Dilaver Goxhaj

Dilaver Goxhaj: Të urdhëroj të jetosh!

Ndodh që në luftëra të ndryshme, të përsëriten heroizma të njëjtë, në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme dhe nga njerëz të ndryshëm. Të tillë heroizma, sikundër do të tregoj më poshtë, lindin në momentet kur konflikti në luftime arrin në situatën më kulmore, ku gjasat tregojnë se vdekja është e pamundur të shmanget. Por, të tillë heroizma ndodhin kur komandantët dhe gjithë ata që komandohen prej tyre e kanë parasysh përgjegjësinë dhe detyrën para formacionit, repartit, shoqërisë dhe Atdheut. Drejtuesit e këtyre formacioneve, pa treguar as frikë e as paburrëri, çdo hap dhe fjalë të tyre e konsiderojnë të rëndësishme, nuk dyshonë për vendimin që marrin dhe e çojnë atë deri në fund; nuk lëkunden, duke stimuluar kështu të gjithë të tjerët, por edhe veten.

-1-

Ngjarja e parë, që do të tregoj, ndodh në dimrin e vitit 1941, në luftën kundër nazistëve gjermanë, gjatë mbrojtjes së Moskës, e cila tregohet në filmin “Kodra Melehov”. Në këtë kodër është vendosur një bateri artilerie kundër-tanke, e cila ndodhej në drejtimin e goditjes kryesore të divizionit tankist gjerman, tanket e të cilit po afroheshin në formacion luftimi, duke vjellë zjarr. Komandanti i baterisë, duke e vlerësuar drejt situatën dhe përgjegjësinë që ka ai dhe gjithë efektivi i baterisë, është i vetëdijshëm se mund të vriten të gjithë. Në këtë rast, kush do t’i tregonte popullit dhe historisë për atë qëndresë heroike të tyre? Ndaj dhe komandanti  urdhëron të rreshtohet efektivi në një rresht. Pasi rreshtohen, i pyet me radhë se cili është profesioni i secilit. Njëri prej tyre ndodhi që ishte shkrimtar. Atëherë jep komandën: “Gati-tu! Të gjithë jini ushtarë të atdheut! Ju, shkrimtar, dilni nga rreshti tre hapa!” Dhe pasi ushtari-shkrimtar del para rreshtit dhe kthehet me fytyrë nga shokët, komandanti e urdhëron: “Të urdhëroj të jetosh dhe të shkruash heroizmin e këtyre ushtarëve për mbrojtjen e kryeqytetit tonë!” Dhe ushtari-shkrimtar e zbatoi urdhrin, shkroi atë histori, e cila u ekranizua edhe në film artistik.

-2-

Rasti i dytë ndodh tre vite më pas, në muajin korrik 1944, edhe kjo në luftën kundër nazistëve gjermanë, por në Shqipëri. Këtë ngjarje na  tregon vetë poeti Kolë Jakova, në një takim me rastin e muajit të letërsisë, në vitin 1965. Dikush nga ne skënderbegasit e pyeti se kur e kish kompozuar këngën partizane “Dalëngadalë po vjen behari”.

Dhe poeti tregon: “Në vitin 1943 familja jonë ndodhej e internuar në qytetin e Tepelenës. Duhet të ketë qenë muaji mars. Një ditë prej ditësh më thanë se më kërkonte një djalosh lab, me tirq e me qylaf. E takova. Pasi u veçuam nga ata që na shoqëronin, nxori e më dha një letër me shkrim dore, duke më thënë se ma dërgonte Mustafa Matohiti (Hero i Popullit).

E shpalosa letrën dhe po e lexoja. Më shkruante për  betejën e Topanasë, në qytetin e Vlorës, që kishte ndodhur në tetorin e vitit 1942. Në fund të saj më kërkonte që mundësisht të thurja e kompozoja një këngë për ata heronj. I premtova korierit se do mundohesha dhe të vinte pas një ose dy javësh. Por, sikundër e dini, – bëri humor me ne skëndërbegasit poeti, – bë me kenë shkodran të tana i ban. Edhe unë fillimisht hartova tekstin, që ju tash besoj se e dini të tanë. (Shpërtheu nga ne një Pooo!, e madhe). Pasi e latova mirë e mirë tekstin, një ditë me diell mora mandolinën dhe u ula mbi mur të kalasë dhe fillova kompozimin e këngës. Puna po më ecte mirë. Ndërkohë që unë i bija mandolinës dhe dielli po më ngrohte gjithnjë e më shumë, shoh një gjarpër që del nga gurët e murit dhe mbante kokën lart në drejtim prej meje. U tremba, por nuk lëviza, dhe vijova t’i bija madolinës sipas kompozimit.

Çuditërisht gjarpni nuk po lëvizte. E, po, kompozimi kenka boll i mirë, thashë me vete, sa i pëlqeu edhe gjarpnit. Pas do ditësh erdhi korieri dhe ndejti në shtëpinë e një të afërmi të tij. Bashkë me një bashkëmoshatar të tij këndonim çdo ditë së bashku. Brenda javës mësuan ta këndonin shumë mirë. Por farkoi dhe aty nga fundi i javës bëhet një demonstratë në qytet për bukë. Në atë demonstrim morën pjesë edhe këta të dy. Për bela të dy ata djem i kapi karabinieria, i arrestuan e i çuan në burgun e Gjinokastrës. “A, ha, thashë me veti, më humbi kënga!” S’kisha kujt t’ia mësoja tjetërkujt.

Kapitulloi Italia dhe ne u kthyem në Shkodër. Vëlleznit më kishin dalë partizanë. Dola dhe unë partizan. Në korrik të vitit 1944 mora edhe unë pjesë në çlirimin e qytetit të Burrelit, nga Brigada e Pestë Sulmuese. Pasi mbaroi lufta dhe manifestimi me popullin e qytetit, partizanët po pushinin në periferi të qytetit. Kur një moment dëgjoj këngën teme: “Dalngadalë po vjen behari, / Dalngadalë po na vjen…”. Nuk e përmbajta dot gëzimin. U ngrita në këmbë dhe thërrisja me të madhe: “Urraaa! Kënga ime! Kënga ime!”. Partizanët që e këndonin pushuan dhe më shihnin si të çmend; më kapin për krahësh e më çojnë te komandanti brigadës, shoku Shefqet Peçi, duke i thënë se ky partizani na u çmend, ne këndojmë dhe ky thërret “kënga ime”. Komandanti, që më njihte, por që nuk e dinte se unë isha edhe kompozitori i asaj kënge, më përqafoi dhe pastaj u bë serioz, duke më thënë: “Nga sot, të ndaloj të marrësh pjesë në luftime! Ti duhet të jetosh që të shkruash e t’i këndosh heroizmit partizan!”. Dhe ashtu u ba. Ndoshta edhe do isha vrarë, por nuk më la komandanti të vritesha.”, e mbylli përgjigjen e pyetjes, shkrimtari ynë i madh, Kolë Jakova.

-3-

Rasti i tretë, ka ndodhur në luftën kundër fashistëve serbë, në natën e 5 marsit 1998, në kullat e Jasharajve, në Prekaz të Drenicës, në Kosovë. Sikundër dihet, këto kulla u rrethua nga ushtria dhe policia serbe, përfshi dhe tanke, ku u luftua në rrethim 36 orë rresht nga gjithë burrat, gratë, djemtë dhe vajzat e Jasharajve dhe që nuk u dorëzuan derisa vriten të gjithë, 56 vetë, me përjashtim të djalit të Ademit, Lulit dhe motra e vogël e tij. Në mesnatën e rrethimit, gjyshi i Lulit, babai i Adem Jasharit, Shaban Jashari, e thërret nipin dhe i thotë: “Do të dalësh patjetër nga rrethimi! Të shkosh te dajët e tu dhe kur të mbaroi lufta jonë, do njoftosh Refatin në Gjermani se ne luftuam të gjithë, burra e gra, e mos të kenë dert, pasi serbi nuk mundi me prek me dorë askënd prej nesh.” Dhe Luli doli nga rrethimi.

Dhe Baca Rifat më tregon: “Kur na thirri Luli në telefon dhe na tha se përveç tij dhe Besianës të gjithë u vranë, unë e pyeta, nëse serbi mundi me na prek kënd nga gratë dhe cucat; dhe ku Luli tregoi se Jo, e harruam dhimbjen, ishim gati me ia marrë këngës.”

Në të tilla raste urdhër marrësi fillimisht heziton, ngaqë për momentin nuk e kupton se edhe urdhri i dhënë dhe detyra e ngarkuar është pjesë e atij luftimi. Dhe kjo ndodh ngaqë urdhërohet të mos luftojnë, urdhërohet të bëjë atë që ai nuk dëshiron. Por faktikisht, në të tilla raste, këta heronj shndërrohen në një urë që lidh ata, që luftuan dhe u sakrifikuan për Atdheun, me brezat pasardhës, të cilët u bëjnë homazh këtyre qëndrimeve heroike.

Tiranë, 22 maj 2017

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …