prill në emër të autoriteteve mbajti fjalimin e rastit, kur u hodhën themelet e Katedrales së Madhe në Shkodër, që ishte njëherazi edhe një shprehje solidariteti e tolerance e të gjithë qytetarëve myslimanë ndaj bashkëqytetarëve të tyre katolikë.

Sipas një shënimi në gazetën “Takvimi Vekajim” (shtypur në Stamboll me 25 shtator 1867) Molla Dauti vazhdonte të ishte kryemësues dhe emri i tij ishte radhitur tashmë në listën e mësuesve më të mirë të prefekturave të ndryshme të shtetit e që kishin fituar tituj nderi. Nga korrespondenca e tij shkollore nxirret, që ai me 1870 ishte inspektor i arsimit fillor për prefekturën e Shkodrës, detyrë që e kishte filluar më 1869. Kësaj detyre ai iu përkushtua me ndërgjegje të lartë, me dëshirën e mirë, që drita e arsimit të përhapej edhe në skajet më të largëta të vendit. Këtë na e konfirmon edhe propozimi i paraqitur në ministrinë përkatëse për hapje shkollash të reja në nënprefekturat Peqin, Kavajë, Durrës, Krujë, Ulqin, me sensin e kompetentit e të njohësit të mirë të problemit, ndonëse bëhej fjalë për një hapësirë gati sa gjysma e Shqipërisë së sotme, propozimin e shoqëron edhe me sugjerime mbi rrugën e sigurimit të fondeve, si dhe të domosdoshmërisë që lokalet të strukturoheshin sipas kushteve bashkëkohore për institucionet arsimore. Në sajë të shkallës së lartë të kredibilitetit profesional, ministria ia aprovoi propozimin dhe atij i sugjeroi të përcaktonte numrin e lokaleve të reja, atyre të riparueshmeve dhe shpenzimet e nevojshme, madje i kërkohej edhe çfarë parashikonte për rrogat e mësuesve dhe mënyrën e përgatitjes së kuadrove të reja. Ishte fare normale, kur administrata e vilajetit ia njohu meritat me anë të një shkrese të datës 8/3/1874, sipas së cilës urdhëroheshin që të virtytshmit, Mulla Dautit, t’i jepen të gjitha lehtësitë e nevojshme.

Në një telegram që i dërgon atij Ministria e Arsimit me 4 dhjetor 1879, i kumton se ishte caktuar të shkonte për të kontrolluar disa shkolla fillore në rrethet e Stambollit dhe për të raportuar rreth nevojave të reformimit të tyre. Ky ishte një shkas që ai të mbahej larg veprimtarisë politike të angazhimeve të tij në Lidhjen e Prizrenit.

Duke ia njohur përgatitjet dhe aftësitë, administrata osmane në fillim e caktoi të drejtonte një shkollë vajzash në Stamboll dhe pastaj inspektor shkolle në Anadoll. Larg familjes e mëmëdheut, pas vdekjes së të shoqes dhe hartimi të një peticioni të një përfaqësie nga Shkodra, ai u kthye në vendlindje, duke vazhduar karrierën në arsim. Nga një dokument merret vesh se në vitin 1888 figuronte drejtor arsimi. Në vitin 1892 ai paraqet dokumentet për të dalë në pension, por kjo kërkesë iu realizua vetëm në vitin 1894.

 Daut Boriçi si politikan dhe diplomat

Në botimet shqiptare me karakter historik është pranuar mendimi se Daut Boriçi e filloi veprimtarinë politike njëkohësisht me ngjarjet e Lidhjes së Prizrenit, mirëpo studiuesi Hamdi Bushati sjell argumente se Dauti nisi të aktivizohej në problemet politike qysh në vitin 1869.

Me 15 qershor 1878, dy ditë pas hapjes së Kongresit të Berlinit u zhvillua një manifestim i fuqishëm në Pazar të Vjetër, në oborrin e bibliotekës, pranë Medresesë dhe në mes një entuziazmi mbarëpopullor u lexua peticioni dërguar Kongresit të Berlinit në shenjë proteste. Sigurisht, ndër nismëtarët e këtij telegrami ka qenë edhe Daut Boriçi, nënshkrimi i të cilit është ndër të parët e 380 firmëtarëve të këtij memorandumi, që iu dërgua Kongresit më 16 qershor jo vetëm në emër të Shkodrës, por edhe të viseve e qyteteve të Shqipërisë Veriore e të Mesme. Në mes të tjerave theksohej: “…Kombi shqiptar, qoftë mysliman, qoftë katolik, krejt ndryshe për nga raca dhe nga feja nga ato të sllavëve, është i vendosur të mbrojë atdheun kundër çdo copëtimi tokësor..” dhe më tej ” …lutemi të mbroni tërësinë tonë kombëtare e tokësore e të na kurseni konfliktet shkatërrimtare që do të shpërthejnë…

Daut Boriçi ndonëse nëpunës i rangut të lartë në administratën lokale osmane, jo vetëm i bëri ballë çdo presioni, por edhe iu priu të tjerëve duke u vënë në shërbim të çështjes kombëtare. Me datën 11 korrik 1878 u krijua Dega e Shkodrës e Lidhjes së Prizrenit, e quajtur edhe Komiteti Ndërkrahinor, i përbërë prej 20 vetash me në krye Daut Boriçin. Dega e re, e porsakrijuar kaloi nga fjalët në vepër, nga solidarizimi politik me vendimet e Lidhjes, në organizimin e shpejtë të njësive vullnetare të armatosura. Dega lajmëroi qendrën se ishte gati të dërgonte 6000 vullnetarë për ta shkëputur Tivarin dhe pastaj Podgoricën nga dora e malazezëve, por kjo nuk u realizua. Krijimi i kontigjentit të “xhandarëve të Degës” për të ruajtur rendin ia rriti asaj autoritetin dhe përgatiti atmosferën për veprime edhe më radikale. Ngjarjet u rrokullisen kundër dëshirave të shqiptarëve, sepse si Tivari, ashtu Podgorica, Zhabjaku, Shpuza kaluan nën sundimin malazes. Fluksit të madh të emigrantëve nga këto treva u desh t’i bënte ballë Shkodra dhe i takonte Komitetit të Lidhjes të organizonte punën, duke aktivizuar komisionet e saj. Pavarësisht se qytetit iu krijuan probleme të reja social-ekonomike, ato u përballuan në sajë të bujarisë e solidaritetit mbarëqytetar, si dhe përkushtimit të aktivistëve të Lidhjes, bashkëpunëtorëve të Daut Boriçit, Jusuf Tabakut, Jusuf Sokolit, Selim Çobës, vëllezërve Dragusha etj.

Ndërkaq Komiteti e kishte të qartë që duhej luftuar jo vetëm me gjuhën e armëve, por edhe me atë të diplomacisë, prandaj u vendos që me 18 maj 1879 t’u bëhej një promemorie konsujve të huaj, që gjendeshin në qytet. Si në të gjitha dokumentet e nxjerra nga Komiteti Ndërkrahinor, edhe këtë radhë Daut Boriçi nënshkruante i pari dhe patjetër ndërmjet atyre radhëve fekste edhe mendimi i pjekur prej intelektuali, gjykimi i tij i mprehtë prej diplomati dhe ndjenja e zjarrtë prej atdhetari.

Dy vjet pasi doli në pension, pikërisht me 2 nëntor 1896, Daut Boriçi ndërroi jetë dhe u varros në varrezat e xhamisë së Luguçesmes.

Daut Boriçi, gjuhëtar dhe autor i teksteve

Një profil i tretë i Daut Boriçit, jo më pak i rëndësishëm, është edhe ai i gjuhëtarit e i krijuesit të teksteve shkollore. Kontributi i tij në lëmin e arsimit nuk u reduktua vetëm në kuadrin e veprimtarisë legale në atë sektor. Ashtu siç thuhet në Historinë e Shqipërisë[3], “…kleriku patriot mysliman, Daut Boriçi, botoi me 1869, në Stamboll një abetare të gjuhës shqipe, e cila duke përdorur alfabetin arab, përpiqej të fitonte për çështjen kombëtare shtresa e gjerë e popullatës myslimane, pa rënë në sy të censurës.” Pikërisht Daut Boriçi botoi abetaren turqisht-shqip në themel të një alfabeti të hartuar prej tij me shkronja arabe.

Me sa dihet, informacionet e para mbi krijimtarinë e Daut Boriçit i kemi nga revista “Diturija” e L. Skendos (viti 1927 dhe 1928) përmes rubrikave “Bibliografia shqipe”, “Letra nga këndonjësit’, mbështetur në informacionet e dy mësuesve shkodranë Sh. Muka e H. Bushati.

Rreth botimeve të abetares, si dhe rreth veprave të tjera, Prof. Dr. Jup Kastrati ka dhënë një informacion më të gjerë në “Buletinin për shkëmbimin e eksperiencës” viti 1954[4], duke e paraqitur të plotë në veprën e tij “Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare”, ku ai shpjegon për botimin e abetares në vitin 1869 dhe disa ribotime të tjera në vitet 1869 dhe 1881, hartimin e një “Gramatike shqip”, njohuri të përgjithshme mbi emrin, numrin, gjininë, etj. Vepra është e pakryer dhe dorëshkrim. Ai ka hartuar gjithashtu edhe fjalorin turqisht-shqip, dorëshkrimi i të cilit ruhet në Arkivin e Shtetit. Përveç këtyre ai la dorëshkrim një autobiografi dhe dy ditarë, njëri i vitit 1884-1850, tjetri i vitit 1893-1895. Krahas punimeve të autorëve të tjerë, kontributi gjuhësor i këtij personaliteti u trajtua edhe nga studiuesit Sh. Osmani, Nj. Kazazi, T. Osmani në simpoziumin shkencor me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së Daut Boriçit (Shkodër, nëntor 1996).

Referencat:

Drita islame. – Nr. 10, , tetor, 2012, f. 25 – 27.

Luli F., Dizdari I., Bushati N., Në kujtim të brezave, Shkodër, 1997.

Somel S., The modernization of public education in the Ottoman Empire, 1839-1908: Islamization, autocracy, and discipline, Ottoman Empire and its heritage 22, Boston: Brill, pp. 127–128, ISBN 9789004119031, OCLC 44934413

Bushati K., Të dhëna të reja mbi sundimin e Bushatlijvet, zemrashqiptare.net, 16 korrik, 2015. – Sipas këtij burimi, bijtë e Mustafa pashës quheshin Mahmud e Hasan Haki. Por për nga natyra e asaj kohe, fëmijëve u vihej më shumë se një emër.

Burimi “Drita Islame”.