Brickos

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: Arrestimi i Ramush Haradinajt është i natyrës politike

 Janë të shuma dhe bindëse argumentet që flasin se arrestimi i Ramush Haradinajt nga autoritetet e Francës ka karakter politik. Ja cilat janë arsyet sipas mendimi tim:

-Nëse Serbia do të kishte akuza të reja për Ramush Haradinaj, veç atyre për të cilat ai është gjykuar dy herë në Hagë, Serbia duhej t’ia paraqiste ato Gjykatës Speciale dhe jo Interpolit. Dikush mund të shprehet, se përderisa u krijua Gjykata Speciale dhe arrestohet Ramush Haradinaj, do të thotë se urdhër-arresti i Serbisë është mbështetur edhe nga Gjykata Speciale. Mirëpo një gjë të tillë nuk e kemi, pasi e mohoi zëdhënësi i Gjykatës Speciale.

-Ramushi është deputet dhe njëkohësisht i pajisur me pasaportë diplomatike, gjë që sipas Konventës së Vjenës të vitit 1961 gëzon imunitet, dhe kjo konventë duhet të zbatohet jo vetëm nga vendet e vogla por edhe nga Fuqi të Mëdha, sikundër është Franca. Si shpjegohet që Franca të mos e zbatojë këtë Konventë dhe BE-ja të mos reagojë?! Ky arrestim të bën të pyesësh se cili është roli i Francës në këtë arrestim? Cili është interesi i saj? Lojën e kujt bën Franca? Vështirë t’u jepet përgjigje këtyre pyetjeve.

-Nuk duhet të pranojmë se kemi të bëjmë thjeshtë me faktin se rastësisht një polic kontrolloi kompjuterin dhe “për fatin e keq” të Ramushit e gjeti se për atë ekzistonte një urdhër-arresti nga Serbia. Këtë e themi për faktin se Ramushi kish hyrë e dalë edhe herë të tjera në Francë, si ka mundësi që gjithë policët e mëparshëm, prej vitit 2004 që ky urdhër-arrest i është dhënë Interpolit prej Serbisë, nuk e kanë gjetur emrin e tij në kompjuter, apo kanë qenë analfabetë?!

– Mos vallë ky arrestim ka lidhje me mos-votimin nga Ramush Haradinaj si kryetar i AAK-së dhe forcat e tjera politike opozitare të Gjykatës Speciale, të Demarkacionit dhe të Zajednicës, të cilat u mbështetën nga ndërkombëtarët? Kemi të drejtë ta bëjmë këtë pyetje pasi me drejtuesit e Vetëvendosjes Serbia dhe miqtë e saj në Evropë nuk gjejnë ndonjë sebep që t’i arrestojnë, ngaqë nuk kanë qenë drejtues formacionesh të UÇK-së. Nëse është kjo hakmarrje, pa dyshim që kemi të bëjmë me arrest politik.

– Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet dhe politikanët qeveritarë të Kosovës ulen e bisedojnë me të, duke pranuar kushtet e saj! Dhe këtë e bëjnë sepse kështu i udhëzojnë ndërkombëtarët. Atëherë ku janë këta ndërkombëtarë që u thonë pranoni kushtet e Serbisë?! Pse nuk i dalin në krah Kosovës dhe dinjitetit të saj, por u thonë merruni vesh mes veti?! Si mund të shpjegohet që të dali zëdhënësja e politikës së jashtme e BE-së, Koçijaniç, e  të deklaroi që lirimi i Ramushit le të zgjidhet me marrëveshje midis policisë së Serbisë dhe Kosovës? Thua që BE-ja të jetë kaq e pafuqishme ndaj Serbisë? Nuk na besohet. Apo ka dorë edhe vetë BE-ja për atë që thamë se po hakmerret pse u kundërshtuan Demarkacioni, Gjykata Speciale dhe Zajednica?

– Në listën e urdhër-arrestit të Serbisë është edhe Hashim Thaçi, pse ky nuk është arrestuar kur nuk ka qenë Kryeministër dhe President i Kosovës, ndërkohë që ka udhëtuar në gjithë shtetet anëtare të Interpolit, apo kanë qenë kompjuterët me difekt ose nuk kishin energji elektrike? Ja pra një rast më shumë që të bind se kemi të bëjmë me arrestim politik.

– Dihet që akuzat e vjetra për Ramushin nuk kanë më vlerë, pasi për ato është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës. Askush nuk mund të arrestohet dy herë për të njëjtën akuzë, sikundër e thekson edhe Neni 10 i Ligjit të Tribunalit të Hagës. Mirëpo, përderisa arrestohet pa u bërë prezent akuzat e reja, mos vallë kemi të bëjmë me një urdhër arrest nga vet Euro-interpoli, i cili të ketë marrë një urdhër politik?

– Rastet e trajtimeve në Hagë nuk mund të rihapen më. Nëse Serbia do të kishte prova të reja, atëherë Ramushi nuk do të arrestohej me urdhër-arrestin e lëshuar nga Milloshevici, por nga qeveria e sotme e Serbisë. Përderisa një urdhër-arrest të tillë të freskët nuk e kemi, do të thotë se kemi arrestim politik. Nëse nuk do të kishim një arrestim politik, atëherë si është e mundur që BE-ja nuk i bën presion Francës, por thotë që të bisedoi policia e Kosovës me atë të Serbisë?!

– Sipas të drejtës ndërkombëtare organi, i cili zhvillon hetime penale ndaj një personi të caktuar, duhet të ketë juridiksion territorial mbi atë vend, ndryshe personi duhet të jetë qytetar i atij vendi, veçse nëse personi ka nënshtetësi të dyfishtë. Në rastin konkret Franca nuk ka juridiksion mbi Kosovën, madje Franca e ka njohur pavarësinë e Kosovës; as Serbia nuk ka juridiksion mbi Kosovën, dhe tjetra, Ramushi nuk është as qytetar i Serbisë dhe as i Francës. Ja që kemi të bëjmë me një arrestim të paligjshëm, që do të thotë arrestim politik.

– Serbia nuk ka autoritet për të gjykuar qytetarët e Kosovës, pasi këtë gjë ia ndalon Rezoluta 1244 e OKB. Si rrjedhojë, i vetmi autoritet që ka të drejtë sipas kësaj rezolute është OKB-ja, që e ushtron autoritetin përmes UNMIK-ut, dhe në asnjë mënyrë Serbia. Kjo të habit se si Intepoli pranon urdhër arresti nga Serbia për qytetarët e Kosovës! Nuk e njeh Interpoli as OKB-në dhe as UNMIK-un e as EULEX-in?! Nuk na besohet.

– Në rast se, bazuar në ligjet franceze, arrestimi i Ramushit kthehet në arrest shtëpiak duke qëndruar në Francë, sikundër thuhet, kjo do të jetë më se e qartë se kemi të bëjmë me arrest politik, se dikujt nuk i intereson që ai të ndodhet në Kosovë për një periudhë të caktuar që urdhërdhënësve u intereson. Në këtë rast duhet të angazhohet Shqipëria, si anëtare e Interpolit që të anuloi e të mos i njohi Interpoli urdhër-arrestet e Serbisë për shqiptarët e Kosovës që nuk kanë nënshtetësi të dyfishtë, kjo ngaqë Kosova nuk është anëtare e Interpolit.

– Pse për krimet serbe nuk u ngrit një Gjykatë Speciale, kur dihet që dogjën 150 mijë shtëpi e institucione të tjera publike në Kosovë, 280 xhami, përdhunuan mijëra femra shqiptare, vrarë 13 mijë shqiptarë të pafajshëm dhe ende nuk po gjenden eshtrat e 1700 të tjerëve. Nëse Ramushi do të kishte vrarë disa serbë të pafajshëm, a mund të arrestohet para se të arrestoheshin të gjithë komandantët e brigadave e batalioneve të ushtrisë e policisë serbe në Kosovë? Ja pra që kemi një nonsens juridik, që do të thotë arrestim politik.

– Edhe NATO gjatë 78 ditëve të bombardimeve të saj ajrore kundër forcave serbe në Kosovë goditi gabimisht disa herë njerëz të pafajshëm, shqiptarë dhe serbë, pse nuk i jepen drejtuesit dhe pilotët e saj Gjykatës për ato “krime”? A mos vallë ka ndryshuar ligjshmëria botërore, që don me thënë: Kush lufton për të çliruar atdheun e vet quhet terrorist dhe kriminel? Mos vallë duhet kuptuar se po u pushtove nga një vend tjetër mos luftoni për t’u çliruar?! Apo, ndoshta këtu qëndron faji i Ramush Haradinaj dhe i gjithë atyre që u bashkuan në UCK? Këto pyetje na lindin për faktin se Franca dhe disa vende të tjera të BE-së nuk kanë qenë dakort më ndërhyrjen e NATO-s, po qysh t’ia bënin SHBA, ngaqë binte ndesh me politikën e Rugovës, pavarësishtë se Ramushi e Hashimi kanë filluar e kungohet tek varri i Rugovës, ngaqë kështu u thonë ndërkombëtarët?! Bazuar sa më sipër na jepet e drejta të themi se me këtë arrestim kemi një shkelje brutale të të gjithë asaj që është ndërtuar institucionalisht nga vetë ndërkombëtarët.

Po t’i referohemi historisë së arrestimeve për krime lufte, dimë se menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore u nënshkrua nga të gjitha shtetet e mëdha aleate kundër nazi-fashizmit marrëveshja “Gjermanët që kanë kryer krime të rënda në vende të tjera do të gjykohen në ato vende, ndërsa urdhërdhënësit dhe gjermanët e tjerë që kanë kryer krime në Gjermani do të gjykoheshin në Gjermani”. Dhe kështu ndodhi me gjermanët; kështu ndodhi me japonezët; kështu ndodhi para dy dekadash në Ruandë; kështu ka ndodhur edhe me shumë serbë drejtues njësish të vogla për krimet që kanë bërë në vitet 1998-1999 në Kosovë. Pse gjykimi i shqiptarëve të Kosovës që “kanë kryer krime” në Kosovë të mos gjykohen në Kosovë sipas rasteve të mësipërme? Ja që është politika në lojë.

Edhe Fronti i Rezistencës  Franceze, i drejtua nga De Goli, kish kryer akte hakmarrëse kundër kolaboracionistëve francezë dhe popullsisë gjermane, por, me sa dimë, nuk u kërkua Gjykatë Speciale për ata. Pse për UÇK-në ndryshe?! Kjo ndodh sepse Kosova nuk i doli zot vetes për ta kushtëzuar krijimin e Gjykatës Speciale dhe bisedimet me Sërbinë të paktën me anulinin e urdhër-arresteve të Serbisë. Edhe Shqipëria duhej të kishte ushtruar presion diplomatik për këtë gjë, duke kërkuar anulimin e urdhër-arresteve të personave të UÇK-së, përderisa edhe ajo e prani Gjykatën Speciale dhe është anëtare e Interpolit, gjë që Kosova nuk është.

Nëse Ramushi ekstradohet në Serbi, sikundër kërkojnë autoritet serbe, ç’do të ndodhi? Rebelim të shqiptarëve? Shkak për ripushtim të Kosovës? Apo shkak për të ndërhyrë edhe Rusia në Kosovë e Ballkan? Atëherë kjo do të sjellë rrezikimin e  status-kuosë në Kosovë, ndoshta edhe shpërthimin e një lufte. Prandaj shqiptarët duhet të jenë vigjilencë. Prandaj kemi të drejtën të themi se kambana nuk bie për “bashkë-çlirimtarët ndërkombëtarë”, por për shqiptarët, të cilëve po u rrezikohet pavarësia. Dhe çudia qëndron në faktin se deklaratave miqësore të politikanëve të Prishtinës e Tiranës, Serbia iu përgjigj me arrestimin e befasishëm të Ramush Haradinaj, gjë që nuk pritej. Kjo të nxit të bësh pyetjen: Pse e bëri Serbia këtë veprim me duart e Francës, për të fyer kryeministrat shqiptarë e për t’u thënë nuk dua t’u respektoj?

Përfundimisht mund të themi, se urdhër-arresti për Ramushin dhe gjithë urdhër-arrestet e tjera të Serbisë për ish pjesëtarët e UÇK-së mund të hiqen vetëm me presion ndërkombëtar, pasi, sikundër thonë specialistët e të drejtës ndërkombëtare, nuk ka një model të tillë të përgjithshëm të vendeve të tjera.

 

  1. 1. 2017

Kontrolloni gjithashtu

Karderinis Isidoros

ISIDOROS KARDERINIS: RICS+: Një zgjerim mbresëlënës

Në agimin e vitit 2024, nga 1 janari, pesë vende të tjera u bënë anëtarë …